Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 

Rubrika e letrave të lexuesve

Na shkruani në adresat: letra@tiranaobserver.com
b_observer@hotmail.com


Një thirrje për politikë të qytetëruar

Jam një intelektual banues në lagjen "Liri" të qytetit të Fierit. Kam ndjekur me interes të gjithë procesin zgjedhor. Nuk mund të them se i përkas njërës apo një tjetër force politike. Më pëlqeu që dita e zgjedhjeve në përgjithësi ka shkuar mirë dhe kjo tregon se shqiptarëve nuk i mungon kultura politike. Por nëse ky mirëkuptim shprehet te njerëzit e thjeshtë, nuk e shohim askund te njerëzit e veshur me pushtet. Kemi disa ditë që shohim përfaqësues vetëm nga njëri kah politik dhe absolutisht nuk i kushtohet vëmendje forcës tjetër. Tashmë nuk e kuptojmë as vetë se kush ka fituar. Njëri thotë se jemi fitues, tjetri thotë se ky proces është i manipuluar, se do ta çojë në proces gjyqësor dhe se nuk i njeh këto zgjedhje. Ka në KQZ një mal me kuti votimi ende të panumëruara dhe të pazgjidhura si fitues në KZZ të ndryshme. Bëhet një luftë e egër a thua për jetë apo për vdekje mes kandidatëve? Kaq të vështirë e kanë të pranojnë humbjen politikanët? Kaq shumë privilegje të pamerituara ka të qenit deputet, sa ata qajnë kur humbin? Kur do të vijë ajo ditë që shteti ynë të quhet me plot gojën shtet dhe kur ata që e kanë kolltukun ta lënë atë pa qarë për humbje privilegjesh? Gjithë bota po i kërkon Shqipërisë, që të krijojë një qeveri sa më shpejt, e kjo do të thotë që njëra nga palët duhet të pranojë humbjen. Ky nuk është fundi i botës as për vendin dhe as për vetë politikanët, që në këtë rast do të fitonin respektin e qytetarëve. Vetëm para pak ditësh ndoqëm kryeministrin gjerman që votoi kundra qeverisë së tij, pasi kishte kërkuar më parë zgjedhje të reja, a do të gëzojmë edhe ne shqiptarët të drejtën të kemi të tillë drejtues në këtë nivel qytetërimi.

Lavdar Hoxha
Fier

 

Ushqimet e ambalazhuara të kontrollohen

Para disa ditësh vajza ime bleu një çokollatë. Kur e hapi, ajo ishte si e çuditshme në dukje, por edhe në shije gjithashtu. Kur i pamë datën e kadencës, ajo kishte një muaj që kishte kaluar. Ekziston apo nuk ekziston ndonjë shoqatë e mbrojtjes së konsumatorit, ne nuk e dimë. Ne dimë vetëm se konsumojmë ushqime të pakontrolluara dhe të një cilësie shumë të dobët. Normalisht duhet të kontrollohen dhe të ketë ligje rregullatore për tregtimin e mallrave. Në shumë dyqane lëngjet ose ushqimet e tjera lihen duke u ekspozuar në diell dhe duke u bërë gati të pakonsumueshme. Problem i madh janë edhe ushqimet që vijnë nga jashtë, pasi kush e di se sa muaj ato kanë qëndruar nëpër magazina para se të vinin këtu. Kam vënë re tek një pjesë e ushqimeve, se aty ku kanë datën e skadencës, sapo ta gërvishtsh pak numrat fshihen menjëherë, gjë që më bën të dyshoj për vlefshmërinë e këtyre mallrave. Një Zot e di se çfarë ushqimesh konsumojmë. Për të mos folur pastaj për tregtimin në kushte krejt të papastra të mishit. Mishi ekspozohet në mes të rrugës ku kalojnë makina, ku ka pluhur dhe rreth tij mblidhen një tufë me miza. Me gjithë këto temperatura të larta ushqimet edhe në frigorifer edhe nuk durojnë, jo më të qëndrojnë për orë të tëra në diell. Nuk e kuptoj pse duhet të trajtohemi në këtë mënyrë dhe ndonjëherë edhe të konsumojmë mallra të skaduara ose jocilësore. Përveç datave të skadencave që janë problematike, mendoj se shqetësues është dhe ambienti ku tregtohen mallrat ushqimore. Në mes të rrugës ku është plot pluhur dhe tym makinash. E ne jemi të detyruar t'i blejmë, pasi mund ta kemi shumë larg tregun tjetër ose aty janë më lirë.

Arta Kryeziu
Tiranë

 

Turizmi në Shqipëri ka nevojë për investime

Zgjedhjet aq shumë të përfolura kaluan, pavarësisht se rezultatet përfundimtare nuk kanë dalë akoma dhe nuk e dimë nëse do dalin apo jo për një farë kohe. Është krijuar një zamallahi siç ndodh rëndom në raste të tilla te ne. Sidoqoftë, ne vazhdojmë të jetojmë. Prej kohësh kemi filluar të shqetësohemi se ku do t'i kalojmë pushimet verore. Shumë mendojnë se është më mirë jashtë Shqipërisë, disa mendojnë se është më mirë në Shqipëri dhe kjo më shumë për nacionalizëm, pasi të jemi të sinqertë kushtet nuk janë dhe aq të mira. Me të vërtetë kemi një natyrë të bukur e përrallore, por mungesa e infrastrukturës dhe papastërtia lënë shumë për të dëshiruar. Mendoj se është gjynah që një vend i tillë, i cilësuar si një nga perlat e Ballkanit, ta shikosh në një gjendje të tillë. Pothuajse të gjithë turistët e kishin konstatuar këtë fakt. Është gjë e mirë që turistë të ndryshëm, nga vende të ndryshme të botës, vijnë të vizitojnë Shqipërinë, por është e hidhur që ata të largohen të zhgënjyer nga një realitet krejt i kundërt që mund të ndodhet në foto të ndryshme dhe kartolina. Është një fat i madh për ne që kemi vende të tilla me të cilët duhet të krenohemi. Çdo i huaj do ta kishte zili një vend të tillë. Shqipëria ka plot vende turistike që po të mirëmbaheshin dhe po të investohej në to do ta kthenin vendin tonë në një vend akoma më të bukur. Shpre-sojmë se politikanët tanë, pasi të kthjellohen, sepse tani janë shumë të zënë, të mendojnë më shumë për turizmin në Shqipëri.

Merita Koce
Tiranë

 

Politikanët të pastrojnë muret nga posterat

Po bëhet gati një javë që fushata elektorale është mbyllur, por gjithandej në qytet të zë syri posterat e partive dhe kandidatëve të ndryshëm. Edhe në zonën e Pazarit, pjesën muzeale të qytetit që u mendua të mbahej e pastër dhe të mos mbushej me postera si në vendet e tjera është bërë një katrahurë e vërtetë. Deri tani kemi dëgjuar aq shumë fjalime, jemi mbingopur me politikë, premtime, e gjëra të tilla dhe na është lodhur vështrimi nga gjithë ato postera që nuk kanë lënë vend pa zënë. Edhe pse duam të paktën të qetësojmë sytë, as që bëhet fjalë, pasi kudo të zë syri copa letrash. Shtabet elektoralë të kandidatëve e bashkë me to edhe selitë e partive kanë rënë në qetësi, duke ua lënë faturën qytetarëve. Të çoroditur e duke rendur pas rezultateve, kanë harruar edhe përgjegjësinë që kanë për të na krijuar ambientin qytetar. Që këtu nis kultura dhe edukata e tyre. Ç'mund të presim tjetër ne si qytetarë prej tyre, kur ata dhe njerëzit e tyre që deri dje rendnin të varnin posterat gjatë gjithë natës, ndërsa sot kanë harruar ç' kanë bërë e as që e ndiejnë përgjegjësinë e heqjes së tyre. Nuk është normale, pasi kur ata nuk na respektojnë që tani, imagjino se ç'do të ndodhë më vonë. Edhe bashkia nga ana tjetër nuk po merr asnjë masë për heqjen e posterave. Kështu që mesa duket, ato do të vazhdojnë të qëndrojnë si çarçafë të varur në mure, përballë godinave, në xhama lokalesh e dyqanesh duke na bezdisur pamjen.

Reazarta Ferri

 

Punë edhe për gratë që kanë kaluar të 30-at

Jam një banuese e lagjes "15 tetori" të qytetit të Fierit. Quhem Anita Hasa. Kam mbaruar gjimnazin dhe prej disa vitesh kam punuar në punë shtetërore. Por privatizimi i viteve '90 më flaku në rrugë. Tashmë, prej vitesh kam ngelur pa punë dhe detyrohem të shtyj ditën në shtëpi. Shkolla që kam bërë nuk më nevojitet për asgjë, pasi nuk kam ndonjë profesion. Ajo që më shqetëson mua dhe gratë e moshës sime është diskriminimi që ndiejmë kur shohim e lexojmë oferta të ndryshme. Gjithandej kërkohen vajza të reja, deri në moshën 30 vjeçare dhe mundësisht të paraqitshme. Tashmë, ne gratë e brezit tim e njohim fare mirë klishenë: Kërkohet një shitëse, një banakiere, një kameriere, një sekretare etj., etj., që të jetë e moshës 20-30 vjeç( madje edhe më e vogël). Nëse unë paraqitem në një vend pune e shoh mëdyshjen dhe punëdhënësit që nxjerrin justifikime dh kuptohet qartë se nuk janë të vërteta. Nuk e kuptoj pse ndodh kjo? A thua se gratë e moshës sime nuk kanë energji për të punuar? A nuk është ky një diskriminim për fuqinë punëtore, sidomos kur bëhet fjalë për një familjare që ka edhe fëmijë për të ushqyer? Theksoj se ky është një problem i madh që e diskutojmë shpesh dhe nga shoqet e brezit tim dhe me të afërmit e mi. Ndërkohë, nuk e kuptoj se çfarë bën shteti kur trumbeton shpesh plane punësimi apo projekte për gratë e moshës sime, të cilat shpesh mbetet e zënë pluhur sirtarëve burokratikë.

Anita Hasa

 
 
LETRA
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005