DIVJAKE/ Policia merr në pyetje pesë të ndaluarit
 
   
Dyshimi, të rinjtë e dehur i vënë flakën pyllit
 
     

Aurora DAMINI

DIVJAKE – Pesë të rinj të dehur i vënë zjarrin pyllit të Divjakës. Policia identifikon dhe ndalon pesë autorët. Burime pranë Komisariatit të Lushnjës bëjnë të ditur se zjarri ka rënë në orën 15:00 të ditës së djeshme. Të njëjtat burime pohojnë se janë djegur katër hektarë pyll, ndërsa ka qenë në rrezik dhe Parku Kombëtar i Divjakës. Mësohet se kanë ardhur në ndihmë pesë zjarrfikëse për të lokalizuar zjarrin. Për tri orë, 25 zjarrfikës kanë mundur që të shuajnë zjarrin, duke shmangur kështu edhe mundësinë e përhapjes së tij.
Ngjarja
Një zjarr i fuqishëm ka rënë rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, në afërsi të plazhit të Divjakës. Zjarri ka rrezikuar seriozisht pasurinë kombëtare të Parkut të Divjakës. Burime nga policia pohojnë se zjarri është vënë nga 5 persona, në gjendje të dehur, pasi kanë drekuar në një nga lokalet e Divjakës në rrethin e Lushnjës. Në vendngjarje pas alarmit të pronarëve të lokaleve përreth, të cilët kanë parë flakën e zjarrit, kanë ardhur 5 mjete zjarrfikëse, të cilët kryen lokalizimin dhe shuarjen e tij. Janë dashur më shumë se 3 orë që rreth 25 punonjës zjarrfikës, kanë luftuar me flakët e zjarrit të cilat kanë përpirë rreth 4 ha me shkurre dhe fatmirësisht nuk ka mbërritur në masivin pyjor të Parkut Kombëtar. Zjarri ka rënë pranë brigjeve të plazhit dhe
shumë më afër bregut të detit, por gjithsesi ekzistoi rreziku që flakët e zjarrit të mbërrinin edhe në masivin pyjor të parkut. Në vendngjarje veç mjeteve zjarrfikëse kanë mbërritur edhe forcat e Komisariatit të Policisë së Lushnjës, të cilët identifikuan personat që kryen këtë vepër.
Ndalimi
Sipas shefit të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, Bujar Hoxha, kanë qenë 5 të rinj nga Lushnja dhe Divjaka, të cilët në gjendje të dehur pasi kanë drekuar, kanë hedhur pa kujdes cigaret e tyre pranë shkurreve dhe janë larguar pa qenë të vetëdijshëm për dëmin e shkaktuar. Mësohet se ata janë ndaluar dhe pritet masa ndëshkimore ndaj tyre.

Zjarri
SARANDE - Rreth 1 milion lekë ka qenë dëmi që ka shkaktuar zjarri në supermaketin “Vëllezërit Myrtaj” në qendër të qytetit të Sarandës. Burime nga Komisariati i Policisë në Sarandë bëjnë të ditur se në mesnatën e së enjtes ka marrë flakë supermarketi në qendër të qytetit. Pas hetimeve të kryera në vendngjarje është konstatuar se shkaktar i rënies së zjarrit në supermarketin “Vëllezërit Myrtaj” ka qenë stabilizatori. Luhatjet e energjisë elektrike, bëjnë të ditur burimet policore, kanë dhënë masë dhe shkaktuan flakë të mëdha në supermarket.

..................................................................................
Krye  

DURRES/ Kryetari i PS-së denoncon shkeljet për ndërtimet pa leje në Golem

“Nuk është prishur asnjë objekt në plazh”

Enkeleda ARAPI

DURRES – Masakër urbanistike, i ka cilësuar kryetari i selisë rozë, Gazmir Bizhga, ndërtimet në zonën e plazhit. Dje, Bizhga ka denoncuar me fakte, masakrën urbanistike të bërë pas 3 korrikut përgjatë kurorës së plazhit. Denoncimet e tij nisen nga raporti i KLSH-së, të kryer në dokumentacionet e komunës së Golemit, për lejet e ndërtimit. “Në zonën e plazhit nuk është pezulluar asnjë ndërtim pa leje”, shprehet për gazetën Bizhga. Sipas këtij të fundit, ka qenë një kontroll i bërë nga KLSH-ja që zbuloi 113 dosje për ndërtimet pa leje, me shkelje nga më të ndryshmet, që nga falsifikimi e deri te mungesa e dokumentacionit. Por Bizhga nuk lë pa përmendur edhe personat që kanë ndihmuar për këto objekte të paligjshme, si kryetari i komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, që ka dhënë leje për këto ndërtime.
Deklarimet
“Ndërtimet në proces e sipër nga të dy krahët e rrugës së zonës së plazhit, vërteton se nuk është pezulluar asnjë leje ndërtimi tek shkëmbi i Kavajës. Kjo zonë përfshin zonën nga Ura e Plepave deri tek Përroi i Agait, ose siç njihet zona e Shkëmbit të Kavajës” deklaroi Bizhga.Sipas tij, kryeministri Berisha deklaroi se do të bllokonte të gjitha ndërtimet në proces dhe lejet e ndërtimit në këtë zonë. “Madje, për ta bërë më të besueshme, ngriti komisionin shtetëror për verifikimin e lejeve të ndërtimit të dhëna nga KRRTRSH-ja”, u shpreh Bizhga. Sipas tij, ky komision, i ngritur me iniciativën e kryeministrit, pezulloi mjaft leje ndërtimi tek Shkëmbi i Kavajës në ditët e para të punës së tij. Sipas Bizhgës, “kjo lëvizje ishte një gënjeshtër për t’i larë duart përpara opinionit publik, pasi kryeministri Berisha, që është njëherësh edhe kryetari i KRRTRSH-së nuk bëri asnjë përçapje që premtimet e bujshme t’i realizonte”.
Abuzimet
Të gjitha ndërtimet janë të paligjshme. Kjo e rëndon edhe më shumë situatën. Në këtë pikë, Bizhga ia hedh fajin edhe prefekturës së Durrësit, pasi, ky institucion ka preferuar të heshtë dhe inspektorët e saj nuk e dinë se ç’bëhet në zonën e plazhit. Kreu rozë ka akuzuar drejtpërsëdrejti kreun e komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi. “Gashi ka riaktivizuar të gjitha lejet e pezulluara në kohën e qeverisë socialiste për shkak të parregullsive, por edhe ato të pezulluara për efekt reklame nga KRRTRSH-ja e kryeministrit Berisha”, shprehet Bizhga. “Nga një zonë më pyll pishe, tani është kthyer në një zonë me pyll betoni, duke ulur totalisht vlerat e saj turistike”, ka përfunduar fjalën e tij Bizhga.

Raporti i KLSH-së për zonën e Golemit

Janë 113 dosje për leje ndërtimi që kanë mungesë në dokumentacion apo janë edhe të falsifikuara. Ky është raporti i dalë nga KLSH-ja, pas një kontrolli të bërë në dokumentacionet e lejeve të ndërtimit të dhëna nga komuna e Golemit. Burime pranë këtij institucioni pohojnë se vetëm për komunën e Rrashbullit për vitin 2005 janë kontrolluar 311 dosje për leje ndërtimi në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Nga këto dosje 311 rezultojnë me shkelje, 113 dosje pa studimin përkatës urbanistik, 13 dosje pa dokument pronësie, 6 dosje me dokumentacion tërësisht të falsifikuara, duke filluar që nga certifikatat e deri tek aktet e pronësisë, në 37 dosje mungon kategoria e tokës bujqësore, po dhe 37 dosje janë pa kontratë ndërtues-pronar i tokës, 17 dosje ku mungojnë licencat e drejtuesit, 62 dosje kanë mungesë formularësh, si dhe 47 doje kanë mangësi urbanistike. Por me gjithë këto shkelje, KLSH-ja nuk çoi asnjë dosje në prokurori për kryetarin e komunës, Hysen Gashi dhe për bashkëpunëtorët e tij.

Abuzuesi, kryetari i komunës së Rrashbullit

Ishte KLSH-ja që vuri në dukje shkeljet flagrante të ligjit për urbanistikën të kryera nga kryetari i komunës Hysen Gashi. Por shkelje janë bërë edhe nga ish juristi i komunës, Flori Bajramaj, sot deputeti i PD-së. Ndërsa mësohet se edhe punonjësi në sektorin e infrastrukturës së komunës, Pasho Beqiri dhe punonjësi në zyrën urbanistike dhe shërbimeve të komunës, Shaban Bleta kanë marrë pjesë në këto shkelje. Por me gjithë këto shkelje, KLSH-ja nuk çoi asnjë dosje në prokurori për kryetarin e komunës, Hysen Gashi dhe për bashkëpunëtorët e tij.

Shkeljet

¨ Janë 311 dosje për leje ndërtimi në zonën e Shkëmbit të Kavajës 113 dosje të kontrolluara për leje ndërtimi, rezultojnë pa studimin përkatës urbanistik
¨ 13 dosje rezultojnë pa dokument pronësie
¨ 6 dosje me dokumentacion tërësisht të falsifikuara, duke filluar që nga certifikatat e deri tek aktet e pronësisë
¨ 37 dosje mungon kategoria e tokës bujqësore
¨ 37 dosje janë pa kontratë ndërtues-pronar i tokës
¨ 17 dosje ku mungojnë licencat e drejtuesit
¨ 30 dosje kanë mungesë formularësh
¨ 47 dosje kanë mangësi urbanistike

..................................................................................
Krye  

MIRDITE/ Murgeshat kërkojnë faljen e grabitësve të tyre

36 vite burg dhunuesve të misionareve italiane

Aleksandër NDOJA

MIRDITE – Gjykata e Mirditëd dënoi me 36 vite burg dy autorët e plagosjes së murgeshave në fshatin Klos të komunës Fan, të rrethit Mirditë. Dje, trupi gjykues i Shkallës së Parë Mirditë, dha vendimin për Aleksandër Gjonin dhe Alfred Dodën. Akuza ka kërkuar që të dy të pandehurit të dënohen me nga 18 vite burg, secili. Burime pranë gjykatës pohojnë se tri murgeshat, të cilat kanë përjetuar edhe natën e tmerrshme në dhjetor 2005, kanë kërkuar që grabitësit të falen, nisur kjo edhe nga gjendja shoqërore e tyre, niveli arsimor dhe kushtet ekonomike të cilat ndodheshin. Ndërkohë që në gjykim nuk ka marrë pjesë e dashura e njërit prej të arrestuarve, e cila ka dhënë informacionin e plotë të sasisë së lekëve që murgeshat posedonin ato ditë, pasi ajo ishte një nga kursantet e rrobaqepësisë në kishën e Fanit. Dy të pandehurit janë dënuar për dy vepra penale, grabitja me armë me paramendim në bashkëpunim dhe plagosjes së rëndë, si dhe të armëmbajtjes pa leje.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, më 2 dhjetor të vitit të kaluar, rreth orës 22:30 minuta. Dy personat e mësipërm të armatosur kanë hyrë në banesën e misionareve, kanë marrë paratë dhe më pas kanë hapur zjarr, duke lënë të plagosura murgeshat italiane Xhenarina Neri dhe Marilis Berna. Në momentin që dy murgeshat po kryenin lutjet në kapelën e vogël të misionit, dy persona të armatosur kanë shfrytëzuar edhe mungesën e energjisë për të bërë grabitjen në shtëpinë që mban emrin e misionit kishtar “Shën Xhovana Antida”. Sipas dëshmive grabitësit kanë thyer xhamin kristal të derës, kanë futur dorën në të çarën e krijuar dhe kanë mundur ta hapin atë me çelës. Në momentin kur ata po kryenin këto veprime, dy motrat Xhenarina Neri dhe Marilys Berna kanë qenë duke kryer ritualin e përnatshëm të lutjes. Të ndodhura nën kërcënimin e armëve nga Aleksandër Gjoni dhe Alfred Dodës, dy murgeshat u kanë dhënë të gjitha paratë. Por autorët e kësaj grabitjeje kanë filluar të qëllojnë me automatikë në ajër, brenda në dhomë, plumba kanë bërë rikoshet nëpër mure dhe kanë plagosur dy murgeshat që ndodheshin në dhomë. Më pas, murgeshat janë dërguar me një autoambulancë të spitalit të Rrëshenit. Pas marrjes së mjekimeve në spitalin e Rrëshenit misionaret janë dërguar në spitalin e Tiranës dhe pas mjekimeve intensive kanë mundur t’i shpëtojnë vdekjes.

DENIMI
SARANDE – Dënohet me 10 vjet burg, bashkëshorti vrasës, Misha Miho. Dje, gjykata e rrethit gjyqësor të Sarandës ka dhënë vendimin përfundimtar për 54-vjeçarin Miho, i akuzuar për veprën penale të vrasjes së gruas së tij Lefteri, shtatë muaj më parë. Burime pranë këtij institucioni bëjnë të ditur se i pandehuri Misha Miho u dënua për dy vepra penale, atë të vrasjes me paramendim dhe mbajtjes së armëve të ftohta.

..................................................................................
Krye  

80 forca policie, në kërkim të arratisurve

FIER - Arratisja e 3 të paraburgosurve nga dhomat e paraburgimit në Komisariatin e policisë Fier, vë në lëvizje 80 forca policie. Dy të paraburgosurit, Elton Hazizi dhe Armand Jaupaj mbeten ende në gjendje të lirë. Megjithëse mbi 80 uniforma blu, forca të FNSH dhe RENEA-s janë në patrullim nëpër postblloqet e ngritura në akset kyçe që lidh qytetin e Fierit me rrethet fqinj, si në Vlorë, Berat, Lushnjë etj., nuk është bërë e mundur ende kapja e tyre. Prokuroria e Fierit në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm pas hetimeve të kryera ka vendosur masën e arrestit për 6 uniformat blu, të cilët kanë qenë me shërbim natën që ka ndodhur arratisja. Këta të fundit kanë qenë roje të dhomave të brendshme, roja të jashtme si dhe shefi i dhomave të paraburgimit. Agim Driza, Aleksandër Hoxha, Bujar Plaka, Flamur Zaimi, Gjovalin Prenga dhe Agron Pipa janë arrestuar, ndërkohë që vazhdon aksioni për kapjen edhe të dy të arratisurve që tashmë janë shpallur në kërkim. Mbi policët e arrestuar rëndon akuza e shkeljes së rregullave gjatë shërbimit të rojës, shoqëruar me masën e përjashtimit nga radhët e policisë.

Vidhnin dyqane, përfundojnë në qeli

shkoder-Vidhnin dyqane përfundojnë në qeli. A. Keti dhe R. Pulaj u arrestuan dje nga punonjësit e policisë së Shkodrës. Sipas burimeve nga policia, dy të arrestuarit dyshohen si autorë të vjedhjes së disa dyqaneve në zonën e Shllakut. Burime nga policia bëjnë të ditur se dy të arrestuarit dyshohen për një sërë vjedhjesh të ndodhura kohët e fundit në këtë fshat. 50-vjeçari dhe një 34-vjeçari, lindur dhe banues në Dukagjin, kanë rënë nën prangat e bluve të Shkodrës në ekzekutim të një urdhri të prokurorisë të këtij rrethi për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim të pasurisë të tjetrit. A. Keti dhe R. Pulaj një javë më parë kishin vjedhur një nga dyqanet e Shllakut.

Drejtoria e Burgjeve negocion me të dënuarit grevistë

elbasan-Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka negociuar për të plotësuar kërkesat e të dënuarve grevistë në burgun e Elbasanit. Sipas të dhënave nga ky institucion, dje kanë arritur në Elbasan specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët kanë biseduar me të burgosurit grevistë. Të njëjtat burime theksuan se specialistët e burgjeve kanë dëgjuar kërkesat e të dënuarve dhe kanë premtuar për zgjidhjen sa më shpejt të këtyre kërkesave. Për këtë arsye në Elbasan erdhën specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilët morën kontakte direkte me të burgosurit. Të dënuarit e burgut të Elbasanit kanë kërkuar përmirësim të kushteve në burg, përmirësim të kushteve të higjienës, zbrazje të burgut nga mbipopullimi.

Gjendet kufomë me një këmbë në lumin Shkumbin

Elbasan - Gjendet kufoma me një këmbë në lumin Shkumbin. Dje në orën 20.20 në breg të lumit Shkumbin, në afërsi të fshatit Trash të komunës Shezë, në Peqin, është gjendur një kufomë e dekompozuar e seksit mashkull. Burime nga policia bënë të ditur se banorët e fshatit e kanë identifikuar kufomën, kur ajo ka dalë në breg të lumit. Ata kanë njoftuar policinë e Peqinit, e cila pas pak ka arritur në vendngjarje. Më pas është njoftuar një grup hetimor, i cili ka kryer veprimet përkatëse. Sipas të dhënave të marra nga grupi hetimor, rezulton se kufoma është e dekompozuar pjesërisht dhe i takon një mashkulli me moshë rreth 25-30 vjeç. Për këtë rast është interesuar familja Kuminja nga Bradasheshi djali i së cilës, Andi Kuminja është zhdukur nga shtëpia që në fund të muajit mars.

I mituri përdhunon komshiun

BERAT - Një 15-vjeçar ka përdhunuar një të mitur 6 vjeç në banesën e tij në fshatin Fush-Peshtan, komuna Vërtop. Burime të policisë bëjnë të ditur së është bërë ndalimi i Armand Cekës, 15 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Fush-Peshtan, komuna Vërtop, vetëm 10 kilometër larg qytetit të Beratit. Ndalimi i tij është bërë se 15- vjeçari kish kryer marrëdhënie me dhunë me një të mitur me iniciale E.T., banore në këtë fshat. Ka qenë ora 16.00 të pasdites së mërkurë, kur 15-vjeçari ka shkuar tek shtëpia e të miturit dhe ka shfrytëzuar mungesën e familjarëve duke ushtruar dhunë mbi fëmijën. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se ai ka kryer marrëdhënie me të miturin dhe është larguar menjëherë. Kanë qenë familjarët e 6-vjeçarit, të cilët kanë bërë denoncimin, pas një kontrolli të bërë fëmijës në spitalin e Beratit. Me një herë familjarët kanë njoftuar policinë. Në vendngjarje kanë shkuar grupi i gatshëm dhe grupi hetimor. Nga hetimet paraprake të kryera nga grupi hetimor dhe mjeku ligjor është konstatuar se fëmija është përdhunuar. Pas identifikimit të autorit të ngjarjes, policia ka bërë të mundur kapjen e autorit, Armand Ceka, 15 vjeç, i cili është shoqëruar për në komisariatin e policisë, ku është marrë në pyetje nga oficerët gjyqësorë.

Kap hajdutin në flagrancë ja dorëzon policisë

Kap hajdutin duke vjedhur në lokalin e tij dhe ja dorëzon policisë. Burime pranë policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se dje në orën 02.30 të mëngjesit Luan Bora, me banim në Gostimë ka kapur duke vjedhur në bar kafenë e tij Lulzim Hoxha 30 vjec. Ky I fundit ishte me banim në Kodër Bujars të komunës Gjergjan. I zoti i lokalit nuk ka ushtruar aspak dhunë ndaj hajdutit ordiner, por ka preferuar t’ja dorëzjë atë policisë. Të njëjtat burime pohojnë se mbi Hoxhën rëndon vepra penale e vjedhjes.

Emigranti i mbytur zbulohet shkaku i vdekjes

Emigranti ka vdekur nga mbyllja a alveolave të mushkërisë me ujë. Kjo është përgjigja e analizave 0nga Instituti i Ekspertimit Mjeko-Ligjor në Tiranë, për shkakun e vdekjes së Durim Dervishit me banim në Qafshkallë të Belshit. Sipas mjekut ligjor të Elbasanit Altin Kënuti “në përfundim të analizave rezultoi se Durim Dervishi 26 vjec ka vdekur si pasojë e asfiksisë mekanike të shkaktuar nga mbyllja a alveolave të mushkërisë me ujë”. Kufoma e Durim Dervishit u gjet nga një peshkatar më 19 mars në liqenin e Belshit.

Pranga, të shpallurit në kërkim për vrasje

Bie në pranga i shpalluri në kërkim për vrasje. Burime pranë komisariatit të policisë së Korçës bëjnë të ditur se është arrestuar Hekuran Ajazi, 28 vjeç lindur dhe banues në rrethin e Dibrës. Ajazi ishte shpallur në kërkim për veprën penale të “vrasjes”, të kryer më 12 korrik të vitit 2001. Të njëjtat burime pohojnë se arrestimi është bërë në vijën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ky person u kthye si deportiv, pasi ka qenë i shpallur në kërkim, pasi gjykata e shkallës së parë Dibër e ka dënuar për veprën penal etë vrasjes.

Protestuesit kërcënojnë personelin turk

ELBASAN – Metalurgët bllokojnë firmën “Kurum” dhe kërcënojnë se do largojnë personelin turk. Dje, në ditën e tretë të protestës, mbi 200 metalurgë, bllokuan hyrjen e automjeteve për në uzinën e prodhimit të çeliqeve duke ngritur barrikada të cilat i mbrojnë ditën dhe natën. Në hyrje të “Petëzimit” është vendosur një masë gjigante metalike, e cila pasohet nga një tra të përforcuar me mjete rrethanore pas të cilit bëjnë roje mbi 200 metalurgë. Ndërsa rruga që të çon për në uzinën e shkrirjes së çelikut është bllokuar me gurë dhe inerte e papërshkueshme nga automjetet. Synimi i metalurgëve është që të paralizojnë aktivitetin e firmës duke mos lejuar futjen e prokateve nga importi nga njëra anë, dhe duke mos lejuar daljen e hekurit të prodhuar nga “Petëzimi” nga ana tjetër. Disa protestues i kanë bërë thirrje popullit të Elbasanit dhe studentëve të universitetit, që t’i mbështesin në ditët e këqija që po kalojnë. Nga ana tjetër, sindikatës Kimi-Metalurgji i ka rënë në dorë dje një shkresë, e cila njofton punëtorët se është lidhur një kontratë mes firmës dhe disa sindikatave të tjera që veprojnë në këtë rreth. Sindikata Kimi-Metalurgji, Këshilli Sindikal dhe Seksioni Sindikal e kanë denoncuar aleancën e fshehtë. Kreu i Seksionit Sindikal, Gjon Ndoci, u shpreh se sindikata Kimi-Metalurgji nuk ka pasur asnjë marrëveshje me firmën dhe se vazhdon të jetë në krah të punëtorëve.

Aksidenti, 2 të vdekur dhe një i plagosur

FIER - Dy të vdekur dhe një i plagosur, si pasojë e aksidentit të rëndë të ndodhur dje herët në mëngjes në qytetin e Fierit. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se gjetën vdekjen Ilir Buzi, 36 vjeç dhe Gazmir Zeqiri, 30 vjeç, ndërsa është plagosur rëndë Mustafa Bega, drejtuesi i mjetit. Të njëjtat burime pohojnë se shkak për këtë aksident të rëndë ka qenë shpejtësia e madhe jashtë normave të lejuara të drejtuesit të mjetit. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të qytetit të Fierit, kur makina tip “Audi” që drejtohej nga Mustafa Bega, bashkë me pasagjerët, dy viktimat po udhëtonin për në Athinë. Makina pasi është përplasur me një mur betoni të urës, ka rënë në një kanal kullues.

FMN-ja, zyra të reja tek Kullat Binjake

TIRANE-Përfaqësia e Fondit Monetar Ndërkombëtar përuroi dje zyrat e reja pranë Kullave Binjake në Tiranë. Në ceremoninë e përurimit morën pjesë ministri i Financave, Ridvan Bode, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Përfaqësuesja e përhershme e Fondit Monetar Ndërkombëtar në vendin tonë, Ann Margaret Westin, u shpreh se zyra e parë e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Tiranë u hap në vitin 1992. Që nga ajo kohë, u shpreh zonja Westin, ne filluam bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, duke dhënë mbështetjen si dhe duke hartuar politika për zhvillimin e sektorëve strategjikë të vendit. Sipas saj, ky institucion do të jetë në mbështetje të plotë të qeverisë me programet e veta.

4 mijë apartamente për strehim

TIRANE-Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit do të bashkëpunojë me partnerë privatë për të ndërtuar banesa sociale në vendin tonë. Burime nga ky dikaster, thanë se do të ndërtohen 4 mijë apartamenteve sociale, të cilat do të jepen me qira dhe do shikohen nga shteti si një nga zgjidhjet e mundshme të problemit të mprehtë të strehimit në vend. Ndërkohë, në buxhetin e vitit 2006 janë parashikuar të investohen rreth 685 milionë lekë për ndërtimin e disa banesave për të pastrehët. Ky fond, që rezulton më i lartë se ai i vitit 2005, do të përdoret për ndërtimin e 500 apartamenteve në rrethe të ndryshme, ku të pastrehët mund t’i marrin ato në dorëzim edhe duke paguar qira.

Mësuesit pa licencë, do përjashtohen

KUÇOVE – Mësuesit që kryejnë kurse private, do të ndëshkohen sipas ligjit, deri në përjashtim nga puna. Drejtori i drejtorisë arsimore të Beratit Yzedin Hima, tregon për gazetën masat e marra për mësuesit që kryejnë kurse private. Burime nga Drejtoria Arsimore bëjnë të ditur së pas denoncimeve të bëra nga prindërit e nxënësve, kjo drejtori ka filluar hetimet. Drejtori Yzedin Hima është shprehur se “të gjithë ata mësues që kanë kryer veprime të tilla kanë thyer urdhrin e Ministrit Arsimit, me dashje dhe do të ndëshkohen sipas ligjit, deri në përjashtimin nga puna”. Ka shumë mësues pa liçencë që zhvillojnë kurse të jashtëligjshme. Edhe pse ka dalë urdhri i Ministrit Arsimit, Genc Pollo për ndalimin e kurseve private në Kuçovë vazhdojnë në mënyrë intensive. Sipas prindërve këto kurse janë kthyer në tregti përfitimi për këta mësues, që zhvillojnë kurse fantazma nëpër vende të fshehta. Ky veprim ka ndikuar negativisht tek nxënësit, tashmë në prag të mbylljes të vitit shkollor. Asime Goreja, banore në këtë qytet është shprehur se “fëmija i saj, që është në vitin e tretë të shkollës mesme të përgjithshme, ka rënë nga mësimet se nuk ka mundësi të shkojë në kurset private. Shumë prindër janë shprehur se mësuesit e lëndëve që japin, kurse private nuk zhvillojnë ashtu siç duhet lëndën mësimore.

 
....................................................................................
Krye  

 

 Rrethet
  “Nuk është prishur asnjë objekt në plazh”
..
..........................................
  36 vite burg dhunuesve të misionareve italiane
..
..........................................
  Shkurt
..
..........................................