SHBA nuk tërhiqet derisa të përmbushë planet e saj
 
   

Rice dhe Putin diskutojnë të gjejnë një zgjidhje për Kosovën

 
     

Presidenti rus Putin dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice, kanë diskutuar të zbusin retorikën në marrëdhëniet e ndërsjella. Sipas ministrit Lavrov, bashkëbiseduesit kanë shfaqur gatishmërinë që të hulumtojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës, por Lavrov ka thënë se, për fat të keq për momentin nuk shihet ndonjë zgjidhje e cila do të ishte e pranueshme për të dy palët.
Diskutimet
Sekretarja amerikane e Shtetit më herët ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve për momentin po kalojnë nëpër një fazë të fërkimeve relative, por që problemet aktuale as që mund të ngjasojnë në armiqësitë nga koha e luftës së ftohtë. “Mendoj se tërheqja e paraleleve të tilla nuk ka asnjë bazë”, ka theksuar sekretarja Rice, duke shtuar se kjo “megjithatë nuk është periudhe e lehtë”, në marrëdhëniet ruso-amerikane. Mes SHBA-ve dhe Rusisë ekzistojnë mospajtime të thella rreth një varg çështjesh, përfshi edhe propozimin amerikan për zgjerimin e mburojës raketore antibalistike në Evropën Lindore, si dhe lidhur me përcaktimin e statusit të Kosovës. Ndër çështjet më kundërshtuese është propozimi që Kosova ta merr pavarësinë, si dhe vendimi amerikan për instalimin e disa elementeve të mburojës së vet antiraketore në Evropën Lindore. Rusia hapur i kundërvihet si njërit, ashtu edhe propozimit tjetër, ndërkohë që nënsekretari amerikan i shtetit thotë se Uashingtoni nuk e ka ndërmend të lëshojë pe në këto çështje.
Marrëdhëniet
SHBA-të, BE-ja dhe NATO-ja kanë përsëritur disa herë se e mbështesin planin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Marti Ahtisari, lidhur me pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën. Ndërkohë që Moska nuk e mbështesë këtë plan. Kundërthënia më e madhe konsiston në faktin se amerikanët dhe evropianët dëshirojnë ta miratojnë planin e Ahtisarit pikërisht në këtë moment, pra dëshirojnë që pikërisht tani t’i hapin rrugën pavarësisë së Kosovës. Rusia mendon se kjo është e gabuar dhe insiston në vazhdimin e negociatave mes dy palëve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët. Uashingtoni sa herë e ka përsëritur se është i gatshëm t’i shqyrtojë vërejtjet e Moskës lidhur me detajet e planit të Ahtisarit, por konsideron se ai duhet të miratohet sa më parë, dhe, në bazë të tij të miratohet edhe rezoluta e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, e cila do ta zëvendësonte rezolutën 1244 nga viti 1999, me të cilën u vendos UNMIK-u në Kosovë.

...................................................................................
Krye  

Posti i Wolfowitzit në Bankën Botërore në vështirësi

Një ekip i posaçëm i Bankës Botërore ka arritur në përfundimin se presidenti i bankës, Paul Wolfowitz, ka shkelur rregullat e bankës kur ndërhyri për rritjen e rrogës të së dashurës së tij, që është punonjëse e saj. Raporti i ekipit të posaçëm është kritik. Ai arrin në përfundimin se duke ndihmuar për të garantuar një rritje të majme rroge për të dashurën e tij, Paul Wolfowitz kishte shkelur kodin e sjelljes të bankës dhe kushtet e kontratës së tij. Kjo, thotë raporti, ka çuar në një krizë udhëheqësie dhe në një gërryerje të efikasitetit operacional të bankës. Raporti është publikuar në prag të paraqitjes së zotit Wolfowitz para bordit të drejtorëve, i cili do të vendosë për fatin e tij, dhe i bën thirrje të shqyrtojë faktin nëse është i aftë të ofrojë udhëheqjen e duhur për këtë institucion.

Udhëheqësi afrikan Nelson Mandela, qytetar nderi i Beogradit

Këshilltarët e Kuvendit të qytetit të Beogradit e kanë shpallur sot ish udhëheqësin e Afrikës Jugore dhe luftëtarin për të drejtat njeriut, Nelson Mandela qytetar nderi i të kryeqendër serbe. Këshilltari i Partisë Demokratike të Serbisë, Andreja Mlladenoviç ka vlerësuar në foltoren e Kuvendit se Nelson Mendela “është personalitet i vërtetë i cili, pas një pauze të gjatë, do ta marrë titullin e qytetarit të nderit të Beogradit”. Dhënia e këtij titulli Mandelës po bëhet në kohën kur zyrtarët e Beogradit po përpiqen, me aktivitete të shumta diplomatike, ta pengojnë miratimin e rezolutës mbi statusin e Kosovës në bazë të planit të Ahtisarit në KS anëtare jo e përhershme e të cilit është edhe Afrika e Jugut e cila për momentin është duke e kundërshtuar me ngulm propozimin mbi pavarësinë e mbikëqyrur.

Lajme të rralla

Itali, nuk duron dot mamanë në shtëpi, kthehet në qeli

Një 24-vjeçar nga Sicilia preferon më mirë burgun se sa të dëgjojë kritikat e mamasë në shtëpi. Historia është e vërtetë, edhe pse rrallë dëgjohet. Ndërkohë që të gjithë të dënuarit do të ëndërronin ta kryenin dënimin në gjirin e familjes, ka edhe të rinj të tillë të detyruar që të qëndrojnë 24 orë brenda në shtëpi. Italiani i dënuar me arrest shtëpie njoftoi kujdestarët e burgut të vinin ta merrnin të kryente pjesën e mbetur të dënimit në burg. Por ato nuk e morën parasysh kërkesën e tij, pak nga mosbesimi dhe pak nga mosdashja. Marcello Lazzara, i dënuar për shitje të disqeve të falsifikuara, preferoi të dalë nga shtëpia që të arrestohet në vend që të qëndrojë me familjen në Palermo, Sicili. “Jam me fat që ju takova”, i tha djaloshi punonjësve të policisë kur ata mbërritën ta arrestonin në rrugicën pranë shtëpisë. 24-vjeçari dëshmon se nëna dhe bashkëshorti i saj grindeshin pa pushim, pa përmendur dhe kritikat e tepruara në emër të tij. Me hir apo me pahir, dëshira ju plotësua, dhe tani ai po kryen dhe pjesën e mbetur të dënimit në shoqërinë e shokëve të dhomës së re, larg shtëpisë dhe zënkave të prindërve.

Japonezët prodhojnë çadrën e internetit

Ditët me shi nuk do t’ju duken aq të mërzitshme falë një çadre të re interneti. Çadra e teknologjisë së lartë ju lejon të bëni fotografi me një kamerë të instaluar. Këto mund t’i hidhni në adresën e internetit “Flickr” përmes lidhjes pa kabllo dhe brenda dy minutave mund të shihni me qindra fotografi në ekranin e çadrës suaj vetëm duke lëvizur kyçin. Kjo është shpikur në Tokio (e ku tjetër) dhe ka një busull digjitale dhe GPS, e cila përdor “Google Earth” për të lundruar në të gjithë botën.

George Bush drejton orkestrën me 400 vegla

Presidenti George Bush drejtoi një orkestër me 400 vegla muzikore, ndërsa ata luanin në 400-vjetorin e Jamestown, Virxhinia. “Ishte e papritur. Mendoj se ishte surprizë dhe për të”, thotë dirigjentja Joann Falleta. Ajo po drejtonte orkestrën, kur Bush ngjitet në skenë dhe i merr shkopin. Presidenti drejtoi të gjithë orkestrën pa bërë asnjë gabim për 2 minuta. “Sapo simfonia përfundoi, të gjithë nxorën celularët të njoftonin familjarët për atë që kishte ndodhur”, shton ajo.

Kinë, lojtarët e golfit luajnë nën ujë

Kina ka organizuar turneun e parë në botë të golfit nën ujë. Ngjarja në Akuariumin në Zuohai, në qytetin Fuzhou tërhoqi vëmendje të madhe, edhe pse në pishinën 30 metra të thellë luajtën vetëm 5 lojtarë. Rregullat janë pak a shumë të njëjta me sportin e zakonshëm. Kushdo që e fut topin në vrimë i pari fiton ndeshjen. Por në këtë rast, lojtarët gjykohen për minutazhin e nevojshëm për të futur topin se sa për numrin e goditjeve. Fituesi e zhyti topin për një minutë e 20 sekonda.

 
...................................................................................
Krye  


 Bota
  Shkurt
..
..........................................
   
..
..........................................