Intervista/ Flet drejtori i Sporteve në Ministrinë e Kulturës Turizmit, Rinisë dhe Sporteve
 
   
Spahiu: Në qershor gati ligji "antitrukim"  
     

Leonard KARAJ

MTKRS-ja është duke përgatitur një ligj të ri për trukimet dhe shit-blerjet e ndeshjeve i cili do të diskutohet në muajin qershor. Sipas drejtorit të Sporteve në MTKRS, Mehmet Spahiu ligji i ri do të hetojë çdo denoncim dhe ndërshkojë fenomene të tilla që nuk kanë lidhje me futbollin e luajtur. "Kemi përgatitur një projektligj i cili nuk mendoj se do t'i japë fund trukimeve, pasi ky është një fenomen që vihet re në gjithë botën, por të paktën për rastet e dyshuara do të ketë hetim të mirëfilltë dhe ndëshkime", ka thënë në një intervistë për gazetën "Tirana Observer" drejtori i Sporteve në MTKRS, Mehmet Spahiu. Deklaratat dhe denoncimet e fundit të disa drejtuesve të klubeve për parregullsi të shumta në fushat e lojës dhe ndeshje të dyshimta ka shtyrë MTKRS të rishikojë ligjin aktual.

Cili është mendimi juaj për sa i përket deklaratave dhe denoncimeve të shumta në shtyp për shit-blerje ndeshjesh nga ana e shumë drejtuesve të klubeve?
Po është e vërtetë, që kohët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes shumë gjasa për shit-blerje ndeshjesh apo trukime rezultatesh. Por fakt është se gjëra të tilla kanë mbetur veçse në teori, në letër ose thjesht janë anashkaluar pa u vënë re shumë. Kjo pasi nuk ka pasur prova konkrete për të çuar para drejtësisë shkaktarët kryesorë.
Cili është roli i ministrisë në këtë dhe çfarë masash do të merren në rast të provave konkrete?
Ne si ministri nuk është se kemi ndenjur duarkryq. Kemi dërguar edhe ne vëzhguesit tanë në disa takime që quheshin si në rrezik për trukim rezultatesh. Kemi marrë dëshmitë tona. Tani po shikojmë edhe pamjet filmime, dhe së shpejti do të nxjerrim konkluzionet tona për çdo rast të veçantë. Ndërsa për sa i përket masave, kjo është disi e vështirë pasi legjislacioni shqiptar nuk parashikon një ligj të mirëfilltë që të rregullojë trukimet e rezultateve dhe shit-blerjet e ndeshjeve.
Pse ndodh kjo?
Ligji i ri për sportet është miratuar vetëm në qershor të vitit të kaluar dhe në bazë të legjislacionit të vendit tonë duhet të kalojë të paktën një vit për të bërë ndërhyrje me amendamente ose për të abroguar këtë ligj. Kështu që, në këtë rast ne jemi duke përgatitur një projektligj, i cili nuk mendoj se do t'i japë fund trukimeve, pasi ky është një fenomen që vihet re në gjithë botën, por të paktën për rastet e dyshuara do të ketë hetim të mirëfilltë dhe ndëshkime. Projektligji do të mund të diskutohet vetëm gjatë muajit qershor.
A mendoni se federata në këtë fundsezoni po mendon më shumë për t'i dhënë fund një kampionati plot polemika sesa të vërejë çdo anomali në fushat sportive?
Unë mendoj se Federata Shqiptare e Futbollit është pjesë e këtyre shit-blerjeve dhe trukimeve të ndeshjeve. Ky institucion me veprimin ose mosveprimin, në shumë raste është bërë palë me ato klube ose njerëz që janë implikuar në ngjarje të dyshimta. Mendoj se jo vetëm njerëzit që merren me sport çdo ditë, por edhe një qytetar i thjeshtë e kupton se prapa këtyre ndeshjeve janë drejtuesit e FSHF-së, të cilët me indiferentizmin e tyre po tregojnë se janë bërë pjesë e këtyre trukimeve.
Pra, vazhdon "lufta" me federatën....
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë një respektim të ligjeve dhe shtetit ligjor. Federata me asamblenë e bërë në fund të shkurtit edhe një herë tjetër tregoi se nuk ka vullnetin e duhur për të qartësuar pozicionin e saj në lidhje me institucionet shtetërore. Në datën 12 të këtij muaji, ministria do të ketë një takim edhe me drejtuesit e UEFA-s në Nion të Zvicrës, ku do të diskutohet pikë së pari problemet e shumta që ekzistojnë në futbollin shqiptar, ku federata zë vendin kryesor.

Refik Halili: Ja si trukohet një ndeshje në Superligë

"U munduam dhe morëm futbollistë që ia vlenin. Ka një histori të gjatë për këtë. Unë jam këtu për të thënë se kampionati shqiptar nuk do të bëjë asnjë hap para. Vetëm do të shkojë poshtë. Këtu e menaxhon një grup i fuqishëm që pengon çdo ekip të shkojë përpara". Ky ishte dëshpërimi më i madh i Refik Halilit, njërit prej katër donatorëve të KF Tirana, kampiones në fuqi, që ka bërë sërish publike në "Top SHOW", dyshimet e tij për ndeshjet e fundit të Tiranës. Donatori Halili, i vetmi nga katër "paradhënësit" e bardhë-e-bluve, që ka marrë përsipër marrjen e përgjegjësive, zbulon njëkohësisht strategjitë e afërta të klubit kampion, që ka degjeneruar në mënyrë të pashpjegueshme. "Kemi vendosur që gjatë këtyre dy muajve nuk do të japim rroga dhe as premio për fitoren, në qoftë se ekipi ynë nuk do të kapë në fund të kampionatin vendin ku jemi sot, pasi lufta për të kapur titullin Kampion, thuajse ka mbaruar, por dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë. Ne nuk mund të lejojmë që një lojtar apo dy, të vendosin ta shesin ndeshjen se duan ata, për shkak të ndërhyrjeve të njerëzve të tjerë që i detyrojnë të veprojnë, të tërhiqen dhe të lënë ndeshjen ashtu si duan ata", ka vazhduar Halili. Pas fjalëve të lëshuara publikisht nga Josa, Halili zbulon edhe një "sekret" tjetër. "Të jeni të bindur se unë me Josën komunikoj çdo ditë. Edhe ai beson se është shitur ndeshja", ka pohuar Halili në "Top Show".

...................................................................................
Krye  

Disiplina, "dorë të rëndë" në fund të sezonit

Dënohet Skënderbeu, "falet" Elbasani

Komisioni i Disiplinës ka ndëshkuar KF Skënderbeun me 100 mijë lekë gjobë, për shkak të gjakosjes së anësorit në takimin Skënderbeu - Besa (0 - 2). Por disiplinarët kanë "harruar" KS Elbasanin, kori i mbështetësve të të cilit në ndeshjen Elbasani - Partizani (1 - 1) zbrazi "kamionë" me shishe uji ndaj futbollistëve të Partizanit. Kështu ndeshja e fundit e këtij sezoni për Elbasanin do të zhvillohet rregullisht në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta". I ndëshkuar nga Disiplina rezulton edhe sekretari i klubit të futbollit Shkumbini, Astrit Isai. Ky i fundit nëpërmjet intervistave të fundit sipas komisionit ka cënuar personalitetin e zyrtarëve të FSHF-së me deklarime të paqena. Saraj është ndëshkuar kështu me 50 mijë lekë gjobë. Sërish Skënderbeu duhet të gëzohet "dyfish", pasi ka humbur edhe sulmuesin e vet kryesor, beratasin Klodian Arbëri, që për goditje me shkelm të kundërshtarit në ndeshjen Skënderbeu - Besa, jo vetëm që është gjobitur me 20 mijë lekë, por është pezulluar edhe në ndeshjen e radhës me Dinamon. Nga Disiplina e ka pësuar edhe futbollisti i Besës së Kavajës, haitiani Herbi Fortunat që me "shakatë" e tij për shpifje dhe përhapje me dashje të fakteve të pavërteta për lojtarët, shoqërinë e FSHF-në dënohet me pezullim nga aktiviteti futbollistik për tre muaj. Për intervista demaskuese të dhëna në TV e median e shkruar, dhe në ambientet e FSHF-së, është ndëshkuar me pezullim katërmujor nga të gjitha aktivitetet futbollistike kombëtare edhe vëzhguesi Hajro Leskaj.

...................................................................................
Krye  

Kapllani dopietë në prag të rinovimit të kontratës

Sulmuesi i kombëtares sonë Edmond Kapllani ka shënuar një dopietë në ndeshjen e djeshme në kampionatin gjerman të futbollit. Karlsruher ka fitur me rezultatin tenistik 7 - 0 ndaj Braunshveig në fushën e saj. Kapllani i cili është aktivizuar që nga minuta e parë e takimit ka shënuar golin e dy për skuadrën e tij në minutën e 11-të të pjesës së parë. Por kavajasi nuk është ndalur këtu. Në minutën e 64-t të pjesës së dytë pas një kundërsulmi të skuadrës së Karlsruher Kapllani ka shënuar golin e dytë personal dhe të pestin për skuadrën e tij. Sulmuesi kuqezi është në prag të rinovimit të kontratës së tij me klubin e tij dhe një dopietë në një ndeshje të rëndësishme si ajo me Braunshveig do të përshpejtojë nënshkrimin e kontratës me drejtuesit e klubit.

 
....................................................................................
Krye  

 

Sport
  Dënohet Skënderbeu, "falet" Elbasani
..
..........................................
  Shkurt
..
..........................................