Letra per Tirana Observer  
   
Sa e rëndë kjo fleta e votimit!  
     

Ka 50 vjet që më ka lindur e drejta, por edhe detyrimi për të
votuar që 18 vjeç. Sa e rëndë kjo fleta e votimit!... Mbas
çlirimit të vendit bëhej me anën e një kokrre (sfere). Në qendrën e votimit vendoseshin dy kuti (arka), njëra e kuqe, që i përkiste Frontit Demokratik dhe tjetra e zezë, që i përkiste “armikut”. Kutitë kishin një vrimë ku votuesi ishte i detyruar të fuste dorën me kokrrën në grusht tek të dyja kutit. “Komisioni vigjilent i Frontit përgjonte me kujdes kur hidhej kokrra , se kokrra kur binte në fundin e kutisë bënte lëshonte një tingull. Veshi vigjilent i dëgjonte ata që e hidhnin në kutinë zezë. Pas kësaj ata i pinte e zeza, mblidhej organizata e Frontit urgjent dhe u hiqnin triskën e Frontit e përballeshin kulak e armiq të popullit.
Heu bre, sa e rëndë ishte ajo kokërr?!... Më vonë votimi u bë me fletë, si sot, por prapë rojet vigjilente nuk rrinin kot, o bënin fletët me shenjë për njerëzit e dyshuar, ose i kontrollonin me bishtin e syrit, dhe për “armiqtë” e Frontit fillonin avazet, mblidheshin organizatat e masave, Rinia, Gruaja, Bashkimet Profesionale, Fronti e, në fund, Partia, ku iu vinte vulën kundërshtarëve të Frontit kulak, armik populli, urgjent internim, po edhe burgosje! Qindra të tillë e hëngrën nga fleta e votimit.
Sa e rëndë kjo fleta e votimit!? Po kush e drejtonte Frontin që jepte e merrte vendime burgosjeje, internime e shpallje kulakësh, Nexhmie Hoxha e Ismail Kadareja!
Sa e rëndë kjo flet votimi për popullin e pa bindur...Votimet para ‘90-s ishin të detyruara nga mosha 18-100 vjeç. Dhe kur dikush ishte i sëmurë të binin kutinë ambulante në shtëpi, sigurisht do votoje për Frontin se ndryshe...eheee, shkoje në Spaç me nxjerr bakër?!
Sa e rëndë ka qenë fleta e votimit?!...Po mbas ’90-s, në demokraci, tash 16 vjet, a u lehtësua fleta e votimit? Unë do thosha se akoma është e rëndë, bile shumë e rëndë se akoma ne se kemi kulturën elektorale demokratike si Evropa e bota! Tash 16 vjet ne kemi votuar vetëm për bindje politike e subjekte që na pëlqejnë, duke mos votuar njeriun e punës e njeriun që interesohet për hallet e atyre që i japin votën, prandaj 16 vjet rrokopujë, herë djathtas e herë majtas.
Sa e rëndë kjo fletë votimi?! Vota tash 16 vjet e ka ndarë popullin në katër ekuacione ose një ekuacion me katër të pa njohur: Të varfër e shumë të varfër, të pasur e shumë të pasur, këta të fundit janë njerëzit e votuar nga ne, populli fukara! Të votuarit, që nga këshillat vendorë, komuna, bashki edhe pushtetarët qendrorë, deputetët na janë shndërruar në monopolistë e milionerë?! Sa e rëndë kjo fleta e votimit?! Por më e rëndë është për të votuarit, sidomos deputetët e shefat e mëdhenj, pushtetarë e liderë partish se fleta me votën e popullit i ka rënduar fizikisht u është trashur qafa , kanë lëshuar gushë e bark, duke i detyruar të shkojnë tek terziu të bëjnë rroba me porosi. Kaq e rëndë është bërë kjo fleta, duke i rënduar së tepërmi të zgjedhurit, që nuk ecin dot si para zgjedhjeve në fshat, bllok, lagje, rrethe e qytete. Disa të zgjedhur me votat tona arritën e plotësuan dëshirat e veta kur kërkesat kryesore ishin tri VVV. Kështu patën kërkuar e vepruar Komsomolasi sovjetik në kohën e Hrushovit. VVV, që donte thoshte: Vilë, Veturë, Vajzë (sekretare). Të tria këto kërkesa i kanë plotësuar deputetet tanë, duke i miratuar edhe me ligje?!
Sa e rëndë kjo fleta e votimit në Shqipëri?...Fleta e votimit kur hidhet në mënyrë demokratike është më e rëndë se mban në kurriz: Demokraci, Liri, Ekonomi, Punësim e Mirëqenie, strehim, ujë e bukë, drita, shkollim e shëndetësi.
Me që banoj tash dhjetë vjet në Tiranë, do të ndalem pak e do mendohem shumë se kujt do t’ia jap votën? Po flas vetëm për bashkinë madhe të Tiranës. Dy të rinj kandidatë, Rama e Olldashi, në fakt unë jam partizan që Shqipërisë, për të dalë nga prapambetja e udhëkryqi, i duhen të rinj në udhëheqje e superstrukturë. Por kam hall me zgjedh: Të votoj për Edi Ramën, do të zemërohet Sokol Kurse të votoj për Sokol Olldashin i ngel hatri Edi Ramës, por do ngelin gjithë projektet e rregullimit të Tiranës në proces, pa përfunduar.
Do t’i thosha popullit, o popull jepuani votën atyre më të mirëve, mos shikoni partitë, por interesat tuaja.
Ja pse është e rëndë fleta e votimit.
Me respekt Idriz Pasha

 
.....................................................................................
Krye  

>> Për rubrikën “Letra për Tirana Observer”, ju mund të na shkruani edhe në postën elektronike: letra@tiranaobserver.com.al

 
.....................................................................................

 

 Letra
   
..
..........................................
   
..
..........................................