Ish-presidenti amerikan, ka fituar 40 milionë dollarë në 6 vjet  
   
Bill Klinton kthehet nga borxhli në milioner  
     

Ish-presidenti Bill Klinton, i cili erdhi në Shtëpinë e Bardhë me pasuri modeste dhe u largua thellësisht në borxhe, ka mbledhur rreth 40 milionë dollarë gjatë 6 viteve të kaluara. Kjo sipas deklarimit të pasurive nga gruaja e tij, senatorja Hillari Klinton.
“Biznesi” Klinton
pas largmit nga shtëpia e Bardhë Bill Klinton filloi të mendonte seriozisht për të rritur të ardhurat e tij, të cilat ishin shteruar gjatë dy mandateve të tij si president. Ai ka arritur të fitojë 40 milionë dollarë vetëm 6 vitet e fundit, shumë të cilën ai nuk mund ta ëndërronte kur ishte president i Amerikës. Biznesi i Klintonit janë fjalimet që ai mban nëpër takime të rëndësishme apo në leksionet që ai jep në universitete të ndryshme të botës. Për një fjalim të tij, ish-presidenti amerikan paguhet mesatarisht gati 200 mijë dollarë. Vetëm vitin e kaluar Bill Klinton arriti të fitojë gati 10 milionë dollarë. Sipas bashkëshortes së tij, Hillari Klinton, ish presidenti amerikan ka mbajtur gati 352 fjalime në vit, por vetëm 20 për qind e të ardhurave janë mbajtur për qëllime personale. Të tjerat janë dhënë për bamirësi në fondacionin “William J. Clinton”, kësaj organizate jo fitimprurëse që ndihmon në luftën kundër AIDS-it. Fjalimet e tij të paguara përfshijnë dalje para një publiku të rëndësishëm, firmave bioteknologjike dhe shpërndarësve të ushqimit, si dhe fjalime në Angli, Irlandë, Zelandë e Re dhe Australi, të cilat së bashku kanë grumbulluar 1.6 milionë dollarë. Në një ditë të mirë në Kanada, Klintoni është paguar me 475 mijë dollarë për dy fjalime, pra dyfishi i shumës vjetore të një presidenti. “Asnjëherë s’kam pasur një monedhë në emrin tim derisa dola nga Shtëpia e Bardhë, dhe tani jam milioner, personi më i favorizuar për republikanët në Uashington”, pohoi Klintoni para një audience në Kentaki. Në të vërtetë, familja Klinton, e cila u largua nga Shtëpia e Bardhë me 12 milionë dollarë borxhe ligjore pas hetimeve për Monika Levinskin, tani ka deklaruar në llogarinë personale deri në 50 milionë dollarë. Të gjithë këto para i kanë ardhur nga tarifat e fjalimeve dhe shitjeve të librave, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Presidentët e tjerë
Kjo pasuri u siguron të ardhura për fushatën e Hillarit në garën për presidente. Gjithashtu sugjeron një lidhje të ngushtë mes financave personale dhe karrierës së saj politike. Gjatë dy dekadave të fundit, fjalimet për para, veçanërisht për audiencën e huaj, ka qenë një mënyrë e mirë për ish-presidentët për t’u siguruar financiarisht. Ronald Regan ka mbledhur 2 milionë dollarë në Japoni pasi la postin në vitin 1989. George H.W. Bush dhe Jimmy Carter kanë udhëtuar shumë për të dhënë leksione. Bush, i vjetri, i cili ishte i pasur para se të bëhej president, ka një program të gjerë fjalimesh, dhe në vitin 2004 është paguar me 150 mijë dollarë për një seri fjalimesh në Kinë. Aktiviteti i tij ruhet i fshehur, pasi nuk ka detyrime t’i zbulojë ato.

Fjalimet mE te shtrenjta

250 mijë dollarë,
13 mars, 2001, Baden Baden, Gjermani, “Media Control GmbH/ Media Peace Prize”

300 mijë dollarë,
17 janar, 2002, Dubai, UAE, “The Dabbagh Group (STARS)”

400 mijë dollarë,
19 nëntor, 2002, Mito City, Japoni, “Mito City Political Research Group”

250 mijë dollarë,
20 tetor, 2003, Barcelona, Spanjë, “Dhoma Tregtare e Ekonomisë”

250 mijë dollarë,
12 mars, 2004, Paris, Francë, “Citigroup”

300 mijë dollarë,
1 dhjetor, 2005, Munih, Gjermani, “Hubert Burda Media GmbH”

350 mijë dollarë,
24 qershor, 2005, “Ishujt “Canary”, Spanjë, “Blex S.L.”

...................................................................................
Krye  

Lajme të rralla

Meksikë, tani gjyq për burrat xhelozë dhe dyshues

MEKSIKË – Bashkëshortët meksikanë, që shfaqin xhelozi ekstreme apo shmangin detyrat familjare ndaj grave të tyre, tani mund të dalin në gjyq dhe të dënohen nën një ligj të ri. Burrat të cilët i telefonojnë grave të tyre çdo gjysmë ore për t’i kontrolluar, dyshojnë vazhdimisht tek to apo përpiqen t’i kontrollojnë në mënyrën si vishen, kryejnë krimin e xhelozisë. Ata që nuk i flasin grave të tyre, shmangin marrëdhënien seksuale apo përpiqen t’i bindin bashkëshortët se janë të bindur se i tradhtojnë, janë fajtorë për indiferencë. Burrat që janë fajtorë për indiferencën mund të bëjnë pesë vite burg. Ky ligj progresist u miratua këtë mua për t’i mbrojtur gratë ndaj dhunës në shtëpi.

Fermeri kërkon grua: 150 udhëtojnë me autobus në fshat

SPANJË – Perëndia e dashurisë kërkon pak guxim, veçanërisht në një fshat të humbur të Spanjës. Rreth 150 gra kanë udhëtuar me autobus nga Hoyocasero të shtunën si kundërpërgjigje e një kërkese në internet nga një burrë i lodhur së qeni vetëm. Ky karvan grash, u mirëprit me lule dhe për ta u organizua një festë nga burrat e fshatit. Për 400 meshkujt e këtij fshati malor të izoluar kjo ishte dita më e bukur e vitit. Karvani u provua 20 vite më parë dhe tani përdoret në shumë vende të Spanjës. Organizuesit shpresojnë që të paktën disa prej tyre të lidhen. Në ditët e internetit, disa njerëz mendojnë se “karvani” tani nuk vlen më.

Babai në borxhe humbet vajzën në poker

PAKISTAN – Një adoleshente në Pakistanin jugor, babai i së cilës e ka lënë në poker kur ishte dyvjeçe, i ka kërkuar autoriteteve ndihmë, pasi ajo do t’i dorëzohet një të afërmi. Rasheeda, 17-vjeçe, i ka kërkuar policisë që ta ndalojnë Lal Haider, 45-vjeçar, ta marrë në shtëpi. Nëna e saj, Nooran thotë se burri i saj kishte borxh 10 mijë rupe, pasi luante poker. Për shkak se nuk kishte t’i paguante, ajo i premtoi Haider-it vajzën e tij kur ajo të rritej. Edhe pse i pagoi paratë vitin e kaluar, Haider insiston se vajza duhet t’i dorëzohet atij, për shkak të zakoneve të fisit. Policia në vend ka siguruar se adoleshentja nuk do të shkojë askund pa vullnetin e saj.

E mitura s’mund ta marrë xhekpotin e fituar në kazino

HONG KONG – Gjykata në Macau ka vendosur se një e mitur, e cila ka fituar 94 mijë dollarë duke luajtur në kazino, nuk mund t’i marrë ato para për shkak të moshës së saj. 16-vjeçarja dhe nëna e saj kanë dalë në gjyq, me shpresën që paratë t’i dorëzohen mamasë. Ligji për kazinotë thotë se kushdo nën moshën 18-vjeçare e ka të ndaluar të hyjë në kazino, por deri më sot nuk kishte asnjë ligj që tregonte se kujt duhet t’i paguhen paratë e fituara nga të miturit, pasi brenda në kazino hyjnë shumë të tillë. Gjykata madje e ka dënuar edhe mamanë e vajzës, për shkak se e ka futur të miturën me dijeni brenda në kazino.

 
...................................................................................
Krye  


 Bota
  Shkurt
..
..........................................
   
..
..........................................