Pas 48 viteve karrierë politike dhe 10 vjet president i
Francës, u duk se për herë të parë, Zhak Shirak dështoi. Partizani i Kushtetutës Evropiane, pa popullin e tij të votonte kundër aprovimit të saj. Më 29 maj, kur 56 për qind e votuesve francezë dhanë "Jo"-në përfundimtare për aprovimin Kushtetutës Evropiane, stabiliteti i BE-së u vu në pikëpyetje. Që prej asaj kohe, popullariteti i Zhak Shirakut u zhyt në rekordin më të ulët, të vlerësuar sipas një ankete nga "TNS-Sofres". Vlerësimi për Shirakun ra 24 për qind këtë muaj, sipas një ankete të realizuar në 1000 francezë nga revista "Le Figaro". Kjo është rënia më e ulët që kur "TNS-Sofres" filloi vëzhgimin e votuesve më 1979- nën presidencën e Valery Giscard d'Estaing. Dështimi i Zhak Shirakut në ndalimin e rritjes së papunësisë në 10,2 për qind, më e larta që nga dhjetori i '99-ës, kontribuoi te refuzimi i votuesve për Kushtetutën. Duke e ditur pikën e tij të dobët, Shiraku në një fjalim, pasi Franca refuzoi referendumin deklaroi se prioriteti i qeverisë në interes të popullit francez do të jetë punësimi. Shirak dështoi gjithashtu, në bindjen e votuesve dhe shumica nuk aprovuan zgjedhjen e tij për kryeministrin e ri. Ishte Dominique de Villepin, ai që zëvendësoi kryeministrin Jean-Pierre Raffarin, i cili dha dorëheqjen menjëherë pas refuzimit të Kushtetutës Evropiane.
Nga një parti në tjetrën
Më 1959-ën, pasi përfundoi studimet në Shkollën Kombëtare të Administrimit, Zhak Shirak u fut në shërbimin e lartë civil dhe shumë shpejt u afrua me politikën. Vetëm tre vjet pas diplomimit, Shirak u caktua drejtues i stafit personal të presidentit francez të asaj kohe, Georges Pompidou. Ai e konsideronte Shirakun si mbrojtësin e tij dhe i referohej atij si "buldozeri im", për shkak të ambicies së tij drejtuese. Nofka "buldozeri" zuri vend në rrethin e politikës franceze dhe deri sot, ai ende e mban këtë reputacion. Pas një suksesi në postet ministrore, Shirak u bë kryeministër më 1974 nën presidencën e Gaulle. Në këtë pikë, u afirmua karriera politike e Shirakut. Por Shirak shumë shpejt dha dorëheqjen dhe formoi partinë e tij, "Rassemblement, por la Republique", synimi kryesor i së cilës ishte që ta bënte atë president. Pas 19 vjetësh dhe tri fushatash, ambicia e tij u realizua.
Dy mandate president
Ai më në fund arriti postin e presidentit pas 18 vjetësh, si kryebashkiaku i Parisit. Politikat e Zhak Shirakut janë, siç diskutohen botërisht, konservatore dhe gaulliste. Ai përgjithësisht ka mbrojtur idenë e taksave të ulëta, heqjen e kontrollit të çmimeve, dënime të rënda për krime dhe terrorizëm, dhe privatizim të biznesit. Megjithatë, ai gjithashtu, debatoi për më shumë politika sociale-ekonomike dhe u zgjodh më 1995 pas një fushate, ku tha se do të pakësonte frakturat sociale. Shirak u bë kampion i euros si president. Në moshën 69-vjeçare, Shirak u përball me fushatën presidenciale më 2002 dhe arriti të fitonte mandatin e dytë si president i Francës. Gjatë kësaj kohe, Shirak u shfaq si një zë udhëheqës kundër masave administrative të marra nga presidenti Bush në Lindjen e Mesme. Me gjithë presionin e fortë nga SHBA-ja, Shirak kërcënoi se do të përdorte veton për çdo rezolutë në Këshillin e Sigurimit të BE-së. Presidenti francez ishte shënjestër e një numri të madh komentuesish britanikë dhe amerikanë që mbështesnin vendimin e presidentit Bush dhe kryeministrit Toni Bler.
Deklarata e Shirakut
"Franca është shprehur në mënyrë demokratike. Shumica juaj nuk e keni pranuar Kushtetutën Evropiane. Ky është vendimi juaj sovran dhe unë i kushtoj atij vëmendje. Megjithatë, interesat dhe ambiciet tona janë të lidhura ngushtë me Evropën. Ndërkohë, BE-ja do të vazhdojë të funksionojë në bazë të traktateve aktuale", kjo ishte deklarata e presidentit Zhak Shirak pas votimit kundër Kushtetutës së Evropës nga populli i Francës.
Pasaporta
- Emri:
Zhak Shirak
- Datëlindja:
29 nëntor 1932
- Vendlindja:
Paris, Francë
- Arsimimi:
Instituti i Studimeve Politike (1953)
Universiteti i Harvardit (1953)
Shkolla Kombëtare e Administrimit (1959)
Karriera politike:
- Sekretar i Shtetit për Ekonomi dhe Financë (1969-1973)
- Ministër i Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural (1973-74)
- Ministër i Brendshëm (1974)
- Kryeministër (1974-76; 1986-88)
- Kryebashkiak i Parisit (1977-1995)
- President i Francës:
(17 maj 1995- deri më sot)
- Pasardhës i:
Fransua Miteran
Deklaratat
Kryeministri britanik, Toni Bler
Pasi Franca votoi kundër Kushtetutës, Bler u takua me Shirakun ku u shpreh: "Është e vështirë. Takimi që sapo pata me presidentin Shirak ishte padyshim miqësor, por kishte në mënyrë të dukshme një mosmarrëveshje të thellë"
Kancelari gjerman, Gerhard Shrëder
Pas referendumit të Francës: "Duhet ta respektojmë këtë votim, pasi arsyet që i shtynë francezët në këtë votim do të analizohen më me kujdes. Kjo ishte një pengesë për referendumin, por nuk është fundi i tij.
Presidenti amerikan Xhorxh Bush
Sa herë që takohem me presidentin francez, Zhak Shirak, ai ka nga një këshillë të mirë për mua. Me të mund të bisedoj për një pafundësi temash: paqen, Iranin, urinë nëpër botë. E vlerësoj bashkëpunimin me të për një botë më të mirë.
|