Çfarë tha kryministri Berisha dhe kryesocialisti Rama për shifrat e procesit të votimit
 
   
50 deklaratat më të forta të zgjedhjeve
 
     

Qamil XHANI

Deri në mbrëmjen e 18 shkurtit, të gjithë vinin dorën në zjarr për fitoren. Ndërsa rezultatet e para, ndryshuan vetëm entuziazmin e palëve, por jo përbërjen e deklaratave. Nga dalja e parë në selinë rozë, ku deklarohej fitorja, më pas përgjigjja e PD-së, ku edhe ajo e konsideronte veten fituese e deri të komentet e fundit të së djathtës për humbjen, janë me qindra deklaratat dhe komentet e politikanëve. Gazeta "Tirana Observer" ka zgjedhur vetëm 50 nga "përshtypjet" që drejtuesit politikë shprehën pas zgjedhjeve. Janë deklaratat më të bujshme që përbëjnë dhe thelbin e zhvillimeve në politike gjatë javës që iku. Por janë dhe raportet dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve që vendosin notën mbi zhvillimin e zgjedhjeve lokale në vend, siç ishte raporti paraprak i OSBE-ODIHR-it, që i vlerësonte zgjedhjet si një hap prapa. Me tej, vijon pranimi ose jo i humbjes, ku të djathtët duket se kanë dhe vetë paqartësi. Ndërsa debati i numrave zhvendoset nga kutitë e votimit te karriget që do kenë aleatët e PD-së në qeveri. Ndërkohë që edhe fitoret sjellin analiza dhe debate. Dhe, ja rasti tip është PSD-ja, që duket më pak entuziastja për fitoren e koalicionit të majtë. Apo dhe LSI-ja, e cila pranon se ingranazhi i koalicionit në disa qytete nuk funksionoi siç duhet.

Deklaratat

Kryeministri Sali Berisha, konferencë për shtyp, 19 shkurt

“Qeveria është shprehur dhe i përmbahet me rigorozitet, se fitorja absolute e saj dhe e shqiptarëve do të ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pa marrë përsipër rolin e arbitrit, vlerësimin përfundimtar për këto zgjedhje do ta japin institucionet e specializuara, se qeveria dhe koalicioni u faktuan shqiptarëve vullnetin e tyre absolut për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

Jorgen Grunet, kreu i misionit OSBE/ODIHR-it, 19 shkurt
 
“Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 18 shkurtit siguruan kushtet për një garë konkurruese. Ato ishin një tjetër mundësi e humbur për Shqipërinë, për të zhvilluar zgjedhje plotësisht në përputhje me angazhimet e OSBE-së e të KE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare”.

Çlirimin Gjata, kryetari i KQZ-së, 19 shkurt
“Ditën unë e fillova me optimizëm të pazakontë. Mendova që gjërat po shkonin mirë, numërimet po shkonin mirë. Raporti ishte një dush i ftohtë, vetëm na ngroh ajo që i kishte vënë pikat mbi “i”; punën e KQZ-së e kishte vlerësuar”.

Spartak Ngjela, deputet i PD-së, 19 shkurt
“E djathta humbi nga abstenimi, PD ka humbur për shkak se nuk ka respektuar parimet e djathta ndaj zgjedhësve të saj. Shenjat e para janë që e djathta ka humbur, por dua të bëj një saktësim, se ka humbur e djathta e përfaqësuar nga të majtët. Si mund të dilnin zgjedhësit e djathtë në votime pas takimit Nano-Berisha?”.

Doris Pack, eurodeputete, 19 shkurt

“Nuk do të kemi zgjedhje të parakohshme, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk do ta lejojë një gjë të tillë. Në kushte të tilla si këto aktuale, nuk mund të zhvillohen më zgjedhje. Duhet të përmbushen të gjitha kriteret e nevojshme. Por këto kritere nuk përmbushen dot brenda 3 muajsh. Nevojitet të paktën 1 vit apo 1 vit e gjysmë dhe opozita duhet t´ia japë qeverisë këtë kohë”.

 
Sokol Olldashi, kandidati i PD-së, 20 shkurt

Doja t’u kërkoja ndjesë të gjithë atyre qytetarëve që për arsye që nuk varen nga unë, disa mijëra prej tyre nuk u lejuan apo nuk patën mundësi të ushtronin të drejtën e tyre. Sigurisht që falënderimi i fundit u takon qytetarëve të Tiranës. Ju uroj mbarësi gjithsecilit prej tyre”.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, 20 shkurt
Ajo që është për t’u vlerësuar në këtë raport paraprak është fakti se, procesi i votimit u zhvillua qetësisht, pa presione nga kandidatët ose mbështetësit e tyre. Nuk u konstatuan raste të presionit ndaj anëtarëve të KQV-së. Ndër problemet kryesore që u evidentuan ishin ndërrimi i komisionarëve, fshirja e bojës”.

Preç Zogaj, deputeti i PD-së 20 shkurt
Rezultati mendoj se është një mesazh për të qenë më konkretë dhe për të përshpejtuar ritmet, për të kaluar dhe më shpejt fazat e projektimeve drejt fazës së realizimeve. Këtu kam parasysh investimet e punësimet. Ndoshta ata që janë në pushtet nuk luftuan shumë për ata që nuk kanë fituar zgjedhjet deri më sot”.

Dora Bakojanis, ministrja e Jashtme greke, 20 shkurt
Ndoqëm zgjedhjet vendore në Shqipëri me vëmendje dhe interes të veçantë. Edhe ne, ashtu si OSBE dhe KE, konstatojmë se gjatë procesit pati fenomene keqfunksionimi dhe parregullsish. Veçanërisht në Himarë këto fenomene krijojnë preokupim të theksuar. Është e tepërt të thuhet se kjo procedurë duhet të bëhet sipas rregullave”.

Miguel Angel Moratinos, kryetari i OSBE-së, 20 shkurt
“Këto zgjedhje rikonfirmuan se nevojiten përpjekje të vendosura nga autoritetet shqiptare, për të siguruar që Shqipëria do të këtë një sistem elektoral të besueshëm. Vlerësomë zhvillimin e zgjedhjeve dhe rolin që ka luajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne ofrojmë mbështetjen e OSBE-së për implementimin e rekomandimeve të prezantuara nga ODIHR-i në raportin e tij final”.

Edi Rama, kreu i PS-së, 21 shkurt
“Detyra jonë është ta lexojmë me shumë vëmendje votën, jo vetëm aty ku nuk kemi fituar dhe ku do të ndalemi me shumë seriozitet për të analizuar pse-në, por dhe aty ku kemi fituar thellë. Fitorja e 18 shkurtit është ndër më të bukurat dhe ju premtoj se do të jetë mandati më i suksesshëm”.

Petro Koçi, deputet i PS-së, 21 shkurt
“Faktorët që kanë ndikuar në humbjen e këtyre zonave, sidomos të disa komunave që kanë qenë tradicionalisht të PS-së, janë një sërë faktorësh kompleksë. Këto faktorë janë shoqëruar dhe nga kandidimi i kandidatëve të pavarur apo imazhi i kandidatëve si dhe nga pamjaftueshmëria e mbështetjes elektorale”.

Kryeministri Sali Berisha, kryeministër, 22 shkurt

“Fitorja e 18 shkurtit ishte plebishitare, sepse kandidatët e koalicionit qeveritar me programet e tyre të shkëlqyera formuan edhe vizionin e tyre. Ne i fituam së bashku 610 mijë vota, duke lënë prapa aleancën e koalicionit të humbjes me 75 mijë vota. Jam krenar, jam plotësisht mirënjohës, se, ditën e hënë qeveria mori rreth 56 për qind të votave të qytetarëve shqiptarë”.

Ilir Meta, kryetari i LSI-së, 22 shkurt

“LSI e vlerëson si mjaft pozitiv rezultatin e arritur në zgjedhjet vendore. Ky rezultat, tashmë i fotografuar në të gjithë vendin, në Tiranë dhe kudo tjetër në Shqipëri, do të jetë baza e analizës dhe e reformimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ajo që më gëzon shumë është rezultati i LSI-së në disa nga qytetet kryesore të vendit”.

Fatmir Mediu, kryetari i PR-së, 22 shkurt
“Besoj se kryeministri Sali Berisha është në të njëjtin mendim se, duhet të shikojmë për një lloj riformatimi të qeverisë, bazuar në vetë strukturën dhe fizionominë dhe vizionin që duhet të ketë qeveria, por natyrisht dhe peshën politike”.

Arta Dade, deputete e PS-së, 22 shkurt

“Kjo ishte një provë e parë për lidershpin e ri të Partisë Socialiste, por mendoj se u vlerësua puna si kryetar bashkie, por dhe si një lider i ri i së majtës, që preku nga afër çdo element të politikës të së majtës. Unë besoj që e majta e bashkuar, kam parasysh Metën, Gjinushin dhe të tjerë, ishin fitues”.

Nard Ndoka, kreu i PDK-së, 23 shkurt

“Ne gjykojmë që, një ndër shkaqet kryesore ishte sepse u dha një votë proteste ndaj qeverisjes së vendit. Për fatin e keq, zgjedhjet lokale morën ngjyrime politike, të cilat u pasqyruan qartazi edhe në disa qytete kryesore të Shqipërisë, të cilat votuan kundër të djathtës. Pra, nuk fitoi opozita, por humbi e djathta”.

Ilir Rusmali, zv.kryeministër, 23 shkurt

“Koalicioni i djathtë ka arritur të fitojë në zgjedhjet e 18 shkurtit. E djathta ka fituar me 55 për qind. Por po ndodh një fenomen i çuditshëm mediatik dhe opinioni publik, sigurisht një pjesë e tyre, po e çojnë për të herë parë vendin në një moment që nuk shihen me qartësi shifrat”.

Bamir Topi, nënkryetari i PD-së, 23 shkurt

“Zgjedhjet e pushtetit vendor natyrisht që kanë një lexim disi specifik, pasi ka disa tregues rreth mbështetjes politike në të gjithë territorin, e cila kuptohet nga numri i votave, madje edhe çështja e rëndësisë është për t’u marrë në konsideratë, sepse askush nuk e vë në dyshim, që qytetet e mëdha janë primare në krahasim me komunat”.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, për deklaratën e Berishës, 23 shkurt
“Berisha të heqë dorë nga bllokimi, të njohë rezultatin. Nëse jo, do përdorim barrikadën njerëzore. Duhet të shpreh keqardhjen që Kryeministri dhe kryetari i kampit tjetër nuk është në gjendje të pranojë brenda standardeve dhe etikës qytetare humbjen, ashtu sikundër po manifeston një mungesë shqetësuese vullneti për t’i dhënë fund këtij procesi”.

Oli Rehn, komisari i BE-së për zgjerim, 23 shkurt

“Kjo mungesë në përgatitje dhe administrim të këtyre zgjedhjeve reflekton nevojën për bashkëpunim për të përmbushur angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Politikanët tani duhet të rrisin dhe të gjejnë rrugët dhe mënyrat për të bashkëpunuar mbi reformën elektorale dhe në shumë reformat e tjera, që Shqipëria përballet për procesin e integrimit”.

Bujar Nishani, deputet i PD-së, për rezultatin, 24 shkurt
“Përgjegjës për rezultatin e zgjedhjeve të 18 shkurtit në kryeqytet janë pikërisht deputetët e PD-së. Paraqitja e PD-së në zgjedhjet e 18 shkurtit në Tiranë ka të bëjë me veprimin e degës së PD-së dhe tetë deputetëve demokratë të Tiranës. Olldashi ka qenë kandidatura më e mirë për Tiranën, duke krahasuar rezultatin me atë të 2003-shit.”

Jozefina Topalli, kryetarja e Kuvendit, 24 shkurt

“Kjo nuk është një arsye e PD-së për të kaluar në triumfalizëm, meqenëse e lexojmë dhe votën në disa qytete të mëdha, ku PD-ja me aleatët e saj nuk është rikonfirmuar. Sigurisht që nuk më vjen mirë, sepse e kisha më shumë përzemërt që Tirana të drejtohej nga e djathta. Duhet të shohim çfarë defektesh kemi pasur në qytetet e mëdha ku s’gjetëm konfirmim”.

Alfred Moisiu, Presidenti i Republikës, 24 shkurt

“Edhe një herë ju bëj thirrje partive politike të jenë seriozisht të angazhuara për mbylljen ligjore të procesit zgjedhor dhe në të njëjtën kohë të dëshmojnë vetëpërmbajtje dhe përgjegjshmëri të lartë. Gjithashtu, i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor të jenë korrektë në zbatimin e ligjit”.

Genc Pollo, kryetar i PDR-së, 24 shkurt
“Mazhoranca ka një mandat reformator 4-vjeçar, të cilin duhet ta ushtrojë me vendosmëri deri në fund dhe çdo ndryshim do të diskutohet në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Koalicionit. Në këtë rezultat kemi arritur vërtetë një nivel të kënaqshëm, por jam i sigurt se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ne do të rrisim edhe votat, përqindjet dhe mandatet tona”.

Artur Roshi, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat, 24 shkurt

“Akile Rama me vullnetin e tij, në emër të Partisë BKD ka nënshkruar një deklaratë për kandidim. Presionet janë bërë nga levat e PS-së. Deklarata për t’u tërhequr nga kandidimi duhet të jetë deklaratë materiale dhe këtë deklaratë i ndjeri Rama ma ka dërguar mua. Kjo hedh poshtë të gjitha falsitetet dhe intrigat që thur PS-ja në adresë të BKD-së ndaj armiqve të dikurshëm”.

Besnik Bare, kryetari i PS-së Tiranë, 25 shkurt

“Berisha nuk mund të fshihet prapa hartës së Shqipërisë me abuzime fjalësh, kur ka humbur Tiranën, Durrësin, Fierin. Ne i bëjmë thirrje pjesës racionale, progresiste të PD-së, të shikojë drejt së ardhmes e të shkëputet nga politika e vjetër. Ka ardhur koha që dhe PD-ja të hapë një faqe të re në historinë e saj”.

Omer Stringa, anëtar kryesie i PD-së, 25 shkurt

“Mendoj se deklarata e zotit Berisha mund të jetë nga të paktat deklarata të imponuara nga mentorët servilë informalë, të cilët e rrethojnë atë në çdo kohë dhe aq më shumë në kohë fushatash. Zakonisht këta mentorë gjykojnë siç gjykon zoti Berisha, por siç duket këtë radhë humbja i rëndon më shumë ata se të tjerët”.

Kryeministri Sali Berisha, Grupi Parlamentar i PD-së, 26 shkurt

“Ne do t’i analizojmë me përgjegjësi, si fitoren e thellë, më të thellën pas ’92-shit, ashtu edhe mungesën e saj. Por dua të theksoj se, ata që nxituan, vrapuan, për të shpallur zgjedhësit që nuk votuan për binomin Rama-Meta, si eskimezë, siç bëri ideologu i PS-së, treguan një racizëm të papërmbajtur, jo vetëm për faktin se kur në Krujë llamburitnin dritat, të parët e tij kacavirreshin në ahishte”.

Arian Madhi, deputet i PR-së, 26 shkurt
"Duke u nisur nga kriteri themelor, që ndërtimi i qeverisë nuk mund të vijë për shkak të rezultatit zgjedhor lokal, por për shkak të vlerësimit të realizimeve të programit të qeverisë, kjo do të përbënte kriterin bazë të nisjes së një dialogu ndërmjet aktorëve politikë të mazhorancës”.

Mimi Kodheli, zëdhënësja e fushatës, 21 shkurt
“Sokol Olldashi humbi sepse fitoi Edi Rama, kjo është arsyeja e parë. Arsyeja e dytë, është se Olldashi bëri dy gabime që lidhen me denigrimin e figurës së Ramës, por edhe mohimin e gjithçkaje në punën e tij. Jam e sigurt, se këto dhe vetëm këto kanë çuar në atë humbje spektakolare nga një fitore spektakolare e Edi Ramës”.

Ylli Pango, deputet i PD-së, 21 shkurt

“Është ende herët për të folur për një fitore të Edi Ramës, pasi deri më tani janë hapur vetëm ato kuti që mendohen se vijnë nga bastione të së majtës. Akoma nuk janë hapur bastionet e së djathtës që mendojmë se do të përmbysin rezultatin”.

Ben Blushi, sekretar politik i PS-së, 22 shkurt

“Qeveria “Berisha” mund të konsiderohet e rrëzuar, për shkak se vetëm dy anëtarë të kabinetit kanë mundur të fitojnë në zonat e tyre. Këto zgjedhje treguan qartë që shqiptarët kanë votuar kundër qeverisë dhe në bazë të rezultateve janë dy akset kryesore të vendit, Lezhë-Vlorë dhe Durrës-Korçë që tregojnë qartë që shumica e shqiptarëve janë kundër qeverisë”.

Leonard Solis, deputet PBDNJ, 22 shkurt

“Është detyrë e trajnerit që të bëjë ekipin dhe është detyrë absolute e Partisë Demokratike që të rishikojë qeverisjen, të rishikojë programin e saj. Pas çdo humbjeje, natyrisht që analiza është e domosdoshme dhe partia që është substanciale në koalicion duhet të nxjerrë konkluzionet”.

Leonard Olli, zëdhënës i KQZ-së, 19 shkurt

KQZ u bën thirrje komisionerëve të grupeve të numërimit të votave, që të mos braktisin punën, por të vazhdojnë procesin derisa të përfundojnë të gjithë kutitë e votave të njësive përkatëse. Nëse anëtarët e GNV-ve nuk do të rikthehen në krye të detyrës për të vijuar numërimin e votave, ata do të ndiqen penalisht”.

Pandeli Majko, sekretar i Përgjithshëm i PS-së, 19 shkurt

“Shprehja “një mundësi e humbur”, e përsëritur nga faktori ndërkombëtar, sigurisht nuk mund të bëjë optimist askënd, sepse flitet për fatin e shqiptarëve, procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. I drejtohem mazhorancës! Dëshiroj të siguroj që opozita do të garantojë deri në fund një qëndrim korrekt”.

Organizata “Omonia”, Himarë, 19 shkurt

“Kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike të ndërpresin këtë lojë të rrezikshme që do t’i lërë përfundimisht të ekspozuar para komunitetit ndërkombëtar dhe do të përbejë pengesë në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit tonë. Mekanizmat e PD-së dhe PS-së po tentojnë të shkatërrojnë këtë garë elektorale”.

Ligoraq Karamelo, kryetar i LDLNJ-së, 21 shkurt
 
"Në Himarë duhet të përsëriten zgjedhjet. Vasil Bollano i ka porositur banorët që të shkojnë të votojnë ditën e diel pas orës 11:00 të paradites. Të gjitha ata që kanë shkuar para orës 11:00 kanë një firmë të veçantë nga sekretarët e komisioneve të qendrave të votimit. Për pasojë, këto fletë janë nxjerrë të pavlefshme nga KZQV-ja gjatë numërimit të votave”.

Bob Hand, këshilltari i Komisionit të Helsinkit në Kongresin e SHBA-së, 21 shkurt

“Në fakt, unë do të isha habitur sikur zgjedhjet të përmbushnin standardet, sepse që në fillim ato nuk morën drejtimin e duhur. Shpresoj që zyrtarët e zgjedhur të fillojnë nga detyra dhe t’i shërbejnë popullit dhe, udhëheqësit e Shqipërisë të mësojnë nga gabimet e këtyre zgjedhjeve në vend që të përsërisin të njëjtat gabime në zgjedhjet e ardhshme”.

Paskal Milo, kreu i PDS-së, 23 shkurt

“Në rast se Sali Berisha do të guxojë të prekë votën, atëherë do të duhet të përballet me rezistencën e shqiptarëve. Është e patolerueshme që pasi e ka kthyer vendin prapa në kuptimin e standardeve dhe pasi Shqipëria ka humbur sikur e thonë edhe ndërkombëtarët, tani në këtë mjegull paszgjedhore, të rrëmbehet rezultati i vendosur me votën e qytetarëve”.

Neritan Ceka, kreu i PAD-së, 23 shkurt

“Kjo fitore ka qenë një fitore e qytetarisë dhe qytetarëve. Dhe, zoti Sali Berisha duhet ta dijë shumë mirë që qytetarët dinë ta mbrojnë fitoren e tyre. I bëj thirrje Berishës që të mos prekë votat e qytetarëve”.

Andis Harasani, deputet i PS-së, 23 shkurt

“Zgjedhjet e parakohshme kanë qenë dhe janë pjesë e platformës së koalicionit të së majtës së bashkuar. Sigurisht që ka qenë kjo platformë, e cila ne na dha fitoren spektakolare në zgjedhje dhe sigurisht do të vazhdojë të ndiqet. Ne do të vazhdojmë me këtë platformë”.

Albert Brojka, ish-kryetar i Bashkisë Tiranë, 23 shkurt

“PD s’do të bëjë një analizë për humbjen, sepse PD-ja po e quan fitore, sepse ka fituar pjesën dërrmuese dhe nuk ka aftësi ta pranojë humbjen dhe ta analizojë humbjen. Por do vazhdojë përpara për fitore të tjera, “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!”, dhe të bëjnë premtimet që kanë dhënë dikur”.

Dedë Ndreca, kryetari i ri i Bashkisë Mamurras, 24 shkurt

“Unë fitova se u bënë zgjedhje të ndershme. Nuk mendoj që ka ndonjë sekret, por ajo që unë dua të theksoj, është fakti se Mamurrasi nuk është bastion i PD–së. Këtë e tregoi më së miri vota e 18 shkurtit. Dua të them se të dielën u shënua votimi më i rregullt që është bërë këto 15 vite demokraci”.

Blendi Klosi, deputet i PS-së, 24 shkurt

“Kemi një menaxhim të keq për sa i përket ditës së zgjedhjeve nga ana e qeverisë, kemi një rezultat skandaloz dhe kriminal të Policisë së Shtetit, e cila me ligjin elektoral dhe me ligjin e Policisë së Shtetit, e ka më se të ndaluar të marrë pjesë në procesin zgjedhor”.

Sabit Brokaj, nënkryetari i LSI-së, 24 shkurt
"Koalicioni ka funksionuar mjaft mirë, por në ndonjë zonë ku bëhet fjalë vetëm për zona rurale, mundet të mos jetë arritur që të mos shuheshin dhe të zbuteshin mosbesimet apo kundërshtitë që kishin lindur në zgjedhjet parlamentare të kaluara, gjë që e ka cënuar koalicionin, megjithatë ritheksoj se ka funksionuar mjaft mirë”.

Sabri Godo, President Nderi, PR, 24 shkurt

“Nëse opozita u hyn aventurave politike, të bëjë zgjedhje të parakohshme, të marrë një revansh duke përfituar nga situata, kjo e gjitha ka për të shkuar në dëm të tyre. Sepse në Shqipëri nuk duhet t’i hyhet më bërjes së zgjedhjeve pa regjistrin themeltar të zgjedhësve dhe pa një Kod Zgjedhor”.

Majlinda Bregu, deputete e PD-së, 25 shkurt

Koalicioni i majtë udhëheq me 14 për qind më shumë të votave në Këshillat Bashkiak. Shpresoj që ky rezultat të lexohet drejt dhe me qetësi nga kampi tjetër, dhe të mos keqpërdoret për të etiketuar qytetarët e tjerë në eskimez evropianë”.

Pajtim Bello, nënkryetar i PSD-së, 26 shkurt

“Gjërat janë ndryshe në këto zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e 2003-shit. Nëse në ato zgjedhje ne kishim vetëm një kundërshtar, PD dhe të djathtën në tërësi, por duke e pasur me vete PS-në, kjo ndodhi në 2003-shin. Në 2007-n ne kishim një Parti Socialiste të ndarë në dy parti, të cilën jo në pak raste nuk e kishim me vete”.

Jemin Gjana, ministër i Bujqësisë, 26 shkurt
“Duke qenë se ka pasur dhe ka komente për çështjen e rezultateve, duke u përpjekur që PS-ja ta quaj si arritje dhe humbje të PD-së dhe aleatëve të saj, dua të them se në 16 vite dhe dhjetëra fushata elektorale, shpërndarja e fitores së të 18 shkurtit është më e madhja që ka ekzistuar ndonjë herë për PD-në”.

Eduard Gillespi, ish-kryetari i Partisë Republikane në SHBA, 23 shkurt
“Shpreh keqardhjen për vlerësimet që ka bërë raporti i OSBE-së për zgjedhjet. Prandaj, dua të njihem me raportin e hollësishëm të OSBE-së për natyrën e zgjedhjeve. Unë do të ndihesha i zhgënjyer, pasi kur isha atje pashë se sa entuziastë dhe të interesuar ishin njerëzit për zgjedhjet. Nëse zgjedhjet nuk i plotësuan standardet, do të më vinte keq për popullin e Shqipërisë”.

...................................................................................
Krye  

Mbledhja e Grupit të Partisë Demokratike, kryeministri pranon humbjen e Tiranës

Berisha: Së shpejti, ndryshime në qeveri

Anisa PELLUMBI

Ndryshimet në qeveri janë pohuar edhe nga kreu i mazhorancës, Sali Berisha. Në mbledhjen e parë të Grupit të tij Parlamentar pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, ai tha se këto ndryshime do të bëhen në kuadrin e përshpejtimit të reformave, duke vënë theksin në fitoren e 18 shkurtit. Megjithatë, ai ka pranuar humbjen e kryeqytetit, Korçës, Elbasanit, Beratit dhe Fierit, duke kërkuar një analizë të thellë të humbjes, gjë e cila do të shoqërohet edhe me ndryshime në strukturat e kësaj partie. Burime nga Paria Demokratike bëjnë të ditur se Berisha ka kërkuar që ministrat demokratë të mos kenë poste politike në Partinë Demokratike.
Ndryshimet në qeveri
Ajo çka diskutohet prej ditësh, tashmë është pranuar edhe nga kreu i mazhorancës, Sali Berisha. Në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, pas 18 shkurtit, kreu i qeverisë paralajmëroi ndryshime në kabinetin e tij. Ndërkohë që ai paralajmëroi ndryshime dhe në strukturat e demokratëve. “Qeveria do të ketë ndryshimet e veta, në mënyrë që ritmi i reformave të shpejtohet, ndërkohë që çdo votë ndryshe e dalë nga zgjedhjet e 18 Shkurtit, do të analizohet me përgjegjësi të plotë nga ne”, u shpreh Berisha. Sipas tij, ndryshimet në qeveri nuk bëhen për shkak të rezultatit të zgjedhjeve vendore të një javëve më parë, por për respektimin e marrëveshjes me PDK-në dhe vazhdimin e reformave të qeverisë. “Janë një seri agjencish dhe reformash që presin me padurim të njohin ritme të reja, të shpejta, do të thellohet lufta kundër korrupsionit”, shtoi më tej. Berisha bëri të ditur se, qëllimi i Partisë Demokratike në këtë situatë paszgjedhore është konsolidimi i fitores me koalicionin qeveritar, por edhe ristrukturimi i strukturave të vetë PD-së, në zonat ku ajo humbi.
Ndryshimet në PD
Por edhe pse shprehen për fitore të së djathtës, nuk do të jetë vetëm qeveria ajo që do t’i nënshtrohet ndryshimeve, por edhe vetë Partia Demokratike. Burime nga Grupi Parlamentar bëjnë të ditur se, pas një analize të bërë në mbledhjen e tij, do të ndryshojnë edhe strukturat e partisë në pushtet. Ajo çka është konstatuar është se humbja në qytetet e mëdha ka ardhur si pasojë e strukturës së dobët të Partisë Demokratike në këto zona. Ndërkohë që është vendosur se brenda kësaj jave do të mblidhet kryesia e kësaj partie, për të bërë një analizë të thellë mbi strukturat.

...................................................................................
Krye  

Opozita ka vijuar turin e falënderimeve në prefekturën e qarkut Elbasan dhe në Korçë

“Me çdo kusht reformimi i PS-së”

Altin SINANI

Jo vetëm kur humbet, por edhe kur fiton selia rozë reformohet. Tashmë është e sigurt që pas fitores në zgjedhje vendore, Partia Socialiste do të pësojë një reformë të thellë të saj. Këtë e ka konfirmuar dje kreu i PS-së, Edi Rama nga qyteti i Korçës. Kryesocialisti, është ndalur dje në Elbasan dhe Korçë në kuadrin e turit të falënderimeve që ka nisur në qytetet ku ka fituar e majta. Kreu i PS-së ka deklaruar se, pas fitores një nga gabimet që nuk duhet të bëjë më PS-ja është që të harrojë ata për të cilët ekziston dhe ata të cilët e mbajnë gjallë dhe e bëjnë fituese në beteja. Sipas Ramës, të gjitha betejat, në të gjitha qytetet e mëdha të Shqipërisë, kanë pasur një rëndësi të madhe, por bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit kanë pasur një rëndësi më të veçantë.
Elbasan
Në takimin e zhvilluar në sallën e teatrit “Skampa”, kandidati Sejdini falënderoi qytetarët e Elbasanit për mbështetjen që i dhanë gjatë fushatës zgjedhore. Ndërsa duke iu drejtuar të pranishmëve, kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se “nuk mund ta gëzoj fitoren time pa atë të Qazim Sejdinit”. “Kur fitorja në Tiranë u pa qartë, unë nuk gëzoja, pasi ende nuk kisha marrë vesh se çfarë do të ndodhte me Elbasanin dhe Durrësin”, tha Rama. Ndërsa shtoi se, “PS i kishte një borxh Elbasanit që duhet t’ia kthente, dhe ne pjesën e parë ja kthyem, duke caktuar një kandidat që përfaqësonte vlerat më të mira të qytetarisë së Elbasanit”. Më pas Rama shtoi se “E bëra këtë udhëtim për të falënderuar të gjithë qytetarët elbasanas dhe për t’ju thënë se një nga gabimet që nuk duhet të bëjë më PS-ja është që të harrojë ata për të cilët ekziston dhe ata të cilët e mbajnë gjallë, dhe e bëjnë fituese në beteja”, tha Rama.
Korçë
Duke iu drejtuar të pranishmëve, Rama shprehu falenderime për mbështetjen që zgjedhësit e Korçës i dhanë kandidatit të opozitës, Niko Peleshi. “Përulem para qytetarëve korçarë për besimin që i dhanë kandidatit Peleshi”, tha Rama. Në fjalën e tij, duke iu drejtuar të pranishmëve, Rama tha se “ju na e dhatë votën, na e dhatë besimin dhe e bëtë investimin ndaj nesh”. Më pas Rama theksoi se “tani na takon ne të bëjmë detyrën tonë, duke qënë edhe më modestë, edhe më të dëgjueshëm ndaj kërkesave tuaja, karshi aspiratave tuaja”. Në fund Rama deklaroi se “Jemi të vendosur për ta bërë me çdo kusht reformimin e thellë të PS-së, në mënyrë që të gjithë ta kenë këtë parti si një instrument për të ndryshuar jetën e tyre”.

...................................................................................
Krye  

PD në Korçë

Ashtu siç e paralajmëroi edhe vetë kryeministri Berisha, ndryshimet në strukturat e Partisë Demokratike do të përfshijnë strukturat kryesore të kësaj partie. Qytet kryesore që do të penalizohen do të jenë ato qytete ku Partia Demokratike humbi në zgjedhjet e 18 shkurtit. Një nga këto qytet është edhe Korça, ku kryetar i kësaj partie është Kristaq Balli. Ndërkohë që pak kohë më parë ky kryetar zëvendësoi paraardhësin e tij, Ilir Koroveshi. Qytetet e tjera që do të prekë strukturimi janë edhe Lushnja dhe disa nëndegë në Tiranë.

KZZ e Bushatit: Votat të numërohen në “fshehtësi”

Kutitë e votimit të Bushatit hapen pa praninë e mediave. Njësia vendore e Bushatit pas shumë konfliktesh dhe bllokimesh të proceseve të numërimit të votave, kanë bërë që të ndërhyjë institucioni i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas vendimit të KQZ-së, anëtarët e komisionit zonal të Bushatit i kërkuan KQZ-së që kutitë e votimit të hapen pa praninë e mediave. Pas shqyrtimit të kësaj kërkese nga ana e KQZ-së, vendoset që kërkesa e tyre të pranohet, duke lëshuar një vendim që kutitë e votimit të hapen pa praninë e mediave. Vetëm pak ditë më parë, KQZ vendosi që kutitë e votimeve të njësisë vendore të Bushatit të hapen në Tiranë nën administrimin e vëzhguesve të këtij institucioni.

Pesë njësi vendore në administrimin e KQZ-së

KQZ-ja ka marrë në dorëzim të gjitha materialet e nevojshme për administrimin e proceseve të nxjerrjes së rezultateve në zonat problematike. Pas shumë problemeve të krijuara dhe bllokimit të proceseve në KZQV-të e Elbasanit, Paskuqanit, Hekalit, Bushatit dhe njësisë numër 10 të minibashkisë së Tiranës, tashmë KQZ-ja ka marrë nën administrim këto zona. KQZ-ja do të hedhë shortet që të përcaktojë se kur do të shqyrtohen këto raste dhe do të vazhdojë përsëri përfundimi i tabelës së rezultateve. Deri dje, në KQZ janë paraqitur tabelat e plota të rezultateve nga 340 njësi vendore, ku pritet të dorëzohen dhe njësitë e tjera, midis tyre njësitë vendore më të mëdha në vend.

Rezultatet

Partia Socialiste ka akuzuar dje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka bllokuar shpalljen e rezultateve në disa qytete të mëdha, pas urdhrave të marra nga kryeministri Berisha. Sipas nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Petro Koçi, qytetet e Durrësit dhe Elbasanit po mbahen peng nga KQZ. “I bëjmë apel KQZ-së të ndërmarrë veprime të menjëhershme e të shpejta për shpalljen e rezultateve dhe për mbylljen e procesit të zgjedhjeve të 18 shkurtit. Rastet e Elbasanit, Durrësit, Paskuqanit, minibashkisë Nr.10”, tha Koçi.

Parlamenti rifillon “jetën” me debate për zgjedhjet

Pas tri javë ndërprerjeje për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet e pushtetit vendor, Kuvendi ka rinisur dje punimet në seancë plenare. Minutat e parashikuara për çështje jashtë rendit të ditës, i janë kushtuar diskutimeve nga të dyja palët për zgjedhjet lokale. Edhe këtë radhë, seanca parlamentare është përfshirë nga debatet midis mazhorancës dhe opozitës. Deputetë të mazhorancës në diskutimet e tyre gjykuan se më i rëndësishëm se rezultati në këto zgjedhje, ishin standardet, realizimi i të cilave do ta ndihmojë vendin për integrimin në BE dhe NATO. Deputetja e PR-së, Lajla Përnaska, tha se “në këtë atmosferë post-zgjedhore, çështja nuk duhet të shtrohet në humbës apo fitues, pasi e rëndësishme është që Shqipëria të realizojë standardet, që do të na ndihmojnë në integrimin e vendit”. Nga ana e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Sabit Brokaj, tha se nuk ka vend të mburremi për standardet, pasi na duhet të përgatitemi për Kodin e ri Zgjedhor, për zgjedhjet e ardhshme, duke realizuar kartat e regjistrimit të popullatës”. Ndërsa, Petro Koçi, nënkryetar i Grupit të PS-së, theksoi se “zgjedhjet e 18 shkurtit i fitoi opozita, pasi ofroi alternativa më moderne dhe qytetare”. Ai tha se, “pas këtij procesi elektoral politika duhet të angazhohet në procesin e reformës zgjedhore, e cila duhet të zhvillohet pas një analize të saktë dhe reale të këtij procesi. Reforma kërkon vullnet politik dhe jo demagogji”.

Moisiu: Të ikin liderët e politikës së vjetër

Presidenti Alfred Moisiu ka marrë pjesë në punimet e Forumit Ndërkombëtar për Lidershipin, të zhvilluar në Shkup, nga fondacioni ndërkombëtar “Boris Trajkovski”. Në këtë takim, Moisiu ka deklaruar se është nevoja për një lidership të ri politik. Për këtë, Moisiu iu referua disa prej zhvillimeve të kohëve të fundit në rajonin e Ballkanit. “Rajoni ynë, me personalitete të spikatura dhe me vizion, ka arritur të dalë nga rrethi vicioz i së kaluarës dhe të prodhojë modele lidershipi të referueshme për ne dhe tej nesh, në një hapësirë evropiane”, tha Moisiu. Në këtë kontekst, Presidenti theksoi se, “përgjegjësia e lidershipit, në kuptimin pozitiv të termit, ka të bëjë me ata individë që dëshmojnë lidership dhe përgjegjësi për progresin dhe përparimin e vendit të tij, dhe që angazhohen për paqen dhe bashkëpunimin në rajonin ku jetojnë e më tej”. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, Moisiu, si i ftuar i nderit në këtë forum, mbajti një fjalë në të cilën përshëndeti këtë aktivitet si një tjetër mundësi që i jepet të rinjve me synime dhe angazhim politik për të diskutuar lidhur me problematikën tepër aktuale të rajonit tonë siç është bashkëjetesa.

 
.................................................................................
Krye  

 Politike
  Berisha: Së shpejti, ndryshime në qeveri
..
..........................................
  “Me çdo kusht reformimi i PS-së”
..
..........................................
  Shkurt
..
..........................................