Pritet vendimi për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, "Unazës së Madhe" dhe të asaj periferike  
   
Si do të bëhen shpronësimet për 3 projektet  
     

Gerald BILBILI

Ndërtimi i 3 projekteve më të mëdha për Tiranën do të shoqërohet me një sërë listash shpronësimi. Projekti i "Unazës së Madhe" ka evidentuar skemën e këtyre shpronësimeve. Këto shpronësime do të kryhen nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit. Çmimi i truallit më të cilën ky institucion do t'ia blejë pronarit do të llogaritet me vlerën e tregut. Ndërkohë për 2 projektet e tjera, "Unaza Periferike" dhe autostrada Tiranë-Elbasan, emrat e pronarëve të tokave janë në letër dhe pritet një vendim nga ana e qeverisë për zbatim. Meqenëse të dy këto projektet e fundit janë marrë me koncension nga firma ndërtimore "Be-Alba_ Konstruksion", edhe kompensimi i pronarëve do të bëhet nga po nga kjo firmë. Sipas presidentit të kësaj firme, Xhevahir Ngjeqarit, kompensimi do të bëhet me çmimet shtetërore, ashtu siç është parashikuar në ligj meqenëse është shpronësim për ndërtime publike.
Projektet
Ndërtimi i 3 projekteve, "Unazës së Madhe", autostradës Tiranë-Elbasan dhe "Unazës Periferike" do t'i japë një pamje të re Tiranës. Jo vetëm do të zgjidhë trafikun në rrugët urbane të kryeqytetit, por do të zgjerojë edhe më tej vijën e verdhë të saj. "Unaza e Madhe", projekt i Bashkisë së Tiranës, ka një gjatësi prej 5.50 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e "Elbasanit" pranë Akademisë së Rendit Publik. "Unaza Periferike", projekt i firmës "Be-Alba-Konstruksion", kalon nga kthesa e Kamzës, vazhdon në autostradën e Tiranë-Durrës, në kryqëzimin e Vaqarrit, në rrugën e Ndroqit, në urën e Farkës dhe deri në rrugën e Krrabës. Sipas të dhënave të firmës koncensionare "BE-Alba-Konstruksion", ky segment do të jetë i gjatë 6-6,5 kilometra dhe do të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me autostradën që pritet të ndërtohet, Tiranë-Elbasan. Së fundi, autostrada Tiranë-Elbasan, me një gjatësi prej 35,2-35,8 kilometra kalon nga Vaqarri, vazhdon në Arbanë dhe me këtë drejtim kalon deri në zonën e Paperit. Kjo autostradë, përveç vazhdimit të saj në qytetet e lindjes do të lidhet sërish me "Unazën" periferike.
Shpronësimet
Shpronësimet për "Unazën e Madhe" do të bëhen nga Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit. Sipas projektit të përfunduar nga bashkia e kryeqytetiti, bëhet fjalë për shpronësimin e 35 hektarë tokë si dhe të 180 banesave private. Burime nga Komiteti Shtetëror (KSHKKP), thanë se kompensimi për këta persona juridik do të bëhet sipas vlerës së tregut. Në zonën e liqenit artificial çmimi i tokës kap një shifër që varion nga 14 deri në 40 mijë lekë të reja për metër katror. Ndërkohë për projektin e autostradës Tiranë-Elbasan, 35 për qind e këtyre shpronësimeve janë private dhe 65 për qind janë shtetërore. Këto do të bëhen nga firma koncesionare, por do të behën me çmimet shtetërore që bëhet për ndërtimet publike dhe jo me çmimet e tregut. Po me këto çmime do të bëhen edhe shpronësimet e projektit të fundit, asaj të "Unazës Periferike".

Te dhena per autostraden Tiranë-Elbasan

Permasat
1. Gjatësia e rrugës Vaqarr-Paper: 35,2-35,8 km
2. Gjatësia e degëzimeve: 5 kilometra
3. Gjatësia e kuptimit ekonomik: 36-41 kilometra
4. Gjatësia e rrugës: 20 metra (katër korsi)
5. Pjerrësia maksimale e trasesë:
34 kilometra 02-2-4 për qind
6. Pjerrësia maksimale e trasesë:
7 kilometra 4-4,8 për qind
7. Rrezja e kthesave minimale: mbi 160 metër
8. Shpejtësia e lëvizjes: 120 kilometër në orë
9. Aftësia e qarkullimit minimal: 385 mjete në orë
10. Aftësia e qarkullimit normal: 11280 mjete në ditë

Kategoria ndertimore
1. Vlera e ndërtimit: 40 milionë Euro
2. Vlera e ndërtimit për një kilometër: rreth 1 milion dollar për kilometër
3. Vepra arti të veçanta e tunele nuk ka
4. Koha e ndërtimit: 18 muaj
5. Ndërtohet një urë mbi lumin Erzen
6. Vepra arti tombino në hapësirë 6 metër
7. Materiali gjendet në vend

Pronarët e Ksamilit letër Berishës

“Të prishen ndërtimet pas 3 korrikut”

“Zoti kryeministër, rrafshoni ndërtimet në Ksamil, të cilat janë ngritur pas 3 korrikut 2005”. Kjo ka qenë deklarata e pronarëve të zonës së Ksamilit, familjes Muzina, të cilët aktualisht jetojnë jashtë Shqipërisë, përmes një letre dërguar kryeministrit, Sali Berisha. Sipas tyre, nëse këto ndërtime nuk prishen, shteti nuk ka aq para sa të kompensojë ish-pronarët me vlerën e tregut. "Në bazë të deklarimit që është bërë, çmimi i truallit në zonën turistike do të jetë mbi 200 euro për një metër katror, dhe fatura financiare e qeverisë do të arrijë në mbi 800.000.000 (tetëqind milionë) euro", theksojnë ata përmes kësaj letre të hapur. Sipas tyre vetëm gjyqi në Evropë mund të na ndajë me qeverinë shqiptare. Në këtë letër theksohet se qeveria shqiptare duhet të llogarisë dhe 300 hektarët e tjera të fshatrave turistike, që zëvendëskryeministri Rusmali këmbëngul që t'i mbajnë bosët e ndërtimit. "Kështu që kërkesa e fundit prej nesh, qëndron në zhveshjen e zonës së Ksamilit nga këto ndërtime, meqenëse edhe tokë të lirë në këtë vend për kompensim nuk ka", përfundojnë pinjollët e familjes Muzina.

 
...................................................................................
Krye  

 

 Ekonomi
   
..
..........................................
   
..
..........................................