Gjendet në kodrat e Liqenit Artificial inxhinieri Emin Riza
 
   
Fjalët e para të ish-deputetit me mjekët  
     

Etleva DELIA, Aulona KADILLARI

I dërmuar, pa fuqi, i gricur nga ferrat dhe i pa ngrënë, Emin Riza e ka parë veten pas 48 orësh në Spitalin Ushtarak. “Jam mirë, nuk më ka ndodhur asnjë gjë”. Janë këto fjalët e para që u ka thënë mjekëve që e vizitonin. Madje për të qetësuar familjen ka folur edhe me djalin, të cilit i ka thënë që nuk i ka ndodhur asnjë gjë dhe se është mirë. Sipas burimeve nga Spitali Ushtarak, sapo ka mbërritur në sallën e kirurgjisë, ish-deputeti i Partisë Demokratike ka qenë konfuz. “Unë kam fjetur te shtëpia e motrës, jam shumë mirë”. Por të njëjtat burime bënë të ditur se pas këtyre fjalëve është pyetur përsëri dhe ka thënë se ka fjetur në shtëpi. Mjekët pohojnë se fjalët e tij janë kontradiktore, por shëndeti është i mirë. Sipas bluzave të bardha, nuk ka shenja dhune, por vetëm gricje nga ferrat ku ka qëndruar. Madje edhe të afërmit e tij i njeh dhe e di se cilët janë, duke i thirrur edhe me emër. Më tej mjekët pohojnë se ai ka kaluar një gjendje shoku, por që nuk ka asnjë problem me shëndetin, duke pohuar se ai rikthehet përsëri në gjendjen e mëparshme.
Dialogu
Ka biseduar me mjekët shumë qetësisht. Edhe pse ishte konfuz, ish-deputeti i PD-së, i zhdukur prej dy ditësh nga shtëpia, tregon se është shumë mirë dhe se nuk i kishte ndodhur asnjë gjë. Edhe pse thotë fjalë që i kundërvihen njëra-tjetrës, gjendja shëndetësore e Emin Rizës është e mirë. “Nuk ka asnjë shenjë dhunë, përveç se është i pa ngrenë dhe i gërvishtur nga ferrat ku ka qëndruar”, pohojnë mjekët që kanë kuruar inxhinierin e ndërtimit Emin Riza. Pasi ka marrë ndihmën e nevojshme, ish-deputeti i PD-së, është shoqëruar për në dhomën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak deri në përmirësimin e gjendjes së tij.
Gjetja
Një telefonatë e marrë në numrat e vendosura në dispozicion nga policia e Tiranës ka bërë të mundur gjetjen e profesorit dhe inxhinierit Emin Riza. Ka qenë ora 14.30 e ditës së djeshme, kur në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës ka ardhur një informacion, i cili ka përcaktuar vendndodhjen e ish-deputetit të PD-së. Sipas një njoftimi për shtyp të policisë së Tiranës, mësohet se menjëherë nga ana e forcave policore kanë shkuar në vendin ku ishte Emin Riza, duke bërë më pas edhe dërgimin e tij në Spitalin Ushtarak, për t’iu dhënë ndihma mjekësore e nevojshme. Ndërkohë, nga ana e grupit hetimor po hetohet intensivisht në lidhje me dokumentimin ligjor të ngjarjes si dhe për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të largimit nga banesa të Emin Rizës.

Dialogu i Rizës me mjekët, disa minuta pasi shtrimit ne spital

Mjeku: Profesor si jeni?
Riza: Jam shumë mirë.
Mjeku: Po ku keni qenë për dy ditë?
Riza: Kam qenë te shtëpia e motrës time..., por kam qenë edhe te shtëpia ime.
Mjeku: Po pse u larguat nga shtëpia pa i thënë asnjë pjesëtari të familjes?
Riza: Nuk jam larguar, nuk kam pasur asnjë konflikt me ta. Tani jam shumë mirë.
Mjeku: Po më parë keni qenë sëmurë?
Riza: Kam qenë i sëmurë me zemër. Por para shumë vitesh. Në vitin 1962 kam vuajtur pak nga kjo sëmundje.

Idit Riza

nipi i profesorit Riza, i entuziazmuar pas gjetjes së gjyshit të tij, ka mohuar çdo konflikt familjar apo probleme të tjera. Sipas tij, Riza nuk ka pasur asnjëherë probleme të tilla dhe ka qenë gjithnjë shumë i qetë. Nipi i inxhinierit shprehet se ai është jashtë rrezikut për jetën dhe nuk ka asnjë dëmtim, thjesht është i tronditur. Ndërkohë që edhe bashkëshortja e Rizës është në gjendje shoku.

Latif Lazimi

është një bashkëpunëtor i afërt i profesor-doktor Emin Rizës, i cili shprehet për gazetën se ka një konsideratë mjaft të lartë për mësuesin e tij të parë. Sipas tij, inxhinieri ka qenë një shembull shumë i mirë për të gjithë kolegët e tij të punës, pasi përveç se u ka mësuar gjithçka në punë, ka punuar edhe vetë me vetëmohim, pa e ditur që vitet kalonin.

Emin Riza

është themeluesi i parë i Institutit të Monumenteve të Kulturës. Riza ka qenë ndër ideatorët e parë për ngritjen e një institucioni të tillë në vitin 1961 dhe një nga të parët që u punësua kur u hap instituti në vitin 1964. Është shkëputur vetëm dy vjet kur ka qenë sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave dhe një vit këshilltar i Ministrit të Kulturës në Kosovë.

Njazi Haliti

është bashkautori i librit që Riza ka botuar në Kosovë, në kohën kur punonte atje. Libri titullohet “Banesat qytetare kosovare”. Ndërkohë gjashtë muaj më parë, bashkautori Haliti, njëkohësisht edhe mik i ngushtë i Rizës, ka gjetur vdekjen. Sipas kolegëve të Emin Rizës, Haliti ka vdekur nga një infarkt, disa muaj pasi ka botuar librin, i cili u vlerësua shumë nga kritikët.

...................................................................................
Krye  

 

 Aktualitet
   
..
..........................................
   
..
..........................................
   
..
..........................................
   
..
..........................................