Organizata "Mjaft" fillon
fushatën për heqjen e
stazhit. Sipas drejtuesve të saj, stazhi duhet të hiqet pasi minimizon korrupsionin dhe lehtëson procedurat nëpër sekretariate të fakulteteve. Pas bashkëbisedimeve me disa nga dekanët e fakulteteve në Tiranë, ata kanë filluar negociatat me dekanët e fakulteteve në të gjithë vendin. "Ylli Pango, dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale ka qenë mbështetësi i radhës për çështjen e heqjes së stazhit", tha Besjan Pesha, koordinatori i klubeve qytetare të organizatës "Mjaft". Sipas tij, edhe dekani i Fakultetit Filologjik do t'i thotë "po" heqjes së stazhit në fakultetin që ai drejton.
Heqja e stazhit
"Nisma e parë që morëm është që përshëndetëm Fakultetin Ekonomik, i cili e mblodhi këshillin i pari, megjithëse pati një konflikt me rektoratin që nuk u shpreh i gatshëm për ta mbështetur këtë iniciativë", shprehet koordinatori Besjan Pesha.
Sipas tij, nga autonomia që përfituan fakultetet pas grevës së pedagogëve, këshillave përkatës iu dha e drejta për të marrë vendime në lidhje me stazhin, sipas specifikave të fakultetit që përfaqësojnë. Këto alternativa dhe ide të reja mbi heqjen e stazhit do t'i ndjekim duke filluar nga dita e hënë, kur ne si organizatë do të fillojmë edhe bisedimet me të gjithë drejtuesit e fakulteteve në vend", sqaron Pesha. Sipas tij, nga kontaktet e para që organizata joqeveritare ka marrë aprovimin e dekanit të Shkencave Sociale dhe të Fakultetit të Filologjisë.
Përparësitë e mospenalizimit
Jemi një ndër vendet e vetme që aplikojmë edhe sot e kësaj dite penalizmin e studentëve, nëse ata nuk marrin një numër të caktuar provimesh. Ndryshe ky penalizim quhet stazh. "Në kuadër të procesit të Bolonjës ka ardhur momenti, duke marrë shembull nga të gjitha universitetet perëndimore që të hiqet ky penalizim i mbarsur nga një sistem që tashmë ka kaluar", shprehet Pesha. Sipas tij, përparësia e parë e heqjes së stazhit është minimizimi i korrupsionit në masë. "Ka profesorë të ndryshëm që abuzojnë shumë me faktin që lënda e tyre bëhet lëndë kyçe, për t'i mbetur studentët në stazh dhe në këtë mënyrë ata kërkojnë shuma të majme parash apo abuzojnë në mënyra të tjera", shprehet koordinatori. Sipas tij, një e mirë tjetër e mospenalizimit është se lehtësohen shumë procedurat nëpër sekretariate për regjistrime dhe për dhënien e bursave. "Nga ana tjetër, heqja e stazhit është një vit i humbur, çka do të thotë se studentët janë shkëputur për një kohë të gjatë nga shkolla dhe kjo bën që të ketë një ulje të cilësisë në mësimnxënie", shprehet Pesha. Sipas tij, kjo ndodh pasi studentët e penalizuar gjatë kohës së stazhit lidhen me punë të tjera.
Ndryshimet në rregulloren e brendshme
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, ndryshimet në rregulloren e brendshme të fakulteteve duhet të ligjërohen më parë nga rektori i universitetit përkatës. Në bazë të reformimit të arsimit të lartë, sipas parametrave të Kartës së Bolonjës, koncepti i studentit mbetës nuk mund të hiqet. Është liberalizuar përsëritja e studimeve jo më në tre lëndë si më parë, por në gjysmën e lëndëve që një student mund të mbarte. Ekziston një vendim i qeverisë që parashikon mospagimin e bursës së studentit, i cili mbetet në gjysmën e lëndëve ose ndryshe merr më pak se gjysmën e totalit të krediteve të planifikuara në një vit akademik.
Kule: Vendimi është legjitim
"Vendimi është legjitim. Nëse pretendohet e kundërta do të jetë Gjykata e Apelit që do të vendosë", ka thënë Kule në lidhje me vendimin e Këshillit të Fakultetit Ekonomik. Sipas dekanit të Fakultetit Ekonomik, praktika e stazhit është e gabuar, pasi niveli i studentëve, pas një viti shkëputjeje është më i ulët. "Puna e një studenti varet nga numri i provimeve që ka dhënë jo nga vitet shkollore", është shprehur Kule. Ndërkaq, sipas Këshillit të Fakultetit Ekonomik, vendimi për heqjen e stazhit do të fillojë që me nisjen e vitit akademik 2005 - 2006. Vendimi për heqjen e stazhit është marrë për të ndihmuar studentët të cilët stresohen nga sezoni i provimeve. Për t'i dhënë atyre një mundësi lehtësimi për provimet e vështira është menduar heqja e stazhit nga Këshilli Ekonomik. Në fakultetet e botës nuk ekziston koncepti i stazhit. Studentët që kalojnë në stazh janë ata që në sezonin e vjeshtës kanë mbetur në dy provime. Këtë vit akademik, Fakulteti Ekonomik ka hapur dyert për të gjithë kandidatët për studentë. Nëse maturantët nuk do të fitojnë konkursin për pranim, atëherë mund të futen në sistemin me kohë të pjesshme. Nëse mbarojnë vitin akademik me rezultate të larta kanë të drejtë të vazhdojnë studimet në sistemin pa shkëputje.
Rrokaj: Vendimi kundër rregullores
"Fakulteti Ekonomik nuk mund të zbatojë vendimin mbi heqjen e stazhit, pa u miratuar më parë në senatin e Universitetit të Tiranës", ka sqaruar rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj. Ai tha se vendimi nuk ka kaluar procedurat e duhura për t'u konsideruar i vlefshëm. Por jo vetëm kaq, por, sipas tij, ky vendim bie ndesh me ligjet e statutit të universitetit. "Vendimi i Këshillit të Fakultetit Ekonomik nuk lejohet në rregulloren e universitetit", është shprehur Rrokaj. Ai tha se, sipas statutit të Universitetit të Tiranës, vendimi i Fakultetit Ekonomik nuk mund të zbatohet pa u miratuar në senatin e universitetit, i cili e dërgon më pas për miratim në Ministrinë e Arsimit. Rektori i fakultetit ka sqaruar se universiteti shqiptar është duke u përshtatur sipas procesit të Bolonjës. "Ndryshimi në rregulloren e universitetit është i specifikuar dhe ne do të bëjmë ato ndryshime që i nevojiten universitetit", ka sqaruar Rrokaj. Vetëm dy ditë më parë, Këshilli i Fakultetit Ekonomik ka falur 730 studentë, të cilët kishin mbetur në stazh. Studentët që mbeten në stazh janë ata që në sezonin e vjeshtës mbesin në dy provime.
Hapet klinika e parë private për Hemodializën
Në Tiranë hapet e para klinikë private që ofron shërbimin e Hemodializës për pacientët që kanë humbur funksionin e veshkave. Të sëmurët mund të trajtohen me "veshka artificiale", që realizojnë pastrimin e gjakut nëpërmjet seancave dy apo tri herë në javë pranë kësaj klinike. Një shërbim i këtij lloji kushton 80 dollarë për seancë. Në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", shërbimi i Dializës ofrohet për një numër të kufizuar pacientësh. Ndërsa janë mbi 100 të tjerë që e kërkojnë këtë shërbim në klinikat e përtej kufijve, në Greqi, Maqedoni, Itali e më gjerë. Kapaciteti i klinikës "Imi Medica" në kryeqytet llogaritet të mbulojë sa mbulon aktualisht shërbimi publik, rreth 50 pacientë. Drejtori i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Gjergj Leka, deklaroi se pengesa e vetme dhe e cilësuar kryesore për mbulimin financiar të këtij shërbimi janë fondet dhe s'ka asnjë pengesë ligjore. Aktualisht buxheti i ISKSH-së përballon vetëm shërbimet që janë në skemë dhe nuk mund llogaritim asgjë tjetër. Nuk ka më fonde. Për të shtrirë më tej veprimin e ISKSH-së do duhet një politikë e re, duke rritur kontribuesit dhe masën e kontributit. Në kontekstin e deklaratave për të bërë të realizueshëm operacionin e transplantit në Tiranë, prapë së prapë zgjerimi i shërbimit të Dializës është i domosdoshëm. Kjo ndërhyrje ende nuk shihet e afërt. Shefi i Dializës është shprehur gjithnjë se investimet për të realizuar transplantin në Shqipëri duhet të ecin paralelisht me investimet për të kompletuar shërbimin e Dializës. Transplanti nuk është zgjidhja për të gjithë, megjithëse siguron një cilësi më të mirë jete. S'ka nevojë të shkosh periodikisht në spital, si ndodh kur trajtohesh në dializë, 2 apo 3 herë në javë. Në Shqipëri janë rreth 70 persona që kanë bërë transplantin e veshkës. Një i sëmurë që ka humbur funksionin e të dyja veshkave ka tre alternativa: hemodializën, dializën e barkut, ose transplantin. Sipas specialistëve të urologjisë, transplanti që mungon në vendin tonë është tepër i nevojshëm karshi dy shërbimeve të tjera. Cilësia e jetës është pak më e mirë në këtë rast, kostoja është pak më e ulët, por impakti që ka kur nuk shkon mirë transplanti është më i rëndë se sa në dializë personale apo në atë të barkut, sepse bashkë me pacientin shkon edhe veshka e dhuruesit. Ndërkaq, nuk është e lehtë që të gjesh veshkë për dhurim në të gjithë botën jo vetëm në vendin tonë, kështu që për shqiptarët është tepër e nevojshme një shërbim i këtij lloji. Në moshat e mesme dhe në moshat e vjetra përdoret më shumë dializa e barkut dhe hemodializa. |