Reportazh në zonën që e kapin dy projektet e rrugëve Tiranë-Elbasan dhe Unaza Periferike  
   
Vaqarri, atje ku banorët flenë me ëndrrën e autostradës  
     

Dorina TOPOLLAJ, Gerald BILBILI

Në Vaqarr të gjithë janë bërë pak ngjeqarë. Në komunën 6 kilometra larg Tiranës, vendalinjtë ndoshta nuk dinë të deshifrojnë harta si inxhinieri i njohur, por i njohin me "dhëmbë e dhëmballë" fundet e kodrave dhe meset e lëndinave ku do të kalojë autostrada Tiranë-Elbasan. "Këtë projekt kemi dy-tre vjet që e kemi dëgjuar me fjalë, por veprat, veprat ku janë?", thotë me skepticizëm Beni, një burrë rreth të 35-ave, që s'ka nevojë të tregojë se është kasap. Keci i varur kokëposhtë që është duke rrjepur e tregon më së miri këtë. Beni është banori i parë që takojmë në Damian, një fshat i komunës së Vaqarrit, i cili na del përpara pasi marrim kthesën tek Ura e Erzenit. "Pastaj, ajo do jetë me koncesion. Tregtarët tanë kanë pasion të ndërtojnë pallate e jo rrugë", thotë ai, duke e mbyllur këtë bisedë, që për të s'duhet besuar. Më shumë për të na "hequr qafe", por edhe për të na ndihmuar, na sugjeron të pyesim më tutje, tek Fabrika e Vajrave Lubrifikantë, pasi ai është edhe investimi më i madh në Damian. Fshati ka rreth 130 shtëpi. Në fusha vende-vende bujqit janë duke kositur barin. Të tjerë e kanë mbaruar këtë proces dhe po e kthejnë nga ana tjetër barin që dergjet prej disa ditësh në lëndinë. Në fabrikën e vajit, njerëzit flasin me optimizëm kur i pyesim për projektin e autostradës. "Me sa di unë, thotë Taulanti, i cili punon roje në këtë objekt, autostrada do të vijë nga fundi i kodrave dhe do të kalojë fill pas murit të fabrikës. Më pas do të vazhdojë mes fushave, tutje...", tregon ai me gisht në horizontin e gjerë. Përpara shtrihen vetëm fusha me bar. Gjatë "autostradës" që bën ai me gisht, nuk ka asnjë shtëpi apo godinë tjetër. "Nuk kalon nëpër shtëpi, por vetëm në toka bujqësore", shton ai, sikur të na kishte lexuar mendimet. Edhe ai, si të tjerë, e ka dëgjuar këtë projekt me kohë e me vakt, por duke iu përmbajtur thënies "se ku ka zë, nuk është pa gjë", mendon se projekti do të realizohet vërtet. Por shumë pak janë "besimtarët" në këtë vend. Pikërisht se është përfolur shumë dhe s'është bërë asgjë, banorët thonë se edhe kjo është një flluskë sapuni si gjithë projektet e tjera që kanë dëgjuar jo vetëm për fshatin e tyre, por edhe për të tjerë. Kanë dëgjuar në televizion se autostrada do të hyjë në Vaqarr në kuotën 85, do të kalojë në Arbanë e në Baldushk deri në zonën e Papërsollakut, por as këto detaje të thëna nga inxhinierë 24-karatësh nuk i kanë bindur se vërtet segmenti 36 kilometrash do të ndërtohet, e një pjesë e tij do kalojë bash mbi shtëpitë e tokat e tyre. Madje një pjesë e kësaj autostrade do të jetë paralel me Unazën Periferike, projekt tjetër ky po aq i rëndësishëm që pret të marrë aprovimin nga qeveria.
Skeptikët
"Është Vefë", thotë duke ia plasur gazit kur na sheh të habitur, Lina 39-vjeçare, ndërsa e pyesim për autostradën. I qëndrojmë pak larg, por ajo duke e kuptuar sikletin tonë, i largon katër qentë që po ngrohen në diell aty afër këmbëve të saj. Edhe ajo ka dëgjuar për projektin shumë kohë më parë, por i duket një piramidë tjetër, por që kësaj radhe nuk bën dëm. Por prapë, edhe pse mosbesuese, ka pyetur gjerë e gjatë se ku do të kalojë projekti dhe e ka fjetur mendjen se nuk prek në asnjë tokë të familjes së saj. Por për të do të ishte më mirë që projekti të vinte në jetë, sepse do të bënte më shumë xhiro në dyqanin e saj ku shet miell e ushqime. Po aq skeptik është edhe Pëllumb Aga, i cili para këtij projekti ka dëgjuar se pikërisht në fushën ku po kosit barin, do të bëhet një pistë helikopterësh. "Madje në ato kodrat atje, tregon me gisht ai, do të bëhej alpinizëm". Por për të, sigurisht që do të ishte shumë mirë, nëse projekti do të bëhej realitet. Fillon e na tregon për fshatin që është i ndarë më dysh. "Këndej është Damiani, ndërsa këtej është Fortuzi", thotë ai, duke shtrirë dorën e djathtë për të na treguar të parin e të majtën për të dytin. "Këtu njerëzit merren vetëm me blegtori, tokat janë të kategorisë së parë, siç i thoshin në kohën e kooperativave", tregon xha Pëllumbi. Na përshëndet me përzemërsi e vazhdon prapë punën. Pas 10 minutash me makinë, ndodhemi në një tjetër fshat ku do të kalojë autostrada. Emrin e ka Bulticë dhe pas tij është fshati Arbanë, i cili është shënuar edhe në hartën që tregon autostradën në hartë. "Shpeshherë dëgjojmë Ngjeqarin kur del tek emisioni i Çanit. Por s'e dimë mirë se ku do kalojë autostrada", thotë Nevruz Lamja, që po ecën përgjatë rrugës së bashku me Qemal Nurjen. Që të dy i shqetëson një çështje. A do të shpronësohen nga shteti, nëse autostrada do të kalojë në rrugën e tyre?
Shpronësimet
Sipas projektit, segmenti që do të ndërtohet parashikohet të shtrihet plotësisht në fushat që lidhin Tiranën e Elbasanin. Ndërkohë shpronësimet do të jenë rreth 40 për qind private dhe 60 për qind publike. Por dy bujqit, pak besim kanë se do të kompensohen me të drejtë. "Shteti mund të vendosë një çmim si të dojë, dhe ne s'kemi ç'i bëjmë", thotë Qemali. Ai tregon se një metër tokë në fshatin ku jeton kushton rreth 2 mijë lekë të reja. I tregojmë se për projektin do të investohen 40 milionë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Transporteve, dhe ai kërkon të dijë më shumë. "Sa më thellë të futesh, aq më të varfër janë njerëzit", tregon ai, duke e justifikuar kuriozitetin që shpreh. Nevruzi tregon se nga Kombinati e deri në Bulticë bën nja gjysmë ore, që në lekë është 1 qind lekë për të shkuar, e 1 qind lekë për t'u kthyer. Ndërkohë sipas projektit, autostrada që do ndërtohet do të përshkohet brenda 30 minutave, duke kursyer rreth 1 orë kohë mjeteve për çdo kalim. Ndahemi me dy bujqit, duke lënë pas Vaqarrin që e ka ndërtuar tashmë prej kohësh një "autostradë" me fjalë që presin të bëhet vepër e vërtetë.

"Unaza Periferike"

Zonat
1. Kthesa e Kamzës
2. Autostrada Tiranë-Durrës
3. Kryqëzimi i Vaqarrit
4. Rruga e Ndroqit
5. Ura e Farkës
6. Rruga e Krrabës
Të dhëna
1. Gjatësia është 6-6,5 kilometra
2. Vështirësi ndërtimore nuk ka
3. Probleme mjedisi, klimaterike, zhurma,ndotje, nuk ka
4. Vepra arti të veçanta nuk ka
5. Shpronësimet aktualisht janë në kufijtë minimale
Qëllimi
1. Të realizojë lidhjen periferike të kthesës së Kamzës (mjeteve që vijnë nga veriu), autostradës së Durrësit, me kryqëzimin në Vaqarr (me fillimin e rrugës së re Vaqarr-Paper), me rrugën e Ndroqit, me urën e Farkës dhe rrugën e Krrabës.
2. Unaza perëndimore në gjatësi në 6-6,5 km kryqëzohet më kthesën e Kamzës, me rrugën e Mezesit, Qafën e Mezesit, me rrugën e Kombinatit Ushqimor, me rrugët fundore të Yzberishit, me rrugën e Prushit, me rrugën e Lamit me të Ndroqit. Kryqëzimet e shumë zonave urbane realizojnë jo vetëm takimin e korridorit verior me korridorin qendror jugor, por krijojnë njëkohësisht një unazë me funksion të brendshëm duke lehtësuar qarkullimin e mjeteve të metropolit shqiptar në zonën jug-perëndimore.

Tirane-Elbasan

Përmasat
1. Gjatësia e rrugës Vaqarr-Paper: 35,2-35,8 kilometra
2. Gjatësia e degëzimeve: 5 kilometra
3. Gjatësia e kuptimit ekonomik: 36-41 kilometra
4. Gjatësia e rrugës: 20 metra (katër korsi)
5. Pjerrësia maksimale e trasesë: 34 km 02-2-4 %
6. Pjerrësia maksimale e trasesë: 7 km 4-4,8%
7. Rrezja e kthesave minimale: mbi 160 metër
8. Shpejtësia e lëvizjes: 120 kilometër në orë
9. Aftësia e qarkullimit minimal: 385 mjete në orë
10. Aftësia e qarkullimit normal: 11280 mjete në ditë
Kategoria ndërtimore
1. Vlera e ndërtimit: 40 milionë euro
2. Vlera e ndërtimit për një kilometër: rreth 1 milion dollar për kilometër
3. Vepra arti të veçanta e tunele nuk ka
4. Koha e ndërtimit: 18 muaj
5. Ndërtohet një urë mbi lumin Erzen
6. Vepra arti tombino në hapësirë 6 metër
7. Probleme gjeologjike nuk ka
8. Shpronësimet janë minimale
9. Segmenti është PJESË E KORRIDORIT TETË
10. Zëvendëson rrugën e vështirë të Qafës së Krrabës. Kukës 1 orë rrugë për çdo kalim mjeti
11. Shkurton 60 kilometër rrugë për automjetet mbi 5 ton
12. Trasja kalon në një zonë rurale të zhvilluar. Është rrugë panoramike

Opinione

Merita Aga
"Kemi dëgjuar këtu e 2 vjet më parë për këtë projekt, por a do bëhet apo jo, s'di ç'të them. Mua do më vinte mirë nëse bëhej, se të paktën në këtë rrugën para shtëpisë sime s'do kalonin shumë makina. Do kishim qetësi dhe fëmijët më të sigurt. Pastaj rruga më shumë zhvillim do të sjellë".

Lina 39 vjeç
"Projekti? Më duket piramidë si "Vefa". Kemi shumë që dëgjojmë dhe s'besoj se do bëhet vërtetë. Po të bëhej më mirë do të ishte, por varet se ku do të bjerë. Më kanë thënë se nuk do kalojë nëpër shtëpi, por vetëm në toka bujqësore, por thashetheme rrugësh janë".

Pellumb Aga
"Unë nuk e di se ç'do të bëhet. Më kanë thënë se kanë pasur ndër mend që shteti ta bëjë pistë helikopterësh dhe kodrën atje lart, ta bënin për alpinizëm. Tani po dëgjojmë që do të ndërtohet një autostradë. Kënaqësia më e madhe për ne, është që kjo të bëhet realitet".

Fiqirete Tresa
"Unë kam dëgjuar gjatë bisedave në familje, por ka një vit apo dy vjet që e kemi diskutuar këtë projekt. Se çfarë bëhet, se çfarë s'bëhet, s'di të them gjë. Rruga është e ardhme, po të ndërtohej do të ishte shumë mirë për ne, por pak shpresa kemi se fjalët janë të vërteta".

Rruzhdi Aga
"Autostrada ka ardhur këtu vetëm me llafe njerëzish, se asnjë njeri i shtetit s'na ka thënë se çfarë do ndodhë vërtet. Por nëse është mirë apo keq për ne, kjo varet vetëm nga shpronësimi që do të na bëhet. Nëse do paguajnë mirë, do jetë mirë, nëse do i përcaktojnë çmimet keq, keq do jetë për ne".

Myzejeni
"Presim që kjo rrugë të na sjellë të mira, jo të këqija. Na kanë thënë se do të kalojë përtej urës kur hyn për në Damion dhe kështu ura që është do të spostohet. Por shtëpitë nuk do të shemben pasi rruga do të kalojë në livadhet e tokat e lira që ka këtu në fshat".

Ben Damiani
"E kemi dëgjuar nga llafet. Por fjalët s'janë asnjë gjë. Veprat ku janë? Pastaj ajo do të jetë rrugë me koncesion. Kush e merr përsipër? Tregtarët tanë i hedhin paratë për të bërë pallate dhe jo për të bërë rrugë. S'besoj se do të bëhet ndonjë gjë për këtë, do të mbesë vetëm me llafe".

Nevruz Lamja
"Nuk po e dëgjojmë për herë të parë. Shpeshherë dëgjojmë atë Ngjeqarin kur del tek emisioni i Çanit. Por s'e dimë mirë ku do kalojë. Për ne do të ishte mirë nëse shpronësimet do të bëheshin mirë. Nuk e dimë në do të ketë mbikalime, nënkalime. Me aq sa dëgjojmë, s'mund të themi do të jetë e mirë për ne apo jo".

Qemal Nurja
"Shteti çdo gjë e ka me ligj. Ai e di do bëhet s'do bëhet, si do bëhet. Këtu 1 metër tokë kushton 2 mijë lekë të reja, varet si do e vlerësojë shteti. Pra varet si do bëhen shpronësimet, do të kemi ne leverdi apo jo, se shteti po e deshi do e marrë, s'kemi ç't'i bëjmë".

Taulanti 30 vjeç
"Për ne do të jetë shumë mirë. Mesa kemi marrë vesh, rruga do të kalojë rrëzë kodrave. Ajo do të vazhdojë përgjatë rrugës aktuale që ka vetë fshati. Unë punoj tek fabrika e vajrave lubrifikantë këtu në Vaqarr dhe vetë pronari na ka thënë se rruga do të kalojë pas fabrikës".

 
...................................................................................
Krye  

 

 Reportazh
   
..
..........................................