Në një apartament të
thjeshtë dhe modest në
qendër të Libofshës, në katin e dytë të tij jeton prifti i kishës së Libofshës, at Rafael Rredhi, gruaja e tij, Luljeta, dhe 2 fëmijët e tij. Vetëm pak ditë më parë ai ka mësuar se është pezulluar nga hirësia e tij, Janullatosi për dy javë, porse është gjendur në një situatë të papritur. Ai e ka hedhur poshtë faktin se ka dhënë lekë për fushatën e kandidatit të LSI-së, Dritan Prifti dhe se e shoqja e tij nuk ka shkuar nëpër mitingje. Në një intervistë për "Tirana Observer", at Rafaeli shpjegohet lidhur me akuzat ndaj tij.
At Rafaeli, mund të na thoni diçka mbi akuzat ndaj jush?
Jam në dijeni të këtyre akuzave fare rastësisht, vetëm kur e kam lexuar në media. Ndërsa po shikoja së bashku me familjen në një stacion pezullimin tim nga Janullatosi. Jam befasuar dhe jam tronditur njëkohësisht. Kjo, i themi ne, është një punë e Satanait, dhe një ditë ata do të pushojnë, pasi të kenë hedhur shumë shkopinj ndër rrota. Në të vërtetë Sinodi i Shenjtë ka marrë vendimin për pezullimin e mistereve dhe liturgjisë sime në kishë për 2 javë rresht, por unë nuk mund ta kundërshtoj pa e kryer dënimin këtë vendim, që është marrë pa më bërë me dije arsyet dhe provat. Pas këtij dënimi, kam të drejtë të them fjalën time.
Do t'i shkoni deri në fund të vërtetës dhe do t'i drejtoheni institucioneve më të larta për padrejtësinë ndaj jush?
Unë jam njeri i Zotit, që edhe pse më kanë dënuar pa të drejtë, di të fal. Sigurisht kjo nuk do të thotë që s'do të them fjalën time, por butësia dhe mirësia janë tiparet e njeriut të Zotit.
Përse ju akuzojnë?
Nuk e di me saktësi, por sikur unë kam vjedhur lekët e kishës dhe ia kam dhënë Dritan Priftit që ai të bëjë fushatën elektorale. Kjo është një shpifje e pabazuar dhe qesharake. Lekët e kishës janë kaq të pamjaftueshme për fushatë, sa po tua them ju do të habiteni. Unë gjithashtu nuk e kam takuar që para 1 viti Dritan Priftin, në një takim fare të rastësishëm në kishën e Shëngjergjit në Fier. Aty mbaj mend se i kam kërkuar që po të ketë mundësi të bëjë të mundur si deputet i zonës shtrimin e rrugës nga kisha në varrezat e fshatit, më shumë për t'i shërbyer komunitetit. Vetëm kaq ka qenë kontakti im me të. Po të ishte për ndihmë unë mund të ndihmoja kandidatin e PD-së, Leonard Grëmi, këtë po që e kam njeriun tim.
Po gruaja, a ka qenë në shtabin elektoral të Dritan Priftit apo komisionere e LSI-së?
Me sa di unë në zgjedhje nuk ka pasur fare komisionerë LSI-ja dhe në mënyrë absolute gruaja ime nuk merret me politikë. Ajo ka marrë pjesë në takime të ngushta të deputetëve të zonës si me Rajmondën, si me Leonardin dhe si me Dritan Priftin ka dëgjuar si çdo njeri tjetër dhe ka dalë të dëgjojë koncertet e zhvilluara prej tyre. Por vetëm kaq është "bashkëpunimi" i gruas sime me politikën.
Sa vjet keni që shërbeni në kishën e Libofshës?
Unë kam 13 vjet që shërbej si prift në këtë kishë, që në moshën 32-vjeçare e kam veshur rrobën e zezë të priftit dhe e kam bërë me përkushtim punën time. Jam ndër priftërinjtë e parë që kam kryer shkollën e lartë fetare dhe kam bërë më shumë se 800 pagëzime. Kjo është një shifër rekord, që jo pa mburrje do ta kishte zili çdo prift tjetër.
Nga varet kisha juaj?
Kisha jonë varet nga Metropolia e Beratit dhe kjo e fundit nga Tirana, ku është Anastas Janullatos. Sinodi i Shenjtë është një grup kryepeshkopësh, një institucion tepër i lartë që merr vendime për punën tonë, vendime që nuk mund të kundërshtohen nga ne.
Zhduket kreu i PD-së së Hasit
Zhduket që prej dy ditësh kreu i Partisë Demokratike në Has dhe drejtuesi i shtabit elektoral të kandidatit për deputet Jemin Gjana, doktori Behar Kastrati. Burime nga policia bënë të ditur për "Tirana Observer", se familjarët e mjekut kanë denoncuar zhdukjen e të afërmit të tyre. Të njëjtat burime shpjegojnë se po hetohet në të gjitha pistat për të zbardhur sa më parë ngjarjen në fjalë. Ndërkohë, ka pasur reagime dhe nga selia e PD-së, të cilët kanë akuzuar uniformat blu për neglizhencë në gjetjen sa më parë të doktorit të zhdukur.
Denoncimi
Behar Kastrati ka qenë dy net më parë në lokalin e të vëllait. Pasi është larguar që aty, ai është nisur i vetëm me makinën e tij drejt shtëpisë. Bashkëshortja e mjekut është shqetësuar që bashkëshorti nuk po kthehej dhe menjëherë ka njoftuar të afërmit dhe më pas policinë. Policia e Hasit menjëherë është vënë në lëvizje dhe duke pasur parasysh dhe dëshmitë e familjarëve të të zhdukurit kanë arritur të gjejnë në një pjesë të rrugës çelësat e makinës. Burime nga policia, shpjegojnë se deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk kanë arritur ende të kenë ndonjë informacion se çfarë është bërë me mjekun Behar Kastrati. Ndërkohë, zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dje gjatë një konference për shtyp u shpreh se Kastrati nuk ka asnjë precedent penal dhe asnjë hasmëri.
Tropojë, vetëm 1 orë ujë të pijshëm
TROPOJE- Rreth 11 mijë banorë të Bashkisë së Bajram Currit në këto ditë vape po u thahet buza për një pikë ujë të pijshëm. Uji vjen në rubinetet e qytetarëve vetëm 1 orë në 24 orë dhe banorët në këtë orë mbushin dhe shishet për të pasur ujë. Mungesa e ujit të pijshëm në këtë rajon që shquhet dhe është unikal për sa i përket rezervave në ujë të pijshëm është se stacioni i pompave është plotësisht i amortizuar, i ndërtuar në vitin 1970. Kryetari i bashkisë, Isa Memia, thotë se "kemi hartuar projektin dhe pas refuzimeve nga ana e shtetit për financimin e tij e kemi dërguar tek banka gjermane KFV. Presim që projekti i ri që sjell ujin nga Valbona dhe që kushton 1,5 milionë euro të na miratohet dhe të zgjidhet përfundimisht ky problem jetik për banorët e Bajram Currit". Aktualisht, ujësjellësi nga Shoshani është mjaft larg dhe pompat vihen në punë nga energjia elektrike, pasi uji merret me ngritje mekanike. Jo vetëm në verë, por dhe në dimër banorët janë të privuar nga uji i pijshëm. Gjatë krizës së dimrit të sivjetshëm, për më se 20 ditë ata ishin pa ujë, pasi u dëmtua rrjeti që furnizonte stacionin e pompave.
Gjirokastër, 7 persona pickohen nga insektet
Gjirokastër - Në këto ditë të nxehta njerëzit nuk duhet të ruhen vetëm prej temperaturave të larta, por edhe prej pickimit të insekteve. Në spitalin rajonin "Omer Nishani" të Gjirokastrës vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë paraqitur 7 persona që kanë pasur shqetësime pas pickimeve nga insekte të ndryshëm. Merimanga e zezë, akrepi, bleta dhe gjarpërinjtë janë më të rrezikshmit gjatë kësaj stine. Mjeku i infektivit, Ksenofon Xhixho, pohon se "gjatë ditëve të fundit kanë ardhur duke u shtuar rastet e personave që paraqiten për të marrë ndihmën e parë, pas pickimeve që kanë pësuar nga merimanga akrepi dhe bleta". Sipas tij, më pranë rrezikut janë fermerët, pasi edhe rastet e paraqitura i përkasin kësaj kategorie njerëzish. "Duke mbledhur barin apo duke kryer punë të ndryshme bujqësore, sidomos gjatë orëve të para të mëngjesit, fermerët bëhen viktima të këtyre insekteve. Duke qëndruar të fshehur në bar për të shfrytëzuar freskinë dhe vesën e mëngjesit sapo ndjejnë kontakt ato hidhen në veprim", sqaron Xhixho. Dy zonat më të prekura nga kjo dukuri kanë qenë zona e Dropullit dhe ajo e Lazaratit në rrethin e Gjirokastrës. Në këto raste njerëzit janë paraqitur menjëherë për të marrë ndihmën e parë dhe nuk kemi pasur ndonjë rast me komplikacione, vijon ai. Pickimi më i rrezikshëm, sipas Xhixhos, është ai që bëhet nga merimanga e zezë e në disa raste rezulton vdekjeprurës nëse nuk merret menjëherë ndihma e parë. |