Tel:+355 4 235 552
Tel/Fax:+355 4 235 559
 
 
 
Intervista/ Flet sulmuesi i kombëtares shqiptare
Florian Myrtaj: Të gjitha rrugët më çojnë te Bolonja

L eonard Karaj

Ka qenë për t’u harruar sezoni i sapombyllur i Florian Myrtaj si te Verona në fazën e parë edhe te Katanxaro, kur kaloi në janar të këtij viti. Divergjencat me trajnerin e ri te Verona e kanë detyruar sulmuesin e kombëtares shqiptare të ndërrojë ambient. Te klubi i Katanxaros, edhe pse u aktivizua rregullisht si titullar, përsëri nuk arriti të tregonte aftësitë dhe cilësitë, mbase edhe për faktin se te ky klub shumë gjëra kishin marrë të tatëpjetën prej kohësh. Dëshira e tij është të aktivizohet te një skuadër e Serisë B, që lufton për t’u ngjitur në Serinë A, ku Bolonja është e para në këtë listë. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer”, sulmuesi i ekipit përfaqësues tregon objektivat e veta në kampionatin italian dhe me skuadrën tonë kombëtare.
Çfarë note do t’i vinte sezonit ’04 – ’05 te Verona dhe Katanxaro Florian Myrtaj?
Për të qenë sa më realist, ky ka qenë sezoni më i keq që kam kaluar që nga viti 1995 – 1996, kur aktivizohesha te skuadra e Sasuolos. Kështu që nuk ka se si ta vlerësoj si pozitiv. Në qoftë se do t’i vija një notë, ajo do të ishte pesë e pamjaftueshme (duke qeshur). Kur erdha vjet te klubi i Veronës mu dha garanci nga drejtuesit e klubit se do të mund të luaja në formacionin bazë të ekipit dhe në fakt sezonin e kaluar pata zhvilluar ndeshje të mira, duke shënuar edhe shumë gola. Sivjet gjërat rrodhën ndryshe. Si duket unë nuk bëja pjesë në planet e trajnerit të ri dhe ai në të shumtën e rasteve më linte në stolin e rezervave. Ishte një situatë të cilën nuk mund ta pranoja, prandaj në janar pranova të kaloja te klubi i Katanxaros, edhe pse ky i fundit lundronte në ujëra të turbullta.
Si është e mundur që edhe këtu nuk arritët të tregonit aftësitë dhe cilësitë tuaja?
Te Katanxaro u aktivizova në shumë takime, por ishte e vështirë të ndryshoja rrjedhën e lojë së këtij ekipi, pasi shumë gjëra kishin marrë prej kohësh të tatëpjetën te kjo skuadër. U mundova të jap sadopak ndihmesën time, por arrija të kuptohesha mirë me futbollistët e tjerë, të cilët kishin kohë që kishin humbur shpresat për të qëndruar në kategorinë e dytë. Kjo mbase ndikonte shumë në lojën e skuadrës.
A do të qëndroni te kjo skuadër edhe në të ardhmen?
Normalisht unë kam edhe një vit kontratë me këtë klub, por trajneri dhe drejtuesit e klubit e dinë mirë se unë nuk kam dëshirë të luaj në kategorinë e tretë me Katanxaron. Kam pasur disa oferta nga Seria C, por që natyrisht i kam refuzuar në mënyrë kategorike. Në qoftë se duhet të luaj në Serinë C më mirë aktivizohem këtu te Katanxaro se sa të ikë te ndonjë klub tjetër. Dëshira ime është që të paktën të luaj në Serinë B dhe besoj se sezonin tjetër do të aktivizohem në një nga skuadrat që pretendojnë kalimin për në Serinë A.
Për cilën nga skuadrat që luajnë në Serinë B Myrtaj do të dëshironte të luante?

Unë mund t’u them shumë emra klubesh prestigjiozë, të cilët luftojnë për të kaluar në Serinë A, por një emër konkret është ai i klubit të presidentit Gaxoni të Bolonjës. Është një skuadër që më tërheq dhe gjasat janë se mund të kaloj te ky ekip. Tani për tani tratativat nuk është se kanë ecur përpara, pasi kjo skuadër sapo ka rënë nga kategoria dhe shumë futbollistë të saj po ikin në drejtime të ndryshme. Drejtuesit po merren më shumë me shitjet e kartonëve atyre futbollistëve që ka në dispozicion, pastaj besoj se do të mendojnë për krijimin e ekipit të ri për sezonin tjetër.
Atëherë parashikohet një dyshe “alla albanese” te kjo skuadër, apo jo?
Do të ishte vërtet një gjë e bukur, por unë mendoj se Igli Tare nuk ka për të qëndruar te Bolonja. Ai ka pasur shumë oferta nga klube të Serisë A, prandaj besoj se në fund të fundit do të pranojë një nga këto oferta.
Keni nisur ndeshjet kualifikuese për botërorin Gjermania 2006 si titullar me ekipin përfaqësues dhe po i mbaroni si një lojtar stoli, pse ka ndodhur një gjë e tillë, sipas jush?
Është diçka normale dhe unë në këtë rast fajësoj vetëm veten time. Vjet isha një futbollist që aktivizohesha pothuajse rregullisht te Verona dhe kjo më ndihmoi për të qenë titullar edhe në ekipin përfaqësues. Trajneri Brigel është munduar që të aktivizojë ata futbollistë që luanin më tepër me skuadrat e tyre, kështu që vendin tim me dashje apo pa dashje e zuri Bogdani, i cili po kalonte një periudhë të shkëlqyer. Mendoj se kthimi si titullar te kombëtarja është një nga objektivat për sezonin e ardhshëm dhe kam besim se do t’ia arrij.

Ronaldinjo kushton 150 milionë euro

Sipas drejtuesve katalonjas, Ronaldinjo konsiderohet futbollisti më i mirë në botë, prandaj për çdokush që do të ketë interes të blejë kartonin e tij do t’i duhet të derdhë në arkat e këtij klubi plot 150 milionë euro. Abramoviç është gati të paguajë shifrën e 120 milionë eurove për të sjellë në “Stamford Bridge” asin brazilian të Barcelonës. Zërat vijë pikërisht nga Spanja. Drejtues të Barcelonës po përgatiten për të pritur “të çmendurin rus”, Roman Abramoviç, i cili ka bërë të flasin për të një botë e tërë mbi shumat marramendëse që ai ka ofruar deri tani për futbollistë të ndryshëm. Ndërkohë, për futbollistin do të përgatitej një kontratë nëntëvjeçare për një shifër totale prej 140 milionë eurosh. Por duhet theksuar se deri tani këto janë vetëm gjasa, të cilat në shumicën e rasteve marrin përgjigje negative. Ronaldinjo sapo ka nënshkruar një kontratë që e lidh me Barcelonën pothuajse për gjithë jetën, pra deri në vitin 2014. Pas Eto’o, Mesit dhe Dekos presidenti Paporta ka dashur të blindojë edhe fantazistin brazilian, duke i ofruar një kontratë nëntëvjeçare. Në fund të kësaj kontrate, ai do të jetë 34 vjeç.

Gerrard rinovon kontratën me Liverpulin

Më së fundmi ka ardhur edhe rinovimi i kontratës së kapitenit të Liverpulit me këtë skuadër. Gerrard do të qëndrojë te Kampionët e Evropës deri në 2009-ën. “Më duket se kam hequr një peshë të madhe nga trupi im”, ka deklaruar futbollisti. Mesfushori i talentuar ka qenë një nga më të përfolurit e kësaj merkatoje të nxehtë vere. Çelsi i Mourinjos ka qenë në “pole position” për të pasur shërbimet e tij, por rivalitetet mes tifozerive kanë ndikuar shumë në këtë tratativë. Edhe Real Madrid u vu në gjurmë të Gerrard, por oferta e bërë nga drejtuesit e këtij klubi ishte shumë herë më e ulët nga ajo që pretendonin liverpulasit. Në konferencën për shtyp futbollisti u ka kërkuar falje të gjithë tifozëve dhe shokëve të skuadrës. “Shpresoj dhe besoj se ata kanë arritur të më kuptojnë. Ishin momente të vështira për mua, ku më duhej të merrja vendime të rëndësishme për sa i përket të ardhmes sime. Unë jam i lidhur ngushtë me këtë klub dhe do të mundohem që të jap maksimumin tim në çdo ndeshje për të sjellë trofe të tjerë në këtë klub. I kërkova falje edhe trajnerit Rafael Benitez dhe mendoj se tani është koha të fillojmë të punojmë për sezonin e ri”, ka përfunduar Steven Gerrard.

Juve kërkon nga Arsenal Vieira e Pires

Ka disa ditë që drejtuesit e klubit torinez janë zhvendosur në Londër për të nisur tratativat me Arsenal për Patrik Vieira dhe Robert Pires. Deri tani asgjë nuk është konfirmuar, përderisa londinezët këmbëngulin që futbollisti nuk është në shitje. Por nga ana tjetër, këta të fundit kanë vënë si çmim fillestar atë të 20 milionë eurove, nëse Juventus do të kërkojë me ngulm futbollistin. Mesfushori francez është i lidhur me Arsenalin me një kontratë që përfundon në qershor të 2007-ës dhe duke parë edhe moshën e tij (29 vjeç) në Londër hamendësohet se është momenti më i mirë për të shitur kartonin e këtij futbollisti. Megjithatë, midis kërkesës dhe ofertës ka një ndryshim shumë të madh, pasi juventinët nuk duan të paguajnë më shumë se 7 milionë euro plus ndonjë futbollist në formë huaje apo edhe në shitje të plotë. Sipas shtypit anglez, Juventus është gati të marrë edhe francezin tjetër, Robert Pires. Në fund të kontratës së tij, e cila përfundon në qershor të 2006-ës, marsejezi nuk ka rinovuar ende me Arsenalin për arsye ekonomike. Në vijim të këtyre tratativave, Luçiano Moxhi gjeti rastin për të deklaruar se sulmuesi i tij, David Trezege, nuk ka për të lëvizur nga Torino. Ai nuk është në listën e futbollistëve të mundshëm që do të largohen këtë sezon nga “Zonja e Vjetër”.

 
 
SPORT


 
 
Rubrikat
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
E përditshme e pavarur. Që nga 25 Marsi 2005