“Pse s’ka shifra të
viktimave civile gjatë
Luftës së II-të Botërore”
Armand jonuzi
Ndonëse luftën e bëjnë
ushtritë, viktimat më
të shumta në një konflikt të armatosur padyshim që janë civilët. Nga 71 milionë njerëz të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, gati 50 milionë prej tyre ishin civilë dhe pjesa tjetër ishin ushtarë. Por çuditërisht, në Shqipëri të gjithë të vrarët gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin nga formacionet ushtarake. Ndonëse Shqipëria për gati 5 vjet ishte e përfshirë në zemrën e konfliktit të armatosur më të madh në historinë botërore, sipas dokumenteve zyrtare, nuk figuron asnjë civil i vrarë. Në një intervistë për gazetën "Tirana Observer", historiani i njohur dhe drejtori i Muzeut Kombëtar, Beqir Meta, shpjegon faktin se pse në statistikat zyrtare shqiptare nuk figuron që gjatë Luftës së Dytë Botërore të jetë vrarë ndonjë civil. Gjithashtu, ai hedh idenë se historianët duhet të rishikojnë njëherë në mënyrë të saktë, se sa shqiptarë janë vrarë realisht në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe, pse viktimat duhen ndarë në disa kategori.
Sipas statistikave të Luftës së Dytë Botërore të dokumenteve angleze dhe italiane, figuron se Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore ka pasur 28 mijë viktima dhe se të gjithë këta kanë qenë ushtarakë. Sipas burimeve tona, a ka pasur Shqipëria viktima civile?
Sigurisht që Shqipëria ka pasur edhe viktima civile, sepse nuk ka luftë pa pasur viktima civile. Sepse ka njerëz që nuk kanë të bëjnë me luftën, por janë vrarë aksidentalisht. Por ne ende nuk kemi një studim të qartë për të parë se kush ishin këta dhe sa ishte numri i viktimave të luftës dhe sa ishin njerëz të popullsisë civile që u dëmtuan rastësisht gjatë luftës. Sigurisht, është një detyrim i historiografisë për ta realizuar, dhe unë besoj se në të ardhmen do ketë studime që do e realizojnë këtë. Nuk është aq e lehtë, duhen bërë hulumtime si në arkiva po ashtu edhe në njerëz, pasi duhen pyetur njerëz që kanë kujtime që kanë qenë dëshmitarë në atë kohë. Dhe duhet ndërtuar me kujdes një lloj harte dhe një lloj diagrame statistikore për këto viktima. Pra kanë ekzistuar në Shqipëri qoftë njerëzit luftëtarë që janë vrarë në luftë kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, qoftë viktimat e luftës civile që janë një tjetër kategori, por është edhe një kategori tjetër ajo e viktimave të luftës civile. Dhe kjo mbetet për t'u sqaruar. Unë vetë kam parë një dokument që e ka zbuluar një kolegu im. Ai në fakt ishte një raport i Kryqit të Kuq në Korçë për prefekturën e Korçës në vitin 1944, që bënte fjalë për të gjitha viktimat në atë zonë. Në atë raport Kryqi i Kuq i kishte ndarë viktimat në dy kategori, në viktima të luftës civile dhe në viktima të luftës çlirimtare kundër pushtuesve. Pra kemi një dokument shumë të rëndësishëm dhe të besueshëm, pasi Kryqi i Kuq është i paanshëm. Dhe sipas atij raporti, dilte që në Korçë kishte më shumë viktima nga lufta civile se nga ajo kundër pushtuesve. Dhe kjo është e kuptueshme, pasi në disa krahina në vend lufta civile ka qenë më e madhe se sa lufta kundër pushtuesve. Por ky raport ishte vetëm për prefekturën e Korçës dhe jo për të gjithë Shqipërinë. Nëse kjo do ishte për gjithë Shqipërinë do kishim një ndihmë shumë të madhe në vërtetimin e saktë të numrit të vrarëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sipas jush a mund të ekzistojë fakti se gjatë Luftës së Dytë Botërore mund të ketë pasur më shumë viktima të luftës civile se sa viktima të luftës kundër pushtuesve?
Jo, unë nuk besoj të jetë kështu, pasi të vrarët kryesorë janë ata që kanë marrë pjesë në luftë kundër pushtuese. Ju keni deklaruar se shifra e 28 mijë dëshmorëve nuk ka qenë e saktë. Ku bazoheni te ky fakt dhe pse është përdorur kjo shifër?
Shifra 28 mijë është një shifër politike e fryrë që e kanë vendosur fituesit e luftës. Sigurisht kanë pasur qëllimet e tyre. Qëllimi i parë ka qenë t'i japin luftës një pamje shumë më të madhe glorioze, sepse kjo i jepte një akses të madh për pushtetin, dhe historianët e dinë mirë këtë. E dyta ka qenë se kanë dashur të paraqiten në arenën ndërkombëtare se kontribues të mëdhenj në luftë, me qëllim që të zinin një pozitë sa më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Pra për këto dy arsye u dha një numër kaq i madh të rënësh në luftë kundër pushtuesve. Por realisht ky numër është i pa verifikuar, pasi të rënët kanë emra konkretë, të dhëna që përfshijnë ditën e lindjes, atë të rënies në luftë, me numrin që kanë pasur, kompaninë ku kanë luftuar e shumë të dhëna të tjera, të cilat deri më sot nuk janë argumentuar nga historianët, qoftë gjatë kohës së komunizmit, qoftë edhe sot. Dhe në fakt historianët i kanë pasur të gjitha kushtet që nga viti 1945 deri më sot për ta bërë këtë dokumentim. Një tregues tjetër që na shtynë ne të kontestojmë këtë shifër janë varrezat e dëshmorëve. Nuk mund të mendohet që regjmi komunist të linte pa varre të rënët në luftë ata që ishin pjesë e radhëve partizane, pasi bëhet fjalë që këta 28 mijë të ishin pjesë e këtyre formacioneve luftarake, por qoftë edhe pa u përmendur emrin. Pra kjo është absurde që të ketë 4-5 mijë varre dëshmorësh dhe të mos jenë gjetur eshtrat e 22 mijë a më shumë të rënëve të tjerë. Më e besueshme do ishte e kundërta, nëse ekzistonin 20 mijë varre e do mungonin eshtrat e 5 apo 6 mijë të tjerëve. Pra ne nuk verifikojmë dot në terren ekzistencën e kaq shumë dëshmorëve. Unë mendoj që është në nderin tonë, që ne të japim një shifër korrekte serioze, pasi edhe ajo shifër të vrarësh është nder, pasi nuk ul kontributin e Shqipërisë në këtë luftë, duke pasur parasysh që Shqipëria ishte një vend i vogël, shumë i varfër dhe çfarë është më e rëndësishmja, nuk pati shumë përkrahje ndërkombëtare në fillimet e rezistencës kundër fashizmit, pasi përkrahja erdhi më vonë, në mesin e vitit 1943. Cilat ishin arsyet se pse forcat nacionaliste bashkëpunuan me pushtuesit dhe a përbënte kjo rrezik për Shqipërinë?
Aleatët ndoqën një politikë jo të qartë ndaj Shqipërisë. Përmendim këtu deklaratat e Edenit, ministrit të jashtëm britanik në dhjetor të vitit 1942, i cili vinte në pikëpyetje kufijtë territorialë të Shqipërisë. Kjo nuk shkonte në favor të inkurajimit të luftës kundër pushtuesve në Shqipëri. Edhe propaganda fashiste këtë e përdori shumë dhe kjo frenoi aksionin ushtarak kundër pushtuesve nga ana e krahut nacionalist. Tjetër fakt është se pushtuesit bënë disa veprime politike shumë të zgjuara. E para, gjermanët i dhanë një autonomi të kufizuar Shqipërisë dhe krijuan një administratë krejtësisht shqiptare që merrej me punët civile. E dyta është se si gjermanët ashtu edhe italianët bënë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Pra kjo sigurisht që u përjetua shumë si nga popullsia shqiptare, ashtu edhe nga ajo kosovare, si ngjarje e madhe, si një lloj bashkimi. Kjo u injorua nga elementi i majtë, por nuk u injorua nga popullsia në tërësi. Popullsia, që nuk merrej me politikë, këtë e përjetoi si një shans bashkimi, pasi për herë të parë në Kosovë u krijuan shkolla shqipe si edhe u ngrit një administratë krejtësisht shqiptare. Sigurisht këto ngjarje kanë ndikuar edhe në përmasat e luftës në Shqipëri. Sidoqoftë unë do të thosha se kontributi i Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore është një kontribut shumë i madh. Por ky kontribut u përdor nga Partia Komuniste, pasi kjo i përdori asetet e kësaj lufte për të vendosur diktaturën komuniste në vend, pasi vala e fitimtarit shtypi çdo qelizë demokratike në vend. Interesant është edhe fakti se ata që krijuan qeverinë e Regjencës kanë qenë gati patriotët më të mëdhenj shqiptarë. Njerëz që kishin ngritur flamurin dhe kishin dhënë shumë për pavarësinë e Shqipërisë. Pra ishin njerëz me kontribute të mëdhenj në çështjen kombëtare shqiptare. Sipas disa dokumenteve që ne kemi zbuluar kohët e fundit del se një pjesë e madhe e tyre ishin të ndërgjegjshëm që po sakrifikoheshin. Gjithashtu ata në fund të luftës kërkuan që të bënin disa lëvizje politike të kalonin në krahun e forcave aleate dhe këto lëvizje u kuptuan edhe nga gjermanët, tjetër gjë se nuk miratuan nga aleatët. Tjetër fakt është se një pjesë e krerëve të Ballit Kombëtar kur e panë që Partia Komuniste rrezikonte të merrte pushtetin, pas deklaratave të tyre për luftë civile, ata menduan të përdornin forcën e gjermanëve kundër komunistëve megjithëse e kuptonin që edhe vetë po humbitnin reputacionin e tyre. Por gjithashtu këto veprime të tyre kanë edhe anën kritike, pasi në fund të luftës Shqipëria mund të dënohej rëndë për veprimin e këtyre forcave nacionaliste. Pasi Shqipëria mund të kishte pasoja të rënda politike, por kjo situatë nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet ku kanë shkelur gjermanët. Sidoqoftë rreziku ka ekzistuar. Deklarohet shpesh se nga regjimi komunist është zbehur ndihma që aleatët kanë dhënë për Shqipërinë gjatë viteve të Luftës. Shumë historianë shqiptarë deklarojnë se Shqipëria është çliruar me forcat e veta. Si është e vërteta?
Çështja e aleatëve është shumë e qartë. Fillimisht aleatët nuk e mbështetën rezistencën shqiptare. Ata u treguan indiferentë, por kjo edhe për shkak të interesave të tyre politike. Po ta ndajmë me faza do vërejmë që deri në momentin që Italia nuk ishte në luftë me aleatët, ata dëshironin ta mbanin atë neutral dhe kështu nuk u interesonte që të ndihmonin rezistencën shqiptare kundër italianëve. Sigurisht që nuk u pëlqente pushtimi i Shqipërisë, por pëlqyen më mirë rolin e indiferentit. Madje edhe kërkesës së mbretit Zog për të përkrahur rezistencën, ata iu përgjigjën me indiferentizëm. Pasi Italia sulmoi vendet aleate, atëherë interesi i tyre për të goditur ushtrinë italiane edhe në Ballkan u rrit. Kështu aleatët filluan të mendojnë se si të ndihmojnë rezistencën dhe se si kjo të bëhet edhe më e fortë. Për këtë forcat aleate u drejtuan në fillim te mbreti Zog, si përfaqësuesi i vetëm legjitim i shqiptarëve. Por projektet e tyre u kundërshtuan nga fqinjët kryesisht nga grekët, të cilët dëshironin që të mos kishte rezistencë kundër italianëve në Shqipëri dhe u interesonte që Shqipëria të ndodhej në krahun e boshtit nazist. Pasi pas përfundimit të luftës ajo mund të ngrinte edhe njëherë problemin e kufijve. Por një fakt tjetër i mos përkrahjes së rezistencës në Shqipëri është se deri në fund të vitit 1942 aleatët ishin në pozicion mbrojtës dhe ata kaluan vonë në ofensivë. Pasi ata kaluan në ofensivë që në pranverën e '43-it, ata do sillnin misionet e tyre në Shqipëri. Ndihmat e tyre kanë qenë shumë të rëndësishme, si në bazën materiale, ushtarake ushqimore, të rezistencës shqiptare, ashtu edhe në të holla. Madje këto ndihma e fuqizuan mjaft ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe ishin edhe një faktor që nga këto ndihma ajo u bë një ushtri më e fuqishme se ajo e nacionalistëve. Dhe këtë forcim ata e përdorën si kundër gjermanëve ashtu edhe kundër nacionalistëve. Sipas dokumenteve angleze, Shqipëria është bërë pjesë e koalicionit të forcave aleate pas vitit 1943 dhe jo më përpara. Pse ka ndodhur kjo?
Shqipëria ka qenë pjesë e koalicionit në ndërgjegjen dhe në veprimet e saj që në fillim të pushtimit të saj nga Italia. Mbreti Zog ishte i pari që kërkoi që të ishte në krah të forcave aleate, por ai nuk u përkrah dhe ai ka tentuar gjithmonë që Shqipëria të hynte në këtë aleancë. Pra Shqipëria e ka ndjerë veten që në fillim pjesëtare të këtij koalicioni antifashist. Mbreti Zog nuk u preferua nga aleatët edhe për shkak të sabotimeve nga fqinjët. Me gjithë përpjekjet e mëdha dhe kontributin e saj, Shqipëria nuk u fut në fillim në forcat aleate. Ajo do futej në këtë koalicion shumë vonë, madje zyrtarisht ajo është bërë pjesë e këtij koalicioni, por si "shoqe", vetëm në vitin 1947, pas lidhjes së traktatit të miqësisë me Italinë, e cila njihte të gjitha veprimet e saj pushtuese ndaj Shqipërisë dhe merrte të gjitha përgjegjësitë e veta. Por duhet të theksojmë se Shqipëria ka qenë pjesë e koalicionit të forcave aleate moralisht që në fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Pra de facto Shqipëria ka qenë pjesë e aleatëve që pas pushtimit të saj, kurse de jure u bë pjesë e aleatëve shumë vite më vonë.