Arben Maratona prej 15 vjetësh e ka të lidhur jetën e tij me Partinë Socialiste. Problemet dhe fitoret e saj, ia luhatin humorin e ditës 52-vjeçarit, shumë më tepër sesa problemet dhe sukseset personale. Humbja e zgjedhjeve, e ka hidhëruar dhe sa herë ia përmend sytë i mbushen me lot. Të gjithë në selinë rozë, e njohin si një nga militantët më të flaktë të kësaj partie, që nga dita që u anëtar i saj.
A e mbani mend ditën që jeni bërë anëtar i Partisë Socialiste?
Unë s'mund ta harroj atë ditë. Ka qenë 15 vjet përpara, atë kohë kur u themelua. Që nga kjo ditë dhe deri në vitin 1997 kur u largova nga Shqipëria, unë kam marrë pjesë në çdo miting që ka organizuar Partia Socialiste. Ndërsa tani që jam larg kam ardhur vetëm kur ka pasur zgjedhje. Nuk mund të rrija dot pa marrë pjesë nëpër mitingje që organizon partia me rastin e fushatës zgjedhore.
Përse zgjodhët këtë parti?
Unë kam qenë oficer marine dhe kam shëtitur në të gjithë botën. Kam parë që e majta është një alternativë për hir të së mirës. Gjithmonë e majta ka dhënë kontributet e saj të shkëlqyera, për ndërtimin e një shteti ligjor, për ndërtimin e një demokracie të vërtetë. E majta gjithmonë ka hapur vende pune. Ajo lufton gjithmonë për një barazi për zhdukjen e varfërisë, për zhdukjen e kriminalitetit për zhdukjen e shfrytëzimit maksimalisht të njeriut.
Në vitet '92-'97 Partia Socialiste ka qenë në opozitë. Si i keni përjetuar këto vite si opozitar?
Në pesë vjet në opozitë, humba një fëmijë, në pesë vjet opozitë kam marrë plumb në trup për këtë parti. Gjatë atyre viteve kam qenë pa punë, pasi partia në pushtet më hoqi nga puna se isha i majtë, nuk mund të shprehesha lirshëm, sepse pushteti i Partisë Demokratike më mohoi të drejtën fjalës. U shkatërrua e gjithë industria e vendit të cilën populli mezi e kishte ngritur për 50 vjet dhe nuk u bë asgjë punësimin. Më ka ngelur një shije shumë e hidhur gjatë atyre pesë viteve në opozitë. Shpresoj që ato pesë vjet të mos kthehen më, sepse gjatë këtyre viteve provuam censurën, vuajtjen, skamjen, torturën dhe vdekjen.
Si u janë dukur këto 8 vite në pushtet të Partisë Socialiste
Partia jonë ishte ajo që vendosi shtetin. Gjatë këtyre viteve, Partia Socialiste ka punuar shumë, por edhe ka gabuar. Ajo bëri një gabim, sepse vuri në zbatim programin e së djathtës.
Cilat janë për ty shkaqet e humbjes së Partisë Socialiste?
Shkaku i parë për mua është ekonomik. Partia Socialiste me Fatos Nanon në krye kur erdhi në pushtet e çoi vendin një hap përpara, por pastaj bëri dy hapa mbrapa. Unë jam i mendimit se Partia Socialiste duhet të rinovohet me figura të reja dhe të pastra dhe jo me figura të konsumuara. Shkaqe të tjera për humbjen në zgjedhje janë mosorganizimi i mirë i fushatës dhe përçarja e partisë. Nga kryetari i partisë nuk u mor asnjë masë për të ndalur këtë përçarje.
Çfarë do të bëni tani pas fitores së Partisë Demokratike të zgjedhjeve parlamentare?
Tani nuk më ka mbetur asgjë tjetër, veçse të marrë një vizë dhe të largohem që këtej. Kjo, pasi kam frikë se demokratët nuk mund të kenë ndryshuar derisa në krye të tyre qëndron Sali Berisha.
Edmond Berisha: “Tetë vitet e mia në opozitë”
Nuk e mban mend numrin e mitingjeve në të cilin ka marrë pjesë, por thotë me siguri që nuk ka munguar në asnjë. Edmond Berisha, e ka ndjekur në çdo miting në çfarëdo rrethi ku ka shkelur, Doktorin dhe e ka për nder që ka të njëjtin mbiemër, edhe pse s'ka lidhje gjaku me të. Në selinë e Partisë Demokratike, nëse pyet për militantin më të zjarrtë, të gjithë do të të drejtojnë tek ai.
A mbani mend ditën kur u bëtë anëtar i Partisë Demokratike?
Që kur u themelua Partia Demokratike në dhjetor të vitit 1991, kam qenë simpatizant i saj dhe u bëra anëtar i saj në fillim të vitit 1992. Që nga ajo ditë nuk kam lënë miting të saj pa shkuar. Që nga 1991-shi e deri më sot e kam ndjekur dr. Sali Berishën kudo që ai ka vënë këmbën nëpër Shqipëri.
Përse zgjodhët të bëheni anëtar i kësaj partie?
Gjatë gjithës jetë time e kam urryer sistemin e kaluar diktatorial. Sapo filluan protestat e studentëve unë u bashkova me ta. Iu bashkova Partisë Demokratike, pasi tek kjo forcë shikoja lirinë, mundësinë për t'u futur edhe ne në Evropë, mirëqenie. E djathta është forca që simbolizon lirinë e njeriut, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, pronën private, lirinë e fjalës e shumë të tjera. Të gjitha këto na ishin privuar nga sistemi diktatorial i Enver Hoxhës.
Gjatë viteve '92-'97 Partia Demokratike ka qenë në pushtet, çfarë mendoni për këtë periudhë?
Gjatë pesë viteve që pushtetin e kishte Partia Demokratike, vendi bëri hapa të mëdhenj drejt zhvillimit. Papunësia ishte shumë e vogël dhe mirëqenia u rrit shumë gjatë atyre viteve. Por viti 1997 solli pasoja të mëdha. Partia Socialiste dhe aleatët e saj janë përgjegjës që shkatërruan dhe dogjën vendin në 1997. Koha e tregoi se Partia Demokratike nuk kishte gisht në atë mynxyrë që i ndodhi vendit tonë.
Si i keni përjetuar 8 vjet në opozitë?
Kam tetë vjet që jam pa punë. Punoja ku të gjeja, sa për të mbajtur frymën gjallë. Një ditë punoja pesë nuk punoja. Por tani, me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet shpresojmë që do rregullohemi, sepse ajo është e vetmja shpresë e jona. Ajo është një parti që ka menduar gjithmonë për popullin e thjeshtë dhe njerëzit e saj janë të ndershëm dhe jo të korruptuar. Gjatë këtyre tetë viteve që partia jonë ka qenë në opozitë, jam munduar të bëjë sa mundem për të dhënë ndihmesën time. Kam punuar për të mirëmbajtur ndërtesën e PD-së, duke kryer shërbime nga më të ndryshmet pa marrë asnjë kokërr leku. Tani shpresojmë që çdo gjë të shkojë mbarë.
Cilat janë për ty shkaqet që çuan në fitoren e Partisë Demokratike?
Ne fituam, pasi populli e kuptoi se ne jemi forca që do e çojë vendin përpara dhe do rrisë mirëqenien. Njerëzit që drejtojnë partinë tonë janë të gjithë njerëz që punojnë me shpirt dhe e duan Shqipërinë. Ata nuk janë njerëz të korruptuar. Ne i fituam këto zgjedhje me drejtësi dhe jo me dredhi.
|