Prokurori: Greku porosiste fishekë me ermin e koduar “Ulli”
 
   
Pse u quajt “Kokrra e Ullirit” operacioni i policisë  
     

Aulona KADILLARI

Me një emër ironik, por që ka bërë të mundur zbulimin e një rrjeti trafikantësh armësh mes Shqipërisë dhe Greqisë, operacioni “Kokrra e Ullirit” është koduar nga policia shqiptare në bazë të përgjimit që është bërë mes trafikantëve. Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se, në porosinë e tij për fishekë, greku e kishte koduar me emrin “Ulli”. Nga kjo fjalë ka marrë nismën edhe operacioni i cili më pas është pagëzuar me emrin “Kokrra e Ullirit”. Të njëjtat burime bënë të ditur se, përgjimet për këtë trafik kanë filluar nga data 15 shtator. Gjatë bisedave porositësi grek porosiste “ulli”. Kjo ka vënë në lëvizje hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët më pas kanë zbuluar kodin e fjalës “ulli”, e cila ishte fishekë.
Dëshmia
Nuk e kanë mohuar se në makinë dhe në shtëpitë e tyre kishte armë, por nuk kanë pranuar se i trafikonin ato. “Armë që janë gjetur në makinë dhe në shtëpi janë të vitit 1997 dhe ne kemi harruar t’i dorëzojmë në polici. Nuk trafikojmë armë”. Kështu janë shprehur në dëshminë e tyre para hetuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, 6 të arrestuarit. Jorgos Kristo Kosmidhis, me kombësi greke; Lefter Meçajn, nga Korça; Bledar Llambi Tako, nga fshati Sheq i Fierit; Alfred Pallashi, nga fshati Zerec, Korçë; Dashnor Merdani, nga fshati Zerec, Korçë; Bujar Cenolli, nga Maliqi i Korçës, janë marrë për disa orë në pyetje nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Gjithashtu, në organin e akuzës është paraqitur edhe Leonard Brahimi, nga Fieri, polic në Drejtorinë e Policisë, i cili u ndalua dhe më pas është lënë i lirë.
Arrestimet
Policia godet një rrjet të trafikut të armëve me Greqinë, gjashtë persona, mes të cilëve edhe porositësi grek, përfundojnë në pranga. Operacioni i koduar “Kokrra e ullirit” është finalizuar në orët e para të mëngjesit të dy ditëve më parë, me bllokimin e makinës me targa të huaja që po transportonte armë në drejtim të Selanikut. Përveç automatikëve kallashnikovë, policia ka bllokuar edhe një sasi prej 10 mijë eurosh, të cilat mendohet se do të shërbenin për pagesën e armëve dhe municioneve

SEKUESTRIME

Þ 10.880 euro
Þ 3 autovetura
Þ 7 aparate telefonike celularë
Þ 3 automatikë “Kallashnikov”, model 56
Þ 170 fishekë pistolete, model 56
Þ 1020 fishekë mitralozi të lehtë
Þ 447 fishekë automatiku, model 56
Þ 46 fishekë pistolete, TT
Þ 44 karikatorë automatiku “Kallashnikov”
Þ 37 krehër pushke
Þ 14 shtretër shuli automatiku
Þ 7 shule automatiku
Þ 5 mbulesa gypi gazi automatiku, model 56
Þ 7 mbulesa shtrati shuli automatiku, model 56
Þ 9 tela sustë paraprurës
Þ 9 gypa gazi automatik, model 56

...................................................................................
Krye  

Rrugët e bllokuara nga punimet në Tiranë

Ministria e Brendshme fajësoi dje Bashkinë e Tiranës për kaosin e krijuar në qarkullimin e automjeteve në disa nga akset rrugore të kryeqytetit. Sipas zëdhënësit të këtij dikasteri, shkak për këtë situatë janë bërë punimet që bashkia ka ndërmarrë tani në prag të zgjedhjeve vendore. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Altin Ndroqi deklaroi dje, gjatë një konference për shtyp, se “prej disa kohësh gjendja e rrjetit rrugor në qytetin e Tiranës dhe pajisja e tyre me sinjalistikën rrugore është bërë tejet problematike, duke e bërë pothuajse të pamundur lëvizjen normale të automjeteve dhe vështirësuar tej mase punën e punonjësve të Policisë Rrugore. Punimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë ndërprerë. Sipërfaqja e rrugës në disa pjesë është tepër e dëmtuara me gropa duke paraqitur vështirësi për qarkullimin e mjeteve. Rruga “Qemal Stafa”, që fillon nga Prokuroria e Përgjithshme deri tek kryqëzimi i Unazës (Rruga Bardhyl) është e bllokuar në të dyja krahët, duke mos bërë lidhjen e dy rrugëve të Unazës me kryqëzimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Këto bllokime, duke shtuar mungesën e sinjalistikës rrugore vertikale dhe horizontale, kanë kontribuar në krijimin e një kaosi të vërtetë përgjegjës i të cilit është vetëm Bashkia e Tiranës. Ministria e Brendshme nga ana e saj, siguron qytetarët, se të gjithë punonjësit e policisë rrugore do të japin maksimumin e tyre për të lehtësuar sadopak kalvarin e këmbësorëve dhe drejtuesve të automjeteve.

Rruget problematike

1. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Si rezultat i bllokimit të këtij segmenti janë bllokuar edhe rrugë lidhëse
a) Rruga “Ismail Qemali”
b) Rruga “Murat Toptani”
c) Bulevardi “Zhan D’Ark”
d) Bulevardi “Bajram Curri”
2. Rruga “Qemal Stafa”. Për shkak të bllokimit të kësaj rruge janë të bllokuara edhe rrugët lidhëse
a) Rruga “ Ali Spahiu”
b) Rruga “Hoxhe Vokrri”
c) Rruga “Faik Temova”
d) Rruga “Shaban Jegeni”
e) Rruga “Shtjefën Gjeçolli”
f) Rruga “Riza Cerova”
g) Rruga “Ali Pash Gucia”
h) Rruga “Thanas Ziko”
3. Rruga “Irfan Tomini” (Tirana e Re). Si rezultat i kryerjes së punimeve është bëre bllokimi i qarkullimit të mjeteve që lidhin Tiranën e Re me Tregun Ushqimor dhe një pjesë të zonës së Selitës.
4. Segmenti rrugor rrethrrotullimi i “Doganes” -Ura Teknologjike
5. Rruga “Njazi Meka”
6. Ura “Vasil Shanto” , për shkak të kryerjes së punimeve bllokohet levizja e mjeteve në rrugët lidhëse
a) Bulevardin “Zhan D’Ark”
b) Bulevardin “Bajram Curri”
c) Rruga “Komuna e Parisit”
7 .Ura tek Rruga “Sami Frasheri”, për shkak të kryerjes së punimeve bllokohet lëvizja e mjeteve, në rruget lidhëse
a) Rruga “Sami Frashëri”, Tirana e Re
b) Bulevardi Bajram Curri
c) Bulevardi Zhan D’Ark
d) Rruga “Myslym Shyri”
Rrugët me gropa
1. Sheshi “Skenderbej”
2. Rruga e “Elbasanit”
3. Rruga e “Dibres”
4. Rruga e “Barrikadave”,
5. Rruga “Mihal Grameno”
6. Rruga “Mine Peza”
7. Rruga “Kongresi Manastirit”
8. Kryqezimi i rrugës “Don Bosko”
9. Kryqezimi i rrugës “Barrikada”
10.Rruga “Reshit Petrela”
11.Rruga “Ferit Xhajo”
12.Rruga “Bardhyl”
13.Rruga “Lord Bajron”
14.Rruga “Pandi Dardha”
15.Rruga “JosifPashko”
16.Rruga “Don Bosko”
17.Rruga “Siri Kodra”
18.Rruga “Tefta Tashko”

...................................................................................
Krye  

INTERVISTA/Flet Florian Sina, vëllai i pengmarrësit të autobusit

“Ju tregoj pse e mori vëllai im peng autobusin”

Etleva DELIA, Ornela MANJANI

Ardian Sina, 25-vjeçari që mori peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës, është me të meta mendore. Të paktën kështu është shprehur në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” vëllai i tij, Florian Sina. Ai tregon se që nga viti 2001 kur Sina është aksidentuar me motor, ka pasur probleme mendore, pasi një pjesë qelqi i ka ngelur në një pjesë shumë delikatë të kokës. Sipas tij, kështu ishte shprehur doktori që e kishte mjekuar. Madje për këtë kishte lëshuar edhe një raport mjekësor, të cilin e ka dorëzuar në polici.
Kur e morët vesh që vëllai juaj kishte marrë peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës?
Lajmin e kemi marrë vesh nëpërmjet televizioneve, pasi ne nuk e dinim se ku ishte Ardiani. Po bëheshin gati gjashtë ditë që ne nuk dinim asgjë për të.
Pse ku kishte ikur vëllai juaj?
Nuk e dinim. Po kishte që të martën rreth orës 10:00 që ishte larguar nga shtëpia dhe s’ishte kthyer më. Madje për këtë kemi bërë edhe një denoncim në Komisariatin Nr.3 të policisë. Pritëm deri të mërkurën nga mbrëmja, pasi menduam se ishte në punë dhe kur nuk erdhi bëmë një kallëzim në polici.
Ku punonte Ardiani?
Punonte në një fabrikë këpucësh në Kamzë, pasi ishte e përshtatshme për të, sepse nuk kishte shumë kërkesë llogarie. I përshtatej shumë natyrës së tij, sepse nuk i duronte dot tonet e larta dhe fyerjet.
Është përfolur që vëllai juaj është me të meta mendore. A është e vërtetë kjo?
Po, është e vërtetë që ai është sëmurë. Ka më shumë se pesë vjet që është në këtë gjendje. Në vitin 2001 është aksidentuar me motor në afërsi të Laprakës dhe ka qenë dëmtuar shumë në kokë. Madje një pjesë qelqi e ka akoma në kokë dhe nuk ia kanë nxjerrë dot mjekët që andej, pasi është me rrezik. Ajo pjesë qelqi që ka në kokë i shkaktonte shumë shpesh probleme, sidomos kur pinte pije alkoolike. Atëherë ai bëhej i padurueshëm edhe me ne të familjes.
A ka ardhur policia për të bërë kontrolle në banesën tuaj, për armë?
Po ka ardhur menjëherë pas ngjarjes. Policët kanë kryer kontrolle të imtësishme në çdo cep të shtëpisë dhe nuk kanë gjetur asnjë lloj arme, pasi nuk kemi.
Po sipas jush, ku e kishte marrë granatën vëllai juaj?
As nuk e kam idenë se ku mund ta ketë gjetur. Po jam i sigurt që nuk dinte ta përdorte, pasi ashtu ishte ai. Thjesht ka dashur t’i frikësonte, pastaj është frikësuar edhe vetë.
Për ku ishte nisur Ardiani?
Po mesa mora vesh unë ishte nisur drejt Greqisë. Po ndoshta në ato momente që ka marrë peng autobusin nuk ka qenë mirë nga koka, pasi siç iu thashë kishte raste që ai nuk ishte mirë.
A keni shkuar për ta takuar vëllanë?
Kemi shkuar në Durrës dhe do të shkojmë edhe sot. Deri tani kemi takuar vetëm avokaten e tij. Po flitej që sot do ta sillnin në Tiranë, për t’i bërë edhe ekspertizën. Unë kam paraqitur edhe një dokument, një raport mjekësor të firmosur nga mjeku që në vitin 2001, kur im vëlla pësoi aksidentin, në të cilin është shkruar që vëllai im ka probleme mendore.

Raporti mjekësor, që tregon diagnozën e Ardian Sinës

Në një raport mjekësor, i cili është lëshuar nga një mjek i Spitalit Ushtarak të Tiranës, thuhet se Ardian Sina është me të meta mendore. Në një vërtetim që ka lëshuar për familjarët e 25-vjeçarit, mjeku, i cili e ka pasur në patronazh, ka shpjeguar se nga data 29 dhjetor e vitit 2001, deri më 31 dhjetor të po këtij viti, ai ka qenë i shtruar në spital. Familjarët shpjegojnë se Sina, në datat kur ka qenë i shtruar në spital, ka pësuar një aksident me motor dhe ka pasur dëmtime të mëdha në pjesën e kokës. Madje mjekët kanë shpjeguar për familjarët, që një pjesë qelqi i ka mbetur në kokë dhe nuk nxirret që andej, sepse zona ku është futur xhami, është shumë delikate dhe një ndërhyrje kirurgjikale aty mund të ishte fatale për të riun.

Ekspertiza mjeko-ligjore

Menjëherë sapo u hodh dyshimi, që 25-vjeçari Ardian Sina, i cili mori peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës, është me të meta mendore, i riu është dërguar për të bërë ekspertizën mjeko-ligjore. Deri më tani ende nuk është përcaktuar diagnoza për të, por sipas të dhënave, mjekët pohojnë se Sina vërtetë mund të ketë goditje në pjesët e trurit. Kjo edhe pas konsultimit me mjekun e Spitalit Ushtarak të Tiranës, i cili e ka pasur në patronazh Ardian Sinën në vitin 2001, kur ky është aksidentuar me motor. Sipas mjekëve, 25-vjeçari ka ende në një pjesë të kokës një copë xham, ku nuk mund të ndërhyhet me operacion, e cila i ka mbetur aty pas aksidentit. Kjo pjesë herë pas here i shkakton probleme të riut, duke e bërë që në momente të caktuara të irritohet dhe të sillet në mënyrë jo normale.

Kronologjia

Rreth orës 14:00 Ardian Sina ka marrë peng autobusin e linjës Tiranë-Durrës, me targë DR 71 88 B, në afërsi të pikës së karburantit “B&G”

Deri në momentin që 25-vjeçari nga Tirana ka nxjerrë granatën nga xhepi, asnjëri nga 25 pasagjerët dhe as shoferi nuk e kishin kuptuar që ishin peng në autobus

Sina i ka hequr siguresën granatës dhe ka urdhëruar drejtuesin e autobusit që të vazhdojë rrugën drejt Aeroportit të Rinasit, por shoferi e ka bindur që fillimisht të ndalojnë për t’u furnizuar me karburant

Në momentin që automjeti ka ndaluar në pikën e furnizimit me karburant, një pasagjer i autobusit ka njoftuar policinë nëpërmjet një mesazhi nga telefoni i tij

...................................................................................
Krye  

Ministria e Shëndetësisë bën publike shifrën pas një studimi

15 mijë të sëmurë mendorë, potencionalë krimi

Laureta RRYÇI, Blerina KACA

Mund të jetë komshiu që e shikoni çdo ditë, apo edhe personi që ndani sedilen e autobuzit. E megjithatë për gjatë gjithë kësaj kohe nuk mund të bëni gjë tjetër veçse të tregoheni shumë të kujdeshëm për të mos rënë viktimë e tij. Ai është një nga 15 mijë shqiptarët që vuan nga sindromi i skizofrenisë. Të paktën kështu pohon Ministria e Shëndetsisë e cila jep alarmin se 0,5% e popullsisë vuan nga ky sindrom. Ndërsa një tjetër shifër edhe më e rëndë është dhe ajo që përcakton 300 mijë shqiptarë si të prekur nga depresioni. Për të gjithë këto persona në momentin që mund të kryejnë një vepër penale askush nuk mban përgjegjësi. Për pasojë specialistët këtë kontigjent e kanë konsideruar potencial krimi. Burime nga ky institucion pohuan dje për "Tirana Observer" se kjo shifër përfshin vetëm personat të cilët nuk kurohen dhe jetojnë të lirë dhe shpesh herë mund të jetë e vështirë për t'i dalluar nga pamja vizuale. Natyrisht që kjo shifër merret nga specialistët e kësaj ministrie si e përafërt për shkak të mungesës së një dokumentacioni zyrtar për këto persona. Po kështu të njëjtat burime shpjegojnë se aktualisht janë të rregjistruar 800 persona që marrin trajtimin mjeksor në spitalet përkatëse që ndodhen në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Specialistët e kësaj ministrie pohojnë se 15 mijë shqiptarët që vuajnë nga skizofrenija përbëjnë rrezik për shoqërinë pasi janë të paidentifikuar si të tillë. Ndërkohë që ata që trajtohen në ambjentet spitalore janë gjatë gjithë kohës në vëmendjen e mjekeve të specializuar posaçërisht për sëmundjen e tyre.
Alarmi
Shpesh kemi vënë re se nëpër rrugët që duhet të përshkrojmë çdo ditë, persona që të lenë të kuptosh se vuajnë nga sindromi i Skizofrenisë. Specialistët e Ministrisë së Shëndetsisë pas një studimi kanë arritur në përfundimin se të gjithë këto persona që vuajnë nga sëmundje psikike koha ka treguar se kanë reaziluar krime nga më mostruozet dhe se përbëjnë çdo ditë rrezik për jetën e qytetarëve që mund të gjenden përballë tyre. E gjithë kjo sipas tyre, pasi deri më sot ka munguar një strategji nga ana e qeverisë se çduhet bërë me ta.
Studimi
Vetëm një javë më parë, Shefi i Shërbimit të Psikiatrisë në QSUT, prof. Anastas Suli u shpreh se nga një studim i përgjithshëm rreth 10 për qind e popullsisë ka probleme të depresionit, ndërsa 0.5 për qind të skizofrenisë, duke e bërë kështu mjaft immediate dhe të nevojshme politikat dhe ndërhyrjet konkrete në këtë fushë. Kjo deklaratë u bë nga ana e tij gjatë një konference ku po diskutohej se çduhej bërë me personat me probleme psikike.

Flet Tritan Shehu, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë

"Shqipërisë i mungon strategjia"

Sipas Shehut, ajo që i mungon aktualisht vendin tonë është strategjia për trajtimin e këtyre të sëmurëve, me gjetjen dhe vënien në zbatim të strategjisë, që shifrat të cilat do të raportoheshin do të ishin çdo vit në ulje.
Sipas të dhënave zyrtare rezulton se, 10 % e popullsisë ka probleme depresioni, sa alarmante është kjo shifër?
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vendin tonë shifrat që flasin për pacientë me probleme mendore janë shumë të ulëta. Gjithashtu personalisht mendoj se, kjo shifër është e justifikueshme edhe duket krahasuar me vendet e tjera të rajonit që Shqipëria ka numrin më të ulët të pacientëve me probleme mendore. Problemi që lidhet drejtpërdrejtë me ta është mënyra e kurimit, e cila është një mënyrë klasike që nuk ka asnjë ndryshim me vitet '50 në vendet lindore, të cilat i trajtonin të sëmurët mendorë në mënyrë të izoluar dhe të ndarë nga komuniteti. Ministria e Shëndetësisë dhe vendi ynë duhet të kenë strategji të reja për kurimin dhe trajtimin e tyre, si dhe integrimin në shoqëri.
Si mund të bëhet trajtimi i tyre, në mënyrë jo të izoluar?
Duhet të hapen qendra të posaçme për këtë kategori njerëzish, në të cilat nuk duhet të mungojnë shërbimet e specializuara psikiatrike dhe psikologjike. Qendra brenda së cilave duhet që mjekët duhet të kuptojnë më shumë rreth çrregullimeve mendore, duke u marrë edhe më shkaqet kryesore të këtij fenomeni si dhe me mënyrat që mund të sjellin përmirësimin e situatës si dhe uljen e numrit të këtyre rasteve.
Mendoni se lënia e tyre e lirë përbën një rrezik për shoqërinë?
Nuk mendoj se shoqërisë tonë i kërcënohet ndonjë rrezik i madh që mund të vijë pikërisht nga këta persona. Por theksi duhet të vënë siç e përmenda edhe më lart, në kurimin dhe trajtimin e tyre, pasi vetëm në këtë mënyrë numri i personave që kanë probleme dhe çrregullime mendore do të vijë duke u ulur. Ne na mungon një strategji e posaçme për këtë çështje, strategji e cila duhet vënë në zbatim menjëherë.

Flet Petrit Vasili

"Pse duhen qendrat rehabilituese"

Sipas ish-kryetarit të Komisionit për Shëndetin Mendor, Petrit Vasili, ajo që i mungon aktualisht vendit tonë është strategjia për kurimin e pacientëve me probleme mendore. Sipas tij, trajtimi i tyre në mënyrë të izoluar nuk bën gjë tjetër veçse e rrit numrin e pacientëve, ndërkohë që ata duhet të kurohen në komunitet dhe të integrohen në shoqëri.
Sipas të dhënave zyrtare rezulton se, 10 % e popullsisë ka probleme depresioni, sa alarmante është kjo shifër?
Sigurisht që çështja e personave me probleme mendore ka një rëndësi të jashtëzakonshme, e pikërisht për këtë arsye, në vitin 1999 në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka nisur puna për hartimin e një strategjie të re për kurimin dhe trajtimin e tyre, strategji e cila përfundoi në vitin 2003, kohë gjatë së cilës u ngritën qendra rehabilituese të Shëndetit Mendor. Kjo u bë për të trajtuar sa më mirë atë pjesë të popullsisë që ka sindroma të rënda të sëmundjes, por pa përjashtuar edhe pjesën tjetër në gjendje më të lehtë. Është shumë e rëndësishme që kjo pjesë e popullsisë të rehabilitohet në qendra të veçanta, të mos izolohen, pasi në këtë mënyrë është mundësia më e madhe për të "prodhuar" të sëmurë mendorë. Ata duhet të integrohen në shoqëri, të jenë pjesë e saj, të trajtohen brenda komunitetit. Një garanci e mirë për realizimin e plotë të kësaj strategjie është OBSH-ja, e cila ka asistuar që prej vitit 2001 dhe vazhdon të asistojë në çështjen e shëndetit mendor. Ndërsa për sa i përket shifrave, duhet pranuar që ato janë rritur ndjeshëm krahasuar me çfarë kanë qenë, por sipas të dhënave të OBSH-së vendi ynë ka përqindjen më të ulët.
Çfarë duhet bërë në këtë rast për këta të sëmurë?
Sigurisht siç e përmenda edhe më lart, ata nuk duhet të trajtohen në mënyrë të izoluar nëpër spitalet psikiatrike, pasi në këtë rast duhet të ndërtohej një spital gjigant, i cili do të kërkonte kushte shumë të mira dhe efektet financiare do të ishin të mëdha. Për ta duhet të ngrihen qendra të përkohshme, në të cilat ata do ta ndjenin veten të lirë, të integruar në shoqëri dhe jo si në burg. Kushtet e vështira ekonomike, papunësia, stresi dhe shumë probleme të tjera kanë ndikuar që në vendin tonë, ku këto vitet e fundit numri i pacientëve që kanë probleme mendore dhe që kanë nevojë për ndihmën e mjekut të rritet.
Këta të sëmurë të cilët aktualisht nuk trajtohen në qendra të përkohshme, përbëjnë një rrezik për komunitetin?
Do të thosha që rrezikshmëria e tyre është minimale, por duhet ndihma e shoqërisë dhe e gjithë faktorëve të tjerë për t'i trajtuar rastet në mënyrën e duhur si dhe për të evituar shtimin e numrit të këtyre pacientëve.

...................................................................................
Krye  

Që nga marrja peng e biznesmenit nga Gostivari e deri të ajo e 18-vjeçarit nga Berati

30 pengmarrjet më të bujshme në 15 vjet

Aulona KADILLARI

Pengmarrja e fundit është ajo 18-vjeçarit nga Berati, i cili ka qëndruar për 30 minuta nën kërcënimin e Ardian Protoduarit. Por, nëse do të gërmonim në arkivat e prokurorisë, do të nxirrnim se për 15 vjet kanë qenë jo pak raste pengmarrje, madje disa prej tyre klasifikohen edhe në nenin e ri të Kodit Penal, si akte terroriste. Kështu, për 15 vjet, në Shqipëri kanë ndodhur 30 pengmarrje më të bujshmet, që në historinë e tyre kanë si personazhe edhe të sëmurë mendor. Madje, në numrin më të madh këto ngjarje kanë pasur pengmarrës të sëmurë psikik. Gazeta "Tirana Observer" boton të gjitha pengmarrjet, historinë e tyre, motivin si dhe fundin e tyre, që ka qenë një "happy end", por në disa raste edhe tragjik.
Pengmarrjet në 15 vjet
Arsyet janë nga më të ndryshmet, zhvillimin e ngjarjes e kanë përsëri të ndryshme, edhe fundin gjithashtu. Në disa raste personazhet janë më shumë se një, madje shkojnë deri në 100. Por që të gjithë kanë një emër të përbashkët, quhen pengje, që në 15 vjet kanë një shifër relativisht të madhe. Nga viti 1995 e deri dje në kalendarin e pengmarrjeve janë shënuar 30, të cilat janë shënuar me shirit të kuq, duke u klasifikuar më të bujshme. Duke filluar që nga pengmarrja e Remzi Hoxhës, një tregtar shqiptaro-maqedonas i duraluminit, që punonte në kryeqytet. Pas rrëmbimit, askush nuk jep informacion, saqë nxirret konkluzioni se ai ka vdekur nga rrahja. Për këtë pengmarrje, e cila mbetet ende mister, në qershor të 2003 arrestohen tre drejtues të SHIK. Por më vonë një prej të arrestuarve lirohet pas tre muajsh. Nuk mund të lëmë mënjanë as pengmarrje të tjera si, ajo e Fatjon Demirlikës dhe marrjen peng të autobusit të linjës Kukës-Tiranë nga dy vëllezërit Onuzi.
Pengmarrjet e fundit
Duam apo nuk duam ne, është fakt që më të "lakmuarit peng" janë biznesmenët si dhe fëmijët e tyre. Por moda e fundit e pengmarrësve është marrja peng jo e një ose dy personave, por të një autobusi, madje edhe të një avioni. Rrëmbimi i avionit nga turku Hakan Ekënxhi, e lakuar në të gjithë mediat si jashtë edhe brenda vendit, fatmirësisht pati një fund pozitiv. Por, nuk kanë kaluar as një javë dhe një 25-vjeçar nga Kodër-Kamza në Tiranë merr peng një autobus me motivin që do të shkonte në Itali. Por nëse do të vazhdojmë vetëm 24 orë pas kësaj ngjarje një tjetër ka ndodhur në Berat, ku një 18-vjeçar është mbajtur peng për 30 minuta.

Vetëgjyqësia, 30-vjeçari merr peng adoleshentin

BERAT - Për 30 minuta një 18-vjeçar është rrahur dhe masakruar nga Ardian Protoduari. Dyshimi se Jonuz Çobo mund t'i kishte vjedhur 8 milionë lekë, i ka mjaftuar Protoduarit për të marrë peng dhe më pas për të rrahur të riun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën në Urën Vajgurore, ku Çobo është marrë me makinë nga 30-vjeçari dhe është dërguar në një banesë të vjetër në fshatin Poshnjë. Aty adoleshenti është përballur për gjysmë ore me torturat nga më të ndryshmet. Disa kalimtarë të rastit kanë lajmëruar policinë për rrëmbimin e tij. Kjo e fundit ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e tyre, por nuk ka arritur që të kapë autorin e rrëmbimit. I riu është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja
Të dielën, rreth orës 13:30, Adrian Protoduari, 30 vjeç, merr peng me forcë në makinën e tij tip "Benz Mercedez", me targa BR 0430 B, Jonuz Çobon, 18 vjeç, të dy banues në Urën Vajgurore. Protoduari e ka çuar më pas adoleshentin në fshatin Poshnjë në një godinë të pabanueshme të braktisur. Burimet nga policia bëjnë të ditur se e ka lidhur me litar në një nga binarët e kësaj godine. Pasi nuk ka marrë përgjigjen e dëshiruar, 30-vjeçari ka filluar ta keqtrajtojë barbarisht për të treguar se mos i kishte vjedhur 8 milionë lekë dhe bizhuteritë në datën 14 shtator. Mësohet se pas 30 minutash torturë, Protoduari e ka lënë aty adoleshentin dhe është larguar më pas.
Hetimet
Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë njoftuar pengmarrjen e adoleshentit. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, policia ka transportuar për në spitalin rajonal 18-vjeçarin për të marrë mjekimet e nevojshme. Sipas policisë, motivi i këtij veprimi ka qenë se 18-vjeçari dyshohej si autor i vjedhjes së banesës së Protoduarit, ku u morën 8 milionë lekë dhe disa bizhuteri. J. Xh.

30 pengmarrjet ne 15 vjet

1. 21 tetor 1995
Tre punonjës të SHIK marrin peng në Tiranë Remzi Hoxhën, një tregtar shqiptaro-maqedonas i duraluminit që punonte në kryeqytet. Pas rrëmbimit, askush nuk jep informacion, sa që nxirret konkluzioni se ai ka vdekur nga rrahja. Në qershor 2003 arrestohen tre drejtues të SHIK, një prej të cilëve lirohet në shtator.
2. 31 tetor 1995
Merret peng Erion Nushi, një fëmijë 5 vjeç. Pengmarrësit i kërkojnë të atit biznesmen një shumë të konsiderueshme parash. Hetimet nxorën se autorë ishin pjesëtarë të organizatës "Hakmarrje për Drejtësi". Kjo është edhe akuza zyrtare e prokurorisë ndaj 11 pjesëtarëve të kësaj organizate.
3. 8 qershor 1998
Merret peng në shtëpinë e tij, Koço Dado, 45 vjeç, një biznesmen i fuqishëm dhe kryetar i Shoqatës së Biznesmenëve shqiptarë. Që nga ajo ditë nuk dihet fati i tij. Pas një jave është dorëzuar një kasetë filmike me pamjen e tij të lidhur në këmbë dhe sytë të zënë me natriban.
4. 9 dhjetor 1998
Merret peng në Tiranë, Petrit Gazheli, një nga biznesmenët më të njohur të konfeksioneve nga Turqia. Gazheli, 45 vjeç, ishte duke ecur me makinën e tij në rrugën e Kavajës, kur persona të panjohur e morën me vete. I kërkonin 2 milionë dollarë, ndërkohë që ai iu dha 400 mijë USD. Pas një operacioni të policisë, ai lirohet.
5. Mars 1999
Tre persona vrasin për një ditë tre policë dhe katër shqiptarë. Më pas ngujohen në një shtëpi, dhe marrin peng një çift me fëmijën e tyre 7 muajsh. Më pas njoftohet policia dhe RENEA. Pas negociatave arrijnë të lirojnë tre pengjet. Pengmarrja përfundon me vdekjen e tre pengmarrësve.
6. 28 maj 1999
Flamur Pisli, 25 vjeç, merr peng tetë persona në një autobus në Selanik të Greqisë dhe kërkon një shumë të madhe parash në këmbim të tyre, si dhe kthimin në Shqipëri. Autobusi futet në vendin tonë, siç kishte kërkuar pengmarrësi. Pisli vritet mëngjesin e 29 majit gjatë një operacioni të RENEA-s në Qafë-Kërrabë të Elbasanit. Së bashku me të humbet jetën edhe njëri nga pengjet.
7. 5 qershor 1999
Katër persona marrin peng Sofie Gogën, 4 vjeçe, nga Kakavija, e bija e një biznesmeni nga Fushë-Bardha e Gjirokastrës. Pengmarrësit kërkuan 50 milionë dhrahmi. Pas disa ditësh familja pagoi 5 milionë dhe pas një aksioni të policisë fëmija lirohet. Arrestohen Myrteza Onja dhe Alfred Shehu nga Fushëbardha, ndërsa dy të tjerë i arratisen.
8. Qershor 1999
Merret peng në Tiranë biznesmeni kinez Li, një tregtar i farmaceutikës. Pesë djem e kishin marrë atë në dyqan dhe më pas u kërkonin familjarëve milionat. Pengmarrësit e mbyllën në një fortifikim në oborrin e shtëpisë përdhese. Pas një jave, policia bëri të mundur lirimin e tij dhe arrestimin e autorëve.
9. 15 korrik 1999
Aleksandër Nana merr peng në Gumenicë, qytezë pranë Selanikut, një autobus me 40 persona dhe kërkon në këmbim 250 mijë dhrahmi. Pas negociatave të para, pengmarrësi lëshon 35 persona dhe niset me autobus në drejtim të Shqipërisë, por nuk lejohet të kalojë kufirin. Ai vritet në momentin kur do të merrte paratë. Nana pretendonte se policia greke e kishte dhunuar dhe i kishte grisur dokumentet.
10. 29 qershor 2002
Halit Nazifi, 35 vjeç, merret peng në Tiranë dhe i kërkohet familjes 1 milionë euro. Personat që e morën tek vila e tij në Allias ishin veshur me uniformë policie. Gjatë operacionit për lirimin e tij, plagoset Gentian Caka, duke dyshuar se në këtë ngjarje është e implikuar "Hakmarrja për Drejtësi", por nuk zyrtarizohet asnjëherë.
11. Dhjetor 2002
Merret peng në Gostivar të Maqedonisë, Irfan Idrizi, imami i qytetit dhe vëllai i biznesmenit të njohur shqiptaro-maqedonas. Më pas pengun e çojnë në Kukës dhe atje në bashkëpunim edhe me disa vendas e mbajnë pengun në këmbim të 2 milionë dollarëve. Pasi është dhënë 1 milionë dollarë, pengu nuk është liruar. Nuk dihet fati i tij, në dhjetor të 2003 policia ka arrestuar 3 persona.
12. 23 prill 2003
Merret peng nipi i biznesmenit të Vlorës, Klajdi Shehu. Në këmbim të të riut pengmarrësit i kërkuan me anë të telefonit biznesmenit Sulo Shehu 10 milionë dollarë. Policia bëri të mundur lirimin e Klajdit dhe arrestimin më pas të pesë pengmarrësve. Ndërsa gjykata e Vlorës ka dhënë dënimin për Besnik Gjata, Elton Ismaili, Luan Saraçi, Besnik Saraçi dhe Julian Metushi.
13. 31 korrik 2003
Dy kosovarë janë marrë peng dhe nën presionin e armëve u janë kërkuar rreth 100 mijë euro, për lirimin e tyre. Ngjarja ka ndodhur pasi dy të rinjtë kanë zbritur nga autobusi i linjës Athinë -Tiranë. Policia e kryeqytetit ka mundur që të prangosë vetëm njërin prej të dyshuarve, Hamdi Calin.
14. 22 shtator 2003
Edmond Zdrava djali i një biznesmeni është marrë peng nga tre "miqtë" e tij. Pengmarrësit kërkonin 10 milionë lekë në këmbim të lirisë. Ndërkohë, pasi e kanë keqtrajtuar, Arjan Morini, Aurel Mio dhe Klodjan Selami, të cilët janë arrestuar nga policia si pengmarrës, e kanë lënë të lirë 17-vjeçarin.
15. 27 dhjetor 2003
Katër fëmijë janë marrë peng në fshatin Pla të rrethit të Hasit, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të familjarëve të tyre dhe të policisë ata janë liruar pas 6 orësh. Policia dyshon se fëmijët janë marrë peng për qëllime përfitimi. Policia bën të mundur arrestimin e tre autorëve.
16. 17 korrik 2004
Merret peng Fatjon Demrilika dhe në shkëmbim të tij pengmarrësit vendosin 100 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur kur Fatjon Demirlika kishte hyrë në një karburant në rrugën "Myslym Shyri" dhe tre ish-shokët e tij, Gjergji Cukali, Ilir Kodumi dhe Ledio Lito e kanë goditur dhe e kanë marrë peng për dy ditë. Ndërkohë, gjykata dënon me 131 vjet burg gjashtë të pandehurit për këtë pengmarrje.
17. 11 nëntor 2004
Merret peng shtetasi kanadez, Pluton Diko. Personat që ndodheshin në makinë i kanë drejtuar armët dhe i kanë vënë kapuç në kokë. Pas denoncimit të familjarëve, Diko lihet i lirë pas 72 orësh. Ndërkohë policia ka bërë të mundur arrestimin e dy prej pengmarrësve.
18. 15 dhjetor 2004
Dy shqiptarë marrin peng 25 pasagjerë grekë. Leonard Murataj dhe Elton Resulaj kanë mbajtur për disa orë peng pasagjerët e autobusit të linjës Tiranë-Athinë. Pas negocimit të vëllait të njërit prej pengmarrësve është bërë i mundur lirimi i pengjeve e më pas policia greke ka bërë të mundur arrestimin e dy emigrantëve shqiptar.
19. 22 janar 2005
Merret peng Izabela Ferra bashkë me vajzën e saj. Në pranga bien si të akuzuar për këtë pengmarrje, Genci Sanxhaku, Fatjon Delia dhe Klodian Memoali. Sipas policisë, shuma ishte 100 mijë euro, të cilën duhet ta paguante një francez i quajtur Alen Monuz. Memoali dhe Delia rifitojnë lirinë, ndërsa Sanxhaku vazhdon të jetë në qeli.
20. 23 janar 2005
Alfred Beqiri, pronari i një punishteje druri në Tiranë, merret peng nga një person, i cili ka paguar 3 mijë euro për një vizë angleze dhe nuk e ka marrë në dorë. Sipas policisë së Tiranës, Beqiri, i cili ka qëndruar 10 orë peng, ka bërë denoncim në polici pasi është lënë i lirë.
21. 7 korrik 2005
Merret peng kryetari i PD-së së Hasit, Behar Kastrati. Pas shumë kërkimesh, trupi i pa jetë i mjekut të Hasit është gjetur në liqenin e Fierzës nga disa fëmijë në 28 gusht. Pas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë vënë në pranga dy vëllezërit, Abedin dhe Qamil Rexha. Gjykata lë në qeli edhe Ibrahim Gecin, si bashkëpunëtor në vrasje.
22. 28 tetor 2005
Merren peng një grua e 3 fëmijët e saj nga ish- kunati. Me thikë në dorë, Sazan Xhemali ka rrëmbyer tre fëmijët e vëllait të ish-gruas së tij, Teutës, bashkë me nënën e tyre. Arsyeja e rrëmbimit ka qenë rikthimi i ish-bashkëshortes së tij në shtëpi. Ndërkohë, pas ndërhyrjes së policisë katër pengjet janë lënë të lirë, ndërsa pengmarrësi është arrestuar nga policia.
23. 29 tetor 2005
Adoleshenti Redi Kola është marrë peng për disa orë dhe është dhunuar nga dy bashkëmoshatarë të tij në rrugën "Siri Kodra" të Tiranës. Më pas 17-vjeçari është braktisur në zonën e Stacionit të Trenit. Pak orë më vonë, policia e Tiranës arrin që të arrestojë njërin nga pengmarrësit, Vjolti Xhafën.
24. 8 shkurt 2006
Merret peng autobusi i linjës Tiranë-Kukës nga dy vëllezër, të cilët kishin për qëllim kryerjen e një akti terrorist. Mbi dyzetë pasagjerë kanë qëndruar për 140 minuta nën ankth dhe kërcënimin e dy vëllezërve, Ramiz dhe Rifat Onuzi. Nga kjo pengmarrja ka mbetur i vdekur polici Fran Kaçorri, një pasagjer dhe shtatë të plagosur, madje dhe një nga vëllezërit. Ndërkohë, pas disa orë negociatash të forcave RENEA, dy vëllezërit u dorëzuan.
25. 27 shkurt 2006
Merret peng nga shokët e tij, më pas gjendet i vdekur. Trupi i Erlin Shapllo është gjetur i vrarë dhe i hedhur në afërsi të fshatit Ferraj. Sipas policisë, arsyeja e marrjes peng e më pas vrasjes se 19-vjeçarit është prishja e pazareve për një armë. Ndërkohë, uniformat blu të kryeqytetit arrestojnë shokët e të riut.
26. 8 gusht 2006
Një punëtor nga Lushnja është marrë peng nga tre durrsakë për 2 milionë lekë të reja. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Gradishtë të Lushnjës, ndërkohë që pengu është lënë i lirë vetëm pas ndërhyrjes së policisë. Riza Dyrmishi ka rënë peng në duart e dy vëllezërve, Gjergji e Ndue Kola dhe mikut të tyre, Fetah Matmuja.
27. 26 shtator 2006
Tre persona i kanë prerë rrugën automjetit tip fuoristradë në pronësi të Banush Ibërliut, ku pas një breshërie automatiku marrin peng 57-vjeçarin. Është dashur ndërhyrja e specialeve të RENEA-s dhe një helikopteri, që situata të marrë fund pa viktima. Ndërkohë, policia është në kërkim të tre autorëve që morën peng pronarin e autobusëve të linjës së këtij fshati.
28. 3 tetor 2006
Avioni i kompanisë "Turkish Airlines" me 113 pasagjerë niset nga aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" në drejtim të Turqisë dhe ndryshon itinerarin, duke u marrë peng nga turku Hakan Ekënxhi. Ky i fundit donte të shkonte në Romë për t'i dërguar një letër Papës. Pas bisedës me pilotin e avionit, turku ulet në Brindisi e më pas vetëdorëzohet te autoritetet italiane.
29. 8 tetor 2006
Adrian Sina, një 25-vjeçar nga Kodër-Kamza ka kërcënuar jetët e 25 pasagjerë të autobusit të linjës Durrës-Tiranë. Kërkesa e tij e vetme: "Më çoni në Rinas, se dua të iki në Itali për të gjetur punë". I ulur fare pranë shoferit Gëzim Gjana, 25-vjeçari ka nxjerrë në mes të rrugës një granatë.
30. 9 tetor 2006
Për 30 minuta, një 18-vjeçar është rrahur dhe masakruar nga Ardian Protoduari. Dyshimi se Jonuz Çobo mund t'i kishte vjedhur 8 milonë lekë i ka mjaftuar Protoduarit për të marrë peng dhe më pas për të rrahur të riun. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të dielën në Urën Vajgurore, ndërsa policia është në kërkim të autorit.

...................................................................................
Krye  

Departamenti amerikan jep këshillat për të mos u gënjyer

Llotaria amerikane, si të mos bini pre e mashtruesve

Dorina TOPOLLAJ

Departamenti i Shtetit, lajmëron të gjithë personat që kanë dëshirë të aplikojnë për lotarinë amerikane, të mos bëhen pre e mashtrimeve. Sipas njoftimit për shtyp, aplikimi do të realizohet vetëm me anë të adresës së internetit dhe se asnjë mënyrë tjetër, nuk do të bëhet e mundur regjistrimi për të fituar lotarinë. "Qeveria amerikane nuk punëson këshilltarë të jashtëm apo shërbime private për të operuar në programin DV. Çdo sekser apo persona të tjerë të cilët ofrojnë asistencë për të përgatitur formularë për aplikantët, e bëjnë këtë gjë pa dijeninë apo autoritetin e qeverisë amerikane" theksohet në njoftimin për shtyp të Departamentit amerikan të shtetit. Sipas tij, asnjë pagesë nuk është e nevojshme për të aplikuar në programin vjetor DV-2008.
Si mund të dalloni mashtrimet
Faqe interneti të cilat paraqiten në emër të Departamentit të Shtetit, mund të pretendojnë se mund t'ju ndihmojnë për të aplikuar, apo për të marrë përgjigjet. Por Departamenti Amerikan jep disa këshilla të cilat mund t'ju ndihmojnë për të dalluar këto mashtrime. "Të gjitha sajtet e internetit që mbarojnë me (gov) janë faqe interneti qeveritare, ndërkohë që faqet me com, org, net, mund të kenë informacion të ligjshëm për emigrimin, por Departamenti i shtetit, nuk i financon ato dhe nuk mban përgjegjësi për informacionet që shfaqen në to" theksohet në njoftim. Ndërkohë, po sipas njoftimit, ka edhe faqe të tjera interneti të cilat pretendojnë se janë zyrtare dhe kërkojnë edhe pagesë për shërbimet apo për informacionet për emigrimin, ndërkohë që në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit, janë falas. "Por janë hasur raste, ku disa kompani të paraqitura në emër të shtetit amerikan, kanë kërkuar para për të "plotësuar" formularin e aplikimit. Asnjë kompani apo organizatë nuk është e autorizuar nga Departamenti i Shtetit për informacione të tilla" theksohet në njoftim.
Përzgjedhja
Aplikantët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri nga gjithë formularët e plotësuar. Ata që do të përzgjidhen, do të njoftohen me postë nga mesi i majit dhe i korrikut të vitit 2008. Njoftimi do të bëhet po nga Departamenti amerikan me anë të emailit. Ndërkohë personat që nuk do të zgjidhen, nuk do të marrin njoftim. Departamenti amerikan, ju tërheq vëmendjen për të gjitha njoftimet e tjera të cilat nuk vijnë nga ky departament, pasi ato nuk janë të sakta.

...................................................................................
Krye  

Mash: Për vendet bosh të depozitohen kërkesat

Të gjithë kandidatët të cilët nuk kanë mundur të rregjistrohen dot, do të depozitojnë kërkesën e tyre pranë fakulteteve përkatëse. Ministria e Arsimit dhe Shkencës pasi të marrë të gjitha të dhënat e detajuara që do të sjellin universitetet për vendet e mbetura bosh, do të njoftojë nesër, e martë 10 tetor 2006, me anën e një udhëzimi të ri, për procesin e mëtejshëm të pranimeve në universitet. Ëështë parashikuar që të mërkurën dhe të enjten (në datat 11 dhe 12 tetor 2006) kandidatët duhet të depozitojnë pranë degëve ku kanë aplikuar kërkesat për regjistrim. MASH do të përcaktojë gjithashtu në këtë udhëzim edhe procedurën e kërkesës dhe datat e regjistrimit për këta kandidatë. Edhe pse me kërkesa, në vendet e mbetura bosh kriteri i përzgjedhjes sërish do jetë numri i pikëve për secilin kandidat. MASH ju bën thirrje edhe një herë të gjithë kandidatëve të depozitojnë kërkesat në datat që do të caktohen në udhëzim, në mënyrë që të regjistrohen brenda afatit.

Për një copë kullotë masakron bashkëfshatarin e tij

SARANDE – Sherri për një copë kullote ka degjeneruar në përdorimin e mjeteve të forta për dy banorë të fshatit Berdenesh, 5 km larg qytetit të Sarandës. Njëri prej tyre bie në dorë të bluve, tjetri në gjendje të rëndë në spitalin e qytetit. Sipas burimeve nga Komisariati i Policisë në Sarandë mësohet se mesditën e së dielës është bërë arrestimi i Vasil Abazit. Arrestimi i 46-vjeçarit Abazi, lindur në Dhëmblan të Tepelenës dhe banor prej disa vitesh në fshatin Berdenesh të Sarandës është bërë për veprën penale të plagosjes rëndë me dashje të një shtetasi tjetër. I ndaluari nga policia, Abazi, ka goditur me mjete të forta Sulejman Murtezain, banor i Berdeneshit, 48 vjeç. Grindja ka ardhur për shkak të një copë kullote, të cilën pretendonin që të dy për ta shfrytëzuar.

Terrorizon lokalin me granatë, kapet nga policia

ELBASAN - Në një dorë gotën, në tjetrën granatën. Policia e Elbasanit ka arrestuar në orën 23.30 shtetasin Arben Shkrepi, 37 vjeç, lindur në Krujë, dhe me banim në lagjen Haxhias në Elbasan, pasi dy ditë më parë, rreth orës 21.30, ka terrorizuar klientët dhe punonjësit e një lokali në lagjen “5 Maji”, ndërsa mbante në dorë një granatë difensive dhe pinte pareshtur alkool. Pasi i është plotësuar dëshira për çfarë ka kërkuar, autori është larguar me granatë në dorë. Pas ngjarjes është lajmëruar policia e Elbasanit, e cila një natë më parë ka mundur të vërë në pranga 37 vjeçarin esëll. Ndaj tij ka nisur çështja penale e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak. Në cilësinë e provës materiale i është bllokuar granata difensive.

...................................................................................
Krye  

 

 Aktualitet
 

Rrugët e bllokuara nga punimet në Tiranë

..
..........................................
  “Ju tregoj pse e mori vëllai im peng autobusin”
..
..........................................
  15 mijë të sëmurë mendorë, potencionalë krimi
..
..........................................
  30 pengmarrjet më të bujshme në 15 vjet
..
..........................................
  Llotaria amerikane, si të mos bini pre e mashtruesve
..
..........................................
  Shkurt
..
..........................................