ALUIZNI/Përcaktohen penalitetet që duhet të paguajnë pronarët
Legalizimet, gati miratimi për 150 dosjet e shtesave
Eriona YMERI
Agjencia e Legalizimeve, Urbanizimit
dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dërgon 150 dosje të shtesave pa leje në sekretaritë e këshillave të qarqeve. Këto dosje janë për shtesat e pallateve, të cilët janë ndërtuar para vitit 1993 si dhe pas këtij viti. Ndërkohë burime nga kjo agjenci thanë për gazetën "Tirana Observer" se vetëm në Tiranë janë përgatitur 26 dosje, të cila janë çuar për miratim në bashkinë e Tiranës. Gjithashtu kjo agjenci përcakton edhe penalitetet që kanë ata pronarë pallatesh, të cilët kanë ndërtuar shtesa jashtë lejes. Dosjet
Agjencia e Legalizimeve ka përgatitur 150 dosje për shtesat e pallateve, të cilat i ka çuar për miratim në sekretaritë e këshillave të qarqeve. Sipas burimeve nga kjo agjenci, në Tiranë janë 26 dosje për shtesat e pallateve, të cilat janë dërguar për miratim në bashkinë e Tiranës. Për shtesat e pallateve të ndërtuara pas vitit 1993, vendimi merret nga bashkia e Tiranës dhe më pas jepet leja nga ALUIZNI. Ndërsa për shtesat e ndërtuara para '93-it, vendimi jepet nga minibashkitë. Me miratimin nga këshillat e qarqeve, këto shtesa do të legalizohen. Gjithashtu agjencia po punon për përgatitjen e dokumentacioneve për ndërtimet e veçuara. Penalitetet
Çdo kush që ka ndërtuar një shtesë jashtë lejes së ndërtimit, duhet të paguajë edhe një gjobë gjatë procesit të legalizimit të të gjithë pasurisë së tij. Kështu, kjo shumë do të aplikohet në bazë të sipërfaqes së kësaj shtese si dhe qëllimit të shfrytëzimit të saj. Për shtesat që shfrytëzohen për banim, për çdo metër katror, gjoba që do të aplikohet do të jetë 4 për qind e vlerës së shtesës. Personat që kanë një godinë për aktivitet social-ekonomik do të paguajnë një shumë prej 10 për qind të vlerës së këtij ndërtimi. Në qoftë se keni ndërtuar një objekt dhe i keni ndërruar destinacionin e tij, do të penalizoheni me 20 për qind të vlerës së. Penalizimet do të aplikohen për çdo metër katror të tokës mbi të cilën është ndërtuar objekti, dhe me çmimin e tregut në momentin në të cilin bëhet legalizimi. Ky çmim përcaktohet në bazë të raportit të ekspertit të licencuar vlerësues pasurish të paluajtshme, të përgatitur për llogari të vetëdeklaruesit.
Pagesat për procesin
Pagesat brenda vijave të verdha të shtesave pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj), varion nga 100-400 mijë lekë të reja. Ndërsa kur shtesat janë për qëllime tregtimi, apo aktiviteti ekonomik, kalimi i pronësisë realizohet sipas vlerës së tregut në momentin e kalimit të pronësisë. Qytetarët do të mund ta paguajnë detyrimin në disa mënyra. "Nëqoftëse do të paguajnë në CASH atëhere do të kenë 20 për qind ulje të çmimit ose nëse ky detyrim shlyhet me kredi, interesi bankar do të mbulohet nga shteti. Së fundi pagesa 100-400 mijë lekë mund të bëhet edhe me këste. Këto janë skemat që do të krijohen në favor të banorëve", përfundoi ai.
Çmimi i shitjes ne zonat informale
Për parcela ndërtimore jashtë vijave të verdha
a. Për sipërfaqe deri në 100 m² 100 mijë lekë
b. deri në 200 m² 150 mijë lekë
c. deri në 300 m² 200 mijë lekë
d. deri në 400 m² 300 mijë lekë
e. deri në 500 m² 400 mijë lekë
f. mbi 500 m² vlera e tregut
Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha
a. Për sipërfaqe deri në 100 m² 200 mijë lekë
b. deri në 200 m² 300 mijë lekë
c. deri në 300 m² 400 mijë lekë
d. mbi 300 m² vlera e tregut
Shtesat e ndërtimeve brenda vijave të verdha
a. Për sipërfaqe deri në 50 m² 100 mijë lekë
b. deri në 75 m² 200 mijë lekë
c. deri në 100 m² 400 mijë lekë
d. mbi 100 m² vlerës e tregut