Ligji i pensioneve hyn sot në fuqi, shoqata kundërshton. Flet kreu Zyhdi Kroi
 
   
Ish-ushtarakët: Dosja në gjykatë
 
     

Arta AGOLLI

Duke filluar nga dita e sot me, ligji për pensionet ish- ushtarakëve hyn në fuqi. Kjo do të thotë se përfundimisht ai është botuar në Fletoren Zyrtare dhe do të nisë të zbatohet shumë shpejt, pavarësisht kundërshtimeve të ish-ushtarakëve. Nga ana e saj Shoqata e Ushtarakëve në Lirim, është duke hartuar një dosje, me anën e së cilës do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese për të paditur Parlamentin dhe qeverinë “Berisha”. Pikërisht kjo ka qenë deklarata e kreut të shoqatës, Zyhdi Kroi.
Ligji
Megjithëse ligji i ri mbi pensionet suplementare, të parakohshme dhe ato të pleqërisë është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare ish-ushtarakët do të bëjnë përpjekjen e tyre të fundit, duke e çuar çështjen deri në gjykatë. Shkeljet e këtij ligji janë përpiluar në një dosje, e cila do të dorëzohet brenda dy ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Kroit ish-ushtarakët e kanë bazuar padinë e tyre në tri shkelje kushtetuese, duke pasur parasysh këtu se Ligji 9481, i miratuar nga Parlamenti më 16 shkurt të këtij viti u botua në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi që nga data 29 prill 2006, ata kanë të drejtën që të bëjnë ankesën në gjykatë. Kështu ka përfunduar dje dosja, e cila do të përmbajë tri shkelje kushtetuese, ndërkohë që po ditën e djeshme është bërë konsulta e fundit me komisionin e juristëve të shoqatës, të cilët kanë përcaktuar saktësisht të gjitha shkeljet e projektligjit mbi pensionet, të cilat bien ndesh me kërkesat e ish-ushtarakëve në pension. Përveç ankesave pranë Presidentit të Republikës dhe ministrit të Mbrojtjes, i cili iu ka premtuar bashkëpunim ish-ushtarakëve, gjë të cilën kreu i ish-ushtarakëve e mohon, pasi janë më se tri javë që ministri Mediu e ka premtuar një gjë të tillë dhe ende asgjë, shoqata ka përpiluar edhe disa kërkesa për Avokatin e Popullit. Kreu i ish-ushtarakëve ka deklaruar gjithashtu se tashmë është hapur rruga për të bërë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.
Shkeljet
Ligji i miratuar jo më shumë se tre muaj më parë realizon tri shkelje kushtetuese. Dy prej këtyre shkeljeve kanë të bëjnë me nenin 18 të Kushtetutës, i cili ka tri pika ose tri kërkesa themelore. Sipas Kroit, së pari, ndryshimet e bëra tregojnë qartë mentalitetin e politikës dhe të shtetit shqiptar për ushtarakët dhe misionin e tyre. Politikanët shqiptarë kërkojnë shërbëtorë të bindur të politikës dhe jo të ligjit dhe të atdheut. Nga ky aspekt ndryshimet në ligj janë si ndëshkim për të gjithë ushtarakët, ndaj respektimit të urdhrave të politikanëve për t’i përdorur ato kundër popullit dhe në këndvështrimin me misionin e tyre kushtetues. Së dyti, me ndryshimet e bëra i ndajnë ish- ushtarakët në parcela dhe grupe politike. Pika e tretë në të cilën bazohet ligjërisht kreu i ish-ushtarakëve është edhe fakti që ushtarakët, të cilët janë ende në karrierë, nuk e kanë të qartë dhe të sigurt të ardhmen e tyre. Ata janë të sigurt që me rotacionin e kohëve të fundit të politikës, ata janë kategoria më e diskriminuar përsa i përket përfitimit mbi pensionet në të ardhmen.

Specialisti : "Kërkesat e ushtarakëve, të drejta"

Në hartimin e dosjes, që do t’i shkojë për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, ka ndihmuar edhe një specialist i Institutit të Sigurimeve Shëndetësore. Sipas specialistit Kadri Muka, shkelja e parë bazohet në faktin se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe të gjithë duhet të trajtohen me të njëjtën formulë dhe me të njëjtat kritere. Ligji i miratuar, jo më shumë se tre muaj më parë realizon tri shkelje kushtetuese. Dy prej këtyre shkeljeve kanë të bëjnë me nenin 18 të Kushtetutës, i cili ka tri pika ose tri kërkesa themelore. Kjo vlen për pensionet e parakohshme, ato suplementare si edhe për pensionet e pleqërisë. Pavarësisht që kanë pasur të njëjtin funksion, gradë ose vjetërsi apo vështirësi pune, ish-ushtarakët nuk përfitojnë asnjë nga këto pensione në mënyrë të barabartë, megjithëse janë në kushte të barabarta, marrin pensione të ndryshme. Kjo është edhe një nga shkeljet kushtetuese, e cila çon në diskriminimin e një pjese të ish-ushtarakëve në pension, shkelje e cila përcaktohet në pikën 3 të nenit 13 të ligjit, ku ndalohet diskriminimi.

Diferencimi
Ish-ushtarakët bazohen dhe i quajnë antikushtetuese diferencimet që ju bëhen të gjithë ushtarakëve për përfitimin e pensioneve nga ligji i miratuar. Këto shkelje bazohen në masën e pensionit, e cila është e pabazuar në ligj dhe i ndan në mënyrë jo të drejtë ushtarakët sipas gradave, vjetërsisë ose vështirësisë. Madje, sipas tyre, kjo është edhe pika e parë, të cilën do ta rendisin në dosjen që është duke u përgatitur.

Zbatimi
Shkelja e dytë bazohet në nenin 29 pika 3, e cila ka të bëjë me hyrjen në fuqi të ligjit të mëparshëm, me ligjin e ri të miratuar nga qeveria në shkurt të këtij viti, kjo përcaktohet si një shkelje kushtetuese, sepse ligji i mëparshëm ka ende fuqi vepruese deri më datë 29 mars 2006, ditë në të cilën është publikuar në Fletoren Zyrtare, dhe gjatë gjithë kësaj kohe asnjë pikë nga ligji i vitit 2005 nuk është zbatuar, sepse nuk janë dhënë përfitimet përkatëse për ish-ushtarakët.

Kufizimet
Një ndër tri pikat më të kundërshtueshme është edhe kufizimi i veprimtarisë publike dhe lejimi i saj për ish-ushtarakët vetëm në raste të rëndësishme, pra, sipas ligjit të ri ndalohen të gjithë ushtarakët, të cilët janë në pension, të ushtrojnë veprimtari ekonomike publike. Në këtë pikë kjo shkelje përcaktohet plotësisht antiligjore, sepse se çfarë mund të përfitojë ushtaraku e përcakton vetëm statusi i kësaj kategorie dhe neni i ligjit të ri për pensionet.

Shoqata
“Pavarësisht se çfarë mendon e vepron Presidenti, kryetarja e Kuvendit, kryeministri shqiptar si edhe ministri i Mbrojtjes, ne si shoqatë jemi të vendosur ta çojmë çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese, dhe ne besojmë se ky është i vetmi institucion, i cili do të zbardhë njëherë e përgjithmonë problemet tona për pensionet”. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme, Zydi Kroi, kreu i Shoqatës së Ish-ushtarakëve.

...................................................................................
Krye  

Ministria e Arsimit: Asnjë ndihmë për financimin e tyre

Shkollat private, sa të kushton studimi

Blerina KACA

Në të gjithë vendin numërohen rreth 250 shkolla private për arsimin parauniversitar të licencuara nga Ministria e Arsimit. Për një nxënës të ciklit tetëvjeçar, familja duhet të shpenzojë rreth 200 euro në muaj vetëm për frekuentimin e shkollës, ndërsa për një nxënës në shkollën e mesme rreth 250 euro. Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm shkollash janë në proces të shqyrtimit të dokumentacionit për t’u licencuar. Kështu janë gjithsej 102 kopshte, 85 shkolla 8-vjeçare, 66 shkolla të mesme private dhe gjashtë universitete jopublike, të licencuar deri tani nga Ministria e Arsimit. Gjithashtu, janë në proces shqyrtimi të dokumentacionit dhe shumë të tjera. Aktualisht funksionojnë rreth 85 shkolla 8-vjeçare private në të gjithë vendin, kundrejt 1700 shkollave të tilla shtetërore.
Tarifat
Duke parë tarifat e çmimeve që aplikojnë shkollat private, duket se ato mund të frekuentohen vetëm nga një shtresë e lartë e shoqërisë. Kjo për arsye se një pjesë e mirë e familjeve nuk ka mundësi të përballojë shpenzimet e larta të shkollimit, që kanë pësuar rritje nga viti në vit. Për shkollimin e një fëmije në një shkollë private duhen shpenzuar jo vetëm për frekuentimin e saj, por edhe për ushqim apo transport. Kështu për një nxënës të ciklit 8-vjeçar (aktualisht 9-vjeçar) duhen shpenzuar mesatarisht 180 - 200 euro në muaj vetëm për frekuentimin e shkollën. Kështu, po të shtojmë dhe rreth 100 euro në muaj për shpenzimet e ushqimit, rreth 30 euro për ato të transportit si dhe rreth 30 euro për tekstet, del se mesatarisht për një nxënës të ciklit të ulët shuma mesatare që duhet të paguajë në një shkollë private shkon rreth 400 euro. Ndërsa për një nxënës të shkollës së mesme private duhet të shpenzojë për frekuentimin në shkollë një shifër rreth 250 euro në muaj. Ndërkohë që po të shtojmë dhe shpenzimet e tjera si ushqimi 150 euro në muaj, transporti 30 euro dhe tekstet 70 euro, shuma mesatare shkon rreth 500 euro.
Kushtet
Universitetet jopublike pranojnë çdo vit nga 160-200 studentë. Pagesa e çdo studenti është 3 500 - 5000 dollarë për një vit akademik. Zakonisht, nxënësit ose studentët, i paguajnë paratë dy herë në vit, duke e ndarë kështu shumën e përgjithshme në dy këste. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që ndonjë prej kolegjeve apo universiteteve, të ketë vënë si kusht që pagesa të jetë mujore. Studentët në të gjitha këto ambiente kanë në dispozicion një sallë interneti dhe një bibliotekë me tituj të profilit të së drejtës, në disa gjuhë, ku mund të studiojnë literaturë.

Detyrimet për shkollat e larta private

Sipas ligjit të Arsimit të Lartë, disa kërkesa dhe detyrime për licencim të shkollave të larta private duhet: plani afatmesëm dhe afatgjatë i zhvillimit institucional, dokumente që vërtetojnë garancinë financiare për financimin e personelit dhe të të gjitha veprimtarive mësimore-shkencore të shkollës së lartë jopublike për një cikël të plotë për çdo kurs studimi, dokumenti i garancisë financiare duhet të paraqitet çdo vit pranë Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, deklaratën në të cilën subjekti angazhohet të sigurojë një dokument pronësie apo kontratë qiraje për ndërtesën në të cilën do të funksionojë shkolla e lartë jopublike, dokumenti i pronësisë ose kontrata e qerasë duhet të realizohet jo më vonë se tre muaj para fillimit të vitit akademik shkollor. Në rastin e kontratës së qirasë, afati i saj duhet të jetë sa zgjatja e kursit mësimor. Për analizimin e dokumenteve, Ministria e Arsimit ngre komision të posaçëm të përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit të Lartë, të Drejtorisë së Investimeve, të Drejtorisë Ekonomike, të sektorit juridik të Agjencisë së Vlerësimit dhe të Akreditimit. Komisioni drejtohet nga zëvendësministri, i cili mbulon Arsimin e Lartë. Veç të tjerash duhet që shkollat e larta jopublike të paraqesë burimet e veta financiare.

Shkollat

Shkollat e larta - jopublike
1-Universiteti i New York-ut në Tiranë
2-Universiteti i Drejtësisë “LUARASI”
3-Universiteti “UFO”
4-2-Universiteti “Zonja e Këshillit të Mirë “
5-Universiteti “Marubi”
6-Universiteti “Kristal”
Lendet
1-Juridik
2-Mjekësi
3-Stomatologji
4-Infermieri
5-Informatik
6-Arte

...................................................................................
Krye  

Studimi/ Evropa në krizë lindjesh, më pak fëmijë çdo vit

Shqipëria, rekord foshnjesh

Shqipëria renditet në vendet që kanë numrin më të madh të lindjeve. E ndërsa përqindja e ulët e lindjeve në Evropë është bërë burimi i alarmit në kryeqytetet e vendeve të Bashkimit Evropian, vendi ynë thyen rekorde për lindshmërinë. Sipas një studimi të publikuar në gazetën “The Guardian”, Gjermania, vendi me pjellshmërinë më të ulët, ofroi një paketë lehtësirash, që përfshinte 1800 në muaj për prindërit që largohen nga puna dhe dy muaj të paguar në punë. Gjatë kohëve të komunizmit, nga një klinikë në Gjermaninë Lindore, dilnin 2500 bebe në vit. Sot, për 1000 banorë lindin vetë 7 bebe në vit.
Problemet
Problemi është se disa njerëz janë bërë më pak tolerantë për fëmijët. Ata mendojnë se fëmijët të rrisin stresin, të irritojnë, pra si një gjemb pas shpine. Sot preferohet më shumë një qen apo mace sesa një fëmijë. Kjo për faktin se jeta moderne, nuk na i lejon fëmijët. Gjatë viteve të trazuara pas Luftës së Dytë Botërore, përqindja e lindjeve në Evropë u rrit; kulmi ishte në vitet ‘60. Tani, lindjet konsiderohen jashtë mode.
Lindjet në Evropë. Sipas statistikave të BE-së, Gjermania ka pjellshmërinë më të ulët, 8.5 lindje për 1000 banorë. Vendet e tjera në fund të listës janë: Spanja me 10.6, Italia, 9.7 dhe Polonia me 9.3 lindje për 1000 banorë. Në shekullin e 21-të, më shumë njerëz po vdesin se sa po lindin. Normat e lindjes janë më të larta në Irlandë me 15.2, dhe Francë me 12.7 për 1000 banorë. Në këto dy vende, familjet e mëdha nxiten nga përfitimet në taksa dhe ndihma financiare. Përpjekjet e qeverisë për të inkurajuar çiftet për fëmijë, jo gjithnjë funksionojnë. Në Britani, pjellshmëria është e lartë, 12 fëmijë, megjithëse shteti nuk i inkurajon dhe aq shumë. Në kontrast, Gjermania shpenzon 3.1% të GDP-së për familjen dhe fëmijët, ndërkohë që mesatarja e vendeve të BE-së është 2.1%. Një vend në Evropë, ka një pjellshmëri të lartë, 15.08 për 1000 banorë. Shifra e përkryer për të ruajtur një popullsi të qëndrueshme. Kjo është Shqipëria, por edhe këtu ka një rënie me 65% që nga vitet 1960. Këto statistika, kanë bërë që pjellshmëria në Evropë të bëhet një shqetësim politik. Në Gjermani është parashikuar se vendasit do të zhduken në 2300. Në Austri, një revistë bën shaka duke shkruar se austriakët, me 9.7 fëmijë për 1000 banorë, shumë shpejt do ta kenë një vend në kopshtin zoologjik të Vjenës, ngjitur me pandat. Me gjithë shpjegimet, fakti është se Evropa po hynë në ujë.

 
.................................................................................
Krye  

 

 Sociale
  Shkollat private, sa të kushton studimi
..
..........................................
  Shqipëria, rekord foshnjesh
..
..........................................
 
 
r