Njohja dhe jeta e Nora Goxhit me Arben Mingën
 
   
Dashuria që lidhi dy yjet e sportit shqiptar
 
 
 

Leonard KARAJ

Të dy shkëlqenin tek "17 Nëntori". Ajo ishte një gjatoshe e re dhe e bukur, që i linte gojëhapur trajnerët e basketbollit. Ndërsa ai, një djalë gjashtë vjet më i madh, që ishte pozicionuar mirë po në të njëjtin klub, por që sot mban emrin "Tirana". Njohja e tyre kishte filluar që shkollën e mjeshtërisë sportive në Tiranë, por që do t'i afronte më shumë pas përfundimit të institutit "Vojo Kushi". "Për një kohë të gjatë ne të dy kemi qenë sportistë të Klubit Tirana dhe një moment të caktuar u lidhëm për të qenë shokë jete, lidhje kjo që qëndroi njësoj e fuqishme gjatë jetës sonë bashkëshortore", kujton për lidhjen e tyre Nora, në një ditë të dhimbshme si kjo, kur shoku i saj i jetës prej një muaji nuk jeton më.
Megjithëse kanë kaluar vite, njerëzit e kujtojnë me nostalgji lidhjen e tyre që bëri bujë, jo vetëm se ata ishin kthyer në idhuj të tifozëve të kryeqytetit, por dhe se ishin një nga çiftet më të bukura në botën e sportit. Një bashkëjetesë e vështirë, po të mendohet nga lëvizjet e shumta, emocionet e ndeshjeve nga të dyja palët, mungesat në familje, por që nga ana tjetër bënte edhe më të fortë dashurinë dhe respektin mes tyre. 16 vjet më parë çifti iu gëzua edhe lindjes së dalit të parë, Gridit, ngjarje që përshkruhet plot emocione edhe nga Nora. Ndërsa vitet 1999-2000 e gjetën Benin dhe Norën në Kanadanë e largët, ku edhe sollën në jetë Jonin, djalin e dytë të tyre.
Për Nora Goxhin, Arben Minga nuk ka qenë thjesht një bashkëshort, nuk ka qenë thjesht babai i fëmijëve të saj. Për të ai ka qenë edhe një udhërrëfyes dhe zgjidhës situatash nga më të ndryshmet. "Mendoj se bujaria, çiltërsia, dashuria për familjen dhe shokët, ndershmëria dhe optimizmi që e karakterizonte janë disa nga cilësitë më të mira të Benit, çka vështirë se mund t'i harroj". Kështu e identifikon bashkëshortin e saj, Nora Goxhi. Në një speciale të gazetës "Tirana Observer", '50 çiftet më të bukura të viteve 70-80', gjatë muajit të kaluar nuk kanë munguar edhe emrat e Arben Mingës dhe Nora Goxhit, si një ndër çiftet më simpatikë të kohës.

Kush është bashkëshortja e Arben Mingës, Nora Goxhi

Nora Goxhi ka lindur në Tiranë, më 8 shkurt të 1965-s. Që në moshë fare të re ajo u aktivizua me skuadrën e të rinjve të "17 Nëntorit" (sot Tirana) në basketboll. Suksesi më i madh i saj në arenën ndërkombëtare ka qenë pjesëmarrja në Lojërat e 10-ta Mesdhetare të Latakias (Siri, 1987) me ekipin kombëtar. Asokohe basketbollistet tona merrnin medaljen e artë, duke lënë pas me radhë Turqinë (88-52), Sirinë (90-46) dhe Libanin (119-70). Protagoniste të këtij grupi të suksesshëm ishin Xhiljola Avdullaj, Edra Alibegaj, Miranda Çuka, Klodeta Dibra, Lumturi Hoxha, Dita Jaçj, Fiorentina Mitku, Pjereta Sadushi dhe Nora Goxhi, me trajnerë Bashkim Milon dhe Kujtim Kasmin. Por përveç kësaj, Nora Goxhi ka fituar disa herë kampionatin kombëtar me "17 Nëntorin" dhe Kupën e Shqipërisë.

...................................................................................
Krye  

Basketbollistja e njohur e "Tiranës" tregon detaje nga jeta

Nora Goxhi: Kujtimet me bashkëshortin, Arben Minga

Leonard KARAJ

Vjen i largët zëri nga ana tjetër e telefonit, por i kthjellët, ashtu si kujtimet me të cilat jeton që pas vdekjes së të shoqit, Arben Minga, atje në Kanadanë e largët. Nëpërmjet tyre, basketbollistja e njohur, Nora Goxhi, mundohet ta sjellë bashkëshortin e saj të gjallë. E siç duket, kjo i jep edhe forcën për të folur sa më shumë për të. Ajo kujton kohën kur u lidhën në klubin "17 Nëntori", për cilësitë e Benit që e bënë të dashurohej për jetë me të, për lindjen e Gridit që tashmë është në prag të 16 vjetorit, për ethet e fitoreve të shumta, por dhe të humbjeve të yllit të futbollit shqiptar, për largimin në Kanada e mallin për familjen, për dëshirat e parealizuara si dhe për vdekjen e paralajmëruar. Jetonin në qytetin e Uindsorit (Kanada), fare pranë Detroitit, çifti Minga, aty ku lulëzon industria e prodhimit të makinave. Fillimi si për këdo ishte i vështirë, por Beni arriti të akomodohet mjaft shpejt me Kanadanë, jetën e emigrantit, edhe për faktin se atje gjeti një komunitet shqiptarësh prej afro 3000 vetash, shumë prej të cilëve e njihnin këtë futbollist të shquar. Atje menduan të rinisnin një jetë të re, Nora dhe Beni. Atje përjetuan ditët më të vështira dhe pikëlluese. Atje lindi edhe Joni, djali i dytë i çiftit. Atje pushoi së rrahuri zemra e Ben Mingës. Atje u ndërtua shtëpia e tij e fundit. "Dëshira ime dhe e fëmijëve ishte ta varrosnim këtu në Kanada, pasi do donim ta kishim pranë", tregon Nora në një intervistë ekskluzive për gazetën "Tirana Observer".

Një drejtues i SK Tirana i tha nënë Thimitës se duhej të ishte krenare për djalin e saj. Juve Nora, sa krenare ndjeheni që keni pasur si bashkëshort, Arben Mingën?
Ndjehem aq krenare sa ç'mund të ndjehet një njeri që ka pasur në krah një bashkëshort të mrekullueshëm, një baba të jashtëzakonshëm dhe një sportist të madh. Nuk e ekzagjeroj aspak kur them se Beni i kishte të gjitha këto cilësi.
A mund të na tregoni si u organizua varrimi në Kanada?
Në mënyrën më madhështore, ashtu siç e meritonte një person si Arben Minga. Morën pjesë jo vetëm njerëz, të afërm këtu në Kanada, por edhe nga vende të tjera dhe deri nga Amerika. Shumë prej tyre erdhën thjesht të nderonin Benin si sportist i madh edhe pse mbase nuk e kishin takuar ndonjëherë. Mund të them se ceremonia u organizua në mënyrën më të mirë që mund të përcillej për në banesën e fundit një person si Arben Minga.
Ju thatë se në varrim morën pjesë edhe shumë shqiptarë dhe nga SHBA. Përse sipas jush Arben Minga ka marrë nderime kaq të mëdha?
Sepse po kaq të mëdha kanë qenë kontributet e Arben Mingës në futbollin kombëtar dhe atë të Tiranës. Ai njihej si një person i hapët dhe i çiltër me të gjithë, ç'ka i ka dhënë mundësi të kishte shumë miq e shokë, kudo që shkonte.
Kur mësuat për herë të parë për sëmundjen e Benit dhe si e pritët atë?
Sëmundjen e mësuam në shkurt të 2005-s, pas një konsulte mjekësore. Mund të them me sinqeritet se ka qenë lajmi më i rëndë i jetës sime. Nuk di sesi të përshkruaj vërtet ato ditë.
Cila ishte diagnoza e saktë e kësaj sëmundjeje?
Beni kishte një kancer në pankreas, sëmundje e cila sipas mjekëve të linte shumë pak mundësi jete.
A mund të na rrëfeni momentin kur Beni vetë mësoi se kishte një sëmundje të pashërueshme?
Është diçka të cilën nuk mund ta përshkruaj. U duk sikur bota u përmbys, por aftësia e tij më e madhe ishte të fshihte gjithçka që kishte përbrenda, me qëllim që të mos vuanim edhe ne e të afërmit e tjerë të tij.
Sa zgjati sëmundja dhe si e përballoi ai deri në fund?
Sëmundja zgjati gati dy vjet, por të them të drejtën ai arriti ta përballonte me një optimizëm dhe kurajë të admirueshme. Luftoi deri në frymën e fundit, duke na mbajtur dhe ne të gjithëve me kurajë.
A përsëriste ndonjë frazë Beni për këtë sëmundje?
Asnjëherë se bëri objekt bisede për të lënë të kuptuar se ai do ta mposhte këtë sëmundje. Madje kur patëm ardhur herën e fundit në Tiranë, në tetor-nëntor të 2006-s, ai mbajti të fshehtë gjithçka, nuk u tregoi as shokëve të tij dhe as nënës për të mos i bërë më shumë merak. Edhe kur kishte dhembje nuk para e jepte veten dhe mundohej t'u largohej vështrimeve të njerëzve. Edhe pse kohët e fundit u dobësua shumë, nuk e dha veten për asnjë çast.
Ju keni qenë vetë sportiste shumë e njohur. Të dy luanit për Tiranën. Si u ngjiz dashuria juaj? A mund të na e tregoni historinë tuaj të lidhjes?
Për një kohë të gjatë ne të dy kemi qenë sportistë të Klubit Tirana dhe një moment të caktuar u lidhëm për të qenë shokë jete, lidhje kjo që qëndroi njësoj e fuqishme gjatë jetës sonë bashkëshortore.
A mund të na tregoni momentin më të lumtur në jetën tuaj në çift?
Këto janë gati të panumërta për t'i treguar në vetëm pak radhë. Gjithsesi unë do të veçoja momentet e lindjeve të djemve tanë. Janë çaste të cilat si unë dhe Beni i kemi përjetuar në një mënyrë të mrekullueshme.
A mund të na thoni pesë cilësitë që ju e vlerësonit Benin më shumë?
Vetëm pesë duhet të them? Në fakt për Benin nuk do të mjaftonin kaq, gjithsesi mendoj se bujaria, çiltërsia, dashuria për familjen dhe shokët, ndershmëria dhe optimizmi që e karakterizonte janë disa nga cilësitë më të mira të Benit.
Na tregoni çfarë fjalësh thoshte Beni pas ndeshjes kur fitonte dhe kur humbiste?
Kur fitonte e kishte për zakon t'ua përcillte gjithë gëzimin e tij edhe njerëzve që e rrethonin. Donte gjithmonë që të tjerët të arrinin të kuptonin pozitivitetin e tij në ato çaste. Ndërsa kur humbiste nuk para fliste shumë, thjesht mundohej paksa të justifikohej duke vlerësuar lojën e bukur të kundërshtarit.
Mes Shqipërisë dhe Kanadasë, a kishte dëshirë Beni të jetonte në Shqipëri dhe të braktiste Kanadanë?
Nuk besoj se ka shqiptar që ka dëshirë të largohet nga vendi i tij, por janë rrethana të caktuara ato që përcaktojnë lëvizje të tilla të vështira. Edhe për Benin dhe familjen tonë ishte gati e njëjta gjë. Por ai nuk është ndarë asnjëherë nga Shqipëria. Me shpirt dhe zemër ka qenë gjithmonë atje.
Dhe tani vijmë në një moment paksa delikat. Është fjala për momentet e fundit të jetës. A mund të na riprodhoni saktësisht se çfarë ka thënë Beni në ato momente?
Mund t'ju them se ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm për nga mënyra se si e përballonte sëmundjen, pa lënë të kuptohet tek të tje-rët sesa keq ndihej. Në tre muajt e fundit ai filloi të dobësohej për shkak të acarimit të sëmundjes, por për asnjë çast nuk i mungoi kujdesi si nga ana e njerëzve të afërt, por edhe e mjekëve dhe infermierëve këtu në Kanada.
Çfarë e bënte Arben Mingën të ishte një futbollist i madh, një prind i mirë dhe një bashkëshort ideal?
Talenti dhe puna e jashtëzakonshme. Ai luajti për më shuam se 20 vjet futboll dhe vetë trofetë dhe karriera e tij e shkëlqyer flasin për Benin. Ndërsa si prind kishte një përkushtim të jashtëzakonshëm për fëmijët. Dhe, si bashkëshort mendoj se ishte më shumë se i përkryer. Nuk më ka munguar kurrë prezenca e tij në çdo çast të jetës sime.
A kishte diçka për të cilën ai nuk mundi të realizonte në jetë?
Beni nuk pati mungesa të tilla. Ai arriti të bënte realitet gjithçka që kishte dëshiruar, një familje të mirë, një karrierë të shkëlqyer dhe miq, shokë e të afërm të pafund që e rrethonin vazhdimisht.
Pse u vendos që varrimi i tij të bëhej në Kanada, ndërkohë që një mori miqsh, kolegësh dhe shqiptarësh patën kërkuar t'i japin lamtumirën e fundit pikërisht në vendin ku ai për shumë kohë dha një kontribut të pashlyeshëm?
Ishte vendimi im dhe i fëmijëve tanë. Donim ta kishim pranë dhe prandaj vendosëm që varrimi i tij të bëhej këtu. Megjithatë, unë e vlerësoj jashtë mase interesimin e medieve, të ish-kolegëve të tij, drejtuesve të sportit dhe deri tek sportdashësi më i panjohur i Benit, për nderimin që i është bërë atij.

Tek Tirana atëherë kur ishte destinuar për tek Partizani

Të rinjtë më të mirë rreth viteve '70-'80 shkonin tek skuadra e Partizanit. Nuk kishte një ligj të shkruar për këtë gjë, por fjalët e drejtuesve të partisë pushtet nuk mund të mos merreshin parasysh. Por sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, Ben Minga kishte në shtëpi edhe një kundërshtar të fortë, të atin e tij, i cili ishte një tifoz i thekur i Partizanit. Kunati i tij, Romeo Rama, kujton plot dashamirësi çastet kur Fatmir Frashëri, asokohe trajner i Tiranës, vinte dhe e kërkonte deri në shtëpi Ben Mingën për ta pasur në skuadër. "Benin tek Tirana e ka dashur me këmbëngulje të madhe Fatmir Frashëri. Problemi kryesor ishte se babai i tij (vjehrri im), sepse ai e donte ta shikonte me bluzën e Partizanit meqenëse ishte edhe tifoz i tij. Por Fatmiri mori guximin të vinte në shtëpi dhe vetëm aty e zuri ngushtë Ilion, duke i thënë se Benin do ta merrte tek Tirana dhe do ta ndiqte vetë deri në fund të karrierës së tij. Në fakt ashtu ndodhi. Beni u fut tek Tirana që në moshën 15-vjeçare rreth viteve '74-'75 dhe filloi të aktivizohej me skuadrën e parë që në moshën 17-vjeçare. Pastaj në vitet '80 u aktivizua edhe me ekipin kombëtar", ka thënë kunati i tij, Romeo Rama.

Skeda

Emri - Arben
Mbiemri - Minga
Datëlindja - 16.03.1959
Vendlindja - Tiranë
Gjatësia - 1.85 cm
Statusi civil - I martuar/2 fëmijë
Bashkëshortja - Nora Minga (Goxhi)
Djemtë - Grid (15 vjeç)/Jon (5 vjeç)
Karriera
Pozicioni - Sulmues
Skuadrat - 17 Nëntori, Brashov, Dacia, Tirana
Titujt
6 herë kampion
(1982, 1985, 1988, 1989, 1995, 1996)
4 Kupa të Shqipërisë
(1983, 1984, 1986, 1996)
1 Superkupë, (1994)
Golashënuesi më i mirë
1985, me 13 gola
Ndeshjet
Kupat e Evropës: 18
Me Kombëtaren: 28
Gola me Kombëtaren: 2
Gola në Kupat e Evropës: 3

...................................................................................
Krye  

 

 Zgjedhjet lokale
  Nora Goxhi: Kujtimet me bashkëshortin, Arben Minga
..
..........................................
   
..
..........................................
   
..
..........................................