Mbledhja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, replika mes Presidentit dhe ministrit të Drejtësisë
Moisiu-Rusmali, sherr në KLD, ikën Gjermeni
Qamil xhani
Është shoqëruar me tensione dhe replika
mbledhja e radhës e Këshillit të Lartë të Drejtësisë mes kreut të shtetit, Alfred Moisiu dhe ministritë të Drejtësisë, Ilir Rusmali. Vendimi i një viti më parë i KLD-së, për të mos pranuar dy emërimet Parlamentit, kanë qenë “molla e sherrit” mes dy zyrtarëve të lartë. Rusmali ka kërkuar që kjo çështje të futej në rend të ditës për t’i kthyer legjitimitetin KLD-së. Ndërkohë që kreu i shtetit ka këmbëngulur se kjo është një çështje politike dhe nuk duhet të diskutohet më. Pas debateve mes Moisiut dhe Rusmalit, Artan Gjermeni në përfundim të mbledhjes i ka paraqitur kreut të KLD-së, dorëheqjen e tij nga detyra për gjashtë muaj. Sipas tij, do të qëndrojë larg detyrës deri sa akuzat e hedhura nga ministri Rusmali për lidhje të tij me krimin të sqarohen. Debatet
Kanë qenë më shumë sesa debate dhe luftë nervash dy orët e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Për gati 15 minuta, në prani të mediave kreu i shtetit, njëkohësisht dhe kryetari i institucionit më të lartë juridik, ka debatuar me ministrin e Drejtësisë, Ilir Rusmali. Vendimi i KLD-së një vit më parë, kur nuk pranoi të miratonte dy kandidaturat e ardhura nga Parlamenti me arsyen se nuk ka vend bosh, kanë qenë në qendër të debatit mes Moisiut dhe Rusmalit. Sipas Rusmalit, institucionit të KLD-së duhet t’i kthehet ligjshmëria e humbur. Presidenti Moisiu edhe një herë ka mbrojtur vendimin e mëparshëm të KLD-së. Por pavarësisht debateve, anëtarët e KLD-së kanë votuar në mënyrë unanime emërimin e anëtarit të ri të këtij institucioni, Ardian Nuni, i cili zëvendësoi në KLD Sokol Çomon. Ndërkohë që brenda dy muajve të fundit janë dhe tre anëtarë të tjerë që u mbaron mandati. Kreut të shtetit Alfred Moisiu i mbaron mandati në qershor, si dhe po këtë muaj nënkryetarit të KLD-së, Ilir Panda dhe anëtares së këtij institucioni Pranvera Strakosha. Dorëheqja e Gjermenit
Pas replikave të ndërsjellat për javë me radhë, anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Artan Gjermeni, ka dhënë dje dorëheqjen nga ky post për gjashtë muaj. Në fund të mbledhjes, pas debateve të Moisiut me Rusmalin, Gjermeni i ka paraqitur kreut të KLD-së dorëheqjen nga detyra deri sa të sqarohen përfundimisht akuzat e bëra në adresë të tij nga mazhoranca dhe ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali. Pas dorëheqjes ministri Rusmali deklaroi se, “fati i Drejtësisë është më i rëndësishëm se fatet personale. Sot ka ende leva që e përdorin dhe keqpërdorin sistemin për interesa të kundra-ligjshme dhe ministri i Drejtësisë ka si funksion denoncimin e tyre”, tha Rusmali.
Debati mes Moisiut
dhe Rusmalit
Rusmali: Emërimi i ri i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë...
Moisiu: Zoti ministër, mos na ktheni mbrapsht tani!
Rusmali: ...Do të kishte qenë në një mbledhje më vonë.
Moisiu: Zoti ministër, edhe një herë po e përsëris, ju lutem shumë! Ne këtu jemi institucion që flasim zbatojmë ligjet. Prandaj ajo është një histori...
Rusmali: Zoti...
Mosiu: Një minutë, të mbarojë unë!... Ajo është një histori e mbyllur. Tani pse do të na i kthesh prapë, këtë se marr vesh?
Rusmali: Kjo është çështje e rendit të ditës.
Moisiu: Po, çështje e rendit të ditës është emërimi i zotit...
Rusmali: Zoti kryetar, mos kërkoni t’i mbyllni gojën anëtarit?
Moisiu: Jo, unë s’mbyll gojën. Po puna është se ne këtu me politikë s’merremi.
Rusmali: Ne këtu merremi me politikë, me ligje, me Kushtetutën.
Moisiu: Politika ka tjetër vend, zoti ministër. Mos e devijo mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Rusmali: Jo, nuk po devijoj mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Moisiu: Ne kemi një rend dite të caktuar, kemi emërimin e zotit Nuni.
Rusmali: Po diskutojmë çështjen e rendit të ditës, mandatimin e zotit Nuni. Dhe kjo çështje e rendit të ditës, ka nevojë që të shqyrtohet me kujdes dhe me gjakftohtësi, sepse ky institucion, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i është borxh Kushtetutës dhe sovranit. Sovranit popull dhe sovranit Parlament, për vendimin e vet që ka marrë. Në qoftë se këtu ne jemi në tentativa për të riprotestuar ndaj një vendimi të një organi të sovranit, jemi krejtësisht gabim, dhe jemi në abuzim të funksionit tonë. Dhe këtë gjë unë nuk mund të rri pa e thënë. Na duhet shpejtësi të mandatojmë zotin Nuni, sepse jemi me shumë vonesë. Ne duhet të kthejmë ekuilibrin kushtetues në këtë institucion, sepse jemi me shumë vonesë. Ne duhet të japim modelin e sinjalit të një institucioni që respekton dhe nderon Kushtetutën...
Moisu: Zoti ministër, një minutë, një minutë, nuk u ka vënë njeri për arbitër këtu.
Rusmali: ...Jo të një institucioni që thotë… e kanë ndarë ata të tjerët. E bënë si deshën ata, nuk na duhet ne kjo punë.
Moisiu: Zoti ministër, do vazhdojmë mbledhjen sipas rendit të ditës.
Rusmali: ...Prandaj, pavarësisht nga emocionet…
Moisiu: Lere këtë muhabet..
Rusmali: Pavarësisht nga emocionet. Pavarësisht se historia na prek drejtë për drejtë njërin apo tjetrin me qëndrimet që kemi mbajtur këtu. Unë jam i detyruar të kërkoj që ne me shpejtësi t’i nënshtrohemi kësaj pike të rendit të ditës. Ndoshta duke tentuar në një farë mënyre të rikuperojmë atë defekt që ka ndodhur muaj më parë.
Moisiu: Nuk e kuptova fare këtë ndërhyrjen tuaj.
Moisiu
Kreu i shtetit ka kthyer dje përsëri në Parlament ligjin për Auditin e Brendshëm, duke e cilësuar atë si shkelje të Kushtetutës. Në dokumentin e paraqitur dje në Parlament nga kreu i shtetit jepen arsyet ligjore që e detyruan të marrë këtë vendim. Sipas tij, ligji për “Auditin e Brendshëm në sektorin publik” dublon institucionin kushtetues së Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Çmoj se neni 2 i ligjit bën një dublim të rolit kushtetues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi fusha e zbatimit të auditimit të brendshëm, sipas ligjit të ardhur për shpallje, është e njëjtë me funksionet që i ngarkohen KLSH-së nga Kushtetuta dhe ligji organik i tij, i cili miratohet me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nenet 162 dhe 163 të Kushtetutës dhe nenet 1 dhe 7 të ligjit Nr 8270, datë 23.12.1997 “Për KLSH”, i ndryshuar, kanë përcaktuar qartësisht pozicionin dhe rolin e KLSH, “tha Moisiu”.
Ish-kryeministri, Fatos Nano,
deklaroi dje se lëvizjet e tij më të fundit në skenën politike, nuk janë vetëm në funksion të kandidimit të tij për detyrën e kryetarit të shtetit. Kryetari i PS-së për 15 vjet dhe aktualisht kandidat për postin e Presidentit të Republikës, Nano, në një intervistë për BBC-në ka zbardhur strategjinë e tij e re. I pyetur nga BBC se, nëse lëvizjet e tij të fundit janë në funksion të kandidimit të tij për postin e Presidentit të Republikës, Nano u përgjigj se, “lëvizjet e mia nuk janë thjesht dhe vetëm në funksion të kandidimit për detyrën e kryetarit të shtetit”. Nano theksoi se, Shqipëria ka nevojë, veçanërisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociim Stabilizimit, për partneritete të qëndrueshme, për një përfaqësim që mbështetet mbi eksperiencën e transformimeve të mëdha që kanë ndodhur në më shumë se 15 vjet. Sipas Nanos, vendi nuk ka më nevojë për konflikte të panumërta. “Në rast se ajo që dominon sot klimën politike të përfaqësimit të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare është një polemikë politike që shpesh ka bllokuar dhe institucionet për të funksionuar normalisht, që ka arritur kulme veçanërisht me vonesat e proceseve themelore për një demokraci funksionuese, unë do të mbroj vlerat që kam mbrojtur gjatë 15 viteve”, deklaroi Nano .