Qazim Tepshi dhe Rrok Logu janë dy kandidaturat për Çeki dhe Vatikan  
   
Berisha i jep PDR-së një ambasador  
     

Anisa PELLUMBI

Qazim Tepshi dhe Rrok Logu do të jenë dy emra të rinj që do të propozo hen për ambasadorë. Sipas burimeve brenda Komisionit të Jashtëm pritet që së shpejti këta dy emra të marrin miratimin e këtij komisioni. Berisha zbut marrëdhëniet me reformatorët, të cilët kanë kërcënuar për dalje nga koalicioni. Në këtë mënyrë shkon në 12 numri i ambasadorëve të emëruar nga qeverisja e tanishme. Vatikani do të jetë kësaj here i shoqërisë civile. Rrok Logu, anëtar i Komitetit të Kulteve në kishën katolike, do të zëvendësojë ambasadorin aktual, ish-kreun e Partisë Demokristiane, Zef Bushati. Ndërsa Tepshi propozohet për ambasador në Republikën e Çekisë.
Kandidaturat
Qazim Tepshi dhe Rrok Logu janë dy kandidaturat e propozuara për ambasadorë në Çeki dhe Vatikan. Tepshi vjen nga karriera diplomatike, por dhe politike si ish-deputet i reformatorëve. Ai do të bëhet përfaqësuesi i ri i Shqipërisë në Republikën e Çekisë. Tepshi ka qenë njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm, prej të cilit pret miratimin, në legjislaturën e para tre korrikut. Ndërsa Rrok Logu është një emër i ri, që i shtohet karrierës diplomatike. Ai është kreu i Komitetit të Kulteve i fesë katolike. Pas propozimeve dhe pasi emrat e tyre janë çuar në Ministrinë e Jashtme, Komisioni i Jashtëm Parlamentar do të dërgojë kandidaturat për dekretim tek Presidenti Moisiu. Deri tani janë dekretuar Vili Minarolli në Greqi, Aleksandër Sallabanda në SHBA, Dashnor Dervishi në Rumani, Bujar Skëndo në Bullgari, Admirim Banaj në Arabinë Saudite, Valter Ibrahimi në Austri, Mehmet Elezi në Zvicër, Maxhun Peka në Kinë, Adrian Neritani në selinë e OKB-së në Nju Jork dhe Besnik Konçi në Kanada.
Çekia dhe Vatikani
Ish-kreu i PDK-së, Zef Bushati, që prej 10 majit të vitit 2002, është dekretuar si përfaqësues i Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, nga Presidenti i asaj kohe, Rexhep Mejdani. Ndërsa ish-ambasadori shqiptar në Rusi në vitin '99, Shaqir Vukaj është ende në krye të ambasadës tonë në Pragë. Ai mban këtë detyrë që nga 15 tetori i vitit 2002. Përfaqësia jonë në Itali ende mbetet pa kandidatura, por pritet që së shpejti të Ministria e Jashtme ta paraqesë në këtë komision.

Kush është Qazim Tepshi

Qazim Tepshi ka lindur në Durrës, në 5 tetor të 1942. Ka qenë deputet i Partisë Demokrate Reformatore në legjislaturën e kaluar. Ka botuar dy libra diplomatikë, "Kosova, diplomacia imponuese" dhe "Kosova në vështrimin enciklopedik". Ai ka qenë dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Jashtëm, në kohën kur ishte deputet.

Kush është Rrok Logu

Rrok Logu është anëtar i Komitetit të Kulteve. Ai ka lindur në Laç. Rrok Logu është propozuar nga kreu i Kishës katolike, Rrok Mirdita. Sipas burimeve të Komisionit të Jashtëm, kjo do të ishte kandidatura më e mirë, për në Selinë e Shenjtë. Ai do të zëvendësojë Zef Bushatin,
ambasador aktual i Selisë së Shenjtë.

Ambasadoret

Kandidaturat e fundit
Çeki propozohet Qazim Tepshi, ikën Shaqir Vukaj
Vatikan propozohet Rok Logu, ikën Zef Bushati

10 Ambasadorët e dekretuar
1. Nju Jork është emëruar Adrian Neritani, ka ikur Agim Nesho
2. Uashington është emëruar Aleksandër Sallabanda, ka ikur Kreshnik Çollaku
3. Rumani është emëruar Dashnor Dervishi, ka ikur Leonidha Mërtiri
4. Austri është emëruar Valter Ibrahimi, ka ikur Shpresa Kureta
5. Arabi Saudite është emëruar Admirim Banaj, ka ikur Kadri Beqiri
6. Bullgari është emëruar Bujar Skëndo, ka ikur Fatmir Kumbaro
7. Greqi është emëruar Vili Minarolli, ka ikur Bashkim Zeneli
8. Zvicër është emëruar Mehmet Elezi, ka ikur Leontiev Çuçi
9. Kinë është emëruar Maxhun Peka, ka ikur Kujtim Xhani
10. Kanada është emëruar Besnik Konçi, ka ikur Adhurim Resuli

Italia ka mbetur ende pa një kandidaturë, ndërkohë që është liruar nga detyra Pavli Zëri.

Të mosdekretuarit
1. Edit Harxhi në SHBA
2. Tatjana Kongoli në Austri
3. Sejdi Qerimaj në OKB
4. Lisien Bashkurti në Maqedoni
5. Ljublin Dilja dha dorëheqjen

.................................................................................
Krye  

3 pyetje 3 përgjigje

1. Çdo të thotë që babai i provave, kryeprokurori Theodhori Sollaku, të hetohet nga një komision parlamentar për hetimet që ai ka bërë në tre vjet në detyrë?

2. Berisha deklaroi që kryeprokurorin e ri mund ta propozojë edhe opozita. Si e parashikoni zgjedhjen e këtij personi në këtë detyrë, a pritet të ketë një konsensus mes mazhorancës dhe opozitës?

3. Si i vlerësoni vendimet e fundit të Moisiut për dekretimin e tre ligjeve të fundit, atë të legalizimit, të skafeve dhe të spiunëve?

.........................

Alfred PEZA, kryeredaktor i gazetës “SHQIP”

1. Formalisht, hetimi i punës së kryeprokurorit nga një komision parlamentar, është korrekte dhe normale për sa i përket procedurës dhe raporteve kushtetuese Kuvend - Prokurori. Nga pikëpamja politike, mazhoranca po shfrytëzon fuqinë e kartonëve të saj, për të realizuar një objektiv elektoral. Por, kur vjen puna tek efektiviteti i këtij hetimi, ky rast më sjell në kujtesë rastet e asaj që në Italinë fqinje në vitet ’80 - ’90 njihet si “mani pulite”. Ku veç organeve të policisë dhe prokurorisë, futi në valle edhe Parlamentin. Atëherë, njëri nga politikanët më në zë të Italisë së asaj kohe lëshoi frazën shkatërrimtare, se “nëse doni që e vërteta e vërtetë e një çështjeje të mos zbardhet kurrë, krijoni për këtë një komision hetimor parlamentar”. Edhe komisioni për Sollakun, kështu siç po rrjedhin ngjarjet, është thjesht një formalitet. Për mazhorancën tashmë ai është i shkarkuar, qoftë i fajshëm apo qoftë i pafajshëm. Loja pas kësaj luhet në pistën e Presidentit, ndërsa të tjerat nga pikëpamja hetimore nuk kanë asnjë pikë kuptimi.
2. Nëpërmjet kryetarit të grupit të saj parlamentar, PS deklaroi se nuk do të bëjë kompromis, që do të thotë, se nëse vjen puna për të zgjedhur një kryeprokuror të ri, konsensusi mes mazhorancës dhe opozitës është i përjashtuar. Por, ka një mundësi tjetër, që të arrihet ky konsensus, në një rrugë krejt tjetër. Për këtë, mjafton që kandidatura(t) që do të mund të ofrojë Presidenti Moisiu, duhet të jenë të një profili të tillë, që ai duhet të gëzojë mbështetjen maksimale jo vetëm nga të dyja kahet e politikës, shoqërisë civile, medias, por edhe aktorëve dhe faktorëve të tjerë të shoqërisë shqiptare. Një konsensus i tillë për kreun e një institucioni kaq të rëndësishëm antikrim, siç është Prokuroria e Përgjithshme, është më i rëndësishëm në këtë rast, sesa një konsensus i sforcuar mes dy kaheve të politikës shqiptare.
3. Pavarësisht se tre dekretet e sapofirmosura nga Moisiu në dukje të krijojnë idenë e një “kompromisi” mes tij dhe mazhorancës, puna e Presidentit të Republikës në këtë aspekt, duhet vlerësuar në kompleksitet. Duke iu shmangur detajeve të kontestuara tek këto 3 ligje, duhet thënë se gati të gjitha ligjet që janë miratuar nga Parlamenti i pas 3 korrikut, janë kontestuar qoftë nga opozita apo nga grupet e ndryshme të interesit. Për një moment, le të përfytyrojmë që Moisiu të mos dekretonte asnjërin prej tyre (dihet se disa ligje shumë të rëndësishme ai i ka kthyer mbrapsht), çfarë pasojash mund të sillte kjo për stabilitetin politik dhe social të vendit? Nga ana tjetër, firmosja e 3 dekreteve të fundit është parë si një “përkulje” të kreut të shtetit përballë presionit të kryeministrit që parathotë se edhe dekretin e mundshëm për shkarkimin e Sollakut, Moisiu do ta firmosë. Por, në këndvështrimin tim, mund të ndodhë edhe krejt e kundërta. Moisiu ka bërë një tolerim për këtë rast, për të mos toleruar shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë, sepse rrethanat që mund ta detyrojnë Moisiun të marrë njërin apo tjetrin vendim, janë shumë më komplekse sesa një gjykim i tillë.

.........................

Robert RAKIPLLARI, kryeredaktor i gazetës “Shekulli”

1. Nisja e procedurave për shkarkimin e kryeprokurorit Sollaku ka në thelb dy shkelje të rënda. Shkelja e parë është procedurale, pasi mazhoranca nuk mund ta nisë një proces të tillë pa pasur një akord me Presidentin e Republikës, pasi ky i fundit ka kompetencën ekskluzive për të shkarkuar kryeprokurorin. Metoda e “faktit të kryer” nga ana e mazhorancës vetëm sa do të krijonte një konflikt artificial me Presidentin, i cili mesa duket nuk është dakord me shkarkimin. Ndërsa shkelja e dytë, është kushtetuese. Vërtet mazhoranca ka të drejtë të ngrejë një komision hetimor, por me një indicje të qartë kushtetuese, pasi prokurori i Përgjithshëm shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, shkelje të rënda të ligjit ose sjellje që diskreditojnë figurën e tij. Në asnjë prej 83 akuzave të ngritura ndaj Sollakut nuk ka shkelje ligjore sipas juristëve më në zë të vendit. Kështu që komisioni hetimor do të hetojë për dosje konkrete të pazbardhura nga prokuroria dhe policia, proces të cilin Gjykata Kushtetuese ia ka ndaluar Parlamentit ta bëjë me një vendim të vitit 2003, ku interpreton një nen për komisionet hetimore.
2. Deklaratën e z. Berisha e konsideroj si një demagogji të pastër politike. Dihen tashmë oshilacionet e z. Berisha për çështjen “Sollaku”. Fillimisht u shpreh se prokuroria flinte mbi dosjet e krimit, pastaj tha se modeli aktual i prokurorisë ishte joefikas dhe më në fund mësuam se prokurori i Përgjithshëm ishte i lidhur me banda kriminale, një akuzë bajate që askush nuk e besoi. I ndodhur pa asnjë fakt konkret ndaj kryeprokurorit, z. Berisha kishte reflektuar dhe në fjalimin e fundit në Parlament, ku ishte tërhequr nga akuzat konkrete për Sollakun, madje u shpreh se prokurorin e ri mund ta propozojë opozita. Kjo deklaratë nuk ka vlerë, sepse synimi i z. Berisha është që Presidenti Moisiu të firmosë shkarkimin e Sollakut, më pas çdo emër është i varur nga mazhoranca në Parlament. Pra çdo emër që do të propozohet duhet të marrë patjetër aprovimin e z. Berisha dhe mazhorancës që ai drejton. Berisha nuk ka në dorë shkarkimin e Sollakut, por ka plotësisht në dorë emërimin e prokurorit të ri.
3. Janë vendime normale. Presidenti ka vepruar në respekt të kompetencave të tij kushtetuese. Për ligjin e skafeve, ai e kishte konsumuar kompetencën që i jep Kushtetuta duke e kthyer ligjin. Parlamenti reflektoi duke e modifikuar ligjin dhe duke shtuar disa propozime të Partisë Republikane në favor të ish-pronarëve. Presidentit nuk i mbetej gjë të tjetër veçse të firmoste këtë ligj, pasi në të kundërt ligji do të hynte në fuqi edhe pa firmën e Presidentit. Lidhur me ligjin e skafeve dhe atë të spiunëve, këto anë projekte mjaft të rëndësishme të mazhorancës aktuale. Kushtetutshmëria e këtyre ligjeve është e diskutueshme, por unë mendoj se Presidenti dhe stafi i tij e kanë peshuar këtë çështje dhe kanë marrë vendimin e tyre. Unë gjykoj se është pozitive që tashmë dekretimi i ligjeve, si hallka e fundit e hyrjes së tyre në fuqi është bërë objekt debati. Dhe ky fenomen ka ndodhur me presidencën e z. Moisiu. Më parë, dekretimi i ligjeve konsiderohej si një veprim formal.

.........................

Rezar XHAXHIU, analist

1. Do të thotë që një grup deputetësh me profesion agronom inxhinierë e mësues dhe pak ose aspak juristë të gërmojnë në dosjet pa fund të prokurorisë, dhe të gjejnë shkeljen në një kohë që të gjithë i ndalon Kushtetuta. Por duke qenë se loja duhet të shkojë deri në fund edhe në rastin e komisionit “Sollaku”, nuk do të kemi ndonjë deviacion nga precedenti. Dhe kujtesa na çon shpejt drejt rastit të Haxhisë e Rakipit. Duke qenë se rasti në fjalë nisi si politikë për t’u pasuar më pas në një debat maratonë po ashtu politikë, vështirë se komisioni do t’i shpëtojë kësaj skeme. Hetimi në vetvete duket se do të jetë jo vetëm i paragjykuar politikisht, por mbi të gjitha do të jetë antikushtetues në cenim dhe shkelje të hapur të Kushtetutës. Por çudia do të zgjasë dy muaj. Dhe më pas, do të kemi një raport i shoqëruar me një shkarkim të Sollakut. Loja nisi e tillë dhe si e tillë do të luhet deri në fund. Ajo që pritet të ndodhë më fundin e Sollakut të përforcon bindjen se për zotin Berisha, se vënia nën kontroll e të gjitha pushteteve është më me rëndësi se sa beteja e vërtetë kundër korrupsionit.
2. Cili do të jetë prokurori i post-Sollakut, nuk pritet të jetë dora e fortë e opozitës, por do të ketë fatin e paraardhësve të tij. Një marionetë e cila do të hyjë në fushë e frikësuar ndoshta pse jo edhe i tredhur. A nuk ishte rasti i Sollakut një shembull klasik. A nuk kanë qenë të tillë edhe drejtuesit e institucioneve të tjera të zgjedhura nga opozita, të cilët pak ose aspak lanë gjurmë në majat e atyre enteve kontrolluese. Kush do të na garantojë se edhe nën qeverisjen e djathtë, sistemit të drejtësisë dhe institucioneve kyç do t’i njihet roli që ato duhet të kenë një në demokraci bashkëkohore. Nuk përjashtoj konsensusin që mund të gjendet, pasi ai është gjendur sa herë kanë dashur të dy forcat e mëdha politike. Por ajo që më bën dyshues mbetet fakti, se sa ky prokuror i klonuar nga kjo marrëveshje do të jetë mbi palët dhe sa ai do të jetë të themi një Di Pietro në rrugën e tij të gjatë. Nëse ai nuk do të kapet nga krimi, mundet të kapet lehtësisht nga politika, pra nga autoritarizmi i majtë dhe i djathtë, i cili është dyfish më mbytës se sa një bandë apo një klan kriminal. Ja pse nuk ka rëndësi nëse gjendet konsensusi dhe se në krye të prokurorisë do të vëmë një njëri të mirë. Enigma mbetet pas. Edhe sa do të vazhdojë të jetë i tillë, pra i mirë sikundër ishte në fillimet e tij Sollaku.
3. Mister. Që do të thotë një nënshkrim nën presion apo kundrejt një lëshimi diku dhe dikur. Kjo e parë nga mënyra se si dekretet arritën të firmoseshin nga një president i cili deri pak kohë më parë kishte bërë dhe për të cilën u duartrokit, pra kishte bërë një rezistencë tipike të një ushtaraku në llogore. Por të kalosh fshehurazi, mistershëm e pa zhurmë, ndoshta edhe natën si në dramat shekspiriane, të paktën dekretin e legalizimeve me të cilin janë lidhur fatet e në pjese të Shqipërisë, kjo do të thotë se ke bërë një punë që diku do të bjerë erë. Gjithsesi pa dashur të bëj investigatorin si dhe pa u njohur me shpjegimet që kanë dalë nga ndërtesa presidenciale, personalisht mendoj se ndoshta do të duhej pak më transparencë nga Moisiu dhe të tijtë, për kalimin e dekreteve të tilla.

.........................

Plator NESTURI, analist

1. Të hetohet një funksionar i lartë shtetëror nuk ka asgjë të keqe, madje në një shtet me parime demokratike është normë të hetohet duke respektuar të gjitha procedurat ligjore ndaj cilitdo shtetari që abuzon apo shkel ligjin. Kjo është dhe rruga institucionale e modelit perëndimor, që individë të ndryshëm të mos shndërrohen në qenie të pakapshme dhe të gjithëpushtetshme. Në rastin e ngritjes së komisionit parlamentar për kryeprokurorin, duket se ka një deformim të së drejtës për hetim nga ana e Parlamentit, pasi ligji e ka të përcaktuar qartë se kur mund të fillojnë procedurat për shkarkimin e tij. Ky deformim që bëhet vetëm për arsye politike duke iu shmangur detyrimeve të zbatimit të ligjit, është shkelje dhe komisioni hetimor vetvetiu del antikushtetues. Mbi këtë bazë nuk vlejnë arsyetimet e mëtejshme, por është fakt që politika në këto 15 vjet përkundrejt respektimit të ligjit apo zgjidhjes politike, ka zgjedhur pikërisht të dytën. A do të bëjë përjashtim rasti Sollaku? Vështirë të parashikohet.
2. Nëse kryeministri Berisha do të arrijë të heqë nga froni i kryeprokurorit, z. Sollaku, ekziston mundësia që në vend të tij të rikthehet në detyrë z. Arben Rakipi. Realisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e cilësoi të padrejtë shkarkimin e Rakipit, është ende në fuqi. Me këtë vendim në dorë, z. Rakipi mund të paraqitet përpara Presidentit duke rivendikuar të drejtën e tij për t’u rikthyer në postin e mohuar. Ndërkohë, arsyeja që kryeministri Berisha heq dorë nga e drejta për të zgjedhur kryeprokurorin e ri, është më tepër politike sesa dëshirë për konsensus. Lufta e tij kundër Sollakut ka shkuar aq thellë dhe aq ashpër sa me synimin e vetëm të heqjes së kryeprokurorit, pranon të bëjë lëshimin e mospërzgjedhjes nga ana e tij të pasuesit. Kjo lëvizje më tepër sesa kërkesë konsensusi ndaj opozitës, i drejtohet Presidentit që të mos bëhet pengesë në shkarkimin e Sollakut. Kryeministri indirekt pranoi se ka folur për këtë çështje me Presidentin dhe fakti që e lejon opozitën të paraqesë kandidaturën e re, shërben për t’i garantuar atij se do të pranojë çdo zgjidhje politike me kushtin e vetëm të heqjes së Sollakut. Por deri në korrik kur do të përfundojë e gjithë kjo procedurë, (dy muaj për komisionin hetimor dhe një muaj për diskutimin në Kuvend, deri në dekretin e Presidentit), është herët të parashikohen zhvillimet politike.
3. Ndonëse i dekretoi tre ligjet e fundit të cilat patën një impakt shumë të debatueshëm në shtresa të ndryshme të shoqërisë, Presidenti Moisiu nuk u kritikua për vendimin e tij. Fakti që opozita ishte kundër zbatimit të këtyre ligjeve nuk e pengoi ta mirëkuptojë Presidentin. Në antagonizmin që ka përfshirë politikën shqiptare nuk është e lehtë për kreun e shtetit të gjejë ekuilibrin ideal. Për më tepër kur në sfond shfaqen përleshje dhe debate më të zymta si ai për prokurorin e Përgjithshëm. Presidenti padyshim ka dashur të lirohet nga barra e tepërt e këtyre tre ligjeve të debatueshme për t’u përqendruar dhe për t’u orientuar më drejt për çështjen “Sollaku”, aq më tepër që kryeprokurori varet drejtpërsëdrejti prej tij. Nga ana tjetër, përveç ligjit të legalizimeve që Presidenti e ktheu njëherë në Kuvend, dy ligjet e tjera, atë për skafet dhe për spiunët, askush nuk i ka marrë shumë seriozisht.

.........................

Edi LESI, drejtor i gazetes “Standard”

1. Për mendimin tim, nuk ka asgjë shqetësuese. Sepse nëse Sollaku, siç e quani ju, është babai i provave, përpara Parlamentit ai është një nga fëmijët që jep llogari para familjes. Është jo vetëm një parim fondamental i demokracisë, por edhe i rregulluar në Kushtetutën tonë, që Kuvendi ka plotësisht tagrin të verifikojë punën e shumë institucioneve dhe në këtë rast edhe të prokurorisë. Sigurisht, asnjë prokuror i Përgjithshëm, sado mirë të ketë punuar nuk do të donte të hetohej nga Parlamenti, duke qenë se me siguri do të dalë në pah ndonjë dobësi. Por këto janë kostot e të marrit përgjegjësi. Dhe një nga këto përgjegjësi është edhe të qenit i hapur para një hetimi demokratik.
2. Unë nuk mendoj se kryeministri e ka pasur shumë seriozisht. Ndoshta kjo është sa për t’u treguar luajale. Duke qenë se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është një nga sipërmarrjet më të forta të kësaj mazhorance, dhe kryeprioritet i saj, atëherë, nuk mund ta kuptoj se si kjo përgjegjësi mund të ndahet me opozitën. Gjithsesi, këto janë momente të arta për politikën. Dhe kam përshtypjen se PS nuk duhet të bëjë inatçoren, por ta shfrytëzojë maksimalisht. Për mendimin tim, PS nuk do të kishte bërë gabim nëse do të kishte paraqitur që të nesërmen një emër të sajin, dhe reagimin e mëtejshëm të mazhorancës ta ballafaqonte me deklarimin publik të kryeministrit.
3. Për mua është një nga detyrat kushtetuese që kryen Presidenti. Nuk mund ta quajmë sigurisht një punë rutinë, meqenëse kemi të bëjmë me ligje të debatueshme në publik. Por sigurisht, nuk jam dakord kur Presidenti bëhet me njollë nga opozita, pse zgjodhi të dekretojë ligjet, dhe vlerësohet kur bën të kundërtën. Në fund të fundit, për të tilla nisma, nëse janë të gabuara mban dhe do të mbajë përgjegjësi mazhoranca që ka pushtetin. Presidenti është patjetër një filtër i domosdoshëm, por ai nuk mund të kthejë mbrapsht pafundësisht, pasi është i dobët para rivotimit që bën shumica në Parlament.

.................................................................................
Krye  

Ruka: Nëse Partia Socialiste humbet zgjedhjet, Rama të japë dorëheqjen

PS, hapat për fitoren e lokaleve

Elona ZYLA

Synimi i socialistëve është fitorja e zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe parlamentare. Ky është dhe objektivi i Komisionit Organizativ, që dje ka zhvilluar mbledhjen e parë të tij. Komisioni i propozuar në KPD-ën e fundit nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka në përbërjen e tij 13 anëtarë, ku kryetar është Ethem Ruka dhe nënkryetar, Maqo Lakrori. Shumica e anëtarëve që bëjnë pjesë në këtë grup pune vijnë nga shoqëria civile. Një nga ndryshimet e propozuar në statutin e Partisë Socialiste, sipas Rukës, është se në rast humbjesh zgjedhjesh, kryetari i PS-së duhet të jap dorëheqjen. Pra, nëse kjo paketë do të miratohet nga kongresi, kreu i PS-se duhet të fitojë zgjedhjet parlamentare për të qëndruar sërish në krye të saj.
Përbërja e komisionit
Komisioni Organizativ, që është në kuadrin e organizimit të Partisë Socialistë, përbëhet nga 13 vetë. Nga këta, kryetar, Ethem Ruka nënkryetar, Maqo Lakrori, 4 anëtarë të tjerë si Petro Koçi, Bashkim Fino, Sherif Bundo dhe Besnik Bare janë emra të njohur brenda Partisë Socialiste. Ndërsa 7 anëtarët e tjerë, një nga të cilët është femër, vijnë nga shoqëria civile. Të gjithë anëtarët kanë të drejt të propozojnë idetë e tyre për ndryshimet e statutit të Partisë Socialiste. Propozimet e tyre, nëse do miratohen ose jo, i vendos Komiteti i Përgjithshëm Drejtues dhe Kryesia e PS-së dhe më pas kalojnë në kongres, që do mblidhet në 3 qershor. Në tavolinën e punës, që do mblidhet një herë në javë, do ketë debat dhe mendime të ndryshme të anëtarëve mbi bazën e të cilëve do bëhet gjithë programi dhe aktiviteti i Partisë Socialiste.
Deklarata
Kryetari i Komisionit të Organizmit, Ethem Ruka deklaroi dje se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama duhet të jap dorëheqjen, nëse nuk arrijnë të fitojë zgjedhjet e ardhshme lokale. Madje ai theksoi se në këtë pikë do ndryshojë dhe statuti i kësaj partie, i cili do miratohet në kongresin e 3 qershorit. “Nëse një kryetar partie ka një rezultat që është më i vogël se ai i zgjedhjeve paraardhëse, atëherë ai automatikisht duhet të japë dorëheqjen, për t’ia lënë vendin dikujt tjetër”, tha Ruka. Nëse ky propozim do miratohet nga kongresi i ardhshëm, Ramës i duhet të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare që të vazhdojë të qëndrojë në krye të kësaj partie. Gjithashtu Ruka ka bërë të ditur se në ndryshimet e tjera që do t’i bëhen statutit të partisë, është shtimi i postit të kryetarit, si dhe forcimi i disa kompetencave që ka Komiteti i Përgjithshëm Drejtues. Në këtë mënyrë, KPD-ja do të vendosë për emrat dhe numrat e anëtarëve të Kryesisë së PS-së, si dhe për emrin e kandidatit për kryetar të partisë, në rast se ky i fundit do të japë dorëheqjen.

Synimi dhe qellimi i komisionit

Dy janë objektivat kryesore të ngritjes së komisionit të organizimit. Ky komision, i cili përbëhet nga 13 veta, do merret me anën organizative të Partisë Socialiste. Objektivat e këtij grupi janë fitorja e sigurt e zgjedhjeve të ardhshme vendore dhe parlamentare. Ky është synimi kryesor jo vetëm i partisë më të madhe opozitare, por edhe i gjithë opozitës. Por nuk mund të mënjanosh dhe objektivin tjetër të këtij komisioni, që është po aq i rëndësishme sa dhe i pari. Objektivi i dytë që do fokusohet grupi i punës është dhe rritja e demokratizimit të strukturave të brendshme. Gjithashtu ata duhet të synojnë në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e dokumentacionit që garanton të drejtat dhe detyrat e çdo anëtari të partisë.
Idenë e ngritjes së një komisioni për organizimin e Partisë Socialiste e ka hedhur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Qëllimi i këtij komisioni do jetë studimi i gjithë jetës organizative. Të gjithë anëtarët kanë të drejt të propozojnë ide të ndryshme si nga ana e organizimit në parti ashtu dhe për rregullat. Pastaj të gjithë propozimet e tyre do kalojnë në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues apo në Kryesinë e Partisë Socialiste. Janë dy forumet e fundit drejtuese të PS-së që vendosin nëse do miratohen ose jo propozimet e tyre.

Anëtarët e Komisionit të organizimit

1-Ethem Ruka, kryetar
2-Maqo Lakrori, nënkryetar
3-Besnik Deda, sekretar
4-Petro Koçi, anëtar
5-Bashkim Fino, anëtar
6-Sherif Bundo, anëtar
7-Mynyr Koni, anëtar
8-Saimir Ivziku, anëtar
9-Albana Shtoi, anëtar
10-Arba Zaçe, anëtar
11-Artan Dersha, anëtar
12-Besnik Baraj, anëtar
13-Agim Shima, anëtar

.................................................................................
Krye  

Hetimi i kryeprokurorit, PS ankesë në Kushtetuese

Nishani: Sollaku po përdor klientët e PS

Partia Demokratike nuk do të bëjë hap mbrapa për ngritjen e komisionit hetimor të kryeprokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Zëdhënësi i Grupit Parlamentarë të PD-së, Bujar Nishani, konfirmoi dje edhe një herë nismën e mazhorancës, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të deputetëve socialistë për ta dërguar vendimin e Parlamentit në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë në konferencën për shtyp, Nishani ka lëshuar akuza dhe ndaj anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Femi Abdiu. “Sollaku pasi dështoi të rreshtonte prokurorët për të dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e PD-së për komisionin hetimor, urdhëroi klientët e tij në radhët e Grupit Parlamentar të PS-së, të cilëve u bën avokatinë e krimeve të familjarëve të tyre, të kërkojnë gjykimin e vendimit të Parlamentit nga famëkeqi Fehmi Abdiu”, tha Nishani. Sipas tij në kërkesën e deputetëve të PD-së nuk ka asnjë veprim antikushtetues. “Prokurori i Përgjithshëm po përpiqet të përdorë klientët e tij të Partisë Socialiste për të penguar hetimin, por askush nuk do të jetë në gjendje të pengojë një proces kushtetues”, tha Nishani. Ndërkohë deputeti i PS-së Kastriot Islami, u shpreh se do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Parlamentit për ngritjen e komisionit hetimor ndaj Sollakut. Në këtë mënyrë 84 akuzat e bëra nga deputetët e PD-së, do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese nëse kanë pasur bazë ligjore për të nisur verifikimi nga deputetët. Megjithëse socialistët kanë bërë gati ankesën dhe kërkojnë që puna e komisionit të pezullohet, kanë pranuar se do të marrin pjesë në komisionin hetimor, emrat e të cilit do të bëhen të ditura në seancën e sotme.

Islami: Komisioni në Gjykatë

“Meqë ky komision do të kryejë një veprimtari antikushtetuese, hapi i parë ndaj tij do të jetë dërgimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe pritja e vendimit, përmes pezullimit të aktiviteteve të këtij komisioni. Deputetët socialistë do të jenë prezent në komisionin për Sollakun për të evidentuar dhe monitoruar shkeljet që do t’i bëhen Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, si dhe për t’ia bërë ato transparente publikut shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë”.

.................................................................................
Krye  

“Lehtësira për emigrantët shqiptarë”

Greqia është pro ligjit për pensionet e emigrantëve shqiptarë.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, ka zhvilluar në Selanik të Greqisë një takim me homologun e tij grek, Kostas Karamanlis. Ky i fundit u tregua i gatshëm për ligjin, duke u shprehur i kënaqur për gjendjen e minoritetit grek në Shqipëri. Berisha ndodhet në shtetin grek për të marrë pjesë në takimin e radhës të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, SEECP. Të dy palët shprehën vlerësimet e tyre për marrëdhëniet dypalëshe, shqiptaro-greke. Karamanlis vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare, duke u shprehur se Shqipëria është afruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian. Berisha nga ana e tij, ka informuar kreun e qeverisë helene për arritjen në rivendosjen e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në fushën ekonomike, si dhe përpjekjet për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Ai ka kërkuar dhe mbështetjen e kryeministrit grek, për nxitjen e investimeve greke në vendin tonë, gjë e cila ka gjetur mirëkuptimin e Karamanlis. Çështja e Kosovës ka qenë një temë e prekur nga dy krerët e vendeve fqinje, e cila do t'i shërbejë stabilitetit në rajon. Kreu i qeverisë është shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Mustafaj është takuar me ministren e Jashtme greke, Doris Bakojanis. Ajo vlerësoi arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare, duke premtuar se Shqipëria do të nënshkruajë marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit brenda Presidencës së Austrisë, duke ofruar kështu dhe mbështetjen e shtetit fqinj. Gjatë takimit të SEECP-së, krerët e qeverive ranë dakord për emërimin e një koordinatori, për anëtarësimin në BE të vendeve kandidate. U diskutua gjithashtu dhe për financimet e akseve rrugore dhe hekurudhore, korridoreve 4, 6, 10. Ata i kërkuan kreut të qeverisë serbe të bashkëpunonte me Hagën, për dorëzimin e të shumëkërkuarve të luftës, pas pezullimit të vendimit të BE-së, për marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit.

Zguri: Partitë janë vonë për reformën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka kërkuar partive politike dhe Kuvendit të Shqipërisë që të marrin masat që të realizojnë sa më shpejt reformën zgjedhore në bazë të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare. Klement Zguri, kryetari i ri i KQZ deklaroi dje për mediat, se sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen gjatë periudhës kohore 20 dhjetor 2006 - 20 janar 2007. Më tej Zguri theksoi se KQZ është e gatshme që të japë ndihmën e saj në hartimin e reformës zgjedhore. Gjithashtu ai deklaroi se, KQZ do të angazhohet maksimalisht në përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore dhe kushtetuese, të garantojë zgjedhje të lira dhe të gjithëpranuara.

“Me kandidatë të përbashkët në lokale“

Koalicioni i djathtë do të dalë në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët. Në një prononcim për mediat, dje, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane, Arian Madhi deklaroi se “mazhoranca aktuale duhet të dalë në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët”. Ndërkohë Madhi shtoi se PR-ja do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike në përzgjedhjen e kandidaturave për kryetarët e bashkive dhe komunave që do të garojnë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në fillim të 2007-ës. Megjithëse Madhi ka konfirmuar bashkëpunimin me PD-në, ende nuk janë saktësuar qëndrimet nga partitë e tjera aleate për bashkëpunimin.

Rama nga SHBA, akuza për Berishën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dje gjatë takimit që pati me përfaqësues të departamentit të Shtetit në SHBA, ka kritikuar qeverisjen aktuale të PD-së në Shqipëri. Sipas tij, qeveria nuk ka bërë asnjë reformë që nga marrja e pushtetit në 3 korrik. Ndërkohë Rama i ka cilësuar shqetësues për demokracinë përpjekjet për të shkarkuar prokurorin e Përgjithshëm dhe e ka quajtur uzurpim të KQZ-së emërimin e një anëtari të propozuar nga ana e PD-së. Rama ndodhet në Amerikë për një vizitë disaditore ku është takuar me përfaqësues të lartë të departamentit të Shtetit.

 
.................................................................................
Krye  

 

 Politike
  3 pyetje 3 përgjigje
..
..........................................
  PS, hapat për fitoren e lokaleve
..
..........................................
  Nishani: Sollaku po përdor klientët e PS
..
..........................................
  “Lehtësira për emigrantët shqiptarë”
..
..........................................