Bilbil Mete: Arrestimi i anëtarëve të PBKD është bazuar në ligj
Prokurori: Janë falsifikuar edhe tri firma të tjera
Aulona KADILLARI
Duket se falsifikimi i firmave për kanididimin e
Akile Ramës si kryetar bashkie i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat nuk ka qenë vetëm me një firmë. Prokurori i çështjes, Bilbil Mete, në një konferencë për shtyp pohoi se janë kryer manipulime edhe me firmën e deputetit Gëzim Karapici. Madje jo vetëm kaq, pasi falsifikimi i ka kaluar kufijtë e Tiranës, duke shkuar deri në Fier. Në konferencë prokurori i çështjes, Bilbil Mete u shpreh se “më datën 30 janar 2007, prokuroria, në zbatim të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës, ka regjistruar procedimin penal dhe ka zhvilluar hetime objektive dhe të paanshme për falsifikimin e dokumenteve që u janë drejtuar Komisioneve Zgjedhore për Qeverisjen Vendore, në ngarkim të kryetarit të Partisë së Ballit Demokrat(PBKD), Artur Roshi, sekretarit të kësaj partie, Çelo Hoxha dhe shefit organizativ, Tomor Gostivari”. Këta të fundit janë arrestuar tri ditë më parë me akuzën e falsifikimit. Ndërkohë, sipas prokurorit Mete, për caktimin e masave të sigurimit i janë drejtuar kërkesat respektive gjykatës së Tiranës. Më tej ai shtoi se organi gjykues ka vendosur masën arrest në burg për kryetarin e partisë, Artur Roshin dhe Çelo Hoxhën, ndërsa për Tomorr Gostivarin, arrest shtëpie. Prokuroria
“Ne kemi zbatuar vetëm ligjin. Nuk jemi ndikuar aspak nga politika, por vetëm nga e vërteta dhe ligji”. Kështu ka deklaruar në konferencën për shtyp prokurori i çështjes së falsifikimit të firmës së Akile Ramës, Bilbil Mete. Pas akuzave të hedhura në drejtim të organit të akuzës, ky i fundit tregon se asnjë nga arrestimet nuk ka motive politike. Madje për këtë Mete tregon se ka prova të plota dhe ekzaminime grafike që vërtetojnë shkencërisht falsifikimin e nënshkrimit të të ndjerit Akile Rama, por edhe të dy personave të tjerë në rrethin e Fierit. Janë kryer manipulime edhe me firmën e deputetit Gëzim Karapici. “Deputeti ka deklaruar se nuk di asgjë për mbështetjen, gjoja prej tij, të të ndjerit Akile Rama si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë”, tha prokurori Bilbil Mete. Firma false
“Janë falsifikuar jo vetëm nënshkrimet, por dhe një numër formularësh ku paraqiteshin fiktivisht si kandidatë personave që u është falsifikuar firma”, pohoi prokurori i çështjes, Bilbil Mete. Kështu, pas hetimeve të organit të akuzës është bërë i mundur arrestimi i kryetari të Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat si dhe të sekretarit të Përgjithshëm dhe atij Organizativ. “Sikurse dihet nga të gjithë, kohët e fundit Shqipëria ka ratifikuar edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian ku, ndër të tjera, theksohet se vendi ynë angazhohet për zgjedhje të lira e të ndershme. Interesat e Shqipërisë janë shumë më të mëdha se interesat e partive, kushdo qofshin ato. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, qofshin këta politikanë apo gazetarë”, përfundoi prokurori Bilbil Mete.
Arrestimet e anëtarëve të PBKD-së
Arrestohet sekretari i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Demokrat, Çelo Hoxha, falsifikoi firmën e Akile Ramës. Pas një urdhri të prokurorisë së Tiranës, polica ka prangosur redaktorin e gazetës “Tema”. Burime nga policia e kryeqytetit bënë të ditur se Hoxha akuzohet se ka falsifikuar firmën e Akile Ramës, duke bërë që ky i fundit të ishte kandidati për bashkinë e Tiranës për Partinë e Ballit Kombëtar Demokrat. Të njëjtat burime bënë të ditur se arrestimi i tij është parë si sekretar i Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, por edhe si redaktor i gazetës “Tema”. Burime nga uniformat blu bënë të ditur se në Drejtorinë e Policisë është vetëdorëzuar dy ditë edhe kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
“Dritarja e hapur” mbyll në qeli 67-vjeçarin Avdyl Lushaj, në kërkim kosovari Hysen Kamberi
Trafiku i drogës, bllokohen 350 kg hashash
Etleva DELIA
Arrestohet me akuzën e
trafikimit të drogës 67-
vjeçari nga Tirana dhe shpallet në kërkim si bashkëpunëtor i tij një kosovar. Prangosja e Avdyl Lushajt ndodhi pasi atij i janë gjetur 350 kilogramë marijuanë, të paketuara dhe të futura nëpër çanta gati për trafikim. Gjithçka është bërë e mundur nga operacioni i Antidrogës së Tiranës, i koduar “Dritarja e Hapur”. Droga është gjetur në banesën ku qëndronte 67-vjeçari Lushaj, e cila ishte në pronësi të Gani Hasanpapës, i cili aktualisht është emigrant në Itali. Ndërkohë burime nga policia bënë të ditur se, kosovari Hysen Kamberi është shpallur në kërkim, pasi rezulton të jetë i përfshirë në këtë trafik. Të njëjtat burime bënë të ditur se, linja e trafikut të marijuanës dyshohet të jetë Kosovë-Tiranë-Itali. Vetëm dy ditë më parë, në kryeqytet u arrestuan dy persona për shitje lëndësh narkotike. Laurela Zani, 35 vjeç, pronare e farmacisë “LELA” dhe Lulëzim Xhambazi, 25 vjeç, i dënuar më parë për shitje të lëndëve narkotike, u kapën në flagrancë teksa po shkëmbenin një sasi droge. Këta persona u kapën në flagrancë në ambientet e farmacisë “LELA”, në momentet e shkëmbimit të lëndës narkotike, që ishin 13 ampula fentanyl, të cilat i shisnin bashkë me ilaçet. Arrestimi
Policia e kryeqytetit në një operacion të koduar “Dritarja e Hapur” bllokoi dje në një banesë në Tiranë, 350 kilogramë bimë narkotike të llojit marijuanë, si dhe arrestoi një person, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Burime nga policia bënë të ditur se, kjo sasi droge iu gjet dhe bllokua në cilësinë e provës materiale Abdyl Lushajt, 67 vjeç, banues në Tiranë. Sipas burimeve, 67-vjeçari Lushaj u arrestua në flagrancë me 350 kilogramë marijuanë, në banesën e Gani Hasanpapës, i cili aktualisht është emigrant në Itali. Ndërkohë nga hetimet e deritanishme, rezulton se i përfshirë në këtë trafik është edhe kosovari Hysen Kamberi, i cili është shpallur në kërkim. Trafiku
Pista e parë që është ngritur nga policia e Tiranës, për 350 kilogramë marijuanë që u gjetën në një banesë, është ajo e trafikut të drogës, ku Shqipëria është vendi tranzit. Burime nga policia bënë të ditur se, droga e sekuestruar dyshohet ta ketë prejardhjen nga Kosova ose Mali i Zi dhe duke kaluar nëpër Tiranë ishte e destinuar për shitje në Itali.
DROGA NE FARMACI
Laurela Zani, 35 vjeç, pronare e farmacisë “LELA” dhe Lulëzim Xhambazi, 25 vjeç, i dënuar më parë për shitje të lëndëve narkotike, u kapën në flagrancë teksa po shkëmbenin një sasi droge. Burime nga policia bënë të ditur se, këta persona u kapën në flagrancë në ambientet e farmacisë “LELA”, në momentet e shkëmbimit të lëndës narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua 13 ampula lëndë narkotike të llojit fentanyl, një “Mercedes Benz” me targë TR 6732 K dhe një aparat telefoni. Të njëjtat burime pohuan se, drogën ata e shisnin bashkë me ilaçet.
HEROINA NE KORÇË
Rreth 10 kilogramë heroinë me destinacion Greqinë u bllokua paraditen e djeshme, në hyrje të qytetit të Bilishtit, nga agjentët e Antidrogës, të cilët kanë shoqëruar dhe dy persona. Burime nga policia bënë të ditur se, heroina u bllokua në afërsi të një pike karburanti. Policia lokale që kishte ngritur një postbllok në hyrje të qytetit ka ndaluar një automjet, që sipas informacioneve ishte me targë Tirane, ku dhe ka zbuluar sasinë e drogës dhe është shoqëruar në komisariat 43-vjeçari, Gj.Trasha bashkë me një mikun e tij.
Arrestimi i redaktorit të gazetës “Tema” nuk ka kaluar në heshtje nga kolegët e tij. Dje gazetarët e të përditshmes kanë protestuar përpara gjykatës së Tiranës për arrestimin e Çelo Hoxhës. Sipas tyre, prangosja e kolegut të tyre nuk është e drejtë dhe se edhe masa e sigurisë është shumë e vonuar. Kështu, për afro 30 minuta, gazetarët e gazetës “Tema” së bashku me kryeredaktorin Mero Baze kanë qëndruar përpara derës të gjykatës së kryeqytetit. Sipas gazetarëve, arrestimi i kolegut të tyre është për motive politike dhe se kjo tregon se dhunohet shtypi i lirë. Ndërkohë, sot organi gjykues do të vendosë edhe për masën e sigurisë të të arrestuarve, të sekretarit të përgjithshëm dhe redaktorit të gazetës “Tema”, Çelo Hoxha dhe kryetarit të Partisë së Ballit Kombëtar Demokrat, Artur Roshi.
Një muaj fushatë, u angazhuan 2381 policë
Për 474 tubime që janë zhvilluar në kryeqytet gjatë fushatës elektorale, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka aktivizuar në shërbime speciale 2381 uniforma blu. Ky shërbim, i shoqëruar edhe me 324 automjete policie, ka zgjatur afërsisht një muaj nga data 18 janar deri më datën 16 shkurt 2007. Burime nga policia bënë të ditur se gjatë kësaj periudhë janë kryer 3874 shërbime policore, që me një përllogaritje të thjeshtë i bie të jenë kryer 619 shërbime ditore në takimet elektorale. Të njëjtat burime bënë të ditur se uniformat blu të Tiranës kanë marrë në mbrojtje një ditë para votimeve 718 qendra votimi dhe 40 komisione zgjedhore. Sipas policisë në qendrat e votimit gjatë ditës së votimit nuk kanë ndodhur incidente të rënda, por kur në disa prej tyre u pengua zhvillimi i rregullt i votimit dhe u cenua rendi, policët kanë ndërhyrë me vendim të KQV-së dhe menjëherë pas normalizimit janë larguar sërish. Burimet pohuan se detyrë tjetër e rëndësishme për punonjësit e policisë, ka qenë dhe shoqërimi i materialeve zgjedhore, i kutive të votimit dhe garantimi i mos prekjes së tyre nga të tretët nga qendrat e votimit për në vendin e numërimit të votave, proces gjatë të cilit nuk janë evidentuar probleme. Gjatë procesit të numërimit të votave, në disa raste të veçanta ka pasur tensione në vendet e numërimit të votave. Strukturat policore që menaxhonin ruajtjen e këtyre vendeve kishin marrë porosi dhe detyra konkrete për monitorimin e të gjithë ambienteve përreth objekteve zgjedhore. Nga ana e policisë së Tiranës, një javë më parë u morën masa të veçanta sigurie dhe u përforcuan shërbimet policore pranë qendrës së numërimit në komunën e Ndroqit, për të parandaluar konfliktet e mundshme ndërmjet mbështetësve të irrituar të dy koalicioneve politike. Procesi i numërimit në këtë qendër ndërpritej herë pas here si pasojë e debateve të ashpra ndërmjet komisionerëve, të cilët në fund u shoqëruan me konfrontime fizike e të dhunshme. Policia ndërhyri menjëherë me thirrjen verbale të komisionerëve, të cilët më pas lëshuan vendimin përkatës. Menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe policia në bashkëpunim me prokurorinë kryhen veprimet hetimore dhe u arrestuan në flagrancë tre komisionerë të kësaj qendre.
Eksperti i Bankës së Kursimeve:
Janë vjedhur 152 milionë lekë
Eksperti kontabël i Bankës së Kursimeve përcakton shumën e vjedhur në agjencisë numër 4 në Tiranë, në vitin 2004. Në seancën e djeshme në gjykatën e kryeqytetit ai ka përcaktuar se gjashtë arkëtaret e akuzuar për vjedhje në bashkëpunim kanë marrë, 152 milionë lekë të reja. Gjyqi në mungesë në ngarkim të Alketa Palushit, Elona Gaçes, Fiqerete Becit, Frida Petrelës, Liljana Mengës dhe Luljeta Goxhaj ka vazhduar me dëshminë e përfaqësuesit të bankës, i cili pasi ka bërë të gjitha ekspertimet e duhura ka treguar se shuma e vjedhur në agjencisë numër 4 është 152 milionë lekë të reja. Vjedhjen e kësaj shumë të madhe parash e ka vënë re një punonjëse i agjencisë, i cili ka lajmëruar drejtorin e Përgjithshëm, se në sportelet e agjencisë ku punonte, janë bërë shkelje në dokumente. Ish-drejtori Ardian Kamberi ka denoncuar në prokurori këtë dhe më pas ky institucion pas hetimeve ka nxjerrë se arkëtaret kanë falsifikuar firmat e klientëve duke futur në xhepin e tyre shuma të madha parash në kohë të ndryshme. Kjo ka bërë që pas kallëzimit të akuzuarat për vjedhje ne bashkëpunim të largohen jashtë vendit duke bërë më të vështirë punën e organit të akuzës. Por prokuroria pas hetimeve intensive dërgon në gjyq gjashtë arkëtaret e agjencisë numër 4 të Bankës së Kursimeve. Ndërkohë, policia e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar arkëtaret e akuzuara, të cilat sipas uniformave blu dyshohet se janë jashtë Shqipërisë.
“Ndihmoni fëmijët jetim
të rriten në kushte normale”
Më shumë respekt dhe dinjitet për njeriun
në nevojë”. Kjo ka qenë thirrja që drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, z. Ilir Çumani, ju ka drejtuar kryebashkiakëve dhe kryekomunarëve në gjithë Shqipërinë, të zgjedhur më 18 shkurt 2007. Ne, është shprehur Çumani, ajo çfarë duam t’u themi sot drejtuesve të rinj lokalë, është se asnjëherë dhe në asnjë rast nuk duhet t’i lejojnë vetes të jenë indiferentë, pa i hedhur sytë te numri i madh i njerëzve, veçanërisht tek fëmijët që dergjen në varfëri e analfabetizëm në luftën e përditshme për të mbijetuar. Theksin kreu i jetimëve e ka vënë te gjithë ata fëmijë që janë rritur apo po rriten jetimë. Sot, institucioni i Shërbimit Social Shtetëror mbulon me ndihmë sociale 65-67 për qind të njerëzve që janë në nevojë, numri i të cilëve arrin në 464.800, ose 14 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë. Nga këta, 184.000 janë fëmijë, ku më shumë se 2/3 e tyre jeton nën minimumin jetik dhe përballen me ekstremin e varfërisë në luftë me mbijetesën. Afro 100.000 persona janë me aftësi të kufizuara, 32.000 është numri i fëmijë jetimë në mbarë vendin, ku 400 prej tyre trajtohen sot në 10 qëndra rezidenciale shtetërore që janë nënë juridiksionin e shtetit dhe 360 të tjerë në 16 qëndra rezidenciale joqeveritare.