Duke nisur që sot, s'do të ketë më diferencim sipas gradave. Llogaritja, sipas bazës
Gjykata: Ok kërkesave të ushtarakëve
Blerina KACA
Gjykata Kushtetuese ka
miratuar ditën e djeshme
kërkesat e ushtarakëve në lirim. Çështja e cila ka më shumë se gjashtë muaj në dyert e këtij institucioni, ka marrë zgjidhje ditën e djeshme në mesditë. Kështu pas shqyrtimit, përfaqësues të trupit gjykues kanë vendosur në favor të pensionistëve për njohjen e periudhës 1992-1998, si periudhë sigurimi për ushtarakët e trajtuar me asistencë, duke u derdhur kontributet sipas pagës referuese. Një pikë tjetër e maturuar lidhet me heqjen e diferencimit mes ushtarakëve. Çka do të thotë se, sipas vendimit të gjykatës, ata nuk ndahen më sipas kohës së lirimit. Ky vendim nuk krijon asnjë diferencim në masën e pensionit. Ndërkohë që pika e tretë në favor të ushtarakëve, ka të bëjë me dypunësimin, si një e drejtë që ua garanton Statusi i Ushtarakut. Kërkesat
Gjashtë kërkesat e ushtarakëve janë analizuar nga një grup ekspertësh, të cilët kanë dalë ditën e djeshme me një vendim përfundimtar. Për vetë ish-ushtarakët, mes kërkesave si më të rëndësishmet janë vlerësuar përcaktimi i qartë i pensionit sipas gradave, derdhja e kontributeve për periudhën 1 korrik 1992 deri në 31.12.1998, si dhe të njohja si periudhë sigurimi e pagës suplementare dhe jo asaj minimale. Ashtu edhe siç e kishin parashikuar, ushtarakëve në rezervë u janë miratuar vetëm tre nga gjashtë kërkesat e listës së ankesave. Përcaktimi i pensionit të ushtarakëve në rezervë, sipas gradave përkatëse, si derdhja e kontributeve si dhe shfuqizimi i nenit që u mohon shumë të drejta ushtarakëve pasi ata lirohen. Gjykata
Sipas ekspertëve që kanë gjykuar çështjen e ish-ushtarakëve në rezervë, diferencimet në përfitimet e ushtarakëve nuk mund të kenë si kriter daljen në pension para apo pas miratimit të ligjit për Statusin e Ushtarakut, por ato duhen bërë nëpërmjet llogaritjes së përfitimit, sipas elementëve të tillë siç janë mosha dhe paga referuese, paga mujore për gradë etj. Pikërisht ashtu siç e parashikojnë edhe nenet 7 e 8 të pandryshuara të ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005.
Për sa i përket pikës që fliste për diferencimin pensioneve, gjykata është shprehur se, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, duke sanksionuar parimin e barazisë para ligjit, nuk i ka dhënë asaj kuptimin e një të drejte absolute, sepse ajo ka përcaktuar njëkohësisht edhe kushtet e kufizimit në ushtrimin e kësaj të drejte. Nisur nga kjo, gjykata e ka cilësuar të drejtë kërkesën e ushtarakëve duke e miratuar atë përfundimisht.
Zyhdi Kroi: Gjykata, e
drejtë në vlerësim
Sipas kreut të Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Zyhdi Kroi, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar me vendimin e saj standarde të drejta dhe evropiane. “Me këtë vendim u konfirmuan edhe një herë të drejtat dhe vlerat për detyrat dhe sakrificat e bëra në shërbim të atdheut”, është shprehur Kroi. Sipas tij, duke nisur nga sot, shoqata do të vijojë punën dhe përpjekjet për nxjerrjen e akteve të reja ligjore. “Ne do të kërkojmë që qeveria të angazhohet seriozisht për zbatimin e këtij vendimi, sepse ka të bëjë me dinjitetin e ushtarakëve, të cilët fatkeqësisht janë shtresa më e diskriminuar”, ka deklaruar Zyhdi Kroi.
Kerkesat qe jane pranuar
1-Njohja e periudhës 1992-1998 si periudhë sigurimi për ushtarakët e trajtuar me asistencë, duke u derdhur kontributet sipas pagës referuese.
2-Heqjen e diferencimit mes ushtarakëve. Çka do të thotë se, sipas vendimit të gjykatës, ata nuk ndahen më sipas kohës së lirimit. Ky vendim nuk krijon asnjë diferencim në masën e pensionit.
3-Pika e tretë ka të bëjë me realizimin e drejtave të njohura nga Statusi i Ushtarakëve për dypunësimin.