Sipas auditeve, në vitin 2006 janë zbuluar 3.6 miliardë lekë dëm
Shehu: Ja abuzimet e 13
ministrive në '04-'05
Gerald BILBILI, Eriona YMERI
Për vitet 2004-2005 janë
zbuluar 3,6 miliardë lekë
abuzime në 13 ministri. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e drejtorit të Përgjithshëm të Auditit të Brendshëm, Pajtim Shehu, gjatë një konference të djeshme për shtyp. Sipas tij, në listën e institucioneve ku janë evidentuar këto shkelje është edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. "Nga dëmi, gjithsej i zbuluar, 1.657 milionë lekë janë evazion fiskal, 640 milionë lekë mungesa e dëmtime dhe rreth 1.292 milionë lekë nga shkelje të disiplinës financiare", u shpreh Shehu. Sipas tij, gjatë vitit 2006 janë kryer 2.264 misione auditimi. Nga këto, vijoi ai, 887 janë të plota, 986 janë tematike, 33 janë mbikëqyrje dhe 240 janë verifikime. Dëmi ekonomik
Gjatë vitit 2006, sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit të Brendshëm, për periudhën 2004 dhe 2005 janë zbuluar afërsisht 3.6 miliardë lekë dëm ekonomik. Sipas kreut të kësaj drejtorie, Pajtim Shehu, më shumë se 80 për qind e dëmit të konstatuar i përket veprimtarisë ekonomike para vitit 2006, pra 2004 dhe 2005. "Nga dëmi, 1.657 milionë lekë janë evazion fiskal, 640 milionë lekë mungesa e dëmtime dhe rreth 1.292 milionë lekë nga shkelje të disiplinës financiare", tha ai. Ndërkohë gjatë vitit 2006, Shehu tha se vlera e dëmit në proces evadimi është ulur në 5.4 herë në krahasim me vitin 2005, ose për rreth 369 milionë lekë më pak, në një kohë kur zbulimi është 2.5 herë më shumë. Auditimet
Lidhur me auditimet, Shehu tha se gjatë vitit 2006 janë kryer 2.264 misione. "Për 2.146 misione auditime janë evaduar materialet dhe për 118 të tjera procedurat janë në proces evadimi" vijoi ai. Sipas kreut të auditit, nga auditimet e evaduara 887 janë të plota, 986 janë tematike, 33 janë mbikëqyrje dhe 240 janë verifikime. "Mosrealizimet kanë ardhur për shkak të mungesave në plotësimin e strukturave në ministri dhe njësitë vartëse dhe të mobilizimit të punonjësve për realizimin e 240 verifikimeve, të cilat janë kryer nga strukturat audituese në Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve dhe në Ministrinë e Brendshme", përfundoi Shehu.
Plani për vitet 2008-2010
Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit të Brendshëm, mbështetur në planet strategjike të dërguara nga ministritë, ka hartuar një tabelë përmbledhëse me numrin dhe prioritet kryesore të strukturave të tyre audituese. Sipas kreut të kësaj drejtorie, Pajtim Shehu, nga të gjitha ministritë, ndër objektivat kryesore është përcaktuar rritja e efektivitetit të fondeve për investime dhe shpenzimeve të tjera të përcaktuara në planin buxhetor, zbatimin e dispozitave ligjore në procesin e prokurimeve. "Rritja e nivelit profesional, zhvillimi i seminareve kualifikuese, rritja e efektivitetit të strukturave të auditimit, përbëjnë çështje të veçanta të punës së strukturave të auditimit për periudhën e mësipërme", tha Shehu. Sipas tij, megjithatë në programet e drejtorive të auditimit në dikastere nuk ka plan të qartë për trajnimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të auditimit në subjektet në vartësi të dikastereve, që përbën një mangësi në këtë proces. "Për këtë arsye, DPAB në bashkëpunim me strukturat audituese qendrore duhet të hartojë plane të detajuara për këtë qëllim, mbi bazën e një strategjie të plotë dhe gjithëpërfshirëse për stafin që punon në sistemin e kontrollit të brendshëm financiar publik (KBFP)", përfundoi Pajtim Shehu.