Dje në Gjykatën e Lartë është zhvilluar seanca gjyqësore për tre të akuzuarit  
   
Pushohet një akuzë e dosjes “Kokaina”
 
     

Ornela MANJANI

Nëse do të lihet në fuqi kërkesa e prokurorit, Fredrik Durda, Arben Bërballa dhe Sokol Koçiu do të vuajnë 6 vite dënim më pak. Prokurori i çështjes “Kokaina” hoqi dorë dje nga akuza për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, duke bërë që të akuzuarit e kësaj çështje të qëndrojnë në qeli vetëm me një akuzë. Ai e ka justifikuar pushimin e akuzës me mosekzistencën e ligjit në kohën kur është kryer vepra penale. Kështu, për shkak të rënies së akuzës, prokurori kërkoi në Gjykatën e Lartë, 15 vjet heqje lire për Frederik Durdën, 13 vjet për Arben Bërballën dhe 12 vjet burg për Sokol Koçiun. Ndërkohë, pala mbrojtëse kërkoi pafajësinë e klientëve të tyre me pretendimin se nuk ekziston fakti që ata kanë kryer vepër penale. Por tashmë i takon gjykatës të vendos për lënin në fuqi të kërkesës së prokurorit.
Seanca
Prokurori i dosjes “Kokaina” deklaroi dje në Gjykatën e Lartë pushimin e akuzës, krijim të grupit të strukturuar kriminal, për të akuzuarit e kësaj dosjeje. Kjo do të thotë 6 vjet më pak burg për Durdën, Koçiun dhe Bërballën. Sipas prokurorit rënia e akuzës justifikohet me faktin se në kohën që është kryer krimi nuk kishte një nen që parashikonte këtë veprën penale dhe se kjo e fundit do të gjykohet me ligjin e kohës që është kryer. Ndërkohë, prokurori ka vlerësuar si të rregullta të gjithë hetimet dhe vendimet e marra nga gjykatat e shkallëve të tjera. Më pas, ai kërkoi për Frederik Durdën 15 vjet heqje lire, për Arben Bërballën 12 vjet dhe për Sokol Koçiun 13 vjet. Ndërsa për dy të dënuarit e tjerë, Mentor Hadërgjonaj dhe Alfred Nanaj, u kërkua lënia në fuqi e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit.
Ndërkohë, avokatët e të pandehurve kërkuan pafajësinë për klientët e tyre. Mbrojtësit e arsyetojnë me faktin se nuk është kryer kjo vepër penale, por dhe sikur të ekzistojë, ky fakt nuk është parashikuar në ligj. Gjithashtu, avokatët pretendojnë se të gjitha hallkat e gjyqësorit që kanë marrë një vendim për këtë dosje, nuk janë të drejta, pasi nuk ekziston asnjë provë që implikon klientët e tyre. Sipas tyre nuk mund të merret një vendim për dënim nga gjykata duke u bazuar vetëm në disa dëshmi të ardhura nga jashtë dhe supozimet e organit të akuzës.
Dosja “Kokaina”
Në seancën pretencës të zhvilluar në Gjykatën e Tiranës, prokuroria kërkoi për Frederik Durdën 20 vjet burg, Arben Bërballën 18 vjet, Mentor Hadërgjonaj 15 vjet, Sokol Koçiun 18 vjet, Vehbi Hysin 6 vjet dhe Alfred Nanaj 7 vjet e 6 muaj burg dhe shuma të konsiderueshme parash për secilin. Gjykata arriti në përfundimin se plani dhe organizimi i organizatës kriminale ka qenë i detajuar. Drejtuesit e këtij plani të detajuar, sipas gjykatës, janë Durda, Bërballa dhe Koçiu. Këta tre drejtues, sipas organit gjykues, kanë pasur në dorë mjetet e financimit dhe ato të transportit siç është anija dhe skafi “SIA” i blerë nga Sokol Koçiu dhe Mentor Hadërgjonaj. Kështu në bazë të ligjit, krimi quhet i kryer që nga çasti që krijohet organizata dhe për këtë arsye gjykata tha se të pandehurit në këtë rast e kanë konsumuar plotësisht krimin.

Emri: Frederik
Mbiemri: Durda

Prokuroi kërkoi 15 vjet heqje lirie për Durdën nën akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkohë që më parë është akuzuar për krijim i bandës kriminale me qëllim trafikun e kokainës, 10 vjet burg, organizim, drejtim, financim i organizatës kriminale, 14 vjet, falsifikim pasaporte, 9 muaj, armëmbajtje 9 muaj. Totali 16 vjet burg.

Emri: Arben
Mbiemri: Bërballa

Gjatë seancës së zhvilluar dje, në Gjykatën e Lartë, prokurori kërkoi 13 vjet burg për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike. Ndërsa akuzohej për krijim të bandës kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, 10 vjet, organizim, drejtim, financim i organizatës kriminale 13 vjet. Në bashkim të dënimeve, përfundimisht 15 vjet burg.

Emri: Sokol
Mbiemri: Koçiu

Prokuroi i çështjes kërkoi dje 12 vjet heqje lire për Koçiun. Ndërkohë që mbi këtë të fundit rëndonin akuzat e krijimit të bandës kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, 10 vjet, organizim, drejtim, financim i organizatës kriminale 12 vjet, falsifikim pasaportash 9 muaj. Përfundimisht 15 vjet burg.

...................................................................................
Krye  

Tetë vjet burg për trafikantin e drogës

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje, dënimin me 8 vjet e gjashtë muaj burg për të pandehurin Edmond Tari. Ky i fundit akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Një seancë më parë prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurit Tari me 13 vjet burg. Por, meqenëse i pandehuri ka kërkuar gjykim të shkurtuar, ka përfituar uljen e masës së dënimit. Edmond Tari u arrestua më 11 mars të vitit të kaluar në portin e Durrësit, me 16.4 kg lëndë narkotike të fshehur në sebratorin e makinës me të cilën udhëtonte.

Hartohet projekti për trajnimin e oficerëve

Oficerët e Policisë Gjyqësore që do të marrin në pyetje të miturit, do të trajnohen. Kjo është vendosur dje, gjatë një takimi të zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas përfaqësuesve të policisë objektivi i këtij trajnimi është njohja punonjësve të policisë me mënyrën e komunikimit me të miturit, si dhe taktikat që duhet të ndiqen gjatë intervistimit të fëmijëve. Në këtë takim mori pjesë zv.ministri i Brendshëm si dhe përfaqësuesit më të lartë të policisë.

Prokuroria merr në pyetje blerësin e pullave

Kam blerë pullat të cilat kanë kushtuar 650 mijë euro. Kështu ka deklaruar në Prokurorinë e Tiranës, zvicerani që ka firmosur një kontratë më Luiza Hoxhën për blerjen e pullave. Me firmosjen e kësaj kontrate drejtoresha e postës i ka shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit prej 3.2 milionë euro. Hoxha ka firmosur një kontratë për shitjen e pullave palës zviceriane, për shitjen e dy blloqeve me nga 5 mijë copë secila. Ndërkohë që Liza Hoxha akuzohet nga prokuroria për vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës.

...................................................................................
Krye  

 

 Aktualitet
  Shkurt
..
..........................................
   
..
..........................................