Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 

Reportazh i gazetës amerikane “Boston Globe”: Ndërtimi i një ure mbi hendek

Kundërshtitë e brezave te shqiptaro-amerikanët

Ndryshimet e emigrantëve që shkuan në shba në shekullin 19 dhe atyre të shekullit 21


Yvonne Abraham

Kur tre shqiptarë, të ardhur kohët e fundit në Amerikë, u shpallën në maj si më të mirët e shkollës publike të Bostonit, lajmi dhe një krenari e pamasë, zuri vend në komunitetin shqiptar, në Bostonin jugor, Worcester, Natick, dhe Southbridge. Shqiptarët u ndien sërish krenarë, kur shkrimtari Ismail Kadare fitoi çmimin letrar “Man Booker International Prize”. Kur pronari i njohur i restoranteve Antoni Athanas, një emigrant shqiptar, vdiq në maj, zia dhe keqardhja u ndien po në të njëjtat përmasa. Ngjarjet të tilla, e kanë bashkuar komunitetin shqiptar, i cili u nda në mënyrë të çuditshme nga historia. Emigrantët shqiptarë, e kanë ndërtuar këtu shtëpinë e tyre që prej vitit 1880. Por më 1944-ën, në Shqipëri erdhi në fuqi një shtet ksenofobik me qeveri staliniste. Kufijtë u izoluan. Emigracioni u ndalua plotësisht. Ata që u gjendën në atë kohë në SHBA ndërtuan aty jetën e tyre, ngritën kisha, u amerikanizuan. Ata që ndodheshin në Amerikë, u ndanë nga mëmëdheu. Por komunizmi ra dhe më 1990-ën, Shqipëria u hap sërish me botën. Filloi një fluks i ri emigrantësh. Të ndarë për 46 vjet, shqiptarët e izoluar që kishin transformuar vendin e tyre, apo të ardhurit e ri dhe shqiptarët e Amerikës, ishin për njëri-tjetrin sa të huaj aq edhe të afërt. Megjithatë, ata kishin nevojë për njëri-tjetrin. Ata e donin njëri-tjetrin. Më të vjetrit dhe fëmijët e tyre, që kishin mundur të ndërtonin me sukses jetën pas disa dekadave në SHBA, i ndihmuan emigrantët e rinj që të gjenin punë, shtëpi, duke ua shndërruar emigracionin në një rrugë më të lehtë. Të ardhurit rishtas, ringjallën, kulturën shqiptare, duke i afruar shqiptaro-amerikanët, e gjeneratave të dyta e të treta, me gjuhën dhe kulturën e tyre. Kjo i bëri të zakonshme koncertet me këngë shqip dhe shtoi numrin e atyre që mblidheshin në kishat ortodokse shqiptare. Mes dy grupeve ka edhe tensione. Disa nga të vjetrit, mendojnë se emigrantët e sapoardhur kërkojnë shumë dhe e kanë të vështirë të integrohen. Disa të rinj nga ana e tyre, mendojnë se të vjetrit janë shumë konservatorë. Ata nuk duan të ndjekin të njëjtën rrugë të ngadaltë të suksesit ekonomik, përmes punëve të rëndomta, siç kanë bërë ata që erdhën të parët. Kjo, në fakt, është ndarja që ekziston edhe në grupet e tjera të emigrantëve në të gjithë vendin. Por asnjë prej tyre nuk ka një histori ndarjeje aq të gjatë sa shqiptarët. “Unë i përkas asaj gjenerate shqiptaro-amerikanësh, që nuk martoheshin me shqiptarë dhe as fëmijët tanë nuk u martuan me shqiptarë. Ne kemi humbur ca nga kultura jonë”, thotë Van Christo, kryetar i shoqatës shqiptare “Frosina” dhe kandidat për ambasador të SHBA-ve në Shqipëri. Ai ka ardhur në Amerikë me të atin dhe të ëmën, kur ishte vetëm 1 vjeç, më 1928. Ai thotë se të rinjtë shqiptarë, sikur kanë plotësuar ato mungesa në tradita, por marrëdhëniet mes të vjetërve dhe të rinjve, nuk janë aq të thella. Dy gjeneratat e emigrantëve mblidhen në kishën ortodokse shqiptare në katedralen e “St. George”, që është një nga tri kishat shqiptare në South Boston.
Katedralja në rrugën “East Broadway”, prej kohësh është ura lidhëse për shqiptarët. “Rreth 1,200 familje e vizitojnë kishën çdo vit, një e treta e tyre, kanë ardhur vetëm në 14 vitet e fundit”, thotë peshkopi Arthur Liolin, i cili për një kohe të gjatë është drejtues i katedrales. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 2000, 8,500 njerëz në Masaçusets ndjekin ritet fetare shqiptare. Pas shërbimeve të zakonshme të një të diele, atë Liolini, pagëzoi edhe Jovan Greenin, djalin tre muajsh të Jason Green dhe gruas së tij, Boralda. Në oborrin e kishës, u festua pagëzimi i fëmijës. Pasi Liolini ka përfunduar, miqtë urojnë në shqip: “Zoti i dhëntë jetë të gjatë”. Jason Green, është 34 vjeç dhe është djali i një nëne të gjeneratës së parë shqiptaro-amerikane me baba irlandez. Gjyshërit e tij nuk ia mësuan nënës gjuhën e parë. “Ata ishin më të shqetësuar të bëheshin amerikanë”, tregon Jason. Që në moshë të re, ai thotë se është bërë kurioz për kulturën e tij dhe kështu që vendosi të shkonte në kishë. Boralda Green, është 31 vjeç, ajo ka ardhur në Amerikë vetëm dy vjet më parë. Nën influencën e së shoqes, ai po përqafon kulturën e gjyshërve, duke mësuar gjithmonë e më shumë për kulturën dhe traditat e të parëve të tij. Jason Green ka tashmë një mori rrugësh për ta njohur kulturën e tyre. Në gjashtë apo shtatë vitet e fundit, të ardhurit e rinj kanë sjellë me vete edhe muzikën, koncertet dhe darkat me kërcime shqiptare janë bërë më të shpeshta. Me dëshirën e të sapoardhurve, për këto darka shqiptarçe, janë bashkuar edhe të vjetrit. Komuniteti, kryesisht feston ditën e madhe të flamurit, më 28 Nëntor dhe gjithashtu, feston edhe ndërrimin e viteve, që është festa më e madhe në Shqipëri, ku gjatë komunizmit, festimi i Krishtlindjeve, mund të të dërgonte në burg. Kur filluan të vinin emigrantët e rinj, shqiptaro-amerikanët, filluan kurse të gjuhës. Dhe që prej atyre ditëve, atë Liolini, i mban meshat e tij në dy gjuhë. Por ambientimi me jetën e re, nuk ka qenë e lehtë për një pjesë të emigrantëve. Unë nuk kisha parë asnjëherë kishë, deri sa mbërrita në Amerikë”, thotë Stefan Koçi, 38 vjeç, inxhinier kompjuterësh, i cili hyri në SHBA më 1993, për të ndjekur një kurs masteri në “Worcester Polytechnic Institute” dhe “Boston University”. “Praktikimi i fesë nuk ishte i lejuar. Unë nuk dija si shqiptohej Betlehem.”, thotë Koçi. Fakti që Koçi nuk e njihte fenë, tregon se sa kishte ndryshuar Shqipëria, nga ai vend që dërgoi emigrantët e parë në Boston. Shumë prej emigrantëve të vjetër, janë anëtarë të devotshëm të kishës ortodokse, minoritet në vendin që është kryesisht mysliman. Shumë emigrantë të rinj, kanë kërkuar ndihmë në kishë, thotë Lionil. Por mundësia për t’i përfshirë ata në punët e kishës, ka qenë e vogël, pjesërisht, sepse janë “të dyshuar” para autoriteteve dhe gjithashtu edhe para kishës. “Kur unë vizitova Shqipërinë më 1988-ën, atje kishte pak burime dhe shumë etje”, thotë ai, duke folur për kishën dhe shton, “Këtu ka shumë burime dhe pak etje”. Tani ndarjet mes shqiptarëve janë më të vogla dhe nuk ndikojnë në komunitet. “Kur erdhën të rinjtë e parë në Amerikë, ne menduam se ata do të na kërkonin, punë, shtëpi e të tjera dhe shpjegim për këtë do të ishte fakti se ata kishin vuajtur nën komunizëm, ndërsa ne jetuam të lumtur në Amerikë”, thotë Christo, duke treguar se për një periudhë kohe ishte krijuar një paragjykim për të rinjtë. Nga ana e tyre, të rinjtë thonë se ata kanë humbur shumë kohë. Koçi tregon se e kupton padurimin e tyre. “Kur ti je 40 apo 50 vjeç dhe arrin në një vend, ku ka gjëra të cilat ti nuk ke mundur t’i kesh, është e natyrshme që të kërkosh gjithçka, një makinë të madhe, shumë para, shumë akullore e çfarëdo gjëje tjetër”, thotë ai. Një tjetër konflikt me dy grupeve, janë mendimet e ndryshme rreth shkollës në Shqipëri. Të sapoardhurit thonë se edukimi në Shqipëri, është shumë i mirë. Sipas tyre, këtë e tregojnë edhe rezultatet e shkëlqyera të tre nxënësve që u shpallën më të mirët në shkollë. “Ata të vjetrit u çuditën shumë kur unë erdha këtu dhe vendosa të bëj dy vjet shkollë”, thotë Dritan Hysi, 56 vjeç, menaxher në një klinikë dhe që ka ardhur në SHBA, më 1991. “Shqiptarët e vjetër, janë pak konservatorë. Ata mendonin se ne vetëm duhej të punonim... Ora e tyre ka ndaluar më 1944,” shton ai.

Marrë nga “Boston Globe”

Si e mendonin shqiptarët njëri-tjetrin

Shqiptaro-amerikanët prisnin që të ardhurit të ishin njëlloj si paraardhësit e tyre, iu desh të ndryshonin mendim. Edhe të rinjve iu desh të ndryshonin, duke i harruar rrugët e shtruara me flori, që kishin imagjinuar. “Në vitet e para, të dy grupet kishin pritshmëri të ndryshme, për njëri-tjetrin. Të sapoardhurit, prisnin që në SHBA, të gjenin jetën që kishin parë në TV, dhe të vjetrit prisnin që të sapoardhurit, të ishin kopja e gjyshërve të tyre”, thotë Liolini. Zhgënjim kishte në të dy krahët. Të rinjtë kanë avantazhin të shfrytëzojnë urat e krijuara, prej atyre që kanë mbërritur më parë. Christo krijoi organizatën Frosina, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve të sapoardhur, që të gjenin punë, të ambientoheshin e kështu me radhë. Por dora-dorës të rinjtë, ia dolën mbanë të mos vareshin më nga të vjetrit dhe Christo në 2002, ia ndryshoi kursin Frosina-s, duke e kthyer atë në një organizatë që promovon kulturën shqiptare. Hysi, që ka ardhur më 1991, është tani pronar i “Kafe Apollonia”, një restorant shqiptar në Roslindale, e këtu shef është djali i tij. Pritshmëritë e shqiptarëve për njëri-tjetrin, mund të kenë qenë të mëdha, sepse ata jetuan për 46 vjet të ndarë. Por sot të rinjtë kanë ecur në rrugën e emigracionit, ashtu siç kanë bërë edhe të parët e tyre. Me gjithë ndryshimet shqiptarët e rinj i respektojnë të vjetrit dhe janë dinjitozë thotë Mark Kosmo, 49 vjeç. Kosmo ka lindur në Amerikë, por e quan veten të rilindur shqiptar, pas një vizite të bërë në Shqipëri më 1990-ën.

 
 
Speciale
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005