Klasifikimi i kryer nga revista britanike “Tatler”  
   
Kush janë biondet më të pushtetshme të botës  
     

Klementina CENKOLLARI

Kush janë biondet më të fuqishme të botës? Vajza e manjatit të medias, Rupert Murdoch, Elisabeth, dhe e dashura e princit Harri të Anglisë, Chelsy Davy. Të paktën sipas një liste të revistës britanike “Tatler” publikuar nga e përditshmja “Daily Mail”. Revista e ka cilësuar Chelsy Davy, 20-vjeçaren afrikano-jugore si “fytyrën e re mbretërore”.
Dhjetëshja e parë
Elisabeth Murdoch, vajza e Rupert qëndron në krye të listës, ndërsa në vendin e tretë pas Chelsy qëndron Cristina Green, bashkëshortja e një prej njerëzve më të fuqishëm të modës, Philip Green. Ndërsa Carole Bamford, gruaja e miliarderit Sir Antony, është në vendin e katërt. E pesta qëndron 19-vjeçarja Lily Donaldson, e cila është konsideruar si supermodelja e ardhshme, e cila ka “hiret e Kate Moss, por jo veset e saj të këqija”. Dukesha e Kornuollit dhe bashkëshortja e princit Charles, Camilla Parker qëndron në vend të gjashtë. “Ajo është prova e gjallë se biondet marrin atë që duan në fund të fundit”, shkruan revista duke iu referuar lidhjes së saj të gjatë e plot pengesa me princin e Uellsit. Aktorja britanike Sienna Miller është në vend të shtatë në klasifikim, falë statusit të saj si ikonë mode. I vetmi mashkull në dhjetëshen e parë është Nick Rhodes, këngëtari i “Duran Duran”, i cili gjendet në vendin e tetë. Revista “Tatler” e ka cilësuar atë si një prej më të kërkuarve ndër të ftuarit e festave në Londër. Pas bashkëshortes së Dukës së Uestminister, Natalia, vjen Irina Abramovich. Ajo është biondja e cila prej stjuardese është kthyer në bashkëshorten pronarit miliarder rus të “Chelsea FC”.
Klasifikimi
Lista e plotë e 100 biondeve dhe biondëve më të pushtetshëm në botë do të shfaqet së shpejti në treg bashkë me revistën “Tatler”, ndërkohë që e përditshmja britanike “Daily Mail” ka dhënë paraprakisht një listë të dhjetëshes së parë. Gjithashtu sipas “Daily Mail”, Gordon Ramsay, Zara Phillips dhe David Beckham përfshihen në 25 vendet e para. Bibla e shoqërisë mondane “Tatler” gjithashtu ka cilësuar edhe listën e “personave që u japin biondeve emër të keq”. Aty përfshihet Ulrika Jonsson, Paris Hilton dhe Peaches Geldof.

1. Elisabeth Murdoch, vajza e manjatit të medias, Rupert Murdoch
2. Chelsy Davy, e dashura e princit Harry të Anglisë
3. Cristina Green, bashkëshortja e manjatit të modës Philip Green si dhe gruaja më e pasur e Britanisë
4. Carole Bamford, bashkëshortja e miliarderit Sir Antony, president i kompanisë “JCB”
5. Lily Donaldson, 19-vjeçarja e cila është cilësuar si supermodelja e ardhshme
6. Camilla Parker Bowles, prova e gjallë se biondet në fund marrin atë që duan
7. Sienna Miller qëndron në vend të shtatë falë statusit të saj si ikonë mode
8. Nick Rhodes, këngëtari i grupit “Duran Duran” qëndron në vend të tetë
9. Natalia Uestminster, bashkëshortja e Dukës së Uestministerit
10. Irina Abramovich, bashkëshortja e pronarit miliarder rus të “Chelsea FC”

Përgatiti:Blendina CARA

...................................................................................
Krye  

Flet 26-vjeçarja, Manuela Shane: Erdha nga Saranda në Tiranë për sigurinë e djalit

“Dëshiroj që im bir të bëhet mjek”

Klementina CENKOLLARI

Dëshira për të shijuar vitet e para të martesës pa më të voglin shqetësim, ka qenë edhe arsyeja kryesore që çifti Shane të bëhet me fëmijë vetëm pas 5 vitesh jetë bashkëshortore. “Vendimi për të sjellë një fëmijë në jetë pas një kohe relativisht të gjatë pas martese e kemi marrë që kur kemi qenë të dashuruar dhe tani që ai lindi jemi të sigurt që kemi bërë gjënë e duhur”, shprehet nëna.
Duket që të njëjtin mendim ndan edhe babi i foshnjës.
Lindja
26-vjeçarja nga Saranda tregon për “Tirana Observer”, se ka ardhur në kryeqytet enkas për të lindur vogëlushin dhe kjo për të qenë sa të më sigurt që çdo gjë do të shkonte mirë. “Për mua dhe bashkëshortin ishte shumë e rëndësishme të kujdeseshin shumë mirë për djalin, pikërisht për këtë arsye vendosëm të vijmë në maternitetin e Tiranës”, thotë ajo. Ekon e parë Manuela e ka bërë kur ishte 2-muajshe, vizitë e cila bëri konfirmimin edhe ekzistencën e një fëmije. Ndërkohë që për të mësuar gjininë e fëmijës, ata kanë pritur të kalojnë gjashtë muaj, pasi për ta nuk ka qenë shumë e rëndësishme të mësonin nëse fëmija i parë do të ishte një djalë apo një vajzë. “Për ne mjaftonte që ai të kishte një shëndet të mirë, gjinia vendosej në plan të dytë”, thekson nëna. Ajo e kujton shtatzëninë si një periudhë shumë të veçantë të jetës së saj të cilën më shumë e zbukuronin lëvizjet e fëmijës. “Prisja me padurim goditjet e tij, sepse më vërtetonin se ai vazhdonte të rritej brenda meje”, vazhdon 26-vjeçarja. Manuela thotë se pavarësisht operacionit lindja e djalit nuk i është dukur e vështirë dhe e gjithë frika dhe ankthi i saj u shuan menjëherë pas së qarës së parë të vogëlushit. “Kur djali erdhi në jetë ndjeva se zemra filloi të shtojë rrahjet e saj, të mbash fëmijën tënd në krahë është emocioni më i bukur që mund të përjetojë një femër”, thekson Manuela. Megjithëse njëditësh për vogëlushin nuk mungojnë dhe dëshirat e para të nënës për të pasi të kenë kaluar shumë vite. “Do të doja shumë që profesioni i tij i ardhshëm të jetë ai i mjekut, më pëlqen të ketë një mjek në familje”, thotë ajo.
Emri
Ende nuk është vendosur se cili do të jetë emri që do të mbajë vogëlushi. E vetmja gjë e sigurt është se ai do të përzgjidhet nga të dy prindërit, por kjo pasi ata të rikthehen në Sarandë. Ndërkohë që për veshjet e vogëlushit prindërit kanë nisur të mendojnë që në muajin e tetë të shtatzënisë. Përveç rrobave të blera nga ana e nënës dhe punimeve më dorë të gjyshes, për djalin nuk kanë munguar edhe shijet e babait, i cili ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjen e rrobave. Ndërkohë që dhoma e gjumit është gati. “Dhoma e tij është gati dhe të gjitha orenditë janë bojëqiell me të bardhë, si kaltërsia e detit në Sarandë”, shprehet Shano.

Nena
Pavarësisht se i është nënshtruar një operacioni, gjendja aktuale shëndetësore e nënës rezulton shumë e mirë. Mjekët shpjegojnë se veç shqetësimeve të zakonshme që paraqet çdo nënë që sapo ka lindur një fëmijë, asnjë komplikacion nuk është shfaqur në trupin e nënës. Nisur nga ky fakt, specialistët e maternitetit kanë vendosur që nëna të rikthehet në shtëpi pas 8 ditësh.

Mjeket
Manuela falënderon të gjithë mjekët dhe mamitë e spitalit obstetrik gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” për kujdesin dhe ndihmën e ofruar nga të gjithë ata. “Puna e shkëlqyer e tyre ka bërë më të lehtë qëndrimin tim në ketë maternitet”, thotë Shano. Një falënderim i veçantë shkon për mjeken Gilbert Hatibi, e cila ka asistuar në lindjen e vogëlushit.

Kartela
Në regjistrin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” foshnja shënohet me numrin 394. I njëjti numër lidhet edhe në dorën e djathtë të Manuela Shane, e cila provon për herë të parë emocionet e të ndjerit nënë.

Pesha
Vogëlushi është 3 kilogramë e 400 gramë. Nisur nga të gjitha kontrollet që i ishin bërë fëmijës gjatë shtatzënisë, mjekët shprehen se kjo ishte pesha e pritur e djalit, e cila konsiderohet normale për një të porsalindur.

Gjatesia
Djali është 47 centimetër i gjatë. Ai rezulton të jetë një ndër fëmijët më të shkurtër në dhomën e të porsalindurve, por përpos këtij fakti mjekët theksojnë se duke parasysh peshën e fëmijës, gjatësia është normale.

Gjendja psikofizike
Vetëm një ditë pas lindjes së vogëlushit, pas të gjitha analizave që i janë bërë, si gjendja mendore dhe ajo fizike e tij duken të jenë pa asnjë komplikacion, gjendje e cila nuk pritet të ndryshojë as në të ardhmen.

...................................................................................
Krye  

Trillimet që meshkujt kishin ngritur mbi orgazmën femërore, kundërshtimet

Katër legjendat për orgazmën

Legjenda e parë
Gratë nuk kanë fantazi të veçanta seksuale

Gaboni nëse ende sot keni këtë mendim, pasi sipas sociologëve femrat nuk e kanë aspak problem t'u tregojnë meshkujve se si ndihen. Megjithatë, ka femra që flasin në mënyrë të hapur për dëshirat e tyre, e megjithatë jo me partnerin. "Nëse meshkujt do të dëgjonin ato që i rrëfejmë njëra-tjetrës, do të çmendeshin. E disa të tjerë do t'ia mbathnin", paralajmëron Laura Rivolta, seksologe në Milano. Interesante... Por problemi qëndron në pikën si t'ia bësh për të qenë në sintoni. Si t'ia mbushësh mendjen një femre që të t'i tregojë ty fantazitë e veta seksuale dhe jo mikeshave? Përgjigjja është e thjeshtë: Duke bërë pyetje. Fillo duke i treguar disa nga mendimet dhe fantazitë e tua: Asgjë nuk është më e efektshme sesa ky tregim i pikave të tua të dobëta, kjo e bën dikë tjetër që të të hapet më lehtë.
Legjenda e dytë
Parapërgatitja duhet të zgjasë me orë

Ekziston një gjë për të cilën kanë rënë dakord shumica e femrave: Ndonjëherë duan ndonjë të shpejtë. Surpriza e një seksi të papritur, në këmbë apo në një vend të pazakontë, është stimuluese për femrat, po aq sa edhe për meshkujt. "Disa meshkuj, duke u përpjekur të jenë të ndjeshëm dhe të plotësojnë nevojat e partneres, mendojnë se seksi i shpejtë është i ndaluar", thonë seksologët. E megjithatë është e rëndësishme të mësohet se edhe femrat e duan një të shpejtë. Dhe ja dhe një tjetër shok: Kur burrat dhe gratë arrijnë tek të tridhjetat, ndryshon edhe nevoja dhe dëshira e tyre për fazën përgatitore. "Kur kemi pyetur meshkujt nga 35 vjeç e lart, se cila ishte pjesa më e mirë e një marrëdhënieje seksuale, paradoksalisht na u përgjigjën: Faza parapërgatitore", thotë David Quadagno, profesor biologjie në Angli.
Legjenda e tretë
Asaj i pëlqen vetëm butë

Kjo legjendë është ngritur mbi supozimin që femrat janë të ndryshme në një mënyrë të çuditshme, dhe pikërisht për këtë, kërkojnë më tepër kujdes dhe vëmendje edhe në "ato" momente. Por së fundmi, psikologët kanë pranuar se nga pikëpamja seksuale, femrat nuk janë shumë më të ndryshme nga meshkujt, pranojnë psikologët. Ashtu si edhe meshkujt, shpesh femrat pëlqejnë një seks pa përkëdheli, shumë prej tyre madje pëlqejnë edhe të kapen me vendosmëri dhe me forcë nga partneri i tyre herë pas here. Është mjaft i përhapur një mendim se sensualiteti mashkullor është brutal. Në të kundërt, seksologët mendojnë se seksi, duhet, dhe mund të jetë spontan dhe instiktiv nga ana e të dy partnerëve. Edhe pse kjo sjell rrezikun që të dy partnerët të mund të veprojnë në një mënyrë që mund të duken si agresive ndaj njëri-tjetrit.
Ideja e një mashkulli që pyet: "A të pëlqen të bëj kështu e dashur?" apo "të pëlqeu zemër?" mund t'i pëlqejë ndonjërës, por nuk ekzistojnë prova që kjo është ajo që preferojnë shumica e femrave.
Legjenda e katërt
Nëse e shtrydh të përgjigjet

Ndonjëherë mund të kesh dëgjuar se mënyra e vetme për t'i dhënë kënaqësi një femre është ta prekësh në "atë" pikën e veçantë. Ky besim u përhap në vitet '70 kur një grup kërkuesish të seksit, të udhëhequr nga Masters e Johnson, duke u bazuar mbi studimet e mëparshme të Kinseyt e të ndonjë tjetri, arritën atë përfundim që në atë kohë u duk si maja e njohurive seksuale: Që orgazma femërore i detyrohej ekskluzivisht një cope të vogël mishi ku ishin përqendruar të gjitha fijet nervore që quhet klitor dhe meqenëse ky gjendej jashtë vaginës ata arritën në përfundimin se në një raport seksual forma e çiftosjes më e vlerësuar deri në atë kohë nuk ishte më një pjesë e rëndësishme për të arritur në orgazëm. Fundi i diskutimit: Organi mashkullor nuk ishte më i nevojshëm. E pastaj, po në vitet '70 u prezantua edhe diçka më e ekzagjeruar: Një grup mendimtaresh feministe përfituan nga këto kërkime për t'i nxjerrë meshkujt seksualisht të panevojshëm. Pra, mesazhi ishte "Ne femrat nuk kemi më nevojë për ju".

Seksi ndihmon në luftën kundër reumatizmës

Jeta e rregullt seksuale i zbut dhembjet reumatike. Këtë e thotë mjeku gjerman Klaus Shmiti nga Minheni. Sipas fjalëve të tij, seksi ndihmon lëvizshmërinë e gjymtyrëve dhe i pakëson dhembjet. Me këto vlerësime dr. Shmiti përpiqet ta hedhë poshtë mendimin tradicional të reumatikëve se jeta seksuale i nxit dhembjet e gjymtyrëve, për ç'gjë shumë njerëz të sëmurë, siç shënon mjekësia, e humbin vullnetin për dashuri trupore. Gjithashtu ai shton se kush ka halle të pagjumësisë le të bëjë dashuri! Kjo është porosi e profesorit Ingmar Dureman, ligjërues i psikologjisë në Universitetin e Upsalit, i cili në bazë të hulumtimeve afatgjata shkencore ka vërtetuar se dashuria i pakëson pasojat negative të pagjumësisë. Në hulumtimet e veta dr. Duremani është nisur nga faktet se çiftet e reja dhe në përgjithësi çiftet erotike arrijnë që me ditë dhe net të tëra të rrinë zgjuar, duke përfunduar se dashuria e largon nevojën për të fjetur.
Marrë nga revista "Mjekësia"

Seksi më i shëndoshë se vrapimi

A është më mirë të bëhen 60 minuta seks apo të vrapohet ngadalë në parkun pranë shtëpisë? Pyetja ndoshta duket sharlatane. Por tani sipas specialistëve janë dëshmitë se dashuria për organizëm është më e shëndoshë sesa vrapi, sporti, palestra, tenisi etj. Sipas specialistëve që kanë analizuar përreth një vit marrëdhëniet e mashkullit dhe të femrës, ata që vrapojnë ose merren me aktivitete fizike gjatë gjithë javës, janë më pak të kënaqur dhe të qetë sesa të tjerët që rregullisht kënaqen në seks. Do të thotë, në 87 për qind të rasteve seksi është dëshmuar më i mirë sesa vrapimi në pyll, të paktën kur është fjala për tensionin e gjakut dhe për harmoninë psikike. Por megjithatë duhet të pranuar që ata të cilët merren rregullisht me sport, më lehtë dhe më shpesh e përjetojnë kulminacionin e kënaqësisë sesa ata që nuk merren me sport. Arsyeja: Tipat sportivë kanë konstrukt më të mirë trupi dhe janë më të kënaqur me pamjen e vet, gjë që ua bën të mundur një kënaqësi më të vetëdijshme dhe më spontane.
Marrë nga gazeta "Mjekësia"

Fjalori i seksit

Bacterial vaginosis
(Vagine me bakterie)

Shkarkimi vaginal që prek 12-20 % të grave në moshë riprodhuese dhe shkakton erë të pakëndshme është debatuar gjatë, nëse është seksualisht e transmetueshme pasi është shfaqur edhe tek femrat e virgjra. Specialistët shprehen se kjo sëmundje mund të shkaktohet nga mospastrimi i duhur i vaginës, përdorimi i sapunit, xhelit të dushit, ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë ciklit menstrual, faktorë gjenetikë dhe sperme të mbetur në vaginë pas një akti seksual të pambrojtur. Mjekimet bëhen vetëm me rekomandimet e mjekut.

Bestiality
(Brutalitet ose shtazëri)

Marrëdhënie seksuale mes një njeriu dhe një kafshe. Kjo lloj marrëdhënieje konsiderohet ilegale në shumë vende.

Bisexual
(I dygjinishëm)

Të ndihesh seksualisht i tërhequr si nga femrat dhe nga meshkujt.

Breasts
(Gji, gjoks)
Vajzave u formohet gjoksi duke filluar nga faza e pubertetit dhe vazhdon t'u rritet për disa vjet me radhë derisa përfundon zhvillimi gjinor. Forma dhe madhësia varet nga formimi i trupit dhe hormonet, i cili është i ndryshëm në femra të ndryshme. Për çdo shenjë apo ndryshim që vëreni në gjoksin tuaj duhet të informoni mjekun, në mënyrë që të parandaloni sëmundjen.

Marrë nga CBS-NEUS

 
.................................................................................
Krye  

 



Speciale
  “Dëshiroj që im bir të bëhet mjek”
..
..........................................
  Katër legjendat për orgazmën
..
..........................................