Forum  
   
Moska dhe turizmi shqiptar  
     

Leke SOKOLI Dr. sociolog

Sot thuajse një e treta e shtetasve shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë. Nga pjesa e mbetur shpenzohen gati ½ milioni dollarë në vit vetëm për udhëtime turistike, pa përfshirë ato të natyrave të tjera. Pra, për shqiptarët e sotëm udhëtimet jashtë janë bërë aq të zakonshme saqë mund të cilësohemi si “një komb në udhëtim”. Kjo do të thotë se udhëtimet e veçanta nuk duhet të kenë ndonjë domethënie të madhe. Por nuk është plotësisht kështu. Sidomos ato që bëhen për herë të parë kanë gjithnjë domethëniet e tyre. Ato, veç të tjerave, kanë vlera të mëdha njohëse. Çdo vend përfaqëson një përvojë më vete. Studiuesit, dhe përgjithësisht njerëzit e letrave, madje edhe vizitorët e thjeshtë, gjithnjë kanë qenë dhe janë të prirur për ta ballafaquar përvojën e vendit të tyre me atë të vendit në të cilin kanë udhëtuar. Në jo pak raste nga ballafaqime të tilla kanë dalë vepra e kryevepra të letërsisë, shkencës, kulturës. Sociologët kanë një fushë të shkencës së tyre, sociologjinë krahasuese, që merret mirëfilltazi me krahasimin e vlerave dhe përvojave.
Unë isha këto ditë në Moskë. Jo për qëllime studimi, por tjesht si si pjesë e një grupi të organizuar nga “Sun Traval & Tours”. Por pata rastin t’i shihnja gjërat ‘nga poshtë’, si të thuash, t’i prekja me dorën time. Dhe ndoshta nuk do të kisha më shumë gjëra për të thënë, nëse do të qëndroja gjatë nëpër bibliotekat e Akademisë së Shkencave të Moskës. Në këtë vështrim besoj se përshtypjet e mia personale meritojnë të bëhen publike.
Për mua Rusia dhe Moska ishin sa të njohura aq edhe të panjohura apo të keqnjohura. Është bërë e zakonshme të themi, për shëmbull, se Shqipëria ka patur një fat të përbashkët me Lindjen Europiane, pra edhe me Rusinë. Kjo në kuptimin e të qenit si vende ish-komuniste. Nga sa pashë në Moskë, më duket 15 vjet pas rënies së perandorisë sovjetike, emëruesi i përbashkët “ish-komuniste” apo “postkomuniste” e ka humbur në mënyrë të qartë çdo kuptim. Ç’mund të përfaqësojë ai, për shëmbull, në krahasimin apo vlerësimin e rrugëve të zhvillimit të Rusisë, Hungarisë, Çekisë, Shqipërisë, Bjellorusisë apo Kazakistanit? Thuajse asgjë.
Duket se është e pakuptimtë, gjithashtu, që ato të klasifikohen me emruesin e përbashkët “vende në tranzicion”. Kjo sepse një pjesë e vendeve të Lindjes Europiane janë bërë tanimë edhe zyrtarisht pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa të tjerat po zhvillohen shpejt. Për ne tranzicioni është shndërruar në një mjet që “justifikon” të gjitha prapësitë tona të sotme. Në Moskë, përkundrazi, unë dhe kolegët e mi nuk pamë ndonjë shenjë tranzicioni. Atje zhvillimi tranzicionalist nuk ka njohur shumë zig-zake apo kthime mbrapa. Rrënimi nuk njihej si koncept e praktikë. Madje Rusia ka aktualisht një stabilitet të admirueshëm ekonomik.
Po ndikimi i historisë dhe trashëgimia komuniste? Te ne e kaluara apo historia vazhdon të jetë aq e pranishme (gjithnjë si “fajtore”), saqë duket sikur ky vend (keq)drejtohet jo nga shumica, pra mazhorancat qeverisëse, por nga të shumtit (të vdekurit). Në Moskë kam parë një realitet krejt tjetër. Atje ishte e ndarë historia nga politika e ditës dhe zhvillimet korente. Dhe, krejt ndryshe nga ç’ndodh te ne, atje bashkëjetonin të gjithë: Pjetri i Madh dhe Ivani i Tmerrshëm, Lenini e Romanovët, Stalini e Trocki etj., etj., pra viktimizues e viktima. Në Kremlin, për shëmbull, është Mauzoleumi i Leninit. Në anë të lumit të Moskës është një monument i tij. Stacioni kryesor i metrosë së Moskës quhet “Biblioteka e Leninit”. Portreti i tij është gdhendur kudo ku ai ka zhvilluar një aktivitet domethënës. Varri i Stalinit vazhdon të jetë, gjithashtu, pikërisht në Kremlin. Para tij është edhe busti i Stalinit, krah atyre të figurave të mëdha të kombit rus. Zhukovi (i shkarkuar ‘në ajër’ pas vizitës në Tiranë) ka një monument në kalë sa ai i Skëndërebut tonë. Mikojani, Molotovi etj., të gjithë ishin atje në buste apo të gdhendur në fasada godinash e institucionesh.
Unë, ‘shqiptari mistrec’ e provokova shumë herë Sashën, rusin që na shoqëroi gjatë qëndrimit tonë në Moskë, duke na shpjeguar gjithçka, për ta nxitur të bënte ndonjë “interpretim politik” të historisë së tyre. Por ai asnjëherë nuk ra në “grackën” time. Ai vetëm shpjegonte histori: në këtë kohë kështu, në këtë kohë ashtu. Telegrafikisht, pa komente e vlerësime subjektive. Në ‘Kopshtin Mbretëror’, kështu quhet një park në anë të mureve të Kremlinit, ishin piramidat e qyteteve që ishin shpallur zyrtarisht “qytet hero”. Ndër to ishte Stalingradi. “Pse Stalingrad e jo Vollgagrad”, e ngacmova sërish Sashën. Ai më dha këtë shpjegim: “Pas rënies së komunizmit, u ndryshua ky mbishkrim, sikurse vetë emri i qytetit. Por ndërhynë historianët dhe argumentuan se Hitleri e sulmoi këtë qytet pikërisht se ai lidhej me emrin e armikut personal të tij. Ndryshe ai nuk do ta sulmonte dhe qyteti nuk do të ishte bërë “hero”. Më pas mbishkrimi u korrigjua, u ribë Stalingrad. Edhe në disa mozaikë, vijoi Sasha, u zëvendësua fytyra e Stalinit në turmë me atë të Juri Gagarinit. Por doli një gjë e shëmtuar që u korrigjua shpejt. Pra miqtë e mi, historia është histori, pavarësisht vullnetëve të sotme”, vijoi Sasha. Ky është, në gjykimin tim, një tjetër “leksion” që vjen nga përvoja ruse.
Moskovitët, rusët përgjithësisht (sikurse edhe turqit, egjyptianët, grekët, italianët, francezët etj.), ishin mjeshtër të ‘shndërrimit’ të historisë në një biznes gjigant. “Shisnin” histori nga mëngjezi në mëngjez, si në një industri të vërtetë. Kremlini me rreth 27 ha sipërfaqe ishte plot turistë. Madje ishte hapur për ta qysh në vitin 1955. Tregjet e Moskës turistike ishin plot me relike të historisë së tyre. Pa asnjë përjashtim. Njësoj si matrioshkat (kukullat e famshme ruse) shiteshin edhe kapelja apo llulla e Stalinit. Në tregun turistik ata kishin hedhur gjithçka: nga katedralet 7-8 shekullore te salla “Gjeorgjevskaja”, nga romanovët te komsomolasit, nga Pallati i Dimrit të kryeqytetit të vjetër, te pallati i Kongreseve të kryeqytetit të ri. Thuajse gjithçka. Unë besoj se, me këtë mentalitet, shqiptarët nuk do ta prishnin ‘Muzeun e Enverit’, por vetëm do t’i shtonin një pavion me anën tjetër të medaljes së kësaj figure tejet kontradiktore dhe “do ta nxirrnin në tregun turistik”, për të qethur kupona.
Dhe Rusia “shiste” histori, megjithëse ajo është një vend pa antikitet. Formimi i shtetit rus daton në vitin 882 e jo më parë. Merret me mend se ç’mund të bënin ata po të kishin qytete dymijë e katërqind vjeçare, siç kemi ne Beratin, Elbasanin, Durrësin apo Shkodrën, po të kishin një amfiteatër si ai i Durrësit, i dyti pas Koloseut të Romës apo po të kishin “Trojën e Re”, siç quan Eskili në Eneidan e tij, Butrintin tonë etj., etj.
Pra turizmi është ekonomi, është biznes. Ky është “leksioni” i tretë që morëm në Moskë. Por, nisur nga sa pamë, turizmi nuk është një çështje që lidhet vetëm me operatorët që veprojnë në këtë fushë, siç janë agjencitë turistike. Ai nuk lidhet thjesht me investitorët, vendas apo të huaj, që i derdhin paratë e tyre në hotele, motele, plazhe private, pishina apo restorante. Ai nuk është as vetëm çështje që lidhet me pushtetin lokal dhe subjekte të tjera të shoqërisë të kësaj apo asaj pjese të të vaçantë të Shqipërisë, të themi të Durrësit, Vlorës, Sarandës, Beratit, Gjirokastrës, Shkodrës etj. Turizmi është një çështje shtetërore. Ai lidhet me politikat shtetërore, me strategjinë e zhvillimit kombëtar, me imazhin e vetë shtetit, me kulturën tonë tradicionale e, po aq, me kulturën qytetare e të shërbimit të shoqërisë së sotme shqiptare. Çështja është nëse do të ketë apo nuk do të ketë turizëm Shqipëria, si një e tërë dhe jo parcela të veçanta të saj. Na duhet pra një strategji kombëtare zhvillimin e turizmit ku të përfshihet gjithçka lidhet me të: struktura dhe infrastruktura e tij, turizmi kulturor dhe agroturizmi, industria, financat, bujqësia, kultura e shërbimit, qytataria turistike etj. Ndryshe nuk do të kemi turizëm, siç nuk kemi aktualisht.
Ka ardhur koha që të ndryshojmë vetë metodologjinë e vlerësimit të turizmit shqiptar. Së pari, duhet përjashtuar nga llogaria emigrantët shqiptarë që vinë për dokumente, se kanë mall apo se kanë ndonjë hall. Nëse përjashtojmë, për efekt llogaritje, edhe kosovarët ose të ashtuquajturin turizëm patriotik (me prirje për t’u pakësuar), çfërë mbetet pas kësaj? Thuasje asgjë.
Turizmi është llogari. Në Moskë, për shëmbull, ne ishim vendosur në hotel “Kozmos”. Ai kishte rreth dy mijë vende, sikurse ambiente të pafundme argëtimi e shërbimi. Restoranti i tij quhej “Kalinka”, simboli i shpirtit rus, në të cilin klientët turistë mund të përzgjidhnin për ngrënie, pa asnjë kufizim, midis dyqind asortimenteve. Klientët, midis materialeve informuese për të gjitha shërbimet, gjenin në dhomat e tyre edhe një anketë anonime, me lutjen për ta plotësuar dhe për ta hedhur në një vend të vaçantë në hollin e këtij hoteli. Me këtë anketë hoteli, si institucion ende shtetëror, por ama kapitalist, vlerësonte e korrigjonte vetveten, në përputhje me sugjerimet e klientëve. Dhe (besoni) gjithçka ofrohej me çmime më të ulëta se në bregdetin tonë, të themi në Durrës apo Vlorë.
Këtej dalin disa momente që ndoshta meritojnë vëmendje.
Së pari, subjektet turistike, sot të parcelizuara si vetë parcelat bujqësore, duhet të kooperojnë me njëra-tjetrën, për të krijuar njësi komplekse shërbimi e argëtimi.
Së dyti, me turizmin është e lidhur edhe bujqësia, sikurse artizanati tradicional etj. Nuk mund të ketë çmime konkurruese të turizmit shqiptar me domate greke apo mollë austriake, për shëmbull. Pra duhet të arrijmë të ofrojmë shërbime edhe me çmime që të konkurrojmë Budvën, Dubrovnikun, Tenerifen (Spanjë), Stambollin, Antalian, Moskën etj., etj. Ndryshe, pse duhet të vinë këtu?
Së treti, turisti i huaj vjen me guida konkrete disaditore, të cilat duhet përgatitur, fillimisht nga dikasteri përkatës, në mënyrë nominale së bashku me operatorët që veprojnë në fushën e turizmit. Kjo kërkon ndërhyrje të shpejtë për përmirësimin e disa nyjeve të veçanta. Si mund të ketë ndërtime pa leje, për shëmbull, edhe brenda territorit të amfiteatrit të Durrësit(!).
Së katërti, turizmi duhet sponsorizuar nga shteti, të paktën sa për fillim. Kjo si për të krijuar kapacitete turistike brenda vendit ashtu edhe për reklamimin e tyre në rrjetet e informacionit apo publicitetit ndërkombëtar, me qëllim që Shqipëria të futet në hartën turistike të botës.
Së fundi, turizmi është edhe qytetari. Në përfytyrimet e shqiptarëve Moska dhe Rusia kanë qenë të dominuara nga shpirti revolucionar. Siç kemi dëgjuar. Ose, të paktën, nga frymëzime të tjera të ngjashme. Nga sa pashë më rezulton se Moska dominohet nga shpirti qytetar. Unë shëtita në disa ditë kudo nëpër Moskë. Askund nuk pashë letra përtokë, as çimçakizë, as bishta cigaresh. Madje as kosha plehrash. Një Zot e di si ishin organizuar gjërat. Në një qytet me rreth 14-15 milionë banorë (sa pesëfishi i Shqipërisë), nuk pashë në asnjë fasadë pallati rroba të nderura. Përgjatë gjithë lumit gjarpërues e të lundrueshëm të Moskës nuk pashë qoftë edhe një shishe apo bidon uji të hedhur, nga një i dehur për shëmbull. Nëpër metronë gjigante, deri 90 metra thellësi, të Moskës (mendoni ç’do të ndodhte sikur të ndërpritej energjia elektrike qoftë edhe për një minutë) nuk pashë një zhgarravinë në mure. Nuk pashë në to ndonjë mozaik të prekur nga dikush, le të themi ndonjë deformim të mjekrës së Leninit apo mustaqeve të Stalinit. Të krijohej përshtypja se te ata njerëz nuk kishte duf, ndjenja hakmarrjeje, gjykime të verbëra.
Unë kisha dëgjuar se në Moskë kishte shumë hajdutë. Por në të gjithë Moskën nuk njihej qepeni apo rrethimet mbrojtëse, as mbi tokë, as nën tokë, në metrotë apo nënkalimet e saj. Unë dhe kolegët e mi, udhëtuam me autobus nëpër të gjitha rrugët kryesore të Moskës. Por nuk dëgjova një buri makine, një britmë, një të sharë, një grindje shoferësh apo kalimtarësh. Nuk pashë në asnjë rast ndonjë tentativë për të kaluar pa radhë, ndonjë polic që të ndërhynte për të vendosur rregull. Jo, rregulli vendosej si me frymën e shentë. Pra me frymën e qytetarisë moskovite apo ruse, të këtyre njerëzve thuajse përherë me libra në dorë. Unë kam jetuar disa vjet jashtë Shqipërisë, siç kam patur rastin të shkoj ngado: në Evropë, Amerikë, Afrikë. Por, në gjykimin tim, Moska shquhet për kulturë qytetare, jo vetëm në raport me ne, por edhe me çdo shtet tjetër.
Rastisi që në linjën Tiranë-Vjenë dhe, pas disa ditësh, sërish në linjën Vjenë-Tiranë të udhëtonim në një avion me kryeministrin Berisha. Nuk morëm vesh se pse qëndroi disa ditë në Vjenë. “Për arësye shëndetësore”, na thanë, megjithse tek u përshëndetëm njerëzishëm me të na u duk mirë me shëndet. Personalisht nuk di pse ndjeva njëfarë respekti jo të zakontë për këtë njeri vullnethekurt. Ndoshta ngaqë ai të paktën po udhëtonte në një linjë të zakonshme (jo me çarter, si paraardhësi i tij), në një avion që nisej në pesë të mëngjezit (vajtja) dhe në njëmbëdhjetë të natës (kthimi). Pra “shtërngimi i rripit” duket se funksionon te kjo qeveri. Madje dy ministra të kabinetit të tij (Mediu dhe Basha) nuk ishin as në kategorinë “biznes” të biletave më të shtrenjta, por në kategorinë “ekonomi”, pra të biletave të zakonshme.
Një mrekulli e vërtetë na u shfaq kur avioni u ngrit mbi Vjenë. Duket se ngjyrat e ‘ylberit vienez’ ishin dyqind, në mos dymijë. Si është e mundur, mendova, që pushtetarët tanë, këta njerëz jo pak të gjezdisur, së pari kryeministri Berisha që rastisi të ishte aty, të mos frymëzohen nga realitete të tilla për të bërë diçka të bukur, ndërtuese, për vendin e tyre.
Ndërtimi, jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe shpirtëror, është sfida jonë e vërtetë. E të gjithë qytetarëve, pa përjashtim. Të angazhohemi, jo thjesht të shpresojmë. Kjo është çështja.

E-mail: lsokoli@isps-al.org

...................................................................................
Krye  

Interesat gjeo-strategjike dhe “bomba integriste”

Luan RAMA

Dje në Paris, përfaqësuesit e Këshillit të Sigurimit u mblodhën sërish përballë urgjencës së çështjes iraniane. Aktualisht po punohet rreth deklaratës së ardhshme të Këshillit të Sigurimit dhe formulimit të një qëndrimi të përbashkët në mbledhjen e 9 majit në Nju Jork, ku do të mblidhen ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, plus Gjermania. Tashmë mendohet të bllokohen të gjitha pasuritë e liderëve iranianë në Perëndim, të bllokohen lëvizjet e tyre në vendet perëndimore si dhe të kufizohen vizat e komunitetit shkencor iranian në Perëndim. Madje evropianët duket se janë gati të adoptojnë dhe masa për të hequr garancitë e eksporteve drejt Iranit si dhe vendosjen e një kontrolli të produkteve dhe eksporteve që mund të shërbejnë në fushën bërthamore të këtij vendi. E megjithatë, duket se Irani kërkon t’i bëjë sfidë Perëndimit në rrugën e tij të vendosur, duke shkelur të gjitha angazhimet e marra me nënshkrimin e traktatit të mos-përhapjes së armëve bërthamore. Edhe pse zyrtarët iranianë flasin për një sulm të mundshëm të Amerikës kundër instalimeve iraniane bërthamore, përsëri presidenti iranian në fjalimet e tij populiste deklaron se “rezoluta të tilla që kërkon të bëjë Perëndimi kundër Iranit janë të kota dhe pa vlerë për kombin iranian”.
Çelësi në duart e Moskës
Nëse diplomatët perëndimorë thonë se “çelësi i zgjidhjes së çështjes iraniane është në duart e Moskës” ata kanë të drejtë, pasi kështu është dhe realisht. Që para fillimit të kësaj krize, Rusia shihte tek Irani një partner gjeo-strategjik dhe të nevojshëm për politikën e tij ndërkombëtare dhe interesat vitale të mbetjes së Rusisë si një fuqi e madhe. Në fakt, Rusia ka qenë gjithnjë e rezervuar që dosja iraniane t’i kalonte Këshillit të Sigurimit dhe OKB-së. Madje, që në fillim rusët kërkuan që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (AIEA) të jetë një “agjenci teknike” dhe jo një agjenci për ruajtjen e paqes e të sigurisë. Madje kur me ngulmin e Amerikës dhe të evropianëve u kërkua që dosja nga AIEA t’i kalojë Këshillit të Sigurimit, rusët këmbëngulën që ajo të ishte thjesht “për informim”. Dihen marrëdhëniet e ngushta të Rusisë me Iranin dhe interesat e rusëve në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore për të larguar që andej influencën amerikane si dhe për të luftuar fondamentalizmin sunit. Veç të tjerash, Irani është një treg i madh për Rusinë në fushën e tregtimit të armëve. Ishte Rusia që i shiti Iranit sistemet mbrojtëse anti-ajrore që ndihmojnë për mbrojtjen e instalimeve bërthamore në rast sulmi nga aviacioni amerikan. Në debatin politik e diplomatik që rusët bëjnë me evropianët dhe amerikanët, ata pohojnë se janë kundër sanksioneve dhe goditjeve ndaj Iranit pasi kjo mund të krijonte hapjen e një konflikti të tmerrshëm. Moska ka frikë se çdo referencë ndaj kapitullit VII të OKB-së mund t’i hapë rrugë Perëndimit për përdorimin e forcës në rast se Irani nuk heq dorë nga objektivi i tij i prodhimit të bombës atomike, rrugë të cilën e ka nisur siç e dëshmojnë të gjithë treguesit e pohuar nga inspektorët e AIEA-së. Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Sofie, ministri i Jashtëm rus Lavrov, i u përgjigj pozicionit të shprehur të ministrit të Jashtëm francez Douste-Blazy, duke u deklaruar kundër çdo lloj sanksioni ndaj Iranit. Si avokate e Iranit, kuptohet që interesat e Rusisë janë shumë më të mëdha se sa fakti nëse e ka apo jo bombën atomike. Rusia mendon vetëm për tregjet e armëve dhe të energjive bërthamore (ndërtimi i centraleve bërthamore me teknologjitë ruse, etj), dhe goditja e Iranit i mbyll një treg mjaft të madh, pa folur për rëndësinë e aleancës gjeo-strategjike. Punë e madhe nëse Irani prodhon bombën atomike! – mendojnë në thellësi të interesave të tyre liderët rusë. Dhe kjo padyshim është një filozofi mendjeshkurtër pasi këtu bëhet fjalë jo thjesht për një bombë atomike, siç ka dhe të tjera të tilla nëpër botë, por për një “bombë atomike integriste”, në duar fanatikësh që mund të hidhet në çdo kohë në emër të një ideologjie fetare apo në emër të një “xhihadi”. Atëherë edhe interesat e Rusisë, do të cënoheshin, ashtu siç do të cënoheshin edhe interesat e vendeve islamike që janë partnerë të Perëndimit. “Bombës integriste” nuk i dihet asnjëherë se kur mund të shpërthejë dhe në ç’rrethana, për më tepër në një vend si Irani, që së fundi u ka bërë thirrje mijëra vullnetarëve kamikazë që të bien martirë për Iranin në rast konflikti. A është e sigurt Rusia se do të jetë gjithnjë në strehë të një bombe të tillë?...
Kuptohet që përmes rolit të saj si mediatore midis Iranit dhe Perëndimit, Rusia kërkon të rrisë rolin e saj në skenën internacionale, për të thënë se problemet e mëdha që kalon bota nuk mund të zgjidhen pa mediacionin dhe pjesëmarrjen e saj. Rusia nuk mund ta pranonte të mbetej jashtë tryezës së bisedimeve si në rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë apo krizës dhe luftës në Kosovë. Por sido që të jetë, kriza iraniane po bëhet gjithnjë e më shumë e tensionuar dhe komplekse. Është e vërtetë që Irani ka besim në veton e Rusisë dhe të Kinës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, por njëkohësisht ajo ka dhe frikën e një sulmi ajror, duke u përsëritur i njëjti skenar i sulmit të instalimeve bërthamore të Irakut në vitin 1981, sulm që i dha fund të gjitha aspiratave të Sadam Huseinit që të prodhonte bombën atomike, i cili, po ta kishte, padyshim që do t’i hidhte bombat në të gjitha anët e botës. Ja pse Amerika dhe Bashkimi Evropian janë në një front të përbashkët për ta ndaluar me çdo kusht Iranin në rrugën e tij për prodhimin e bombës atomike, që siç kanë deklaruar më pas ideologët iranianë, “Irani do të prodhojë gjer 20-40 bomba atomike në vit”. Kuptohet se ç’arsenal të tillë të tmerrshëm do të krijonte Irani, armë që në duar fanatikësh do ta hidhte gjithë botën në erë. Me të drejtë ministri i Jashtëm francez Douste-Blazy, deklaroi së fundi në mbledhjen e Sofjes se, “përballë qëndrimit të Teheranit dhe përshpejtimit të programeve bërthamore, ne duhet t’i dërgojmë Këshillit të Sigurimit një mesazh të shpejtë dhe të vendosur”.
Një kompromis është ende i mundshëm
Pavarësisht nga deklaratat e bëra, si nga amerikanët ashtu dhe nga presidenti iranian Ahmadnexhat, të cilat janë pa ekuivoke dhe të drejtpërdrejta kundër njëri-tjetrit, mundësitë e një kompromisi në javët apo 2-3 muajt që vijnë janë të mundshëm, edhe pse afati i ultimatumit të perëndimorëve ka marrë fund dhe tashmë pritet veçse mbledhje e 9 majit në Nju Jork. Senatori republikan amerikan Riçard Lugar është shprehur para pak kohësh se, “kontaktet e drejtpërdrejta me Iranin do të ishin të dobishme”. Por zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë nuk e komentuan këtë deklaratë. Kuptohet që politikanët amerikanë ndjehen të përgjegjshëm ndaj një sulmi iranian kundër interesave amerikane, në një kohë që kriza irakiane ende nuk është zgjidhur. Nga ana tjetër, vendet evropiane, e në mënyrë të veçantë diplomacia franceze deklaron se “ka ardhur koha për të hapur negociata të drejtpërdrejta midis Amerikës dhe Iranit”, meqenëse iniciativa e tyre, pra ajo e Trojkës evropiane (Francë, Angli, Gjermani) nuk dha asnjë rezultat. Francezët mendojnë se rusët do të ishin dakord me një negocim të tillë të drejtpërdrejtë dhe po kështu edhe kinezët, duke pranuar tashmë rolin e Iranit si një fuqi në këtë rajon. Sigurisht rusët do të preferonin që negociatat të hapeshin në kuadër multilateral, pra që në tavolinën e bisedimeve të ishin dhe ata, dhe BE-ja, dhe ndoshta dhe kinezët. Por a do të hapen këto negociata dhe kur? Kuptohet që askush nuk e do sot një ndërhyrje ushtarake edhe nëse këtë të drejtë, teorikisht në rast rreziku të kërcënimit të paqes dhe shkeljes së traktateve të pranuara më parë botërisht ia jep karta e OKB-së. Por kuptohet se një konflikt mund të destabilizonte plotësisht një rajon tepër të brishtë dhe me shumë probleme konfliktuale që lidhen me probleme historike, fetare, apo politike. Ja pse dhe presidenti Bush deklaroi së fundi, se “Amerika është për një zgjidhje në rrugë diplomatike dhe paqësore”. Vallë është një sinjal për kompromis apo është thjesht si një etapë e nevojshme negocimi për të justifikuar më pas një ndërhyrje të mëvonshme, si rezultat i dështimit të zgjidhjes së kërkuar diplomatike e paqësore?! Ja pse dhe zyrtarët e lartë amerikanë deklarojnë nga ana tjetër se “ambicia e Iranit për të prodhuar bombën atomike është një çështje tepër e rëndë që cënon sigurinë kombëtare”. Në pozicionin më të vështirë duket se është Izraeli, jo thjesht nga fjalët e presidentit iranian se “Izraeli duhet zhdukur nga harta e botës”, por sepse Irani ka pohuar botërisht se “nëse Irani qëllohet nga amerikanët, i pari objektiv i tyre do të jetë goditja e Izraelit”. Dhe armët e tyre të sofistikuara, misilet moderne në distancë të gjatë, mund ta cënojnë rëndë integritetin e shtetit të Izraelit. Kuptohet që çdo kush në botë thotë se ç’punë ka Izraeli me kontradiktat amerikano-iraniane. Padyshim ky është një shantazh që i bëhet Amerikës, duke menduar se lobi i fuqishëm izraelit në Amerikë nuk do a lërë presidentin Bush të shkojë gjer në ndërhyrjen radikale, atë të goditjes së instalimeve bërthamore iraniane. E megjithatë, ideja e një “bombë atomike integriste” është akoma më e frikshme se sa kjo.
Pra le të shpresojmë që deri në ditët apo javët që vijnë të gjendet një kompromis i mundshëm!

 
...................................................................................
Krye  

Opinionet nuk shprehin domosdoshmërisht politikën redaksionale të gazetës

 

 Komente
  Interesat gjeo-strategjike dhe “bomba integriste”
..
..........................................
   
..
..........................................