“Molitva”, fituesja e “Eurovizionit” vjedh këngën shqiptare
 
   
Kënga serbe, kopje e këngës së Sonit  
     

Blendina CARA

Fill pas zhgënjimit që pllakosi pjesëmarrjen shqiptare në “Eurovizion”, një tjetër lajm po aq tronditës del në dritë. Kënga serbe, fituese e “Eurovizion 2007”, nuk qenka origjinale, por është kopjuar nga kënga “Ndarja” e Soni Malaj. Kështu të paktën raportojnë një pjesë mediash të huaja me në krye të përditshmen daneze “Ekstra Bladet” dhe tabloidin britanik “The Sun”. Gjithashtu faqja e internetit zyrtare e “Eurovizionit” www.oikitimes.com raportonte dje se disa orë para fillimit të edicionit të festivalit evropian kishte marrë dhjetëra e-maile që pretendonin se diçka nuk shkonte me këngën serbe. Kjo faqe shkruan se administratorët e saj janë përpjekur të kontaktojnë me Bashkimin Evropian të Transmetimit për këtë çështje, por ka qenë e pamundur.
“Ekstra Bladet”
Gazeta daneze “Ekstra Bladet” shkruante dje se kënga serbe “Molitva” nuk është një këngë origjinale. Sipas kësaj gazete, kënga është një kopje e një këngës shqiptare “Ndarja”, e kënduar nga Soni Malaj në vitin 2006. Më pas gazeta paraqet krahasimin ndërmjet videos se këngës serbe dhe asaj shqiptare. Deri tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Bashkimi Evropian i Transmetimit, shkruan gazeta. Gjithashtu “Ekstra Bladet” shkruan se shpeshherë këngët fituese të “Eurovizionit” akuzohen për plagjiaturë. Në vitin 1995 kënga fituese norvegjeze u akuzua për plagjiaturë, por pas hetimeve doli se nuk ishte kështu.
“The Sun”
Festimet për fitoren e Serbisë në “Eurovizion” këtë vit kanë ngrirë për shkak të pretendimeve se kënga është kopje e një kënge tjetër, shkruan revista e njohur britanike, “The Sun”. Sipas kësaj gazete, kritikët po marrin në konsideratë faktin se kënga fituese e festivalit evropian të këtij viti, “Molitva” e këngëtares serbe Marija Serifoviç, mund të jetë një ripërpunim i një kënge shqiptare. Një person, i cili ka postuar videon që krahason dy këngët, ka thënë për gazetën britanike “The Sun”: E dija prej kohësh se kjo ishte një këngë shqiptare. Ajo ka marrë pjesë në një festival mjaft të njohur të quajtur “Top Fest” dhe që organizohet çdo vit në Shqipëri. Menjëherë sapo dëgjova këngën serbe e kuptova se bëhet fjalë për plagjiaturë. Nuk e di nëse ato e kanë bërë me qëllim apo është e rastësishme, por ngjashmëria është më se e dukshme”.

Nëna e Marija Serifoviç, gjithë kursimet e jetës në bast për të bijën

Nuk do t’i pëlqejnë mamasë së këngëtares serbe Marija Serifoviç, akuzat për plagjiaturë ndaj të bijës. Dhe kjo jo vetëm prej instinkteve mëmësore, por edhe prej një arsyeje tjetër. Mamaja e këngëtares serbe që fitoi “Eurovizionin”, kishte vënë bast gjithë kursimet e jetës së saj që e bija do fitonte. Verica Serifoviç kishte vënë në bast 3 mijë stërlina (gjithçka kishte) për këngën e Marija-s në Helsinki. “Unë fillova të lutesha kur dolën rezultatet dhe u lumturova kur ajo fitoi. Isha aq krenare dhe plus kësaj fitova 30 mijë stërlina. S’e di se çfarë do të bëj me gjithë këto para, por kam kohë që ta mendoj këtë gjë me qetësi”.

...................................................................................
Krye  

Ministri Pango në Këshillin e Turizmit në Lisbonë

Ministri i MTKRS, z.Ylli Pango, mori pjesë në punimet e Këshillit Botëror për Udhëtimin dhe Turizmin që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë në dt 11-12 maj. Në këtë forum marrin pjesë ministrat e Turizmit të qeverive të ndryshme, si dhe përfaqësues të lartë të industrisë turistike. Ky këshill ka për qëllim të zhvillojë kërkime mbi impaktin ekonomik të udhëtimit dhe turizmit dhe ta shpërndajë atë në një audiencë sa më të gjerë grupesh interesi (si në sektorin publik ashtu dhe atë privat), ku nevojiten informacione të besueshme dhe profesionale në funksion të vendimmarrjeve. Në qendër të diskutimeve ishin çështje që trajtojnë marrëdhëniet e qeverive me operatorët dhe organizmat joqeveritare për zhvillimin e turizmit si gjeneruesi më i madh i zhvillimit ekonomik dhe punësimit të vendeve pjesëmarrëse.

“Logos II” do promovojë vlerat kulturore shqiptare

Sot në orën 16:00, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z.Ylli Pango, do të marrë pjesë në një ceremoni në anijen “LOGOS II”, për të përuruar një stendë të turizmit shqiptar në librarinë e dytë lundruese më të madhe në botë. Stenda do të përmbajë botime speciale që prezantojnë resurset e jashtëzakonshme të turizmit shqiptar, paketa të promocionit turistik, si harta, fletëpalosje, guida turistike të qyteteve të ndryshme shqiptare, botime historike dhe kulturore, të ofruara në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip. Aktiviteti në anijen “LOGOS II” do të jetë një nga momentet kulmore të një serie aktivitetesh që do të organizohen në ditën e parë të hapjes së sezonit turistik në qytetin e Durrësit. Ministri Ylli Pango në vizitën e tij do të jetë i shoqëruar nga emra të njohur të kulturës shqiptare, si edhe ambasadorë të disa vendeve perëndimore në Tiranë.

Nis edicioni i gjashtë i festivalit të aktrimit “Apollon 2007”

Mbrëmjen e djeshme në teatrin “Bylis” nisi maratona e përvitshme e garës së aktrimit. “Apollon 2007” shënon edicionin e tij të gjashtë dhe do të vërë në konkurrim tetë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ideatori dhe drejtori i këtij festivali, Klajdi Marku, tha dje se, “edicioni i gjashtë i “Apollon 2007” vjen në vazhdën e kristalizimit tashmë të traditës së krijuar për nxitjen dhe afirmimin e individualiteve të artit teatror mbarëshqiptar në fushën e interpretimit. Ky festival ka treguar se është një eveniment i rëndësishëm, një ngjarje mjaft e pritshme për mbarë komunitetin, jo vetëm teatror brenda Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve të saj dhe si një urë e thellimit dhe e komunikimit shpirtëror”.

 
...................................................................................
Krye  

 

Kulture
  Shkurt
..
..........................................
   
..
..........................................
   
..
..........................................
   
..
..........................................