Të nderuar anëtarë të
redaksisë së gazetës "Tirana Observer"!
Në emër të qindra familjeve që banojnë
në banesat e ish-pronarëve, që tani pa asnjë
mëdyshje mund të quhen shtresa e re e të persekutuarve,
ju lutem që të na sensibilizoni me zgjidhjen e problemit
tonë jetik. Artikujt tuaj, të botuar herë pas
here, ne na kanë ngrohur mjaft, jo sepse na bëni
qejfin, por sepse trajtoni me vërtetësi problemin
tonë madhor. Ne ndodhemi aktualisht përballë
presioneve të vazhdueshme të pronarëve dhe
të firmave të ndërtimit që me mënyra
të ndryshme kërkojnë të na nxjerrin në
rrugë. Ne kemi mbi 50 vjet që jetojmë në
këto shtëpi, jemi lindur, rritur, krijuar familje
dhe me ligjet e tanishme që janë bërë,
apo më keq akoma, që mund të miratohen nga
këto presione të ish-pronarëve. Një ditë
mund të gjendemi në rrugë me plaçka
në krahë, sepse do të na vijë shteti të
na nxjerrë jashtë (konkretisht policia, përmbarimi,
fadroma) dhe raste të tilla kanë ndodhur.
- Ne nuk kemi bërë as greva, as demonstrata, por
kemi kërkuar zbatimin e ligjit nga shteti.
- Ish-pronarëve kur iu konfiskuan shtëpitë,
i strehuan në shtëpi tjetër, tani ata i kërkojnë
të dy shtëpitë, dhe ne asnjë.
- Kur një pjesë të madhe të popullsisë,
banesat e ndërtuara para viteve 1970 u falën, ne,
që kemi 50 vjet aty, pse t'i blejmë me dhjetëra
miliona 2 apo 3 dhoma, qoftë dhe me kredi "0".
- Një pjesë jemi pensionistë apo në punë
shteti, pa asnjë pronë dhe aktivitet, me se do ta
lajmë kredinë, qoftë për 20 vjet.
- Pse këto dallime bën shteti për ne, ndërkohë
që shoqatat e pronarëve e ngrenë zërin
kudo për kthimin apo kompensimin e pronave, për
ne që rrimë urtë nuk kujtohet njeri, ndonëse
dhe ne me qira të paguara për tërë ato
vite mund të kishim përvetësuar, por nuk u
la asnjë mundësi privatizimi, përkundrazi aktualisht
u persekutuam. Prandaj ne me këtë mënyrë
publikimi të problemit tonë ndërmjet medias,
ju lutemi që ndërmjet shkrimeve të analistëve
tuaj, të pasqyroni dhe një herë gjendjen tonë,
stresin tonë të madh kur shikojmë pronarët
apo firmat ndërtuese në shtëpi, duke na thënë
se kur do ta lirojmë banesën?
Ne nuk kërkojmë përfitime nga kjo, por atë
që na takon, kur në të njëjtën kohë
kërkohet legalizimi i banesave të atyre që
kanë ardhur vitet e fundit në pronat e të tjerëve,
ne që kemi respektuar ligjin, dalim të paligjshëm!
Edhe një herë, në emër të drejtësisë
të familjeve tona, ju kërkojmë këtë
sensibilizim të qeverisë, të Komisionit të
Ligjeve, sepse ne do të na vrasë ligji i keq.
Me respekt në emër të qindra
familjeve,
Petraq Tasi