1. Tentativa e parë serioze e Partisë Socialiste për zgjedhjen e drejtuesve të kësaj nga baza e deri në krye të saj, sipas parimit "një anëtar, një votë" gjykoj se ishte më i rëndësishëm si hap, sesa konfirmimi i Edi Ramës si kryetar. E gjitha kjo, për një arsye të thjeshtë: Sepse ngritja e sistemeve të reja e më të avancuara për demokracitë e brendshme të partive politike, dhe futja e konsolidimi në praktikën e tyre, të modeleve dhe praktikës pluraliste të vendeve më të zhvilluara, është tregues i ecjes përpara të vetë demokracisë shqiptare. Në fjalinë e parë, për ta përshkruar këtë, përdora termin "tentativë", sepse për këtë kam parasysh, që gara për zgjedhjen e kryetarit të PS-së mes Edi Ramës dhe Shkëlqim Metës ishte një farsë si ajo që Ramiz Alia përdori me Namik Doklen për t'u zgjedhur Presidenti i parë pluralist i Shqipërisë më 1991. Për rrjedhojë, Edi Rama me siguri që nga pikëpamja formale tashmë gëzon një legjitimitet më të madh si kryetar i Partisë Socialiste, por në mos legjitimitet monist, siç u shpreh dje Fatos Nano, një legjitimitet jo plotësisht pluralist. Megjithatë, pas kësaj, Edi Rama ka një arsye më shumë për t'u ndjerë lideri real i socialistëve shqiptarë dhe Fatos Nano, një arsye më pak për t'u ndjerë ende lideri shpirtëror i tyre.
2. Shifrat në të tilla raste janë si bikini; tregojnë anën më seksuale, për të fshehur anën më jetësore të problemit. Pra, ky 97% i votave që ka marrë Edi Rama nuk tregon as "besimin e madh që ka anëtarësia e kësaj partie" për Edi Ramën, por as mungesën e demokracisë brenda Partisë Socialiste. Kjo shifër, është treguesi më i mirë i frikës dhe i kujdesit të Edi Ramës dhe mbështetësve të tij brenda PS-së, për të treguar atë për të cilët ai nuk ka nevojë: Mbështetjen me 97 për qind nga anëtarësia e partisë. Sepse po të jetë e vërtetë kjo shifër, atëherë Edi Rama i pari, duhet të jetë thellësisht i shqetësuar se diçka nuk shkon në raportet mes tij dhe partisë që po drejton. Pasi, një shprehje thotë: Nëse askush nuk të shan, nëse nuk ke asnjë armik apo kundërshtar, atëherë shikoni thellë brenda atij njeriu, se diçka e madhe i mungon. Nga ana tjetër, procesi i zgjedhjeve në PS sipas parimit "një anëtar, një votë" ka është shoqëruar në kohë dhe hapësirë me dorëheqjen e krerëve të dy institucioneve shumë të rëndësishme brenda PS-së: I pari që u largua, ishte kryetari i Komisionit Qendror të Garancive Statuore të kësaj partie, Mark Nikolli dhe ditën e votimit, edhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në PS, Zamira Çaka dhe anëtarja e këtij komisioni, Afërdita Stefani. Kaq mjafton për të kuptuar se rizgjedhja e Edi Ramës në krye të PS-së nuk ka qenë një proces kaq rozë sa ç'kërkojnë ta tregojnë shifrat, aq më tepër nëse i besojmë Zamira Çakës që deklaroi se Rama i kishte bërë presion që të ulte numrin e anëtarëve të partisë, për të rritur në këtë mënyrë, përqindjen e pjesëmarrjes në procesin e votimit sipas parimit "një anëtar, një votë". Nga ana tjetër, shumë anëtarë të komisioneve të numërimit të votave atë ditë, po votoheshin për të qenë delegatë të kongresit të ardhshëm të PS-së, apo ishin punonjës të Bashkisë së Tiranës apo kabinetit të kryetarit të saj, Edi Rama. Por, në këto dhe në të tjera fakte, askush nuk është ndalur që t'i analizojë më me kujdes. Pas kësaj, mund ta kemi më të qartë nëse anëtarësia e PS-së ka një besim të madh tek kryetari Edi Rama, apo nëse kjo parti ka apo jo një demokraci aq të madhe se edhe e trumbeton.
3. Të bësh një analizë dhe një krahasim serioz për të parë ndryshimin mes drejtimit të PS-së nga Fatos Nano dhe Edi Ramës, ndoshta do të duhej të pritej edhe pak në kohë, por nga ana tjetër, ky hap do të donte më shumë letër dhe bojë. Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy në pamje të parë, pavarësisht kohëve dhe rrethanave të ndryshme politike, është fakti se Nano ishte një lider që nuk arriti të sinkronizonte gjenerimin e ideve të tij politike me realizimin e tyre në praktikë. Ai personalisht ishte një lider me fat dhe u ndihmua shumë nga rrethanat, duke nisur nga trashëgimia e një partie konservatore, historia e së cilës ka qenë e lidhur me kultin e liderit, burgosja politike nga Berisha dhe gabimet fatale që bëri PD-ja dhe e djathta, gjatë qeverisjes së parë në vitet 1992- 1997. Ndërsa Edi Rama, është një politikan i një brezi tjetër, i cili deri tani ka dhënë më shumë prova si një menaxher i punëve publike, sesa i një bashkimi vullnetar njerëzish rreth një filozofie dhe programi, siç është një parti politike si ajo që po drejton prej një viti e gjysmë. Edi Rama është larg së qenuri një ideolog dhe gjenerator i ideve politike, por duke qenë më sistematik në praktikën e punës së përditshme, ka arritur disa fitore të shpejta në planin personal, të cilat i rrezikon në prespektivë, nga mungesa e sensit të liderit të një partie me rrënjë 65-vjeçare. Kjo sigurisht që ka sjellë dhe pritet të sjellë edhe bërjen gjithnjë e më të prekshme të tipareve të ndryshme të kësaj partie nën drejtimin e Edi Ramës, me profilin e Partisë Socialiste, gjatë 15 viteve që u drejtua nga Fatos Nano. Deri tani, prova e parë konkrete u kalua në zgjedhjet e përgjithshme lokale të shkurtit 2007, ndërkohë që përpara PS-së, të majtës shqiptare dhe vetë Edi Ramës, është prova e dytë serioze politike: Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Menaxhimi i kësaj situate, sidomos ai pas këtij procesi, do të na japin më shumë mundësi për të dalluar më qartë dhe për të kuptuar më mirë, se ku është duke shkuar Partia Socialiste dhe e majta shqiptare, me në krye liderin e saj të ri, Edi Rama, në raport me historinë e saj 15-vjeçare, me Fatos Nanon në krye.
...................................
Ilva Tare
Analiste
1. Votimet e brendshme në partinë Socialiste pavarësisht përpjekjeve të Ramës për të minimizuar zhurmën e problemeve treguan se pikërisht njeriu që bërtiti më fort për standarde zgjedhjet nuk arrin t'i realizojë ato brenda shtëpisë së tij. Edi Rama dhe mbështetësit e tij që pothuajse e çuan vendin në ngërç me pretendimet gjithfarëllojshe të Zgjedhjeve Lokale të 18 Shkurtit, vunë në dyshim vullnetin e sinqertë për transparencë dhe ndershmëri në proceset zgjedhore. Akuzat për manipulim me listat, apo dorëheqja e kryetares së KQZ-së që me vështirësi ja dolën të shfaqeshin në media për shkak të kontrollit "miqësor" që Rama zotëron mbi to, e bënë pis karrigen e Ramës si kryetar i PS-së.
Pavarësisht se u përpoq të injorojë komentet e Nanos, pjesëmarrja në votime dhe problemet bllokuese që u shfaqën, dëshmojnë qartë se Rama ka zhvilluar një luftë të egër të brendshme, e cila duket se e çoi në gabime të rënda siç është konkurrimi për kryetar pa rival. Edi Rama e di shumë mirë sepse e zotëron mjeshtërisht aftësinë për t'i kthyer perceptimet në përjetime. Votimet me parimin "Një anëtar, një votë" në PS, u perceptuan si difektoze dhe u përjetuan si një shuarje e zërave të mundshëm ndryshe, për të cilat dikur Rama ishte luftëtar i zjarrtë.
2. Nuk di sa i lumtur ndjehet Rama pas zgjedhjes në postin e kryetarit të PS-së, pa konkurrim idesh dhe platformash, që aq shumë i ka trumbetuar në fillimet e rrekjes për t'i marrë partinë Nanos.
Unë mund të them që Edi Rama është më i qetë pas këtyre votimeve për atë që atij i pëlqen ta quajë pastrim i partisë nga mbeturinat e punës apo qoftë edhe të epokës së paraardhësit. Rama edhe mund të përdorë si mbrojtje votimin e Berishës me shumicë absolute për të qenë në krye të PD-së, por nuk duhet harruar se ai është sot në majën e PS-së, pikërisht se sulmoi këtë kategori politikanësh që akuzohen se e mbajnë partinë si çifligun e familjes. Midis Uran Butkës së dikurshëm të Berishës dhe Shkëlqim Metës së Ramës, kam frikë se në PD të paktën formalisht demokracia duket më funksionuese se kandidatët inekzistent të socialistëve.
3. Vështirë të jap opinion për këtë pyetje, përderisa deri më sot nuk kemi arritur të shohim një PS të drejtuar nga Edi Rama. Deri më sot ai është mbrojtur duke thënë se i kishte duart e lidhura për të vepruar në PS për shkak të njerëzve të mbetur nga e kaluara të cilët nuk mund t'i fshinte me një të rënë lapsi. Edi Rama me tendencat e shfaqura në fillimet e lidershipit të tij partiak më ngjan se për nga mënyra shpërfillëse me të cilën preferon të drejtojë është deri diku i ngjashëm me Nanon. Por me një ndryshim të madh. Në raste disfatash Nano ka treguar se e njeh tërheqjen. Duhet të presim reagimin e Ramës, në një rast të tillë. Ndërsa për politikat partiake dhe kompaktësinë si të partisë apo të koalicionit, si Nano dhe Rama kanë defekte serioze të cilat në rastin e parë i kemi përjetuar, porse në rastin e dytë duhet të presim ç'zhvillime do të kenë në të ardhmen.
...................................
Mimoza Dervishi
Analiste
1. Aplikimi i parimit një "Anëtar një votë", ku për zgjedhjen e drejtuesve të partisë merr pjesë gjithë anëtarësia, është kulmi i demokracisë së një partie. Mendoj që është një hap emancipues për socialistët, por dhe gjithë politikën shqiptare, një parim që duhet aplikuar ngado. Si një proces thuajse i panjohur në Shqipëri dhe i aplikuar për herë të parë, mund të ketë pasur mangësi dhe mos ketë qenë perfekt. Por është një eksperiencë që do t'i bëjë pjesëmarrësit në këtë proces dhe organizatorët, ta shohin me vëmendje gjithë sa ndodhi dhe të përmirësojnë herën tjetër mangësitë dhe parregullsitë që u vunë re.
Sa për çimentimin e pozitave të Ramës përmes këtij votimi, nuk mendoj se është konstatim i saktë. Ky lloj çimentimi dhe forcim i pozitave të tij, ndodhi që në 18 shkurt, kur Rama fitoi me numër të madh votash Bashkinë e Tiranës, dhe PS-ja qytetet e mëdha. Por për Ramën beteja e 18 shkurtit u quajt si basti i tij më i madh politik, i cili ose do ta largonte nga PS-ja dhe politika në rast se humbte, ose do ta çimentonte aty. Ndodhi e dyta dhe nuk besoj se duhej pritur votimi i 6 majit për ta konfirmuar atë.
2. Sa për demokracinë në Partinë Socialiste sapo e thashë që parimi "Një anëtar, një votë", është më demokratiku i mundshëm, pavarësisht si u zbatua në terren për herë të parë. Nga ana tjetër mendoj që socialistët i besuan Ramës dhe kjo lidhet me provën e parë politike që ai si drejtues partie dha në 18 shkurt, fitoi Tiranën dhe qytetet e mëdha në gjithë vendin. Pse duhet të zgjedhin socialistët dikë tjetër? Për më tepër kë tjetër, Shkëlqim Metën? Besoj të gjithë e dini që përballë tij Rama do kishte një rezultat të tillë. Por çështja është pse nuk kishte kandidatë të tjerë potencialë përballë Ramës? Kjo është pyetje për të tjerët në PS, sidomos për ata që bëjnë si trima nëpër media, përfshirë dhe Nanon. Po kur vjen puna të provojnë kundërshtitë me kryetarin aktual, aty ku është vendi, në garën për kryetar, tërhiqen dhe fshehin kokat. Ndoshta ngaqë dinë të bëjnë dhe llogaritë dhe e kanë ditur që do humbnin, por nuk i ka penguar askush të garonin. Gjë që na çon sërish tek reputacioni dhe mbështetja që ka Rama në masën socialiste.
E vetmja herë në fakt kur ka patur garë reale në PS, për kryetarin ka qenë dueti Nano-Majko. Përveç kësaj gare, s'kemi parë asnjëherë tjetër kandidatë potencialë përballë njëri tjetrit. Madje edhe në garën ku Rama konkurroi për herë të parë, pas largimit të Nanos, kandidatët që kishte përballë ishin mjaft të dobët. Tani ai jo vetëm ishte kryetari i PS, por vinte edhe pas një fitoreje jo pak të vogël të 18 shkurtit.
3. Nano e trajtoi partinë si plaçkë tregu, si pronë të tijën dhe vetëm pak kohë më parë e quajti vetën baba të kësaj partie, njësoj si dikur kish quajtur Enverin. Vetëm demokraci nuk shoh këtu dhe sa herë që flasim për Nanon liberal dhe demokrat, bëjmë një gabim të madh, ngatërrojmë këto terma me degjenerimin, shthurjen dhe hallakatjen. Ky është një dallim i madh mes partisë që la Nano dhe asaj që ka Rama sot. Nano la një parti me njolla nga të cilat ende po vuan PS-ja. Sidomos periudhën e fundit, kishte një lloj halabakllëku në drejtimin e partisë. Tallja që i bëri Nano medias, opinionit publik dhe sidomos vetë socialistëve me të famshmin "katharsis" do mbahet mend gjatë, por jo si shprehje e demokracisë. Në funksion të saj është ajo që ndodhi më pas, kur çdo gjë shitej e blihej me ofiqe. Nano ishte një lider i papërgjegjshëm dhe e tillë dukej dhe Partia Socialiste vitet e fundit të karrierës së tij. Ky është ndryshimi tjetër me partinë që kryeson Rama sot. Ndryshime të tjera do t'i shohim në vazhdimësi dhe nuk mendoj që edhe nga sasia kohore ka vend për krahasim. Më mirë se kushdo në fakt dallimin e bëjnë socialistët. Për ne që jemi jashtë, ka matësa të tjerë se si t'i krahasojmë dy "partitë". Që pas 3 korrikut 2005, kur Nano dha dorëheqjen e deri tani, ka ndodhur vetëm një proces matës politik që janë zgjedhjet e 18 shkurtit. Ku Partia Socialiste e shokuar ende nga humbja e përgjithshme, arriti një fitore të rëndësishme, që befasoi shumëkënd, përfshirë kampin kundërshtar që është bërë lëmsh tani. Madje befasoi vetë Nanon që punoi kundra kësaj fitoreje. Me kaq krahasimi me lidhje të shkurtër, mbyllet dhe do ketë boll kohë për krahasime të tjera. E mira do ishte që shtypi të çlirohet nga adhurimi bosh për Fatos Nanon, sepse në këtë mënyrë është disa dhjetëra hapa pas elektoratit.
...................................
Edlira Gjoni
Analiste
1. Edi Rama u rizgjodh kryetar i PS-së sepse momentalisht kjo zgjedhje akoma ka sens brenda partisë së tij. Rama i udhëhoqi shumë mirë të majtët drejt fitores së paparashikuar të zgjedhjeve lokale, bashkoi të përçarët e opozitës, e ka bërë lëmsh parlamentin, edhe pse nuk është prezent fizikisht atje. Ai arrin të përçojë mes deputetëve idetë dhe planet e tij, që se ç'i përzihen të djathtëve e të majtëve nëpër konfuzitetin e tyre të pafund. Rama përcillte qetësi si para zgjedhjeve me formulën e re, ashtu edhe pas rikonfirmimit të tij në krye të PS-së. Rama madje përcillte qetësi edhe para zgjedhjeve lokale, kur gjithë të tjerët turfullonin nga fotot e veçanta që u hodhën në qarkullim. Ai u tregua po kaq i qetë kur i besuar për herë të tretë Bashkinë e Tiranës. Kështu, duket se qetë-qetë, të gjithë anëtarët bashkë, me nga një votë secili, edhe mund ta kenë çimentuar pozicionin e Ramës në krye të PS-së. Tani i ngelet atij ta justifikojë besimin e këtyre njerëzve që më shumë sesa Ramën, votojnë për ndryshimin dhe shpresën që erëra të mbara të kalojnë ndër viset tona.
2. Rama u rizgjodh në krye të PS-së me 97% të votave! Shifra është pak e lartë për të qenë e vërtetë dhe, vetë 97-a nuk është numri i preferuar i shqiptarëve. A do të kishte më pak kontestime po të ishte deklaruar 96.9%? Kundërshtarët e Ramës, ose më saktë shpresë-plotët e Nanos, nuk do të kishin bërë sehir cilado të ishte shifra e fitores. Zhurma rreth këtyre zgjedhjeve është artificiale në këto momente. Po të kishte zhvillime të tjera në opozitë, po të kishte probleme vazhdimësie brenda PS-së, po të ishte një luftë e hapur mes emrash të njohur në periudha kritike ristrukturimi, atëherë ndoshta edhe mund të merreshin për bazë vlerësimet e kundërta për rizgjedhjen e Ramës. Por, në kushtet kur pozicioni i PS-së dhe metodologjia e saj politike po udhëhiqet me rezultate të prekshme nga kryebashkiaku, është disi e vështirë të merresh me kokëfortësinë e fakteve. PS-ja sot i ngjan Ramës. Dhe askush tjetër nuk i ngjan asaj sot më shumë sesa vetë ai.
3. Ndryshimi mes Partisë Socialiste të drejtuar nga Fatos Nano dhe Partisë Socialiste të drejtuar nga Edi Rama? A hyn ndryshimi në godinën e PS-së këtu? Sipas modelit të saj të dukshëm, ka ndryshuar edhe përbërja funksionale e PS-së. PS-ja e Nanos kishte më shumë kohë të lirë. Aq shumë madje, sa as nuk iu binte rasti të kalonin nga godina e tyre dhe ta shihnin gjendjen në të cilën ishte katandisur selia partisë së tyre. Edhe pse në mazhorancë, deputetët e PS-së së dikurshme dilnin aq shpesh në ekran duke folur kaq ngjashmërisht për asgjë, sa nuk merrej më vesh se kush ishte bishti, e kush sqepari. Sot të majtët jo vetëm që janë më të kursyer në fjalë, po sikur janë bërë edhe pak më të shtruar në zgjedhjen e atyre që thonë. Kjo nuk ndodh gjithmonë, por ndihet në deklarime socialiste fryma e saktësisë, qartësisë dhe ideve të hapura e gjithmonë krijuese të liderit aktual. Nano e udhëhiqte PS-në në distancë, kurse Rama kujdeset që ai, ashtu si të gjithë të tjerët të jetë prezent dhe aktiv në ndryshimin gradual të PS-së. Edi Ramës i duhet vërtet PS-ja, por akoma më shumë, PS-së, opozitës dhe votuesve të saj i duhet Edi Rama me gjithë idetë, pasionin, risitë, përkushtimin, qetësinë, shpërthimet dhe rezultate e tij që jo vetëm nuk fshihen apo mohohen dot, por janë edhe të vështira për t'u ndjekur si shembull pamor. Motoja e heshtur dhe e dukshme e Ramës është: "PS-ja ecën para, jo pas".
gjedlira@yahoo.co.uk
...................................
Plator Nesturi
Analist
1. Rezultati i votimeve për kreun e PS-së nuk ishte aspak surprizë. Jo thjesht sepse nuk kish ndonjë kandidat të denjë që të rivalizonte me Ramën, por dhe për faktin se ky ishte kahu i lëvizjes aktuale në gjirin e socialistëve. Mund të thuhet pa frikë se Rama me këto zgjedhje i ka shtuar një shkallare më tepër piedestalit ku është vendosur në krye të PS-së, si dhe i jep një bonus të vlefshëm në marrëdhëniet dhe raportet e tij me aleatët e tjerë të koalicionit të majtë. Sidoqoftë ky është veç një hap përkundrejt objektivave që shtrohen përpara kreut socialist. Sfidat e vërteta fillojnë që me kongresin e ri, me programin që i duhet të miratojë, si dhe me strukturat e reja drejtuese e ndryshimet statustore. Kjo është panorama përsa i përket organizimit të brendshëm, por në një plan të përgjithshëm, Rama ka një provim të vështirë përpara elektoratit të majtë për mënyrën se si do të menaxhojë çështjen për zgjedhjen e Presidentit dhe më tej në përmbushjen e premtimit për të shkurtuar ditët e qeverisë "Berisha" duke rikthyer të majtën në pushtet.
Gjykoj se një nga sfidat që socialistët dhe Rama vetë u duhet të përballojnë, nuk është vetëm qëndrimi i tyre si opozitë përkundrejt qeverisë Berisha, por dhe marrëdhëniet e reja të krijuara brenda koalicionit të djathtë. Spartak Broho i LSI-së, në një intervistë theksonte se PS-ja duhet t'a harrojë faktin se pas zgjedhjeve do të ndërtojë një qeveri socialiste. Ajo duhet të një qeveri e të majtës, theksoi Braho, dhe kryeministër i saj duhet të jetë Meta. Këto opsione të reja të prezantuara nga aleatët, që sidoqoftë nuk është se janë në unison me njëri-tjetrin, (Gjinushi ka prezantuar teza të tjera), natyrisht do të zenë një vend në diskutimet dhe konkluzionet e kongresit të afërt socialist, si dhe do të jenë objekt në përpunimin e strategjive të organeve të reja drejtuese. Parashtrimi i problematikave që shtrohen përpara socialistëve dhe opozitës në përgjithësi, besoj se nuk i lë kohë Ramës të merret me triumfin në zgjedhjet e brendshme. Ai ka shumë sfida përpara tij prej të cilave varet suksesi apo dështimi i reformave që ka inicuar.
2. Gara zyrtare për kreun e PS-së ishte predominuar nga Rama dhe ndaj tij nuk kish ndonjë rival serioz për t'u ballafaquar, kështu dhe rezultati i votimeve ishte i pritshëm dhe sapak surprizë. Dua të fokusohem më tepër tek mënyra e zgjedhjes me parimin "një anëtar një votë". Megjithë inisiativën demokratike, duhet thënë se kjo mënyrë zgjedhjeje u praktikua si një projekt-pilot në gjirin e socialistëve. Në zgjedhjen e drejtuesve lokalë u vërejtën të meta që në raste të veçanta degjeneruan në parregullsi. Kjo shtron pyetjen: sado që ky sistem është më demokratik, a është momenti i duhur dhe a është pjekur baza e politikës për një mënyrë të tillë të përzgjedhjes së drejtuesve? Unë mbetem ende skeptik.
3. Mendoj se krahasimi në nivel kohor është i pasaktë, pasi shpesh puna matet nga rezultatet dhe jo nga mënyrat e strategjitë e organizimit. Rama ka në krye të PS-së një vit e gjysëm dhe është në proçes të realizimit të platformës së tij. Në rast se i referohemi Nanos, nuk duhet harruar se në kohën kur kish po kaq në krye të PS-së kish bërë shumë për këtë parti. Kish trashëguar një parti komuniste dhe pati sukses në reformimin e saj, përballoi burgun dhe një pushtet represiv si ai i Berishës deri në vitin '97. Këto nuk ishin sfida të vogla, ashtu siç nuk ishin të pakta sukseset që arritën për tetë vjet socialistët në reformat demokratike dhe zhvillimin ekonomik në shkallë vendi. Ndaj deri më tash unë shoh të njëjtën Parti Socialiste, veç në krye të saj është një drejtues me tipare krejt të ndryshme nga paraardhësi i tij.
...................................
Hamdi Jupe
Analist
1. Së pari, mendoj se këtu nuk ka vend për të përdorur fjalën "çimentim". Kjo është një fjalë e rëndë, po të përdoret në përkufizimin e mandatit të një politikani. Në këtë kuptim, askush nuk mund ta quajë veten të "çimentuar" në Partinë Socialiste. "Çimentimi" mund të kërkohet gjetkë, psh në PD, por jo në PS. Në këtë parti nuk gjen asnjë figurë "të çimentuar", asnjë figurë të mbetur përgjithmonë në krye të saj, ndonëse ka plot figura historike tashmë, për nga kontributi i tyre në krye të kësaj partie.
Edi Rama në këto zgjedhje të reja për organet drejtuese të partisë, mori një mandat të ri për të drejtuar Partinë Socialiste të Shqipërisë për katër vitet e ardhshme. Këtë mandat ai e kishte marrë më parë nga Kongresi i Partisë, për periudhën që kishte mbetur nga mandati i ish-kryetarit, sipas përcaktimit të atëhershëm të Statutit për këtë çështje. Tani ai e mori për katër vjet të tjera këtë mandat, në bazë të normave të reja të Statutit për zgjedhjen e forumeve drejtuese të partisë, sipas parimit "një anëtar një votë".
Natyrisht që kjo është një fitore e pamohueshme e Edi Ramës në krye të Partisë. Pra ishte një sukses i tij për të drejtuar partinë edhe për katër vjet të tjera.
Por zbatimi i parimit "një anëtar një votë" ishte gjithashtu një sukses jo vetëm për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, por edhe për jetën politike shqiptare në përgjithësi. Ky parim zbatohej për herë të parë në vendin tonë në këto përmasa dhe ishte një shembull që mund të ndiqet edhe nga partitë e tjera. Për këtë arsye, ai natyrisht që është një arritje, një vlerë kombëtare në këtë drejtim. Përvoja e vendeve të tjera që e kanë përdorur prej kohësh me sukses, bëhet tani praktikë edhe në vendin tonë.
2. Unë nuk pajtohem me asnjërin nga këto mendime. Ka edhe mendime të tjera alternative, që mendoj se janë më pranë së vërtetës.
Së pari, Edi Rama mori 97 për qind të votave, jo sepse gëzon mbështetje në këto përmasa në PS, por sepse në këto zgjedhje nuk pati kandidatë alternativë seriozë. Po të kishte të tillë, atëherë fitorja e Ramës mund të ishte, fjala vjen, rreth 60 për qind, por jo 97 për qind. Kjo situatë, kur votimi u krye vetëm me një kandidaturë (sepse kandidatura tjetër ishte inekzistente) e uli disi bukurinë e garës për postin e kryetarit të PS-së në qendër. E kam thënë edhe me parë ("Drama e Kongresit X"- "Tirana Observer") se bukuria e garës do të mungonte, përderisa nuk kishte kandidatë alternativë. Por nuk ke çfarë t'i bësh. Kjo nuk varej as nga Rama, as nga partia.
Kjo mendoj se nuk ka të bëjë me demokracinë brenda partisë. Procesi i kandidimit ishte i hapur për të gjithë. Tjetër gjë është se përballja me Ramën ishte e vështirë për disa arsye objektive të njohura. Së pari, Rama ka fituar tri herë postin e kryetarit të bashkisë së Tiranës përballë kandidatëve të PD-së. Kjo nuk është e rastësishme dhe të bën të mendosh se ai është një kandidaturë e vështirë për t'u mundur.
Përveç kësaj, Rama erdhi në zgjedhjet e reja në parti pas një fitoreje spektakolare të opozitës në zgjedhjet e fundit lokale, thuajse në të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Ai pra, e kishte justifikuar mandatin e kryetarit të partisë, të marrë në kongres dy vjet më parë dhe e kishte "ratifikuar" atë edhe në popull. Në këto rrethana, çdo kandidat tjetër për postin e kryetarit të Partisë do ta kishte të vështirë të konkurronte përballë Ramës.
Këto "llogari" mendoj se janë bërë nga ata që e ëndërrojnë karrigen e kryetarit të Partisë Socialiste dhe llogaritë e tyre kanë rezultuar, të paktën sot për sot, jo në favor të tyre. Kjo ndjenjë realizmi i ka bërë ata pastaj që të hezitojnë për të kandiduar përballë Ramës. Të jesh realist në këtë botë është gjë e mirë, apo jo?
Sa për demokracinë brenda Partisë Socialiste, ajo mendoj se nuk mund të vihet në dyshim. Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e Edi Ramës në krye të partisë, por me të gjithë procesin që u zhvillua në të gjithë vendin dhe ku u zgjodhën disa qindra kryetarë të partisë në bashki, komuna, minibashki, delegatë të kongresit të partisë etj. Kjo përmasë kombëtare e procesit të votimit nuk duhet nënvlerësuar aspak, sepse është gabim i madh që të kufizohet kjo ngjarje vetëm në zgjedhjen e kryetarit të partisë në qendër.
Mjafton të shikosh se sa shumë kandidatë ka patur në këtë garë në qytete të ndryshme të vendit, si dhe faktin që në disa komuna e bashki kryetarët e partisë do të zgjidhen me balotazh dhe atëherë është e lehtë të kuptosh vlerat dhe përmasat reale të zbatimit të këtij parimi në Partine Socialiste.
Në këto rrethana, të vjen keq kur dëgjon komente denigruese për këtë proces votimi, nga kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, apo edhe persona të tjerë, deri dje në krye të PS-së, për gjoja "farsë" në këtë proces votimi. Zoti Berisha është i vetmi politikan "i çimentuar" në krye të një partie shqiptare. Ai thuajse gjithmonë është votuar pa kandidat alternativ dhe me kontestime nga brenda dhe jashtë partisë. Kështu ë, komentet e tij janë jashtë mase të panatyrshme. Sa për komentet e shtypit për procesin e fundit të votimit në PS, ato përgjithësisht kanë qenë pozitive, me përjashtime të pakta.
3. Edhe në këtë pyetje konceptohet disi gabim partia dhe drejtimi i një partie. Kryetari natyrisht qe ka një rol të madh në parti. Por nuk është vetëm ai që e drejton partinë, përderisa vendimet i marrin forumet dhe jo individët. Përveç kësaj, mënyra e zgjedhjes së forumeve drejtuese është e rëndësishme, por nuk është gjithçka, përderisa kryesore në një parti mbetet programi i saj. Programi i PS-së deri tani nuk duket të ketë ndryshime, prandaj, me ndryshim vetëm të drejtuesve të partisë, nuk pritet të ketë ndryshime "thelbësore" në parti. Duhet të presim kongresin e saj të ri, për të parë shkallën e ndryshimeve "thelbësore" në programin e saj.
Sidoqoftë, duke e njohur edhe rëndësinë e procedurave ku bën pjesë edhe parimi "një anëtar një votë", mendoj se ka disa ndryshime edhe në udhëheqje. Kështu, vetë aplikimi i parimit "një anëtar një votë", përbën një ndryshim në formën e drejtimit të partisë, sepse prej tij dolën të gjitha strukturat drejtuese të saj. Në parti është zbatuar parimi i demokracisë së drejtpërdrejtë, në vend të demokracisë së përfaqësuar. Kështu që të zgjedhurit e rinj kanë një autoritet më të madh në parti, por edhe një përgjegjësi më të madhe para saj, sepse ata e dinë se një ditë do të shkojnë përsëri të votohen në masën e partisë, në se duan të rizgjidhen në forumet drejtuese.
Por ndryshimi mendoj se është edhe te sjellja e një fryme të re jo vetëm në zgjedhjen e drejtuesve të partisë sipas këtij parimi. Më parë ishin kandidatët për kryetare bashkish e komunash që u seleksionuan me këtë parim dhe kjo çoi në fitoren e PS-së dhe opozitës në zgjedhje. Ka ndryshime të rëndësishme pra, në mënyrën e funksionimit të partisë në çështje të rëndësishme të tij, që shoqërohen pastaj me rezultate pozitive në konkurrimin e partisë me forca të tjera politike të vendit.
...................................
Aleksander ÇIPA
Kryeredaktor i gazetEs "Albania"
1. Mendoj që vlera qëndron tek akti normativ i zbatuar nga forca kryesore e së majtës politike shqiptare. Akti i ri statutor në vetvete është sjellje dhe zbatim modernist i demokracisë së zgjedhjes. PS-ja e ka fituar startin për një normë të tillë dhe për këtë arsye dimensioni i saj i ardhshëm politik pretendohet të jetë edhe më i madh. Mirëpo ky akt nuk mund të mbetet në të njëjtën kuotë vlerësimi në lidhje me konkurrimin. Konkurrimi ishte përjashtuar. Përgjegjësia për këtë spostim apo shmangie të konkurrimit, bie jo vetëm mbi konkurruesin e vetëm Edi Rama. Përgjegjësia i adresohet dhe do t'i mbesë udhëheqësisë së PS-së. Këtë përgjegjësi të neglizhuar apo të refuzuar, kjo forcë politike ka për ta përjetuar në ditët e ardhme, në të ardhmen e afërt të kalendarit politik të saj dhe të vendit. Për ta lehtësuar këtë pasojë, ka një rrugë: Është prirja që Edi Rama në cilësinë e kryetarit të votuar prej anëtarësisë, duhet t'i japë vetes për shmangien e çimentimit të pozitave të vetvetes si qëllim në vetvete. "Kur të mbërthen pushteti, mbahu te liria jote", thuhet prej një politikani francez. Liria e zotit Rama është ende e mbërthyer, por pushteti i ofertohet çdo ditë e më tepër. Prandaj i vlen e thëna franceze.
2. Unë mendoj se anëtarësia socialiste ka riprovuar në aktin e ri zgjedhor, mitin që ka për institucionin e kryetarit. Kjo ka lidhje me pjekurinë politike, por edhe me ndërgjegjen e delegimit të përgjegjësisë për përfaqësim. Kështu ngjet me shumë parti evropiane dhe evropianiste. Demokracia e brendshme ka hequr imazh me mungesën e konkurrimit për këtë post dhe me shmangien e kandidatëve të tjerë potencialë brenda udhëheqësisë socialiste. Po faji është i të tërhequrve apo të shmangurve. Këto rrethana duhen ndriçuar, pasi në këtë mënyrë arrihet peshimi i realitetit të brendshëm në një parti që çel sipar të ri në demokracinë dhe veprimtarinë e vet politike. Rasti i ri zgjedhor në PS, nuk e paraqet rrezikun tek përqindja e votave për kryetarin, por tek mungimi i pretendentëve për kandidatë. Të munguarit duhet të japin sqarime, sepse në të kundërt nuk mund të flitet për simptomat që kërcënojnë demokracinë e kësaj force politike.
3. Ndryshimi është antropolitik. Protagonizmi dhe valenca individuale e tyre ndryshon. Zoti Nano është shenjuar për vlerat politologjike të tij në politikëbërje. Zoti Rama është evident vetëm për pragmatizmin, aksionin dhe energjizmin politik që po shton nga viti në vit. Në raport me PS-në ata ndryshojnë si një prind i paplakur përballë një biri që zgjatet në raport të zhdrejtë me peshën e fjalës.
...................................
Arben Muka
Korrespondent i radios "Deutsche Welle"
1. Ka dy aspekte kryesore mendoj në rastin e votimeve brenda strukturave të PS-së gjatë fundjavës se kaluar. Sa i takon rikonfirmimit të Ramës për ta drejtuar partinë më të madhe të opozitës në një mandat tjetër, kjo ishte e parathënë me rezultatin spektakolar që ai shënoi në 18 shkurt ku mundi bindshëm dhe thellë rivalin e tij nga blloku i djathtë. Në garën brenda partisë së tij, pas fitores së postit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, nuk kishte kuptim të dilte ndonjë sfidant i fortë përballë Edi Ramës, veç Sh. Metës, i cili mezi pret këto lloj konkurrimesh për të siguruar daljen me figurë dhe zë në rubrikat politike në media. Unë mendoj se pas fitores se Edi Ramës dhe PS-së në 18 shkurt 2007, gara për kreun e partisë ishte një formalitet. Ai po fitore të thellë do të kishte edhe sikur përballë tij të ishte Fatos Nano, apo kushdo politikan nga radhët e të rinjve apo veteranëve. Nëse në zgjedhjet e fundit lokale do të kishim rezultat të ndryshëm në disfavor të Ramës, atëherë gara për kreun e socialistëve do të kishte një pamje tjetër, një fitues tjetër. Por gjithsesi ky opsioni i fundit mbeti vetëm hipotezë. Aspekti tjetër në zgjedhjet brenda strukturave drejtuese të socialistëve është aplikimi për herë të parë i formulës "një anëtar një votë". Kjo është një risi në politikën shqiptare, aq më tepër kur ajo u zbatua në njërën prej dy formacioneve kryesore politike në Shqipëri. Është një metodë demokratike që kërkon kohën e vet të asimilohet, kërkon disa procese që të konsolidohet dhe të jetë e besueshme tek anëtarësia e thjeshtë. Deri atëherë ka shumë punë për zbatimin objektiv dhe fikas të kësaj formule. Gjithsesi vlen të theksohet se tani nuk ka kthim prapa në aplikimin e "një anëtar një votë". Zbatimin e saj nuk mund ta shmangin as kundërshtarët e Ramës brenda dhe jashtë PS-së.
2. Fitorja me 97 për qind e Edi Ramës për postin e kryetarit të PS-së erdhi nga rrethana politike, të cilat i shpjegova më sipër. Rama e ka bindur qysh para të shtunës se kaluar anëtarësinë e partisë se ai "është zgjidhja më e mirë për lider". Qysh në 18 shkurt kur arriti atë rezultat, të cilin realisht e kanë zili edhe ata që e përshkruajnë Ramën "si të keqen më të madhe të këtij vendi", apo ata që po hedhin shpoti e romuze për shifrën e konkurrimit. Fitoret me ballafaqime elektorale i shikoj si pozitive brenda radhëve të politikës. I shikoj si freskime dhe update-time të lidershipit sa herë që nuk fitohet apo nuk arrihet objektivi para elektoratit. Rama për të cilin po flasim është momentalisht në pjesën e gëzueshme të këtij procesi. Por rotacioni nuk vonon. Nëse humbet postin e merr një tjetër e kështu me radhë.
3. Është shumë e vështirë të bësh krahasim. Kjo për vetë kohën kur e kanë drejtuar partinë si Nano ashtu dhe Rama. Fatos Nano e mori PS-në si një formacion bolshevik e unitar, që sapo e kishte tromaksur dalja për herë të parë në skenën politike shqiptare pas gati gjysmë shekulli diktaturë, të një partie alternative, siç ishte PD-ja. Partia që nisi të drejtojë Fatos Nano është në formë dhe përmbajtje krejt e ndryshme, nga partia që ka nisur të drejtojë Edi Rama. Jo vetëm për meritë të Nanos, por dhe të kundërshtarëve të tij në parti, PS-ja pësoi një transformim të dukshëm, të cilin e kanë konstatuar dhe personalitete të së djathtës. Në një farë mënyre këtë kontribut duhet që atij t'ia njohë publikisht dhe pasardhësi Rama. Edhe në "erën Nano" dhe tashmë në "erën Rama", mendoj se PS-ja mbetet e hapur dhe tolerante ndaj mendimit tjetër. Për ndryshimet? Nanon e kemi parasysh se si ka drejtuar, por mendoj se duhet dhe pak kohë për monitorim ndaj Ramës.
...................................
Eduard Zaloshnja
Analist
1. Për vetë faktin që Ramës nuk i doli përballë ndonjë konkurrent real në garën për kreun e partisë, s'mund të thuhet se e çimentoi pozitën e tij në krye të PS-së me votimin e së shtunës. Në se e ka çimentuar pozitën apo jo do shikohet kur të mblidhet kongresi. Në qoftë se një shumicë e cilësuar e delegatëve që do dalin nga votimi i së shtunës e mbështesin Ramën, mund të thuhet se ai e ka konsoliduar përfundimisht pozitën e tij si udhëheqës i PS-së. Parë nga këndvështrimi i zbatimit të një parimi të ri për zgjedhjen e drejtuesëve të PS-së, mund të them se çdo risi që rrit nivelin e demokracisë brenda një partie është i mirëpritur në Shqipëri. Për shembull, në lidhje me kryetarët e degëve, pavarësisht nga problemet teknike në votim, mund të thuhet pa frikë se zbatimi i parimit "një anëtar, një votë" përbën një hap përpara në demokratizimin e PS-së. (Këto fjalë po shkruhen nga dikush që ka qënë ndër të parët që ka argumentuar publikisht për nevojën e zbatimit të parimit "një anëtar, një votë" në partitë shqiptare.)
2. Siç e përmenda në përgjigje të pyetjes së parë, në votimin e së shtunës nuk bëhej fjalë për garë për kreun e partisë. Dhe kjo ndodhi sepse ndër kandidatët që mund të ishin pretendentë realë për postin e Ramës, nuk doli asnjë që të kishte kurajon për t'u përballur me të. Duke mos garuar, pra duke luajtur kartën e pretendimeve për manipulime të votës, ata i ruajtën vetes opsionin e kandidimit më vonë, kur sipas tyre, Ramës do i lëkunden pozitat.
3. Që të krahasosh partinë e drejtuar nga Nano me atë të drejtuar nga Rama, duhet që fillimisht ta përkufizosh partinë e Nanos. Por kjo është pothuaj e pamundur ngaqë fizionomia e saj ka ndryshuar ndër vite sipas të përpjetave e të tatëpjetave personale të tij. Kështu tjetër parti ishte PS-ja kur Nano pinte xhin para burgosjes, e tjetër pas burgosjes. Tjetër parti ishte PS-ja para mocionit të '96-ës, e tjetër pas tij. Tjetër parti ishte PS-ja para se Nano t'ia mbathte për në Maqedoni, e tjetër pas asaj zbythje të turpshme. Ndërsa fizionomia e partisë së drejtuar nga Rama është relativisht lineare - ai është nga ata udhëheqës që janë konstantë në përpjekjet për pasur një ekip që i ndjek i bindur në rrugën për të arritur dhe ndejtur në majat e pushtetit. Dhe falë Zotit, PS-ja ka futur në statutin e saj një nen që e detyron udhëheqësin e partisë të japë dorëheqjen në qoftë se nuk fiton në zgjedhjet e përgjithshme të rradhës. Pra, ndryshe nga PD-ja, e cila është praktikisht pronë ekskluzive e Berishës, PS-ja mund ta ndërrojë kapitenin në qoftë se ai nuk i sjell fitore.
...................................
Ermal Hasimja
Politolog, Universiteti Europian i TiranEs
1. Vlera e parimit "një anëtar, një votë" mund të kuptohet më qartë në situata konkurruese. Mirëpo kësaj rradhe de facto Rama nuk pati konkurrent. Mandati i marrë në këtë mënyrë i jep Ramës atë që kërkonte, legjitimitetin për të vazhduar konsolidimin e pushtetit të tij brenda PS-së. Kjo ishte më se e nevojshme për shkak të sfidave që e presin PS-në në të ardhmen e afërt dhe sidomos në çastin e ndeshjes për Presidentin. Megjithatë, me këtë mandat, Rama, jo vetëm konsolidon pushtetin e tij brenda partisë, por edhe garantohet nga çfarëdo "rebelimi" i brendshëm në rast të humbjes së ndonjë sfide të afërt.
Nga ana tjetër është vështirë t'i japësh Ramës meritën për zbatimin e parimit "një anëtar, një votë". Mund të dyshojmë se ai e zbatoi këtë parim jo dhe aq nga vullneti për të demokratizuar Partinw Socialiste, por më tepër sepse e dinte se kjo ishte metoda më e sigurtë për të kondensuar mbështetjen e dukshme të socialistëve të thjeshtë për të. Për ta vërtetuar vullnetin e tij demokratik, do të duhet të presim situata të tjera, në të cilat zbatimi i parimeve demokratike në PS mund të mos i sillte të njëjtat rezultate.
2. Përderisa nuk pati ndonjë kontestim serioz brenda PS-së, atëherë nuk ka pse të tregohemi më katolikë se Papa. Edhe kritika e Nanos në fakt nuk është e mbështetur në argumente, por vetëm në spekulime. Nuk pamë ndonjë kandidat kundër Ramës, por për këtë fajin nuk e ka Rama. Demokracia është ngritur mbi mundësinë e konkurrimit, jo mbi detyrimin e konkurrimit. Nëse dikush nuk e përdor të drejtën e konkurrimit, kjo nuk mund të konsiderohet si mungesë demokracia, por qoftë si besim unanim i PS-së te Rama, qoftë si mungesë guximi për të konkurruar përballë tij. Aq më tepër që raportet e forcave në PS historikisht janë ndeshur pa shumë komplekse.
3. Kam përshtypjen se Nano joshet më tepër nga marrja e pushtetit sesa nga mbajtja e tij. Ndërsa te Rama ndodh e kundërta. Nano ka një qëndrim me estetik ndaj pushtetit, ndërsa Rama e trajton si një nevojë të brendshme themelore. Prandaj, një PS e drejtuar nga Nano mund të jetë ndoshta më e hapur për beteja të përhershme dhe riformulime të raportit të forcave. Nga ana tjetër, ndoshta një PS e drejtuar nga Rama mund të priret më tepër drejt një partie me hierarki piramidale e kontrolluar nga një njeri i vetëm. Pavarësisht dikotomisë të superpërsëritur deri në mërzitje "politikë e vjetër, politikë e re", personalisht e shikoj Ramën më pranë stilit të drejtimit të Berishës. Ose më saktë më pranë modelit sferik të drejtimit: një person i vetëm që qëndron në mes të një organizimi në formë sfere ku të gjithë janë njësoj të lidhur me drejtuesin dhe në të njëjtën varësi pushteti ndaj tij. Vështirë të thuhet se Nano ishte i dashuruar me demokracinë në PS, por nga ana tjetër ndoshta ndërtimi i një monizmi të brendshëm mund t'i ketë rezultuar shumë impenjativ në sfondin e nevojës së pangishme për pushime. Për Ramën, njësoj si për Berishën, pushimet nuk janë në rend të ditës, për shkak të lidhjes që kanë me pushtetin.
Mirëpo një PS e drejtuar nga Rama ndoshta paradoksalisht mund të jetë më efikase në marrjen e pushtetit dhe në qeverisje. Në mungesë të ndonjë programi të qartë, socialistët mund ta kishin më të lehtë të punonin me një lider autoritar si Rama.
...................................
ÇerÇiz LoloÇi
Analist
1. Rizgjedhja e Edi Ramës sipas parimit "Një anëtar, një votë", është një risi në politikën shqiptare, çka mendojmë se duhet të pasohet edhe nga forcat e tjera politike, kryesisht nga partitë e mëdha dhe sidomos nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. Gjithashtu duhet që në statutet e partive kryesore, të vihet një mandat kufizues, pra deri në dy mandate, për drejtuesit kryesorë që partitë të mos ngjajnë siç thotë Aleksandër Meksi: Ose si çeta bashibozukësh të paramatosura, ose si ndërmarrje tip shpk. Natyrisht ka diçka që çalon në rizgjedhjen e Ramës me 99.99 për qind apo në rizgjedhjen më parë të Metës me të njëjtën formulë. Përqindje ala diktaturë apo ala juntë janë gjithnjë të pabesueshme. Në një situatë tjetër, pra që Rama të rivalizonte me Majkon, me Blushin dhe jo me socialistin skrapalli që vetëvjen nga hotel Dajti te Tirana e Re, nuk do të ishte kjo përqindje dhe se do të nënkuptonte edhe një përplasje alternativash. Pra rizgjedhja e Ramës të kujton përballjet e Alisë me Doklen, të Berishës me Butkën, etj.
2. Fitorja plebishitare e Ramës vjen tërësisht nga fitorja e tij në zgjedhjet e 18 shkurtit. Megjithëse ato ishin zgjedhje administrative, janë sërish një test ku mund të provohet një lider partie. Sigurisht që për hir të traditës, kreu i socialistëve merr apriori një mbështetje masive nga anëtarësia e vet.
3. Natyrisht që janë dy modele të ndryshme. Inkursionet politike të Nanos në parti dhe në qeveri kanë qenë të disahershme, Rama e ka për herë të parë. Por ndërsa nën lidershipin e Nanos lejoheshin edhe zërat ndryshe, zbatohej konkurenca mes drejtuesve më me peshë në PS, tashmë këta zëra kanë ikur në lidershipin ramist. Duhet thënë dhe pranuar se investimi socialist për Ramën dhe bashkinë e kryeqytetit, ka qenë maksimalist duke përfshirë të gjithë kryeministrat e majtë Nano, Meta, Majko. Dhe ky ndryshin në Tiranë është i prekshëm. Në këtë aspekt modeli "Rama", megjithëse problematik, është gjithherë më i vlerësuar nga të gjitha modelet e tjera të majta apo të djathta qofshin.
...................................
SkEnder Minxhozi
Drejtor i revistEs "Mapo"
1. Kjo në fakt është beteja e rradhës e fituar nga Rama. Fitoren e parë ai e arriti në momentin kur mori në dorë partinë në tetor 2005, por kryesisht më 18 shkurt, kur fitoi Bashkinë e Tiranës. Pjesa tjetër e procedurave duket se bën pjesë në logjikën e ndryshimeve që kreu i ri i PS-së dhe vetë dalja e partisë në opozitë, kanë prodhuar gjatë këtyre muajve.
2. Shifra 97% në fakt ka një ngjyrim jo fort pozitiv për shqiptarët, por mendoj se në këtë rast ajo është më shumë një detaj sesa një element i rëndësishëm. Nëse është për të ardhur keq që kryetari i partisë zgjidhet me një konkurent inekzistent, besoj se duhet pasur gjithashtu parasysh fakti se Rama në këtë moment nuk ka një konkurrencë të fortë lidershipi personal në parti. Nëse shihet PS-ja e sotme, do të kuptohet se kjo parti nuk ofron në momentin aktual një alternativë drejtimi ndaj asaj të Ramës. Sidomos pas 18 shkurtit, kur ai doli me pozita të forcuara nga zgjedhjet vendore.
3. Kjo është një pyetje komplekse, pasi PS-ja e Fatos Nanos (ajo e viteve të fundit të paktën), veproi në kushte krejt të ndryshme nga partia që mori në dorë Rama. PS-ja e Nanos kaloi të tjera peripeci, përballoi të tjera probleme të brendshme e të jashtme nga partia që sot drejton Rama. Megjithatë ndryshimi kryesor, nëse duhet të gjejmë një të tillë, mendoj se qëndron pikërisht tek formati, personaliteti, efektiviteti dhe angazhimi i vetë dy liderëve në fjalë. Nga njëra anë kemi një politikan të lodhur, pa ide dhe energji, me një barrë akuzash të rënda mbi vete, nga ana tjetër kemi një politikan të ri në moshë, ambicioz dhe agresiv ndaj kundërshtarit politik. Besoj se është një diferencë që lexohet mjaft lehtë.
...................................
Arben Vata
Kryeredaktor i lajmeve nE "Top-Channel"
1. Zgjedhja e Ramës në krye të PS-së me mandat të plotë 4-vjeçar ishte më së shumti një përpjekje e tij për forcimin edhe më të pozitave të tij në krye të PS-së, të cilat për shumë njerëz besoheshin se nuk ishin aq të sigurta nëse zgjedhjet në parti do të bëheshin ashtu siç qenë planifikuar për në fund të vjeshtës. Kjo për shkakun se një numër i madh njerëzish brenda dhe jashtë PS-së besonin se nëse Nano nuk do të zgjidhej President konsensual brenda verës do të kërkonte me patjetër që t'i merrte Ramës partinë që ai vetë e themeloi në qershor 1991. Sa i takon parimit të demokracisë së drejtpërdrejtë megjithëse vlerat e aplikimit të tij ka zëra që megjithatë thonë se kjo shton kultin e individit në parti, një dyshim që gjithsesi mbetet të vërtetohet në praktikën e kësaj partie.
2. Të fitosh këtë përqindje ndaj Shkëlqim Metës nuk se është ndonjë fitore e madhe, ndaj në këtë prizëm mund të them se Rama ka kandiduar i vetëm në garë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se Edi Rama, sidomos pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, nuk gëzon besim dhe mbështetje të madhe në PS. Shifra nuk mund të jetë dhe aq e saktë, pasi në zgjedhjet brenda PS-së morën pjesë rreth 70 përqind e socialistëve, ndërsa grupe nga kjo parti kanë dënuar nëpërmjet medias anëtarësimet e kryera muajin e fundit në PS duke i quajtur socialistët e rinj të ardhur enkas në parti të për të votuar. Nga ana tjetër, sa i takon 97 përqindshit, kjo ishte edhe një manovër e kundërshtarëve të tij të cilët nuk vendosën kandidat përballë tij duke e parashikuar një votim të tillë që realisht nuk se tregon një zhvillim të dukshëm demokratik. Po ashtu, moszhvillimi dot i zgjedhjeve në disa zona dhe problemet e gjithëfarshmë të hasura në disa të tjera (përfshi këtu edhe dorëheqjen e kryetares së Komisionit Zgjedhor në PS), janë një tregues negativ në atë se sa e aftë është aktualisht PS-ja që të zhvillojë p.sh, zgjedhje të përgjithshme apo lokale.
3. PS-ja e drejtuar nga Fatos Nano ishte më liberale, ndërsa PS-ja e drejtuar nga Edi Rama është më e ngurtë. Megjithatë, për PS-në e Edi Ramës në fakt duhet të flasim ndoshta pak më vonë pasi vetëm tani ai e ka partinë krejtësisht në dorë të tij dhe performanca e paskëtajme me ndryshimet e pritshme në PS, fryma e re politike do të jenë ato që do të përcaktojnë "kohën" e Ramës në PS, me të mirat dhe të këqijat e veta.