Botohet pjesa e dytë e fjalimit të Hysni Kapos në OKB  
   
“Anijet luftarake angleze shkelën ujërat tona ”  
     

Armand JONUZI

Për qeverinë shqiptare të vitit 1947, incidenti në kanalin e Korfuzit ishte thjesht një pretekst i qeverisë angleze për të shkelur sovranitetin e vendit. Sipas fjalimit të përfaqësuesit të Shqipërisë, Hysni Kapo, në Këshillin e Sigurimit në OKB, ngjarja e 22 tetorit 1946 ishte në vazhdën e provokacioneve të anglezëve. Në këtë pjesë të fjalimit ai tregon edhe shkeljen e territorit ajror shqiptar nga avionët anglezë menjëherë pas incidentit të kanalit të Korfuzit. Sipas Kapos, forcat ushtarake angleze kishin kohë që shkelnin kufijtë bregdetarë dhe ajrorë shqiptar duke mosrespektuar ligjet ndërkombëtare që ajo kishte krijuar vetë.
E drejta e sovranitetit të shtetit bregdetar mbi ujërat e tij territoriale nuk përjashtohet nga parimi i kalimit pa të keq, që është i njohur dhe respektuar nga qeveria jonë. Pas incidentit të 15 majit që u shkaktua në rrethanat e sipërme dhe të cilën qeveria shqiptare e quajti të pa dëshirueshëm, më 22 tetor 1946 katër luftanije të tjera angleze hynë në ujërat tona dhe në formacion lufte. Të nesërmen, më 23 tetor, tre aeroplanë britanikë fluturuan disa herë dhe shumë ulët mbi Sarandë dhe më brenda territorit shqiptar.
Hyrja e luftanijeve britanike në ujërat tona territoriale pa lajmërim dhe në formacion lufte, e pasuar nga fluturimet e nesërme të aeroplanëve britanikë mbi zonën bregdetare, nuk lë asnjë dyshim se të gjitha përbëjnë një provokacion dhe një cënim të sovranitetit të shtetit shqiptar. A posteriori, jemi të detyruar të pranojmë se të dy incidentet kanë lidhje midis tyre. Ngjarja e 22 tetorit rrëzon afirmimin e thjeshtë të qeverisë britanike që luftanijet angleze, duke hyrë në ujërat shqiptare nuk kishin qëllim armiqësor ose provokacioni. Qeveria shqiptare kishte njoftuar qeverinë britanike që ta lajmëronte për kalim në ujërat territoriale. Edhe sikur të pranojmë për në moment, në kundërshtim me realitetin, pretendimin britanik se kalimi i anijeve angleze ka qenë pa të keq, edhe në këtë rast duhej një kërkesë për qeverinë shqiptare, që të lajmërohej për hyrjen e anijeve të huaja në ujërat e saj territoriale, nuk do të formonte një kufizim sado të vogël të parimit të kalimit pa të keq, po përkundrazi do të vlente për të evituar çdo incident tjetër të padëshiruar. Dhe qeveria shqiptare do të kishte plotësisht të drejtë ta bënte këtë, në mbështetje të parimit të njohur të sovranitetit të shtetit mbi ujërat e tij territoriale. E drejta e sovranitetit të shteteve bregdetare mbi ujërat e tyre territoriale është një parim ndërkombëtar i kristalizuar. Dhe kjo e drejtë lidhet ngushtë me sigurimin dhe mposhtjen e këtyre shteteve. Shtetet e vegjël janë më shumë të interesuar se të tjerët për respektimin e këtij parimi. Qeveria shqiptare kishte plotësisht të drejtë t'i bënte apel sekretarit të Përgjithshëm të UNO-s më 29 tetor 1946, për respektimin e këtij parimi, ta mbronte vetë dhe ta invokojë përsëri sot këtu përpara Këshillit të Sigurimit. Dhe ky qëndrim i qeverisë shqiptare nuk është aspak në kundërshtim me parimin e kalimit pa të keq. Mbrojtja dhe respekti i principeve të së drejtës ndërkombëtare në marrëdhëniet midis shteteve, qofshin të mëdhenj apo të vegjël, janë themel dhe garanci për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë kolektive në botë. Po nuk mjafton të invokosh parimin e kalimit pa të keq për të provuar respektin e së drejtës ndërkombëtare, kur shkel parimin e sovranitetit. Nuk janë vetëm autorë të njohur në lëmin e së drejtës ndërkombëtare si Hall, Hautefeuille, Klauber, Philimore, Wheaton, etj, që njohin parimin e sovranitetit të shtetit bregdetar mi ujërat territoriale, po edhe vetë Gjykata e Diktimit të Francës, më 26 nëntor 1918, dhe Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara, më 30 prill 1923, janë shprehur në favor të këtij parimi. Gjithashtu Konferenca e Hagës për Kodifikimin e së Drejtës Ndërkombëtare më 1930, në nenin 2, të aktit final, ujërat territoriale për të gjitha efektet i ka parifikuar me territorin nacional. Kështu shteti bregdetar ka të drejtë të ushtrojë pushtetin politik mi ujërat territoriale. Pa qenë nevoja të invokojmë autorët e shumtë dhe pikëpamjet e tyre të ndryshme mi parimin e kalimit pa të keq të lindur nga nevojat e trafikut ndërkombëtar, mbi shtrirjen e këtij parimi dhe mbi kufizimin e parimit të sovranitetit të shtetit bregdetar mi ujërat e tij territoriale, mjafton përmendimin artikujt 4 dhe 3 të aktit final të Konferencës së Hagës më 1930.
Artikulli 4 thotë:
"Shteti bregdetar nuk mund të pengojë kalimin pa të keq të anijeve në detin territorial".
Dhe artikulli 3 përcakton kuptimin dhe gjerësinë e kalimit pa të keq. Sipas këtij artikulli, për kalimin pa të keq, kuptohet kalimi duke përfshirë edhe ankorimin për shkak incidentesh ordinere të lundrimit ose për shkak të braktisjes nga zori ose për shkak rreziku-midis ujërave territoriale pa hyrë në ujërat e brendshme, qoftë për të hyrë, qoftë për të dalë, dhe pa kryer asnjë akt që cënon sigurimin dhe rendin publik ose interesat fiskale të shtetit bregdetar. Në rastin konkret, duhet të marrim parimin e kalimit pa të keq dhe ta vëmë për ballë faktit. Ngjarja e 22 tetorit me të gjitha aspektet e saj, tregon se nuk ndodhemi përpara një kalimi pa të keq, sikundër pretendon qeveria britanike, po përpara një violimi të sovranitetit të shtetit shqiptar mbi ujërat e tij territoriale. Dihet se distanca që ndan skelën e Sarandës nga bregdeti i Korfuzit karshi është 7.2 milje dhe vija ordinare e lundrimit nuk është 1500 metra nga skela e Sarandës, pra nuk ishte udha e anijeve britanike.
Qeveria shqiptare thekson me këtë rast se kanali i Korfuzit ka shërbyer përpara kësaj lufte si vijë lundrimi e kufizuar për anijet kabotazhi të vendeve fqinje dhe jo si vijë trafiku ndërkombëtar. Vetëm që nga mbarimi i luftës e këtej Anglia po e përdor këtë udhë dhe mundohet ta paraqitë si një vijë trafiku ndërkombëtar. Në virtyt të rregullave ndërkombëtare dhe të të drejtave të saj, qeveria shqiptare nuk ka menduar kurrë dhe kurrë nuk mendon që të pengojë lundrimin në det të hapur ose në kanalin e Korfuzit të çdo anijeje e të çdo kombësie qoftë në raste se këto anije respektojnë të drejtat dhe legjislacionin e vendit dhe nuk cënojnë sovranitetin e shtetit. Me 1910 përpara gjykatës arbitrare të Hagës vetë qeveria britanike ka mbrojtur tezën se sovraniteti i shtetit bregdetar shtrihet mbi të gjithë gjerësinë e ngushticave gjersa mund të kontrollohen nga bateritë e saj bregdetare, në kundërshti me tezën tjetër që thoshte se sovraniteti i shtetit bregdetare në ngushtica duhej të shtrihej deri në tri milje. Në frymën e tezës së saj, qeveria britanike ka deklaruar në Gjykatën e Hagës në 1910 se kalimi në ngushticën e Padecanalis afër Douvres që është 17-18 milje e gjerë, nuk është veçse një koncesion i thjeshtë i qeverisë angleze. Mbrojtjen e kësaj teze e gjejmë dhe në autorët anglezë Hall, Hoshei, Kent, Philiano. Por për kalimin e anijeve të luftës në ngushticat që lidhin dy dete të hapur autorët si Dudlefield dhe Hall thonë se shtetet e interesuara mund të marrin masa sigurimi ose dhe të ndalojnë krejtësisht kalimin e tyre në ato pjese që ndodhen në sovranitetin e tij. Disa autore si Blumtscli, Bofic, Lawrence, Westlake etj, janë të mendimit se shtet limitrof nuk mund të ndalojnë kalimin e anijeve në ngushtica, por kanë të drejtë të marrin masat e nevojshme që kalimi të jetë pa të keq kundrejt tyre. Sigurisht nuk është në aplikim të kalimit të lirë në ngushticat që lidhin dy dete të hapur që bateritë angleze në Gjilbrartar fundosën kryqëzorin spanjoll, i cili kishte hyrë dy milje afër Gjilbrartarit në ujëra territoriale duke ndjekur një kontrabandë. I përmendëm këto fakte dhe këta autorë pse janë mbështetje e tezave që ka mbrojtur vetë qeveria britanike në raste të ndryshëm. Sot një rast analog, ajo e mbron tezën se kalimi në ngushticat që përbëhen vetëm nga ujërat territoriale, nuk është kalim në ujërat territoriale. Kështu në raste analog, qeveria britanike mbron dy teza të kundërta. Kjo provon se sa janë relative për qeverinë britanike rregullat ndërkombëtare, se si përdor qeveria britanike rregullat e së drejtës ndërkombëtare sipas interesave të saj në një kohë të caktuar. Konsekuencë logjike e një përdorimi të këtillë të rregullave ndërkombëtare nga ana e qeverisë britanike është provokacion brutal i 12 dhe 13 nëntorit kundër Shqipërisë. Të gjitha luftanijet angleze që kishin hyrë në ujërat shqiptare në formacion lufte, qëllonin vazhdimisht me mitraloz në ajër dhe në ujë për të krijuar incidente dhe lundronin poshtë e përpjetë në ujërat tona dhe jashtë ujërave në shenjë intimidacioni dhe provokacioni. Duke dërguar ujërat shqiptare kundër paralajmërimit formal të qeverisë shqiptare, një numër të madh luftanijesh që erdhën në formacion lufte, hynë e vepruan jo vetëm në ujërat territoriale po dhe në ujërat e brendshme të portit të Sarandës dhe qëlluan me armë për të krijuar incidente. Që të justifikonte veprimin e saj, qeveria britanike invokoi një seri preteksesh. Si pretekst kryesor ajo paraqiti nevojën e spastrimit të minave në kanalin e Korfuzit, mbasi më 22 tetor dy anije u ndeshën në mina dhe u dëmtuan. Duke dashur që ta vinte qeverinë shqiptare përpara faktit të kryer, qeveria britanike i drejtoi asaj një notë më 10 nëntor, me të cilën lajmëronte së më 12 nëntor 1946 kanali i Korfuzit do të spastrohej nga minat. Sipas notës angleze ky spastrim do të behej në virtyt të një vendimi unanim të marrë më 1 nëntor nga Komiteti Qendror për Spastrimin e Minave.
Në notën e saj të 12 nëntorit, qeveria shqiptare protestoi në mënyrë energjike kundër vendimit arbitrar për të spastruar ujërat territoriale shqiptare në ngushticën e Korfuzit. Qeveria shqiptare theksonte se nuk mund të pranonte kurrë që të vihej përpara një fakti të kryer dhe propozonte krijimin e një komisioni miks ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Shqipërisë. Vetëm kur ky komision do të kishte caktuar pjesën e ujërave të kanalit që do të bisedohej për të ndërmarrë spastrimin. Qeveria shqiptare i tërhiqte vërejtjen qeverisë britanike se ajo duhet të jepte urdhra anijeve të tyre që të shkelnin vetën në territorin e përcaktuar nga Komisioni Mikst.

Incidenti i kanalit të Korfuzit

Në pasditen e datës 22 tetor 1946 në bregdetin e Sarandës kaluan katër vaporë anglezë, të cilët udhëtonin për në Korfuz. Njëri prej tyre takoi në një minë dhe shpërtheu. Edhe sot janë të mistershme se si u vendos ajo minë atje dhe se kush e vendosi. Nga incidenti, siç e ka quajtur për 50 vjet diplomacia shqiptare, kishin mbetur të vdekur 44 marinarë anglezë, luftanija e të cilëve ishte hedhur në erë nga mina detare. Deri më sot është aluduar tepër lidhur me këtë ndodhi. Janë akuzuar shumë palë lidhur me këtë çështje, por asnjë nuk ka marrë përgjegjësi përsipër. Për këtë arsye marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe pësuan një ftohje të ndjeshme. Lidhur me këtë incident, i cili ishte me pasoja për ushtarët e vendit ishullor, Britania e Madhe nuk la konventë apo organizëm ndërkombëtar pa e ngritur zërin. Organizata e Kombeve të Bashkuara thirri autoritet shqiptare posaçërisht për këtë çështje në një sesion të posaçëm.

(Vijon nesër)

 
...................................................................................
Krye  

 

 Dossier
   
..
..........................................
   
..
..........................................