Meta: Të nisë urgjentisht
puna për Reformën Zgjedhore
Altin sinani
Të nisë sa më shpejt
puna e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Ky është qëndrimi me të cilën kanë dalë dje kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kreu i LSI-së deklaroi se ka ardhur koha për të realizuar një Reformë Zgjedhore të përgjegjshme dhe të plotë. Ndërkaq, kërkesës së Metës i është përgjigjur pozitivisht edhe kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së tha se "mazhoranca ka ofruar konsensus të plotë për çështjen e Reformës Zgjedhore". Pas shumë akuzash dhe konfliktesh të panumërta, duket se mazhoranca dhe opozita janë të gatshme të bashkëpunojnë. Nëse arrihet konsensusi, Komisioni Parlamentar i Reformës Zgjedhore pritet të kompletohet me anëtarë që brenda kësaj jave. Në këtë mënyrë "odiseja" e reformës zgjedhore është drejt përfundimit. Bashkëpunimi
Si rrallëherë, si kryeministri Berisha, ashtu edhe kreu i LSI-së, Meta, u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar për Reformën Zgjedhore. Sipas Metës, LSI është e gatshme për të diskutuar të gjitha opsionet e mundshme, vetëm që reforma të nisë punën urgjentisht, sepse është vonuar së tepërmi. "Kjo është tashmë një reformë që pritet prej kohësh nga të gjitha institucionet ndërkombëtare që janë të pakënaqura nga zgjedhjet e 18 Shkurtit në Shqipëri, që i vlerësuan ato si një rast i humbur dhe që dëshirojnë të shikojnë një vullnet të sinqertë nga klasa politike shqiptare për të hedhur më në fund themelet e një sistemi zgjedhor legjitim dhe për të bërë një reformë zgjedhore që të garantojë përfundimisht mbrojtjen e procesit zgjedhor nga manipulimet dhe nga ndërhyrjet që i deformojnë ato", tha Meta. Ndërkaq, edhe kryeministri Berisha u tregua i gatshëm për kompromis. "Kemi një start shumë pozitiv, që është oferta e bërë nga ne, për të pranuar çdo sistem elektoral që opozita do të dëshirojë në mënyrë që sistemi i zgjedhjeve të jetë konsensual. Ne kemi ofruar bazën reale konsensuale më të gjerë", deklaroi Berisha gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së. Zgjedhjet e parakohshme
Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, kreu i LSI-së, u shpreh se ky opsion nuk është një objektiv primar për opozitën. "Objektivi ynë për zgjedhje të parakohshme nuk ka qenë dhe nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk ka qenë dhe mbetet opsioni më i natyrshëm, në rast se nuk do të kemi parasysh që kjo ka qenë produkt i një situate krize në Parlament, i krizës së qeverisë dhe një konflikti krejtësisht anormal i kësaj qeverie me shoqërinë shqiptare. Pra ka qenë zgjedhja më e mirë midis disa opsioneve jo më të mira", theksoi Meta.
Sali Berisha
Mazhoranca ka ofruar konsensus të plotë për çështjen e Reformës Zgjedhore. Shpresojmë që të gjitha palët të bien dakord dhe të votohet projekti për komisionin e reformës, në mënyrë që brenda ditës së enjte të kompletohet me anëtarë dhe të nisë nga puna.
Ilir Meta
Në emër të LSI-së dua të shpreh gatishmërinë tonë për të nisur sa më shpejt puna e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, gjë që është kërkuar nga ne që në 19 shkurt, pra një ditë pas zgjedhjeve vendore.
Ben Blushi
Çështja e Reformës Zgjedhore është zvarritur prej dy vjetësh. Ne jemi të gatshëm në parim për hapjen e bisedimeve brenda Parlamentit lidhur me modalitetet e kësaj reforme dhe në vijim do të formalizojmë brenda suazës së grupeve parlamentare mënyrën se si do të procedohet për reformën.
Kuvendi miraton ngritjen e
Komisionit të Reformës Zgjedhore
Parlamenti ka miratuar dje ngritjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Plot 105 vota ka marrë miratimi i komisionit. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi, deklaroi se komisioni do përbëhet nga 18 anëtarë, nga të cilët 9 anëtarë do të jenë nga mazhoranca dhe 9 nga opozita. Sipas Topit, ky komision do të punojë tre muaj. Edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së ka thënë në emër të deputetëve socialistë, se PS-ja ka qenë me kohë pro ngritjes së këtij komisioni. I cili, sipas Blushit, ndonëse është i vonuar, është konsensual. Në këtë mënyrë përfundon "odisea" e gjatë e ngritjes së këtij komisioni. Ndërkohë që tregu politik shqiptar kohët fundit ka nxjerrë një numër të madh idesh se si duhet të bëhet Reforma Zgjedhore. Ishte Lëvizja Socialiste për Integrim ajo që e para hodhi në tregun e debateve platformën e saj për Reformën Zgjedhore. Pikat kryesore të kësaj platforme ishin zvogëlimi i numrit të deputetëve nga 140 që është aktualisht, në 100. Sistemi zgjedhor të ishte proporcional i pastër dhe pragu elektoral të ishte 5 për qind. Pikërisht rritja e pragut elektoral bëri që partitë e vogla ta kundërshtonin këtë platformë. Ndërkohë, Sabri Godo hodhi në diskutim një ide revolucionare, që Parlamentit t'i shtohet edhe dhoma e senatorëve.
Intervista/Spartak Braho, anëtar i kryesisë së LSI
“Meta, i vetmi kryeministër kur e
majta të vijë në pushtet”
Qamil xhani
Nëse e majta vjen në pushtet, kush do jetë kryeministër? Pyetjes që të gjithë socialistët, lsistët dhe çdo i majtë tjetër e bën me vete, por nuk e thotë publikisht, i është përgjigjur një guximtar. Spartak Braho, anëtari i kryesisë së LSI-së, e thotë açik: Ilir Meta është i vetmi politikan nga e majta që mund të jetë kryeministër. Si një nga figurat më të spikatura të së majtës, Braho komenton në një intervistë për gazetën "Tirana Observer" se nuk mund të ketë më qeveri njëpartiake. Me stilin e tij, Braho i përgjigjet dhe idesë së Ramës për të prezantuar në shtator qeverinë socialiste në hije. "Ta harroj Rama qeverinë socialiste, qeveria e re do të jetë e majtë", thotë Braho. Dhe natyrshëm në këtë qeveri sheh Ilir Metën si kryeministër të saj. Ndërkohë Braho komenton dhe zgjedhjen e Presidentit, e cila sipas tij, është një lojë ku protagonistët e kanë fshehur asin në mëngë për ta nxjerrë në minutën e fundit.
Megjithëse vetëm pak kohë na ndajnë nga zgjedhja e Presidentit, mazhoranca ka hedhur në tregun politik ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Një pjesë e asaj çfarë ka thënë kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi, ka qenë në mbështetje të ideve të hedhura nga LSI, siç është ndryshimi i sistemit në proporcional rajonal. Mendoni se këtë herë Komisioni i Reformës Zgjedhore do të bëjë një përmirësim që do shmangë fenomenin e "Dushkut" dhe manipulimet?
Unë do të thosha që nisma e Topit është pozitive, por kam përshtypjen që është një nisëm personale. Mendoj se është kështu për sa kohë që kjo nuk është strukturuar si mendim zyrtar i Partisë Demokratike. Është shumë e lehtë të hedhësh një frazë të tillë që duhet të fillojë Komisioni Zgjedhor. Duhet të dalësh me një platformë të qartë. Topi ka anonçuar vetëm faktin që ne përkrahim ndryshimin e sistemit zgjedhor, nga mazhoritar, i përzier në një proporcional, qoftë ky dhe proporcional rajonal. Kjo është shumë pak. Automatikisht ndryshimi i sistemit sjell një përmbysje të fenomeneve negative. Nuk ka më "Dushk", me këtë sistem bie "Dushku", por do të ketë një problematikë tjetër, do të ketë fenomene të tjera, të cilat duhet të shihen me kujdes. Ne jemi të prirur ta përkrahim qoftë dhe të hedhur në eter nismën e Topit, sepse kemi qenë vazhdimisht të prirur për të punuar me Reformën Zgjedhore, si një kërkesë jo vetëm e ndërkombëtarëve, por edhe një nevojë imediate që vendi duhet të ketë një ligj themelor për zgjedhjet për të reformuar kodin plotësisht. Ajo që është më e rëndësishme për mua, është që t'i jepet fund asaj njolle të politikës shqiptare, që këtu nuk mund të bëhen asnjëherë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestueshme. Kështu që LSI-ja është e prirur që ta mbështesë nismën e Topit. Natyrisht që jo vetëm Topit, por gjithashtu edhe PS-së i takon që të mbështesë këtë gjë. Deri më sot PS-ja hesht dhe nuk është prononcuar për këtë gjë, për faktin se kërkohen ndryshime kushtetuese edhe ndryshimet kushtetuese duan një numër të caktuar deputetësh, duan 94 deputetë. Veç projektit të LSI-së është hedhur dhe ideja për krijimin e Senatit nga republikani Sabri Godo. Mendoni se ka ardhur koha që Parlamenti ynë të ketë dy dhoma?
Jo, unë nuk jam me këtë ide. Unë kam q enë anëtar i Komisionit të Hartimit të Kushtetutës në 1998-n. Kjo ide është hedhur që në atë kohë dhe është argumentuar që në hartimin e Kushtetutës. Më vjen keq që Godo dhe të tjerë e hedhin përsëri këtë çështje, pasi që në atë kohë u argumentua se ky vend nuk mund të mbajë një sistem parlamentar të bazuar mbi dy dhoma. Kjo për shumë e shumë arsye, kështu që unë, vetë personalisht, jam kundër sistemit parlamentar me dy dhoma. Edhe në praktikën e vendeve të vogla nuk ka sistem me dy dhoma, pasi është një sistem me shumë kosto dhe që është quajtur aristokraci ose elitë e klasës politike. Për mua, nëse do të ngrihej nuk mund të justifikonte asgjë, për faktin se nuk do të zgjidhë krizat. Mbushet gati një vit që nga marrëveshja e pesë partive të majta ku u firmos një protokoll bashkëpunimi. Pika kryesore e kësaj marrëveshjeje ka qenë çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme duke shfrytëzuar krizën presidenciale. Tani në prag të zgjedhjes së Presidentit, i qëndroni ende kësaj marrëveshjeje?
Ndonëse pakti ka qenë një pakt strategjik dhe me qëllime strategjike, përfshihet edhe çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Natyrisht kjo ide vazhdon të qëndrojë në plan të parë në linjën politike të opozitës. Gjithsesi zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të kthehen për mendimin tim në qëllim në vetvete. Mendoj kështu pasi vendi ka nevojë edhe për vazhdimin e reformave të tjera që lidhen me MSA-në, reforma që lidhen me përsosjen e sistemit të drejtësisë, marrëveshje dhe reforma që lidhen me sistemin financiar, parametrat dhe zhvillimet ekonomike të cilat mendoj se kanë mbetur në vend. Kështu që, në këtë kuadër nëse e djathta do të pranojë një konsensus të gjerë, të tëra këto reforma, plus edhe Presidenti, i cili duhet të jetë një e drejtë e opozitës, s'ka pse kthehet në zgjedhje të parakohshme. Kjo strategji në fund të fundit është e kondicionuar në linja që do të ndjekë qeveria "Berisha". Ajo që dua të them unë, është se parashikoj që deri tani për Presidentin është bërë zhurmë. Janë hedhur emra, por për mua janë të tërë emra kot. Zgjedhja e Presidentit është si puna e asit që del nga mënga pak para mbarimit të lojës. LSI nuk ka nxjerrë një emër për President. A do të thotë kjo se kreu i shtetit është ekskluzivitet i PS-së apo ju nuk doni të futeni në këtë garë?
Thashë që nuk ka një qëndrim të përbashkët për çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Deri tani opozita është shprehur që do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Meta e ka anonçuar para disa ditësh që do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Rama deklaroi dje se në shtator do të krijojmë qeverinë e re. Gjithsesi këto janë mjete presingu ndaj Berishës. Unë mendoj se zgjedhja e Presidentit do të jetë një lëvizje taktike, e minutës së fundit. Berisha do të detyrohet t'ia lërë opozitës, krerë të veçantë të politikës do të bëjnë propozimet përkatëse. Përse mendoni se disa nga kandidaturat që kanë dalë deri më sot, kam parasysh Nanon, Bamir Topin, Sabri Godon etj., nuk janë të përshtatshme?
Nuk janë konsensuale. Nuk ka mundësi e djathta që të zgjedhë Presidentin me këta emra që ka parashikuar, t'i konkludojë ose t'i çojë deri në fund nismat e marra. Kjo jo vetëm për mungesë numrash, por edhe për faktin se nuk janë konsensualë. Por Nano nuk është i së djathtës?
Jo. Për mua nuk është më as i së majtës. Megjithëse është anëtar partie, dje nuk shkoi as të votojë. Nuk ndoqi as fushatën e zgjedhjes së partisë, madje e akuzoi si një farsë. Kështu që Nano është i fshirë nga kjo histori. Sepse që të shkojë Nano të paraqitet si President, duhen 20 firma deputetësh. Nuk ka as majtas as djathtas një revocion mbështetës për emrin e Nanos. Por mund t'i marrë nga e djathta?
Nuk ka mundësi, po i mori nga e djathta është e pamundur zgjedhja e tij. Për hir të reformave që përmendët më lart, si anëtarësimi në BE, etj., a nuk do ishte e gatshme LSI-ja që t'i jepte për Nanon votat e saj?
LSI-ja iku nga PS-ja kryesisht nga Nanoja dhe nga nanoizmi si filozofi. Parimi "Një anëtar, një votë" u hodh fillimisht në tregun politik nga LSI-ja, në vitin e saj të parë të krijimit. Ndërkohë në praktikë u vu në përdorim në gjithë vendin nga PS-ja. Si i vlerësoni zgjedhjet e së shtunës në PS?
LSI-ja jo vetëm e hodhi në tregun politik dhe këtu kemi një mungesë koherence nga PS-ja, sepse neve e hodhën në tregun politik dhe në një farë mënyre dhe e realizuam. Meta është zgjedhur sipas parimit "Një anëtar, një votë" para dy vjetësh. Gjithsesi për të mos bërë një garë se kush e vuri i pari, unë do të thosha se ky parim mbart të mirat e tij. Natyrisht që ka dhe defekte, të cilat në proces duhen kanalizuar dhe të korrigjohen. Në tërësi ajo që shoh unë, është që Rama tashmë "bananen" PS, e ka në dorë të qëruar nga të tëra lëvozhgat dhe i gatshëm për ta goditur dhe përtypur si t'i dojë qejfi. Është një proces që nëse do të ecë në kah pozitiv, është për t'u lavdëruar. Në kah pozitiv unë do të konsideroja reformimin e vazhdueshëm të partisë, larg demagogjisë dhe frazave që ndonjëherë Rama i ka pa kursim si dhe pastrimit të kësaj partie. Me demokratizim të partisë nuk kam parasysh forcimin e autoritetit të Ramës, por me demokratizim të PS-së kam parasysh vendimmarrjen brenda PS-së. Këtu kam parasysh që të mos jetë vetëm vendimmarrje njerëzish, por edhe vendimmarrje strukturash të kësaj partie. Kjo duhet parë me kujdes, sepse Rama deri më tani ka treguar se nuk është aq kolegjial saç duket. Tashmë që Rama është zgjedhur dhe për 4 vitet e ardhshme në krye të PS-së, si e parashikoni bashkëpunimin mes LSI-së dhe PS-së?
Për mua, deri tani do të thosha që tashmë Rama e kuptoi thelbin, që pa forcën e LSI-së është i dështuar. Nëse i mbushet mendja se është kaq i fortë sa të nënvleftësojë faktorin LSI, përsëri do të jetë i dështuar. Natyrisht kjo gjë do të shihet me kalimin e kohës. Por për mendimin tim, LSI-ja duhet t'i qëndrojë PS-së si "shpata e Demokleut" mbi kokë, pasi për hir të së vërtetës ende nuk është pastruar si parti. Nuk mund të mendohet që PS-ja të arrijë në zgjedhjet e pritshme ose zgjedhjet e ardhshme të marrë mazhorancën. LSI-ja ashtu siç e vërtetuan dhe zgjedhjet e korrikut të 2005-s, por dhe këto lokalet, luhatet në kufijtë e dhjetë 15 për qind dhe do të vazhdojë të jetë në këto kufij. Që do të thotë, se do të jetë përcaktuese për zhvillimet në qeverisje. E pashë më vëmendje deklaratën e djeshme të Edi Ramës, që në shtator PS-ja përgatit qeverinë e re të PS-së. Ta harrojë, nuk ka Rama më qeveri të re të PS-së, qeveria do të jetë e koalicionit të majtë. Ka një skenar të papërfunduar për ecurinë e kolicinit të majtë. Në rast se ka zgjedhje qoftë të parakohshme ose dhe në 2009-n, dhe e majta fiton. Kush do të jetë kryeministër, Ilir Meta apo Edi Rama?
Pozicioni i Ilir Metës në të majtën është një pozicion natyral. Nuk ka e majta lider ekzekutiv më të përgatitur dhe më të mirë sesa Ilir Meta, me hir apo me pahir, sa kohë që Rama këtë pretendim nuk mund ta ketë për veten e tij, sepse duhet të mbarojë mandatin e tij 4-vjeçar në krye të Bashkisë së Tiranës. Mandat të cilin politikisht dhe moralisht e ka lidhur me elektoratin që e ka votuar për projektin e tij të Tiranës. Të tjerë liderë me forcën e Metës në fushën e qeverisjes, në fushën e ekzekutivit, unë te PS-ja nuk shikoj.
Braho per
Ilir Metën
"Pozicioni i Ilir Metës në të majtën është një pozicion natyral. Nuk ka e majta lider ekzekutiv më të përgatitur dhe më të mirë sesa Ilir Meta, me hir apo me pahir, sa kohë që Rama këtë pretendim nuk mund ta ketë për veten e tij, sepse duhet të mbarojë mandatin e tij 4-vjeçar në krye të Bashkisë së Tiranës. Mandat të cilin politikisht dhe moralisht e ka lidhur me elektoratin që e ka votuar për projektin e tij të Tiranës".
Bamir Topin
"Ne jemi të prirur ta përkrahim qoftë dhe të hedhur në eter nismën e Topit, sepse kemi qenë vazhdimisht të prirur për të punuar me Reformën Zgjedhore, si një kërkesë jo vetëm e ndërkombëtarëve, por edhe një nevojë imediate që vendi duhet të ketë një ligj themelor për zgjedhjet për të reformuar kodin plotësisht".
Fatos Nanon
"Për mua nuk është më as i së majtës. Megjithëse është anëtar partie, dje nuk shkoi as të votojë. Nuk ndoqi as fushatën e zgjedhjes së partisë, madje e akuzoi si një farsë. Kështu që Nano është i fshirë nga kjo histori. Sepse që të shkojë Nano të paraqitet si President, duhen 20 firma deputetësh. Nuk ka as majtas as djathtas një revocion mbështetës për emrin e Nanos".
Edi Ramën
"Në tërësi ajo që shoh unë, është që Rama tashmë "bananen" PS, e ka në dorë të qëruar nga të tëra lëvozhgat dhe i gatshëm për ta goditur dhe përtypur si t'i dojë qejfi. Është një proces që nëse do të ecë në kah pozitiv, është për t'u lavdëruar. Në kah pozitiv unë do të konsideroja reformimin e vazhdueshëm të partisë, larg demagogjisë dhe frazave që ndonjëherë Rama i ka pa kursim si dhe pastrimit të kësaj partie".