REPORTAZH/ Çfarë ndodh me veprat e artit në qytetin juglindor të Korçës
“Çnderohen” bustet në Korçë
Gezim ASHIMI
KORÇË-Një grup artistësh korçarë të arteve figurative, në takimin që patën pak ditë më parë me kryetarin e bashkisë së, Korçës Niko Peleshi, i ngritën atij si shqetësim prej krijuesish dhënien e fondeve sado modeste që qyteti të ketë më shumë vepra arti në skulpturë. Natyrisht që u premtua nga ana e bashkisë për këtë lloj ndihme, por shqetësime të tjera krijuesish e qytetarësh të thjeshtë që kanë të bëjnë me veprat e artit dhe monumentet e kulturës kanë vënë në lëvizje të menjëhershme bashkinë e Korçës. Kazanët e plehrave që ndodhen ngjitur me bustet e intelektualëve të Korçës u hoqën vetëm një ditë pasi u bë publike nëpërmjet mediave heqja e shkronjave të emrit në monumentin e patriotit Themistokli Gërmenji, themeluesit të krahinës autonome të Korçës. Por, dorën shkatërrimtare dhe kulturën çnderuese të busteve e monumenteve të figurave të njohura të historisë korçare nuk e ka provuar kohët e fundit vetëm ky monument. Godina muze ku Themistokli Gërmenji dhe patriotë të tjerë korçarë ngritën flamurin e krahinës së parë autonome, godinë kjo që ndodhet përballë bibliotekës së qytetit, pasi funksionoi një periudhë si sallon bukurie, është katandisur në gjendje të mjerueshme dhe thuhet se është lënë në mëshirë të fatit, pasi në vend të saj do të ngrihet një ndërtesë shumëkatëshe. Në rrugët kryesore të qytetit, por tashmë në afërsi të Universitetit “ F.S. Noli” janë hequr thuajse të gjitha shkronjat prej bronzi të emrit të Mjeshtres së Sportit Tamara Nikolla, emrin e të cilës mban që nga viti 2003 pallati i sportit i lojërave me dorë. Burime nga bashkia e qytetit thonë se shkronjat e emrit në bustin e Tamara Nikollës janë vjedhur disa herë, dhe është dashamirësia e skulptorit Avni Bilbili, autorit të kësaj vepre, që i ka rivendosur ato. Ashtu sikurse bëri me monumentin e poetit dhe rilindësit Naim Frashëri, të cilin e restauroi pasi në trazirat e vitit 1997, persona të armatosur i qëllonin fytyrën dhe hundën si shenjë qitjeje. Askush nuk e pranon që këto raste dëmtimi dhe vjedhjeje të busteve të ndodhin në qytetin me kulturë të Korçës, por ja që paradoksalisht këto akte të shëmtuara evidentohen pikërisht këtu, si një shfaqje e antikulturës. Pse vidhen shkronjat
Shkronjat prej bronzi të monumentit të Themistokli Gërmenjit, sipas disa qytetarëve korçarë rezulton të jenë vjedhur kohë më parë. Në lulishten me të njëjtën emër që frekuentohet nga të moshuar, por më shumë të rinj, dikush ka hequr si pa të keq nga piedestali shkronjat, duke lënë si për mëshirë vetëm dy apo tri prej tyre. Në vendin ku çdo 10 dhjetor përkujtohet krijimi i Republikës Autonome të Korçës, e themeluar në vitin 1916, duket se shkojnë edhe keqbërësit përderisa nga piedestali i patriotit janë zhdukur një nga një thuajse të gjitha shkronjat e emrit e mbiemrit të tij. Të njëjtin fat ka pësuar edhe busti i Mjeshtres së Sportit në volejboll, Tamara Nikolla, e cila humbi jetën në moshë relativisht të re, por që u nderua duke i vënë emrin e saj pallatit të sportit. Edhe këtu janë zhdukur shkronjat prej bronzi, dhe është e pamundur që një i interesuar të mësojë se kujt i përket busti. Me këto akte vjedhjeje apo dëmtimi me dashje të shkronjave që identifikojnë figura të spikatura të Korçës, nuk është çudi që ta kishte pësuar edhe monumenti i “Luftëtarit Kombëtar” që ngrihet në qendër të Korçës apo monumenti i Naim Frashërit, por krijuesit e këtyre veprave si ta kishin parandjerë që historia ka edhe dorë shkatërrimtare i kanë gdhendur emrat e dy figurave të njohura në gurin e piedestaleve. Sensibilizimi që kanë krijuar herë pas here mediat për këto akte të rënda antikulturë, ndoshta do të bëjë që të mos dëmtohen të tjera vepra arti. Sepse do të ishte e turpshme që të vidhen edhe shkronjat prej bronzi të tre rilindësve, Asdrenit, Naum Veqilharxhit dhe Thimi Mitkos, në një kohë që u desh sërish vëzhgimi i shpeshtë i mediave që të vendosen këto shkronja në bustet pa emër për shumë kohë. Por, çfarë motivi ka në vjedhjen e shkronjave prej bronzi në bustet apo monumentet e figurave më të njohura të historisë korçare? Burime të policisë së Korçës thanë se dyshimi kryesor mund të ngrihet mbi vjedhjen për motive shkrirjeje të shkronjave prej bronzi. Ky dyshim bazohet edhe në faktin që busti prej bronzi i rilindësit Naum Veqilharxhi u vodh nga persona ordinerë pikërisht për shkrirjen e tij, pasi u sharrua në copa. E megjithatë, në polici nuk ka asnjë denoncim apo çështje të hapur për këto ngjarje që si vepër penale klasifikohen dëmtim i veprave të artit dhe të kulturës. “Të paktën nga ana jonë, nuk është kryer asnjë veprim hetimor për ngjarje të kohëve të fundit lidhur me vjedhjen e shkronjave prej bronzi të Themistokli Gërmenjit apo Tamara Nikollës”, tha një specialist policie në Drejtorinë e Policisë Korçë. Në bashki thonë se përgjegjësia për ruajtjen e këtyre monumenteve i takon Degës së Monumenteve të Kulturës, e sikur të pyeten këta të fundit sërish përgjegjësia do të mbetet jetime për çështje fondesh, ngaqë objektet ngrihen në mjedise të hapura publike etj.etj.
Vjedhja e bustit të Naum Veqilharxhit
Teuta Lavdari, përgjegjëse e sektorit të kulturës në bashkinë e Korçës, duhet të kërkojë nga struktura të tjera të këtij institucioni ndërhyrjen e shpejtë për heqjen e disa kazanëve të plehrave që “i kanë zënë frymën” bustit të rilindësit Naum Veqilharxhi. Nuk mjaftoi vjedhja disa muaj më parë e bustit prej bronzi të këtij rilindësi, që falë interesimit të bashkisë dhe reagimeve publike u zëvendësua përsëri, por tani rrethohet nga kazanë plehrash a thua se ndonjë natë do të përfundojë përsëri në ndonjë nga këto pajisje hedhurinash.
BERAT- Një aksident automobilistik i ka marrë jetën një drejtuesi autoveture. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në orën 14.00, në aksin rrugor Poshnje–Berat ka ndodhur një aksident i rëndë nga përplasja e dy makinave. Për pasojë ka humbur jetën drejtuesi i makinës tip “FIAT” me targa greke TKZ4388, 60-vjeçari Çaush Çaushi, si dhe janë plagosur rëndë shoferi i makinës tjetër, tip “BENZ” me targë SR 571 B, Pavllo Stefani dhe djali i tij 18-vjeçar. Të dy të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të qytetit. Sipas policisë, shkak i këtij aksidenti është pikërisht shpejtësia e madhe e të dy veturave.
PUNA
CËRRIK- Punëtorë të Institutit të Duhanit në Cërrik kanë 8 muaj që punojnë në të zezë. Ata shprehen se që nga muaji gusht i vitit të kaluar punojnë pa figuracione shoqërore dhe shëndetësore. Veç kësaj, pagën e marrin një herë në tre muaj çfarë vështirëson jetën e tyre të përditshme. Që nga gushti 2006, Instituti i Duhanit në Cërrik ka kaluar në varësi të Agjencisë së Duhan Cigareve në Tiranë. Agjencia i trajton punëtorët pa kontrata edhe pse ata kanë vite që punojnë në këtë institut. Ky fakt ka zemëruar punëtorët, të cilët kërkojnë lidhjen e kontratave të punës dhe pagimin e sigurimeve shoqërore. Nga kontrolli i ushtruar vitin e kaluar Instituti i Duhanit u gjobit me 500 mijë lekë, pasi punëtorët punonin në punë të zezë.
“MISS ITALIA”
SHKODËR- “Miss Italia 2006” në Shkodër. E shoqëruar edhe nga presidenti i kompanisë se njohur italiane “Cotonela”, Maurizio Zannier, bukuroshja italiane, Claudia Andreatti ka qëndruar për dy ditë në Shkodër. “Ndihem mirë në këtë qytet. Këtu të gjithë sikur flasin italisht dhe mund të kuptohesh me të gjithë, pa llogaritur që të gjithë dinë të vlerësojnë bukurinë dhe ta respektojnë atë”, ka thënë “Miss Italia”. “Miss Italia 2006” është pritur nga kreu i bashkisë, Lorenc Luka. Qëllimi i takimit ishte financimi i kësaj kompanie prej gjashtë milionë eurosh për një ndërmarrje të logjistikës, ku do të ketë prodhime të firmës së njohur “Cotonela” nën siglën Made in Albania.