SHKODER/ Policia arreston bashkëpunëtorin, në kërkim autori i atentatit  
   
Sherri për pronën, plumba fqinjit  
     

Zef PALI

SHKODER – Nuk ka duruar dot sherret e vazhdueshme me fqinjin për pronën, dhe e ka qëlluar gjashtë herë me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 16.00, në tregun e Zdrales të qytetit të Shkodrës. Burime nga policia e Shkodrës bëjnë të ditur se 34-vjeçari Besnik Velia ka qëlluar me pistoletë fqinjin e tij, Edmir Beja. Ndërsa është shoqëruar në spital i plagosuri, autori i atentatit ka mundur të largohet i ndihmuar nga shoku i tij, 35-vjeçari Afrim Kazazi. Policia ka mundur të vërë në pranga këtë të fundit dhe të gjejë armën e krimin, ndërsa ka shpallur në kërkim autorin.
Ngjarja
Burime pranë komisariatit në Shkodër bëjnë të ditur se konflikti për pronën mes familjes Velia dhe Beja ka ekzistuar prej vitesh. Dje, 35-vjeçari Edmir Beja është takuar në një lokal me fqinjin e tij, Besnik Velia, të dy banues në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Shkodrës. Pasi kanë diskutuar në lokal për problemin e përhershëm të tyre, pas disa minutash sërish janë përballur në tregun e Zdrales, në mes të qytetit verior. I shoqëruar nga miku i tij Afrim Kazazi, 34-vjeçari ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të Bejës, dhe ka mundur të largohet me makinën e shokut të tij. Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka mundur të shoqërojë në spital viktimën, ndërsa është vënë në kërkim të autorit. Pas disa orësh, policia ka mundur që të arrestojë 35-vjeçarin Kazazi, mik me autorin e plagosjes, dhe të gjejë gjithashtu edhe armën tip pistoletë TT, me të cilën është bërë krimi. Sipas policisë, arma është gjetur në makinën me të cilën Kazazi ka mundur të fshehë autorin, i cili është shpallur person në kërkim. Mbi autorin e ngjarj es rëndon vepra penale e tentativës së vrasjes dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa ndaj Kazazit rëndon vepra penale e fshehjes së autorit të krimit dhe mos dhënies ndihmë të drejtësisë për zbardhjen e të vërtetës. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes 6 gëzhoja pistolete.

Spitali
Burime pranë spitalit të Shkodrës bëjnë të ditur se gjendja e 34-vjeçarit Edmir Beja është kritike. Ai është qëlluar 6 herë në bark. Sipas mjekëve, ai i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Plumbat e kanë kapur në pjesën e barkut, duke i shkaktuar hemorragji të lartë. I plagosuri ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

...................................................................................
Krye  

Gjirokaster/ Fondi do të menaxhohet nga UNESKO

Qeveria, 1.2 milionë euro për shtëpitë muze

Genta BRAHIMI

GJIROKASTER – Dhjetë banesa karakteristike gjirokastrite do të përfitojnë investime për ndërhyrje të pjesshme në pjesët më të rrezikuara të tyre. Drejtoria e Monumenteve në Gjirokastër ka bërë gati projektet për restaurimin në pikat më të dëmtuara të shtëpive. 9 prej tyre kanë statusin e monumentit të kategorisë së parë dhe një është monument i kategorisë së dytë.
Fondi
Spartak Drrasa, drejtori i Drejtorisë së Monumenteve, thotë se “investimet në bazë të preventivave të hartuar nga specialistët tanë për të ndërhyrë në këto shtëpi kapin shumën e 78.5 milionë lekëve”. Sipas tij, ky fond do të përfitohet në kuadër të shumës prej 1.2 milionë eurosh që qeveria shqiptare i ka dhënë qytetit muze dhe që menaxhohet përmes UNESKO-s. Veç banesave të vjetra gjirokastrite, në këtë projekt janë përfshirë edhe dy investime të rëndësishme për Kalanë dhe Pazarin karakteristik. “Janë 20 milionë lekë për t’u përdorur në Pazarin karakteristik dhe 30 milionë të tjera për kalanë e qytetit, të nevojshme për t’i nxjerrë këto monumente nga gjendja e emergjencës”, shprehet Drrasa. Në listën e shtëpive që përfitojnë investime janë disa nga komplekset më të njohura të qytetit, si kompleksi i Angonatëve, Kabilatëve, Babameto, Çene, etj. Këto fonde pritet të çelen në fillim të muajit mars. Ndërsa nga Ministria e Kulturës janë dhënë 12.6 milionë lekë. Nga këto 10 milionë për ndërtimin e shtëpisë së shkrimtarit Ismail Kadare, 2 milionë për të sistemuar teatrin antik të Adrianopulit, pranë fshatit Sofratikë dhe 600 mijë lekë për të restauruar Urën e Kordhocës, e cila është dëmtuar mjaft si pasojë e gërryerjeve të lumit Drino. Pas akordimit të fondeve, vijon Drrasa, gjithçka është gati për të nisur punën në këto objekte.
Projekti
Një tjetër projekt i hartuar në bashkëpunim me fondacionin “Pacard” synon rehabilitimin e kullës së sahatit të Gjirokastrës. Projekti kap shumën e 200 mijë lekëve dhe synon që strukturën e brendshme të tij ta kthejë në një ambient funksional dhe të vizitueshëm për të gjithë turistët. Kulla e sahatit në kalanë e Gjirokastrës është ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Pjesa e brendshme e saj ka një hapësirë të gjerë që gjatë festivaleve folklorikë kombëtarë ka shërbyer si vend për veshjen e artistëve. Gjatë 16 viteve të fundit është lënë tërësisht në harresë, ndërsa është investuar vetëm në pjesën e sipërme të kullës për shkak të dëmtimeve të shumta në çatinë e sahatit.

Shtepia e kadarese

10 milionë lekë do të përdoren nga Drejtoria e Monumenteve të Gjirokastrës, për restaurimin e shtëpisë së shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Restaurimi i shtëpisë së Kadaresë do të nisë në fillim të muajit mars, me menaxhimin e UNESKO-s dhe projektit të dhënë nga Drejtoria e Monumenteve në Gjirokastër. Fondi është miratuar nga qeveria shqiptare.

Objektet qe do te restaurohen

Fondi 12.6 milionë
lekë i akorduar për
Shtëpinë e Kadaresë 10 milio
në lekë
Teatrin e Adrianopulit 2 milionë lekë
Urën e Kordhocës 600 mijë lekë

Fondi i kërkuar
78.5 milionë lekë për
Shtëpinë e Angonatëve 7.7 milionë lekë
Shtëpia e Neim Çenes 7.7 milionë lekë
Shtëpia e Çabejt 1.1 milionë lekë
Shtëpia e Babametos 7 milionë lekë
Shtëpia e Kabilatëve 1.26 milionë lekë
Shtëpia e Kikinove 6.6 milionë lekë
Shtëpia e Gurgait 7.2 milionë lekë
Pazari 20 milionë lekë
Kalaja 30 milionë lekë

...................................................................................
Krye  

Zgjedhjet, radhë në sportelet e pasaportave

DURRES - Janë rikthyer radhët e gjata në sportelet e pajisjes me pasaporta pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Shkak për këtë situatë është bërë ndërprerja 10-ditore e pranimit të aplikimeve për shkak të fushatës zgjedhore. Përgjegjës të zyrës thanë dje për gazetën se, ka nisur puna me intensitet të plotë dhe në dy javë do të mbulohen edhe aplikimet e mbetura pezull. Në dy sportelet që aktualisht janë në gjendje pune janë vënë në shërbim edhe dy punonjës shtesë, ndërsa është thënë se ka gjendje të mjaftueshme të pasaportave. Pas datës 10 shkurt të gjitha aplikimet për pasaportë të re janë pezulluar me një afat dyjavor për të nisur sërish të hënën. Drejtoria e Policisë së Qarkut thuhet zyrtarisht se ka marrë të gjitha masat për t’i dhënë zgjidhje shumë të shpejtë situatës së krijuar, duke pohuar se ka gjendje të konsiderueshme pasaportash të bardha.

Aksidenti, plagosen rëndë tre familjarë

BERAT - Tre anëtarë të familjeje kanë përfunduar në spitalin e Beratit, të plagosur rëndë pas një aksidenti automobilistik. Aksidenti mësohet të ketë ndodhur në rrugën nacionale Berat-Poliçan, në fshatin Fushë-Peshtan. Sipas burimeve të policisë, autovetura tip “Benz”, me targë KO 1854 A, që drejtohej nga Njazi Mysliu, 49 vjeç, banues në qytetin e Bilishtit, është përplasur në parmakët e urës së Fushë-Peshtanit dhe ka përfunduar në përrua. Për pasojë kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit, bashkëshortja e tij, Fiqerete Mysliu, 40 vjeçe dhe vajza e tyre, Elena Mysliu, 22 vjeçe. Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur për shkak se drejtuesi i mjetit ka qenë në gjendje të pirë. Sipas mjekëve të spitalit të Beratit, më rëndë është drejtuesi i autoveturës, ndërsa bashkëshortja dhe vajza janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kontrabanda, pranga malazezve

SHKODER - Arrestohen dy malazezë për kontrabandë mallrash fiskale. Dy persona, banues në Mal të Zi, janë vënë nën pranga të hënën në mëngjes nga blutë e Shkodrës. Sipas burimeve nga policia, që të dy janë arrestuar në flagrancë, teksa kanë qenë duke bërë transportin e mallrave. Sipas policisë mësohet se, janë arrestuar Bahrudin Mustafa Lekiç dhe Milenko Nikolle Kontiç, ndërsa është shpallur në kërkim Nazmi Dashi, tregtari nga Kopliku, i cili kishte porositur mallin. Bahrudin Mustafa Lekiç, 32 vjeç, banues në Vranjë, Podgoricë, Mali Zi, me kombësi shqiptare e shtetësi malazeze, ka qenë i dënuar më parë në Mal të Zi për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Milenko Nikolle Kontiç, 41 vjeç, banues në Zabjelo, Podgoricë, Mali Zi, me shtetësi e kombësi shqiptare. Të dielën rreth orës 21:30 të ndaluarit janë kapur në ujërat territoriale shqiptare në Liqenin e Shkodrës dhe pikërisht në drejtimin e fshatit Jubicë. Ata po lundronin me një mjet lundrues prej metali, me përmasa 9x1.75 m me një motorr 120 HP, duke tentuar për t’u kthyer në ujërat territoriale malazeze. Në mjetin lundrues janë bllokuar 75 koli cigare të markës “Karelia Slims”, të cilat ia kishin sjellë 41-vjeçarit Nazmi Dashi, banues në Koplik, Malësi e Madhe. Policia ka bërë të ditur se, është bërë shpallja në kërkim e Dashit për veprën penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”. Policia po vazhdon kontrollet për gjetjen dhe sekuestrimin e cigareve kontrabandë, që kanë shpërndarë dy të arrestuarit.

VJEDHJA

DURRES - Dy persona arrestohen, pasi akuzohen si autorë të vjedhjes së kabllos elektrike. Sipas policisë, të arrestuarit G.Tori, 32 vjeç, nga Durrësi dhe E.Kisa, 28 vjeç, nga Sukthi, kanë kryer vjedhje në vende të ndryshme, por jo në bashkëpunim. Ndërkohë që kanë qenë edhe më parë të dënuar për vjedhje. Mësohet se, Kisa akuzohet të ketë hyrë brenda nënstacionit të Fllakës për të bërë vjedhjen, kurse Tori ka dëmtuar për qëllim përfitimi një kabinë elektrike në lagjen Nr.5 të qytetit të Durrësit. Vjedhjet e kabinave elektrike për t’u marrë bakrin e tregtueshëm, ka shkaktuar djegien nga korrenti një javë më parë të 26-vjeçarit Elis Bela, i cili është ende në gjendje kritike për jetën në spitalin e djegies plastike. Sipas deklarimeve që vinë nga policia thuhet se, i është kërkuar KESH-it të marrin masa për të mbyllur kabinat elektrike dhe inventarizimin e tyre.

DEPORTIMI

GJIROKASTER - Autoritetet e policisë greke riatdhesojnë 20 të rinj shqiptarë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në shtetin fqinj. Burime zyrtare të drejtorisë së policisë së qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se dje rreth orës 18:30 policia greke dorëzoi në pikën kufitare të Kakavijës rreth 20 shtetas shqiptarë, të cilët ishin ndaluar në afërsi të qytetit të Janinës. Ata kanë qëndruar 24 orë në dhomat e paraburgimit të shtetit fqinj dhe më pas janë shoqëruar deri në hyrje të territorit shqiptar. Sipas të njëjtit burim, të rinjtë kishin udhëtuar me këmbë nëpërmjet malit për të shkuar në Greqi. Mësohet se shumica e të kthyerve ishin nga Shqipëria e Mesme, por midis tyre kishte edhe të rinj nga rajoni jugor.

ARRESTIMI

LUSHNJE - Një 19-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, pas një aksidenti të ndodhur të dielën. Sajmir Zeka, banues në Divjakë, pasditen e së dielës ka qenë duke lëvizur me një motoçikletë tip “Yamaha” në rrugën hyrëse të Divjakës. Në këtë lëvizje, e quajtur sipas policisë, xhiro e mbrëmjes, i riu kishte marrë mbrapa motoçikletës një të njohurin e tij me inicialet P.Sh, rreth 34 vjeç, banues në fshatin Shenepremte. Shpejtësia e madhe që i riu drejtonte motoçikletën ka bërë që ai të humbasë ekuilibrin dhe të batohet duke dëmtuar kështu në këtë mënyrë pasagjerin e tij dhe duke marrë plagë të lehta për vete. Policia ka marrë menjëherë masën e arrestit ndaj 19-vjeçarit për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, ndërsa i dëmtuari është dërguar në spitalin e Lushnjës.

Dështon investimi 211 milionësh, qyteti i izoluar nga superstrada

LAÇ - Një javë pas përfundimit të procesit zgjedhor në bashkinë e Laçit janë ndërprerë punimet në segmentin rrugor që lidh qytetin e Laçit me superstradën Tiranë-Shkodër. Një situatë e tillë i ka bindur banorët se rifillimi i punimeve në këtë aks rrugor, që mban të izoluar Laçin me superstradën dhe plazhin e Patokut, pikërisht më 17 shkurt, një ditë para votimit, është bërë vetëm për qëllime elektorale. Megjithatë u shpresua se puna mund të vijonte, por që nuk ka rezultuar kështu. Firma ndërtuese, prej ditës së djeshme ka mbledhur të gjitha makineritë e saj, dhe është larguar në drejtim të pa deklaruar. Burime pranë bashkisë së Laçit konfirmojnë se aksi rrugorë që lidhë Laçin me superstradën duhej të përfundonte që në muajin korrik të vitit të kaluar, por deri më tani 600 m rrugë vazhdon akoma të mos jetë e përfunduar. Fillimisht për këtë segment rrugor u tha që duhej të devijohej tubacioni i ujësjellësit, dhe për këtë, gjashtë muaj më parë u akordua një fond i posaçëm. Ndërsa një ditë para zgjedhjeve u tha se ky aks rrugor tashmë do përfundonte brenda muajit, mjetet e tonazheve të rënda që filluan punimet janë zhdukur pa lënë adresë.

Arrestohen dy persona për qarkullim të monedhave false

FIER – Tentojnë të hedhin në treg monedha të falsifikuara, por bien në prangat e policisë së Fierit. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës. Elvis Nikaj, 21 vjeç, banues në Hot të Malësisë së Madhe dhe Vilson Cutaj, 24 vjeç, banues në Bajzë po të Malësisë së Madhe, kanë tentuar të hedhin në treg monedha të falsifikuara, por Cutaj ka rezultuar edhe me dokumente të falsifikuara. Sipas policisë, ka qenë një sinjalizimi i një personi i mbetur anonim, i cili ka kërkuar ndihmën e policisë për një veprim të tillë. Në momentin që të dy të rinjtë po mundoheshin që të shkëmbenin paratë tek një nga kambistët fierakë, janë ndeshur me praninë e policisë. Të ndaluarve u janë gjetur rreth 130 euro dhe një 500 lekëshe e re të falsifikuara. Por atyre u janë gjetur edhe dokumente false. Ka qenë një leje drejtimi automjeti në xhepin e 24-vjeçarit Vilson Cutaj ajo që e ka përfshirë këtë të fundit jo vetëm në akuzën e falsifikimit të monedhave por dhe të dokumenteve. Të dy të rinjtë janë përcjellë në komisarit nga efektivët e Seksionit të Luftës Kundër Pastrimit të Parasë dhe Krimit Ekonomiko–Financiar nën akuzën e “falsifikimit të monedhave” dhe “falsifikim dokumentesh”.

Pranga 58-vjeçarit, tentoi të rrëmbejë për trafikim adoleshenten

FIER – Përfundon një në pranga, ndërsa një tjetër shpallet në kërkim, pasi tentojnë të rrëmbejnë një 17-vjeçare për qëllime trafikimi. Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se është arrestuar dje, rreth orës 13.30 minuta, P. Mita, banues në fshatin Ndërnenas në komunën Libofshë. Mësohet se ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur mbrëmjen e së dielës. 58-vjeçari së bashku me një person tjetër, ende i paidentifikuar, kanë shkuar në banesën e 17-vjeçares me iniciale D.Z., në fshatin Hasturkas, ku dhe tentuan ta rrëmbejnë me forcë atë për qëllime trafikimi. Të njëjtat burime pohojnë se ka qenë babai i saj që ka mundur ta shpëtojë atë nga dy rrëmbyesit.

Bie nga shkallët e Amfiteatrit, vdes 70-vjeçarja

DURRES - Përpjekja për të pastruar shkallët nga bari i ka kushtuar jetën një të moshuare, që banonte fare pranë Amfiteatrit të Durrësit. 70-vjeçarja S. Klonia, e lindur në Korçë dhe banuese në bllokun e shtëpive që presin të shpërngulen për t’i hapur rrugë projektit të zbulimit të plotë të Amfiteatrit, ka gjetur vdekjen aksidentale dje në orët e para të mëngjesit. Teksa ka qenë duke shkulur barin, 70-vjeçarja ka humbur ekuilibrin, duke rënë nga një lartësi rreth 35-40 metër. Personat që kanë qenë fare pranë të moshuarës kanë konstatuar se viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme pas shembjes së trupit nga lartësia e madhe.

Depresioni, vetëhelmohet me fostoksinë i moshuari

FIER – Depresioni nervor detyron një 63-vjeçar t’i japë fund jetës së tij duke pirë fostoksinë. Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se Syrja Kanani, me banim në qytetin e Fierit, është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, pasi është parë nga të afërmit e tij në një gjendje të rëndë shëndetësore, rreth mesnatës, por nuk ka arritur të mbijetojë. Mjekët janë shprehur se ka qenë helmi i fortë fostoksinë, që i moshuari kishte përdorur dhe koha e gjatë e përdorimit ajo që nuk e la të mbijetonte edhe pas ndërhyrjes mjekësore. Sipas mjekëve, ai ka pirë një kokërr fostoksinë, për shkak të gjendjes depresive që po kalonte.

 
....................................................................................
Krye  

 

 Rrethet
  Qeveria, 1.2 milionë euro për shtëpitë muze
..
..........................................
  Shkurt
..
..........................................
   
..
..........................................
 
..
..........................................