Homazhet e fundit për aktorin
që u nda para dy ditësh nga jeta
Aleko Prodani, aktori që nuk
u nda kurrë nga skena
Suela GUSHA
Skena e mbajti në prehër sa ishte gjallë dhe
po ashtu i dha puthjen e fundit teksa ai ndërroi jetë
në prehrin e saj. Vetëm para dy ditësh u shua
një aktor i madh i skenës së teatrit, estradës,
humorit, Artisti i Merituar, Aleko Prodani. Aktori 68- vjeçar
pësoi një atak kardiak gjatë provave gjenerale
për komedinë "Tre burra për një grua",
në skenën e teatrit "Andon Z. Çajupi"
të Korçës, me autor Dario Fo dhe regji të
Andonis Filipi. Të afërmit, kolegët e tij,
jo vetëm nga Korça, por nga mbarë Shqipëria,
figurat më të njohura të artit dhe kulturës
së vendit si dhe njerëz të thjeshtë që
e kanë duartrokitur për vite me radhë i kanë
bërë homazhe atij për herë të fundit.
Aktiviteti
Aleko Prodani njihet si aktor i dy planeve: teatrit dhe estradës.
Ai ka luajtur qindra role në skenë ku ka spikatur
humori fin dhe i hollë, pa përjashtuar edhe rolet
në kinematografi si "Dy herë mat", "Zëvendësi
i grave", etj. Gjithashtu, Aleko njihet për intepretimin
e tij në disa prej komedive si "Arapi me trëndafil",
"O deputet, o gënjeshtar", "Hipokritët",
"Hajdutët ikin në D.P.", "O bëhem
deputet, o …" dhe shumë të tjera, midis
tyre edhe komedia më e fundit "Tre burra për
një grua", gjatë provave të së cilës
dhe humbi jetën. Interpretimet e tij kanë qenë
të gjitha në rolet kryesore. Gati në të
gjitha rolet e tij është vlerësuar me çmimin
si aktori më i mirë në festivalin e aktrimit
në Fier, në Tiranë, Butrint, Elbasan, etje.
Aleko Prodani njihet si aktori i madh dhe i humorit të
vënë në skenë dhe prej vetë atij,
ndërkohë që ai dallohej për njohuritë
e tij mjaft të mira muzikore si dhe aftësitë
si kërcimtar, parodist dhe improvizues. Në sfondin
njerëzor ai njihej si një njeri modest, baba i mirë,
bashkëshort shembullor dhe një gjysh i dhembshur.
Homazhet
Në skenë jetoi, në skenë u shua, dhe po
atje janë zhvilluar edhe homazhet e ceremonisë mortore
të Aleko Prodanit. Kolegët e tij të vjetër
dhe të rinj, jo vetëm nga Korça, por edhe
nga mbarë Shqipëria, figurat më të njohura
të artit dhe kulturës së vendit, njerëz
të thjeshtë, të cilët e kanë duartrokitur
për vite me radhë, si dhe personalitetet më
të larta të pushtetit vendor, e kanë nderuar
atë për herë të fundit. Ndërkohë
kortezhi me trupin e tij është larguar për
në banesën e fundit në orën 17 të
mbasdites së djeshme. Aleko Prodani, aktori i madh i
humorit, u nda nga jeta, por la pas një figurë të
paharruar që do të kujtohet në shumë breza.
Me lot në sy dhe me pikëllim e kanë përjetuar
ndarjen e tij nga jeta edhe kolegët e të ndjerit,
Artistit të Merituar, Aleko Prodani. Vetë aktorja
e njohur e humorit korçar, Klaudeta Riza shprehet për
gazetën se Aleko ishte një njeri i madh. "Ai
nuk ka qenë aspak i konsumuar si aktor dhe gjithnjë
një burim i pashtershëm i humorit, batutave dhe
energjisë së tij, gjithnjë i dashur me të
gjithë dhe i qeshur". "Kishte marrëdhënie
të shkëlqyera me të gjithë ne dhe na bënte
të ndiheshim komodë përkrah tij", është
shprehur dhe aktorja Mimoza Kurila.
Jeta
Aleko Prodani lindi më 18 maj 1938. Pasi mbaroi shkollën
pedagogjike punoi për një kohë si mësues
në Gopesh, Moglicë. Më vonë punon si arsimtar,
duke u aktivizuar njëkohësisht në shtëpinë
e kulturës në Maliq me grupet amatore. Disa vite
më vonë punoi në Parkun e Mallrave në
Korçë. Edhe pse "me probleme në biografi",
në atë kohë talenti i dha mundësinë
që të kalonte me trupën e Estradës së
Korçës. Për një periudhë kohe u
aktivizua në Estradën e Ushtarit, në vitet
1964-65, dhe më pas kaloi me Estradën Profesioniste
të Korçës. Ai u martua me aktoren Vjollca
Prodani, me të cilën u njoh që në shkollë,
duke e pasur nxënësen e tij.
Vdekja
Rreth orës 19 e 30 të ditës së martë
u nda papritur nga jeta aktori i madh i skenës së
teatrit, estradës, humorit, Artisti i Merituar, Aleko
Prodani. Gjithçka ndodhi kur ai ishte duke luajtur
në provat gjenerale për komedinë "Tre
burra për një grua" në skenën e teatrit
"Andon Z. Çajupi" të Korçës,
me autor Dario Fo dhe regji të Andonis Filipi. Në
interpretim e sipër ai ulet dhe më pas bie, ndërkohë
që spektatorët që ndodheshin në sallë
duke ndjekur provat kanë menduar se kjo ishte pjesë
e rolit, por e kuptojnë kolegët shqetësimin
shëndetësor, i janë afruar për t'i dhënë
ndihmën e parë. Menjëherë aktori u çua
në spitalin e qytetit, edhe pse vdekja e tij e shkaktuar
nga një atak kardiak ishte e menjëhershme.
Pas 558 vjetësh sqarohet vendndodhja
e një prej përplasjeve më të mëdha
të Skënderbeut me turqit
Zbulohen varret e betejës së Sfetigradit
Erion HABILAJ
Pas 558 vjetësh realizohet një zbulim i jashtëzakonshëm
për historinë shqiptare. Në fshatin Koxhaxhik
të Dibrës së Madhe zbulohen varret e viktimave
të betejës së famshme të Sfetigradit,
ku heroi Kombëtar Skënderbeu pësoi humbjen
e parë nën drejtimin e Lidhjes. Kanë qenë
një grup specialistësh vendas, që ditët
e fundit kanë ndërmarrë një ekspeditë
të thjeshtë, por që për nga rëndësia
e zbulimit mund të quhet një punë e jashtëzakonshme.
Burime nga pjesëtarë të kësaj ekspedite
thanë dje për gazetën “Tirana Observer”
se bëhet fjalë për dy masive varresh të
vendosura në dy anë të pllajës, ku ishin
të vendosura varret e viktimave të luftës së
Skënderbeut me Sulltan Muratin II. Është folur
shumë për këtë betejë të Heroit
tonë dhe është vlerësuar shumë, por
asnjëherë nuk është përcaktuar vendi
i saktë se ku u zhvillua ajo. Ndërkohë pas
më se pesë shekuj e gjysmë vjen edhe zbulimi.
Pikërisht në afërsi të fshatit Koxhaxhik,
një fshat që ende banohet me një etnitet turqish,
janë zbuluar varret e atyre që ranë në
betejë. Kjo pritet të shoqërohet më tej
me studime të specialistëve të historisë
për të sjellë akoma më shumë fakte. Ekspedita
Është nisur pa shumë pretendime në fillim,
por zbulimi ka një vlerë të jashtëzakonshme
historike. Një grup specialistësh janë nisur
në vendin ku pesë shekuj e gjysmë më parë
është zhvilluar beteja e Skënderbeut dhe kanë
zbuluar dy masivet e varreve. Burimet thanë se bëhet
fjalë për rreth 1200 varre, që mendohet se
janë të ushtarëve të Skënderbeut
dhe më shumë nga pala turke. Ato janë të
vendosura në dy anët e një pllaje dhe janë
të ndarë në myslimanë dhe katolikë.
Sipas specialistëve, kjo nën kupton se të parët
janë turq dhe të dytët janë ushtarët
e Skënderbeut. Deri më sot asnjë historian
nuk kishte folur prerë dhe saktë për vendndodhjen
e kësaj beteje, por edhe për shumë të
dhëna të tjera. Madje shkohet deri aty sa fjala
Sfetigrad, që në serbisht përkthehej qytet
i shenjtë, mund të ndodhej në Mirditë.
Por ekspedita e fundit ka sqaruar një herë e mirë
të gjithë këtë dilemë. Varret dhe viktimat
Gjithçka është e vendosur në pllajën
e malit që kap lartësinë 1200 metra mbi nivelin
e detit. Sipas historianëve, beteja është zhvilluar
në luginën e Drinit të Zi, por duhet thënë
se herë pas here të plagosur, por edhe të vrarë,
tërhiqeshin në majën e malit nga shokët
e tyre. Në fund të betejës aty është
bërë edhe varrimi i viktimave. Numri i ushtarëve
të vrarë mendohet të jetë afro 1200 persona.
Skënderbeu duke luftuar nga jashtë kështjellës
arriti të korrte suksese të mëdha. Nga varret
e zbuluara mendohet se janë rreth 900 myslimanë(turq)
dhe rreth 300 katolikë (shqiptarë).
Historia e betejës së Sfetigradit,
më 1448
Në qershor të vitit 1448, një ushtri e madhe
osmane e komanduar nga Sulltan Murati II së bashku me
të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II, i cili
më pas do të bëhej edhe ai sulltan. Ajo u përqendrua
mbi kështjellën e Sfetigradit, si baza kryesore
në sistemin mbrojtës të brezit lindor. Garnizoni
i përbërë kryesisht nga dibranë dhe i
drejtuar nga matjani Pjetër Perlati, jo vetëm hodhi
poshtë kërkesën për dorëzim pa luftë,
por e mbajti me heroizëm kështjellën, duke
thyer të gjitha sulmet e njëpasnjëshme të
trupave osmane. Skënderbeu godiste pa ndërprerje
ushtrinë me sulme të befasishme dhe arriti të
hynte deri në kampin e ushtrisë osmane. Kjo e lehtësoi
detyrën mbrojtëse të kështjellës.
Garnizoni rezistoi deri sa osmanët arritën të
zbulonin e të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës
me ujë të pijshëm. Pas bisedimeve me sulltanin,
Pjetër Perlati dorëzoi kështjellën, me
kusht që të largohej i lirë bashkë me
armët. Në korrik të vitit 1448, Sfetigradi
kaloi në duart e osmanëve. Për lidhjen e Lezhës
kjo ishte një humbje. Kështjella e Sfetigradit ishte
baza ushtarake kryesore e pjesës jugore të brezit
kufitar lindor të trojeve shqiptare.
Kane thene per betejen e sfetigradit
Marin Barleti, historian
Historiani, i cili ka bërë një nga veprat më
të plota për figurën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeun
Marin Barleti ka thënë për Sfetigradin është
një vend i lartë me shikim në luginën
përreth dhe pa burim uji. Dibra e është si
portë e shtetit të Skënderbeut. Për këtë
arsye ai nuk donte kurrsesi ta linte në duart e osmanëve.
Kasëm Biçoku, historian
Sfetigradi nuk ka qenë në Koxhaxhik, por në
krahinën e sotme të Demir Hisarit të Maqedonisë.
Në këtë përfundim është arritur
nëpërmjet shqyrtimit të kujdesshëm të
të dhënave të regjistrave kadastralë osmanë
të shekullit XV, të botuara prej autorëve sllavë.
Historiografia sllave
Disa historianë sllavë janë shprehur se Sfetigradi
nuk ka qenë në Koxhaxhik. Për vendndodhjen
e tij ata kanë dy qëndrime. Njëri qëndrim
e lokalizon Sfetigradin në fshatin Rahovnik (qyteti i
sotëm i Dibrës) dhe tjetri në Malin e Shenjtë
të Mirditës. Këto nuk mbështeten nga burimet
historike dhe as nga vëzhgimi i terrenit (dëshmitë
materiale). Në Rahovnik dhe në Malin e Shenjtë
të Mirditës nuk ka pasur kështjella në
kohën e Skënderbeut.
Të dhënat e para për Sfetigradin
Emri i Sfetigradit përmendet në dokumentet e kohës
së Skënderbeut në kronikat e autorëve
bizantinë, në veprat e historianëve të
vjetër osmanë, mbi të gjitha në historinë
e Marin Barletit, që është vepra themelore
dhe më e rëndësishmja për të njohur
jetën dhe veprimtarinë e Heroit tonë Kombëtar.
Kronisti bizantin, Laonik Halkokondili është burimi
tregimtar më i hershëm që flet për këtë
kështjellë. Ai e përmend atë me emrin
Sfeti.
Te dhena per betejen
1. Beteja e Sfetigradit u zhvillua në qershor të
vitit 1448
2. Kjo shënonte humbjen e parë të Lidhjes së
Lezhës nga turqit
3. Sipas kronikanëve të kohës janë vrarë
1200 ushtarë
4. Mori emrin e Sfetigradit (qyteti i shenjtë), sepse
aty ndodhen shumë vende kulti
5. Ajo zgjati një muaj, nga qershori deri në korrik
6. Skënderbeu nuk ishte në kështjellë,
por sulmonte nga malet
7. Pa betejës aty u shpërngulën shumë
turq, ku nisën jetën e tyre. Dhe sot fshati Koxhaxhik
është i banuar nga popullsi turke
8. Vetë fshati Koxhaxhik e ka marrë këtë
emër nga turqishtja, që do të thotë “betejë
e madhe”
9. Varrezat ishin ndarë në dy pjesë, në
myslimane, rreth 900, dhe katolike, rreth 300
10. Pasi iu ndërpre uji nga osmanët, kështjella
u dorëzua
Një pikturë nga Vincent Van Gogh është
shitur në ankand në Nju Jork, për më shumë
se 40 milionë dollarë. Ky është çmimi
i katërt më i lartë për një vepër
arti, dhe këtë e bleu Madame Ginoux. Piktura e vitit
1890 ishte një në pesë të krijuarat në
homazh të mikut të Van Gogut, artistit Paul Gaugin.
Piktura është krijuar, ndërsa artisti po e
merrte veten në një azil në Provancë,
Francë. Van Gogu i shkruan mikut të tij në
1980, duke i thënë: Jam i kënaqur që piktura
ime, e bazuar në veprat e tua, të pëlqen. Të
dy këta artistë kanë marrë si model vendasit
në Arle.
Charlize Theron do të jetë Marilyn
Monroe
Charlize Theron, biondja afrikane e çmimit
Oskar, për aktoren më të mirë në
vitin 2003, në filmin "Monster", ka pranuar
një sfidë të madhe. Tom Hanks, të cilin
shpejt do ta shihni në kinema me "Il Codice da Vinci",
i ka kërkuar të vihet në rolin e Merilyn Monroe,
në një film biografik për divën e viteve
'60. Ylli i talentuar i kinemasë ka pranuar. Ky film,
i prodhuar nga vetë Tom Hanks, do të jetë gati
në vitin 2007. Ajo që e ka shtyrë, është
dhe pasioni që kjo artiste e re ka për Merilyn Monroe.
Tre fajtorë për grabitjen "The
Scream"
Tre persona konsiderohen si fajtorë në
lidhje me grabitjen e veprave të artit të Edvard
Munch-it, "The Scream" dhe "Madonna",
të cilat ende nuk janë gjetur. "The Scream",
e pikturuar në vitin 1893, është vepra portret
e Munch-it. Munch krijoi një numër versionesh të
"The Scream". Por që të tre shpallen si
të pafajshëm në gjykatën Norvegjeze. Ata
akuzohen për akuza të tjera në lidhje me grabitjen
e pikturave në 22 gusht të vitit 2004, në muzeun
"Munch" në Oslo. Dënimi pritet të
jetë nga 4 në 8 vite për rolin në këtë
grabitje.