Sulmi i terrorist i dy ditëve
më parë ka goditur rëndë
Londrën. Për terroristët jeta e njeriut nuk është asgjë. Shpërthimet në metro e kanë bërë katastrofike situatën, aq sa njerëzit janë të trembur, pasi gjithçka ndodhi papritur. Situata pas shpërthimeve duket e nderë dhe njerëzit janë të frikur. Nëse udhëton në trolët e Londrës njerëzit të shikojnë si të habitur.
Britania e Madhe ka mirëpritur emigrantët ekonomikë dhe ata nuk janë parë kurrë si rrezik për këtë vend, por njëkohësisht, ky vend mirëpret dhe turistë të huaj. Londinezët kanë të drejtë tashmë ta shohin çdo të huaj me dyshim. Arsyeja është e thjeshtë, sulmi terrorist i Al-Kaedas u mori jetën 55 njerëzve. Të gjitha të përditshmet britanike e kanë pasur të parë lajmin e hidhur. Vetëm në 56 minuta të sulmit terrorist u plagosën rreth 1000 njerëz, shumë prej të cilëve u dërguan me urgjencë në spital. Mjekët konstatuan se 22 prej këtyre ishin në gjendje kritike, e një person vdiq menjëherë atje. Shpërthimet ndodhën njëri pas tjetrit në 08.51 në Aldgate Station. Vetëm 7 minuta më pas, një tjetër shpërthim. Në 09.17 një tjetër shpërthim përfshiu trenin në Edgware Road. Tridhjetë minuta më pas pati një shpërthim në një autobus në Tavistock Square. Situata u bë kritike, ambulancat nxitonin të merrnin të plagosurit, nuk dihej asgjë rreth numrit të të vdekurve.
Masat e sigurisë
Menjëherë pas kësaj janë shtuar masat e sigurisë. Policia kontrollon çdo hyje në Londër, që duket pëllëmbë e policë. Masa të forta sigurie ka në të gjitha aeroportet e vendit, por, sidomos në atë të Londrës. Kontrollohet në të gjitha hyrjet e kryeqytetit. Britanikët janë porositur të njoftojnë për gjithçka të dyshimtë në rajonet e policisë menjëherë në telefon.
Vatikani nën masa të rrepta sigurie
Nga korrespondenti ynë
në Milano Astrit Çela
Tragjedia në Londër ka ngjallur shumë panik në Itali. Shpeshherë nëpër rrugë thuhet: "Tani e kemi radhën ne". Ministri i Punëve të Brendshme, Pisanu, në një deklaratë publike fton gjithë njerëzit që të mos përfshihen nga frika dhe kaosi, por të jenë të kujdesshëm e nëse vihet re diçka e dyshimtë nëpër aeroporte, metro ose stacione hekurudhore të telefonojnë pa hezitim. Nga Vatikani deri te stacionet, armiku i ri që kërkohet quhet "Kamikaz". Mobilizim i lartë, gatishmëri në gjithë territorin italian, në veçanti në Romë, Napoli, Milano (ku ka metro), por edhe në aeroporte të ndryshme. Një tjetër objekt sensibël është Vatikani, ku është rritur shumë gatishmëria dhe forcat e policisë. Në metronë Milaneze janë në xhiro qentë kundër shpërthimit të eksplozivit, ka në xhiro persona civilë që vigjilojnë dhe ndërmarrja që ka kontratën e pastrimit të mbeturinave ka shtuar personelin, në mënyrë që të mos krijohen shumë kosha me mbeturina. Në Aeroportin e Malpenses sistemi i kontrollit parashikon kontrolle të shumta dhe patrullim brenda e jashtë terminaleve, kontroll dokumentesh të imët, sikur edhe për një palë gërshërë etj. Në sheshin e Duomos, ku ndodhet kisha e famshme, janë dislokuar skuadra të policisë dhe makina të karabinierisë dhe në hyrje të kishës ka kontroll të imët. Nuk është nënvleftësuar edhe mundësia e një goditje edhe objekteve të tjera të rëndësishme, siç janë: centrale elektrike, spitalet, kompanitë ajrore amerikane, britanike. Objektet më të nxehta janë: metrotë, tunelet e autostradës, aeroportet, stacionet hekurudhore, digat, centralet elektrike, stadiumet, zyrat institucionale, ambasadat dhe konsullatat, shkollat amerikane dhe të huaja, monumente me vlera të larta (Romë, Firence, Venecia), Vatikani, spitalet etj.
“Orange” në Boston
Nga korrespondenti ynë
në Boston Arben Ademaj
Alarmi për sulm terrorist nuk është ndezur vetëm në Evropë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konkretisht, në Boston, niveli i gatishmërisë është "orange", një shkallë më e vogël se "red" që është gjendja e jashtëzakonshme. Në tren, forca speciale patrullojnë të armatosur deri në dhëmbë, duke bërë kontrolle në plan të masave të marra. Qentë antiminë, i shoqërojnë ata në çdo vend publik, që mund të rrezikohet për shpërthime. Përgjithësisht, kontrollet dhe masat po ndërmerren në vende të tilla publike si: aeroporte, metro, stacione, stadiume etj. Departamenti i Shtetit ka vlerësuar gjendjen pas sulmit në Londër dhe ka njoftuar të gjithë shtetasit për gjendjen e gatishmërisë, si dhe për masat e jashtëzakonshme që janë marrë ndaj çdo sulmi të mundshëm. Presidenti Xhorxh Bush, ka shprehur që nga Britania ku u zhvillua mbledhja e G8-ës, mbështetjen për vendin e goditur, si dhe vazhdimin e luftës kundër terrorizmit. SHBA-ja u gjend në një gjendje të tillë me datën 11 shtator, 2001, kur dy kullat binjake u sulmuan nga terroristë që kishin marrë në drejtim aeroplanin e shoqërisë "American Airline". Britania e Madhe është shteti i tretë që sulmohet nga sulme të tilla, por njëkohësisht, njerëzve u është bërë thirrje që të mos përfshihen nga paniku dhe se për çfarëdolloj dyshimesh që të kenë të informojnë policin e parë që të shohin, apo të njoftojnë me telefon në numrat e policisë.
Romë, trefishohen policët
Nga korrespondenti ynë
në Bolonja Elton Tafaruçi
Shpërthimi i katër bombave në Londër është dëgjuar deri në Romë. Ka mjaftuar vetëm një black-out prej tre orësh në stacionin e trenave të Romës, për të çuar në tilt të gjitha forcat e sigurisë së kryeqytetit dhe për të hipotezuar një alarm të ri atentati. Menjëherë pas atentateve me bomba plastike në metropolitanen e Londrës, Silvio Berluskoni dhe të gjitha institucionet e organet e sigurimit italian tha se niveli i alarmit është i lartë. Kryeministri italian ka deklaruar se pas Anglisë është Italia vendi që është më i ekspozuar nga sulmet terroriste. Menjëherë, ministri i Brendshëm Pisanu, në ndërhyrjen e tij të shkurtër në senatin italian ka pohuar se "siç ka ndodhur në vendet e tjera të Evropës edhe në Itali është ngritur niveli i alarmit antiterrorist". Mbi të gjitha është Roma ajo që e ka ndjerë këtë klimë emergjence. Në kryeqytet, praktikisht janë vënë nën kontroll të policisë të gjitha zyrat dhe përfaqësitë diplomatike e zyrtare angleze dhe amerikane. Me një kujdes të veçantë ruhet dhe observohet edhe qyteti i Vatikanit. Jo vetëm nëpër objektivat e ndjeshëm, por edhe nëpër rrugë janë trefishuar shërbimet e parandalimit të forcave të rendit, duke vënë në rrugë edhe një personel, që në një situatë normale ka për detyrë vetëm të hetojë siç janë skuadrat e Digos-it dhe ajo e lëvizshme. Por, për të mos mjaftuar kjo, janë mobilizuar edhe forcat e ushtrisë, të cilat do të japin kontributin e tyre në vëzhgimin dhe mbështetjen e forcave të rendit. Të gjitha portet italiane janë vënë nën kontroll të rreptë dhe parashikimet flasin për një ndryshim të politikës italiane ndaj emigracionit klandestin afrikan. Kjo ka qenë edhe preokupimi i kryeministrit Berluskoni dhe presidentit amerikan Bush për të krijuar një bashkëpunim më të ngushtë mes CIA-s amerikane dhe SISLI-t italian, për të parandaluar fluksin e terroristëve islamikë që përdorin Italinë si portë për të hyrë në Evropë. Nën vëzhgim dhe kujdes të veçantë janë vënë edhe bazat amerikane në Itali. |