Saimir Maloku rrëfen ngjarjen e 20 shkurtit 1991
 
   
"Si e rrëzuam bustin e diktatorit komunist Enver Hoxha"
 
     

Armand JONUZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Për Sajmir Malokun, momentet e rrëzimit të
bustit të diktatorit, 16 vjet më parë, në sheshin "Skënderbej", janë të paharrueshme. Në pjesën e dytë dhe të fundit të rrëfimit të tij, ai tregon momentin kur turma e njerëzve u përlesh me forcat e policisë në kohën kur ata donin të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës. Ai tregon edhe momentin kur pas shumë përpjekjesh, turma e njerëzve arriti të pushtojë sheshin dhe ai së bashku me disa njerëz të tjerë tërhoqën me makinë monumentin e diktatorit.

Znj. Lindita Hamiti duke mashtruar forcat e ndërhyrjes së shpejtë, gjoja si punonjëse e RTSH-së, bashkohet me grupin tonë dhe na tregon për këtë akt barbar. Unë dhe të gjithë ne indinjohemi në mënyrë të jashtëzakonshme.
Një grup punonjësish të RTSH-së, që kishin dalë për të parë protestuesit, më thonë mua dhe shokëve të mi: Saimir mos shkoni nga Blloku, sepse atje ka tanke dhe mitraloza dhe do t'ju vrasin të gjithëve. I falënderoj dhe, në këto momente kaq deçizive marr një vendim në vetvete dhe tepër të guximshëm për të shmangur një kasaphanë të pabesueshme dhe bërtas me të madhe: Hajde shkojmë tek sheshi dhe të hedhim monumentin!
Shokët e mi dhe mjaft protestues u bashkuan me thirrjen time dhe filluam të bërtisnim njëzëri edhe mijëra protestues të tjerë që ishin të bllokuar nga policia tek Kryeministria. Pranë meje afrohet një djalë me flokë të gjata që mbante një rrip të kuq në ballë dhe më thotë: Unë kam bërë një parullë të madhe ku shkruhet: LIRI - DEMOKRACI. Ky djalosh ishte rritur jetim dhe quhej Albert Risilia, i cili banonte në konviktin e jetimëve pranë Qytetit të Nxënësve. Natën ai kishte hequr perden e madhe prej bezeje të dritares së dhomës dhe me bojë këpucësh kishte shkruar parullën Liri - Demokraci. Unë u them zonjave Lindita Hamiti, Vera Rada, Lili Llapaj, Sanije Vojka dhe disa grave të tjera, që së bashku me Albert Risilinë, Gëzim Vojkën dhe Gjolek Aliun, etj., të dilnin në ballë të protestuesve dhe të mbanin parullën tri metra të gjatë. Dhe ashtu u bë. Kur turma u bë e madhe, unë dola para turmës dhe i them që drejt sheshit të shkojmë dhe do të bërtasim gjithë njëherësh sipas parullave që do ju them. Unë e udhëheq turmën gjithë rrugës duke qenë i veçuar në krye të saj dhe duke hedhur parulla si: Liri- Demokraci, Poshtë diktatura; Ta rrëzojmë apo jo-po, po, po; Rroftë Sali Berisha etj. Një fotoreporter i huaj i veshur me pantallona me xhepa të mëdhenj dhe me një aparat fotografik në dorë, që ecte pranë meje, na inkurajonte dhe fotografonte. Turma lëvizi nën urdhrat e mija nga prapa Piramidës, ura e Lanës, hotel "Dajti", Ministria e Mbrojtjes dhe u vendosëm tek stacioni i autobusit për në Kinostudio, pranë Bankës Kombëtare. Kur kalova pranë Ministrisë së Mbrojtjes, disa oficerë, që ishin mbi tarracën e godinës, më frikësonin duke më bërtitur: Saimir, do të futesh prapë në burg!
Numri i protestuesve i turmës tonë ishte afro dymijë vetë. I them të qëndrojnë dhe të mos konfrontohen me policinë që ndodhej në shesh sepse ishim pak. Duhet të prisnim protestuesit e tjerë, që përbënin shumicën e njerëzve, që ishin tek Qyteti Studenti. Një grup protestuesish prej afro 150 vetë, që ishin tek Liceu, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit, nëpërmjet Rrugës së Elbasanit. Pastaj kaluan pranë godinës së bashkisë dhe u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të shoqëruar me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t'u bëjë presion protestuesve për t'u tërhequr dhe për t'u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori dhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe, që njolloste rrobat e protestuesve.
Turma tjetër e protestuesve, që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq duke kaluar në lulishten prapa saj dhe mbërritën tek sheshi "Skënderbej" dhe u vendosën tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ata tentuan të sulmojnë për tek shatërvani, por u zmbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të rendit me sirenë qarkullonin nëpër sheshin "Skënderbej". Një zjarrfikëse e madhe ju afrua grupit tonë protestues për presion psikologjik. Një qytetar shkëputet nga radhët tona dhe shkon e kapet pas kabinës së zjarrfikëses dhe rrëzohet për tokë. Më vonë morëm vesh se ai kishte thyer brinjët. Një grup të rinjsh mjaft të guximshëm që ishin me ne, më thonë që do të futemi ne të parët. U hodh mendimi që nëse do të futemi duhet të thyejmë pllakat e mermerit të shkallëve dhe t'i qëllojmë policisë për t'i zmbrapsur ata. Gjithashtu njerëzit bërtisnin të digjinin edhe librarinë "Flora", ku ishin vendosur mjaft nga veprat e diktatorit. Pas disa minutash, që ne po bisedonim, dëgjuam një të thirrur: Mos u prapsni dhe mos u trembni nga policia, sepse ata janë të armatosur me fishekë manovër (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb nga brenda). Kjo na dha shumë kurajë. Sipër godinës së Bankës Kombëtare ishin të vendosur snajpera dhe një kameraman. Populli thërriste parulla të ndryshme. Në këtë kohë vjen grupi i katërt i protestuesve nga Qyteti Studenti.
Me njoftojnë se kishin parë time shoqe me dy fëmijët e vegjël tepër të rraskapitur pranë monumentit të Skënderbeut. Shkëputem që ta takoj dhe ta ndihmoj atë sa më shpejt, por meqë kishte shumë njerëz ishte e vështirë të shkoje deri atje.
Ndërkohë, sheshi "Skënderbej" ishte mbushur plot e përplot. Një grup prej 40-50 vetë shkëputet nga turma e popullit dhe vendosen pranë monumentit të diktatorit. Ata fillojnë të thyejnë pllakat dhe nisën të qëllojnë policinë. Policia nga ana e saj filloi të qëllojë në ajër dhe drejt tyre, me fishekë manovre për t'i trembur dhe të kundërpërgjigjet edhe ajo me gurë. Policia nga krahu lindor i godinës së Muzeut Historik Kombëtar lëshon qentë e kufirit. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Por përpjekjet e policisë dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve dhe u detyruan të tërhiqen. Një helikopter policie fluturonte dhe fotografonte protestuesit e shumtë që ishin mbledhur pranë monumentit. Dallova aty pranë edhe z. Agim Buxheli që bënte filmime me një kamera amatore. Populli duke bërtitur: "Fitore, Fitore" u sul i tëri drejt monumentit dhe u bë zot i sheshit. Papritmas, në mes të turmës dalloj z. Hysen Berberi, 70 vjeç, babai i gruas time, i cili ishte mbushur gjithë gjak në fytyrë; një gurë i policisë e kishte goditur në kokë gjatë kohës së përleshjeve. Unë e detyrova atë që i shoqëruar me dy gra të shkojë për mjekim pranë ambulancës mjekësore, përballë godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Ai ka qenë një ndër partizanët e parë të çetës së Pezës së bashku me të tre vëllezërit e tij. Ai ishte i burgosuri që u arratis nga kampi famëkeq gjerman i Prishtinës në vitin 1944. Nga dëmtimet që pati nga kjo goditje në kokë, ai vdiq pas një viti, më 2 maj 1992.
Ora rreth 13:00
Ishte problemi i rrëzimit të monumentit. Dy djem të rinj kishin me vete litar të hollë liri, i cili vetëkuptohet nuk mund të shërbente për këtë punë. Mbas disa minutash vjen një kamion "Saurel", të cilën e drejtonte një djalë i ri, që me sa mora vesh unë e kishin marrë pranë godinës së Post-Telegraf. Djaloshi që e drejtonte makinën ishte një kushëri im i largët, A. Heta, (tani refugjat politik në Gjermani). Nga makina sollën një kavo çeliku jo shumë i gjatë. Unë me dy burra të tjerë bashkohemi njëri me tjetrin dhe mbi ne hipi një djalë i ri, që e vendosi kavon pranë kyçit të dorës së ulur të statujës të diktatorit komunist. Pastaj larguam të gjithë njerëzit, që të mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së statujës gjigante. Makina e tërhoqi tre katër-herë dhe monumenti i diktatorit ra anash.
Ra simboli i komunizmit, i cili lavdinë e tij e vuri mbi vuajtjet e dhjetëra mijërave vetëve në burgje, internime dhe dëbime. Shumë veta u pushkatuan, sepse ideali i tyre ishte demokracia. Gëzimi i popullit ishte i jashtëzakonshëm. Unë me disa të tjerë, ndofta ishim të parët që shkuam tek koka e statujës së diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme, bashkë me të tjerët shprehnim urrejtjen e madhe ndaj tij. Më dukej vetja sikur isha në parajsë. Isha në ekstazë. Ngrija duart nga qielli dhe gjithë lot i mbuluar në fytyrë pëshpëritja: O Zot, o Zot ma plotësove dëshirën time e shporre komunizmin!
Mjaft gra të persekutuara politike si me mbiemër Balluku etj., na përqafonim dhe puthnim njëri-tjetrin në faqe. Populli kërcente, brohoriste nga gëzimi dhe hidhte parulla nga më të ndryshmet.
Pastaj protestuesit vunë kavon tek koka e statujës gjigante dhe duke e tërhequr me makinë gjatë sheshit "Skënderbej" drejtohen drejt Rrugës së Elbasanit. Mbi makinë dhe mbi statujë kishte të ulur njerëz të shumtë. 50 metra nga godina e ish-të përndjekurve politikë shkëputet busti nga pjesa tjetër e statujës gjigante. Pranë parkut të lodrave, një pjesë e protestuesve donin të shkonin nga Blloku. Por siç mora vesh, ata u ndaluan të shkonin atje nga z. Arben Imami. Kur makina me bustin e diktatorit arriti tek godina e studentëve grevistë bëri të krijohej një situatë tepër e gëzueshme nga të dyja palët. Pastaj protestuesit e varën bustin e diktatorit tek godina e studentëve grevistë. Kthehem dhe shkova tek librari "Flora". Aty pashë rreth 50 veta që kishin ndezur një zjarr të madh dhe digjnin veprat e diktatorit. Aty takova edhe znj. Liri Berisha me djalin e saj të vogël që po shikonte. Mora edhe unë nga ato vepra dhe duke i grisur i hedhja në zjarr ashtu siç bënin të tjerët.
Pastaj shkova tek vendi i monumentit të diktatorit, ku gjeta një grup njerëzish që thyenin mermerin me ngjyrë të errët të bazamentit. Mora tri copa të mëdha nga ky mermer dhe shkova në shtëpi. Hyj në dhomën e vetme që kisha dhe takova gruan me djemtë e vegjël që mbanin dy gishtat lart dhe bërtisnin "Fitore!". U përqafuam së bashku të katër dhe puthnim njëri-tjetrin gjithë lot në sy. Mbanim lart me duar Klevin 2-vjeçar, protestuesin ndofta më të vogël të demonstratës.
Rreth orës 17:30 dal tek hotel "Dajti", ku kishte mjaft njerëz që tentonin të shkonin tek blloku qeveritar. Tek ura e Lanës kishte forca të shumta policie. Por aty vjen z. Neritan Ceka i hipur në një makinë dhe u thotë protestuesve që të ktheheshin në shtëpi sepse ishin shumë të lodhur, në mënyrë që të shmangej ndonjë gjakderdhje sepse fundja edhe po errësohej. Protestuesit iu bindën atij.
Në shtëpi hapa televizorin dhe radion. Televizioni shqiptar dhe stacionet e huaja radiofonike njoftonin rrëzimin e monumentit të diktatorit, këtij simboli të komunizmit.
-O Zot, - thosha me vete, - ma plotësove dëshirën time dhe të popullit.
Fjalët e mija "profetike" në sallën e gjyqit për dënimin tim më 28 gusht 1976, të thëna para dy mijë të pranishmëve, u bënë realitet. Demokracia fitoi.
Populli, më së fundi, ishte i lirë; mendonte i lirë; fliste i lirë; lëvizte i lirë.

 
...................................................................................
Krye  

 

 Dossier
   
..
..........................................
   
..
..........................................