Shtatë të rinj përleshen me kaçavida pas një debati në lokal
“Pse më pe shtrembër”, 4 të plagosur mbrëmë në vlorë
Agron brataj
VLORË- Një shikim shtrembër ka qenë debati që ka degjenuar në një sherr banal mes shtatë të rinjve. Shtatë të rinjtë, të përfshirë në debat, rreth 30 metra nga bulevardi kryesor Vlorë-Skelë, në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, nga fjalët kanë përfunduar në sherre me thika, kaçavida e mjete të tjera të forta. Pas konfrontimit, katër të rinj kanë përfunduar në spital të plagosur dhe tre të tjerë të shoqëruar në komisariat si autorë të plagosjes. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka arrestuar tre nga të rinjtë, ndërsa katër të tjerët i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin e Vlorës. Ngjarja
Sipas burimeve dhe dëshmive në vendngjarje, shtatë të rinjtë kanë filluar të debatojnë për një shikim të njërit prej adoleshentëve. “Pse më shikon ashtu”, dhe më pas ka nisur debati mes shtatë të rinjve. Ata kanë filluar të goditen me mjete, të cilat i kishin me vete. Në pak minuta është përgjakur vendgjarja dhe katër prej tyre janë plagosur kryesisht në pjesën e sipërme të trupit, nga barku dhe nga këmbët. Menjëhërë është njoftuar policia, e cila ka mbëritur në vendngjarje dhe ka transportuar për në spital katër të plagosurit që janë Eni Zahimaj, 19 vjeç, Ermir Lulaj, 18 vjeç, Adrian Llanaj, 17 vjeç, dhe Mario Llanaj, 20 vjeç. Të katër të rinjtë, lindur dhe banues në Vlorë. Pasi janë transportuar në spital, tre prej tyre iu janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, si pasojë e çarjeve në pjesë të ndryshme të trupit nga thikat apo kaçavidat. Ndërsa vetëm 19-vjecari Eni Zahimaj nuk i është nënshtruar këtyre ndërhyrjeve dhe ka dalë menjëherë nga spitali. Zahimaj po merret në pyetje për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Hetimi
Policia ka tashmë të gjitha provat materiale të grumbulluara në vendngjarje si thikat, kaçavidat dhe hekurat, të cilat konsiderohen si armët e krimit, ndërsa të shoqëruarit janë Mario Lulaj, 17 vjeç, Taulant Hazizi, 20 vjeç, dhe Vilson Imami, 20 vjeç. Pista e hetimit është pikërisht sherr banal mes grupeve adoleshente.
Marrin peng autobusin,
pranga shqiptarëve në Itali
ITALI - Tre shqiptarë të armatosur me bomba Molotov kanë marrë peng dje në Novara të Italisë një autobus pasagjeresh. Ngjarja ka ndodhur rreth orë 19.00 në autostradën Alesandria-Aqua Terma në Novara. Shqiptarët kanë detyruar shoferin e autobusit të mos i ndaloj policisë duke marrë një rrugë të dytë jashtë autostradës. Dy agjentë kanë lajmëruar kolegët. Sipas agjencive italiane të lajmeve dy nga tre shqiptarët janë identifikuar si Armand Ibrahimi 19 vjeç dhe Ali Muka 27 vjeç ndërsa për pengmarrësin e tretë ende nuk është bërë i ditur emri i tij. Pasi kanë ndaluar autobusin një nga shqiptarët i ka vënë flakën mjetit për të krijuar konfuzion dhe me pas është fshehur së bashku me 2 bashkëpunëtorët e tij. Ndërkohë, policia është vënë në kërkim dhe një qen policie ka ndaluar njërin nga pengmarrësit, ndërsa agjentet kanë plagosur Ali Mukën.
Bie zjarri në banesë,
digjet e gjallë invalidja 33-vjeçare
FIER- Një zjarr i rënë në mesditën e sotme në fshatin Portëz të rrethit të Fierit ka shënuar viktimën e parë për këtë vit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14 të ditës së martë në fshatin Portëz, vetëm 5 km nga qendra e Fierit. Rajmonda Elmazi, 34 vjeçe, është dhe viktima e këtij zjarri, e cila është ndodhur në dhomë në momentin e rënies së tij. Zjarri, sipas ekspertëve, është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Ka qenë ora rreth 14, kur familja Elmazi, e cila jeton në një vilë 3-katëshe në fshatin Portëz, është lajmëruar nga komshinjtë se në katin e 3-të të banesës së tyre kishte tym dhe se janë parë shenja zjarri.
Çelet sezoni turistik në Durrës, mungon Berisha
DURRËS- Është çelur zyrtarisht sezoni turistik në qytetin bregdetar të Durrësit. I zhgënjyer në këtë festë të turizmit ka mbetur kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kryeministri Sali Berisha ka bojkotuar takimin me kreun e bashkisë, duke e zhgënjyer këtë të fundit. Drejtuesit e bashkisë kishin organizuar takimin me kreun e qeverisë, ndërsa ky i fundit ka preferuar ta braktisë atë, duke dërguar ministrin e Tregtisë dhe Turizmit, Ylli Pango. Kështu, ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit në çeljen e sezonit turistik ka qenë i pranishëm dhe vetë ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Ai mori pjesë përgjatë gjithë aktiviteteve të organizuara nga bashkia e qytetit për çeljen zyrtare të sezonit turistik. Tashmë është bërë traditë që data 15 maj e çdo viti të shënojë hapjen zyrtare të sezonit turistik në qytetin bregdetar të Durrësit. Edhe këtë vit kështu ndodhi.
Arrestohet i akuzuari i fundit i operacionit “Harem”
DURRËS- Policia e qarkut të Durrësit, në sajë të luftës së nisur kundër krimit të organizuar, ka finalizuar mëngjesin e djeshëm kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar për katër vepra penale të ndryshme. Kështu është kapur i akuzuari i fundit i operacionit “Harem” të vitit 2005. Sektori i luftës kundër krimit të organizuar, në bazë të informacioneve të marra mbi vendndodhjen e personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Skënder Driza, 37 vjeç. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar më 12 dhjetor të 2005 për veprat penale të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese, të trafikimit të municioneve luftarake dhe krijimin ne gupeve të strukturave kriminale. Shtetasi Driza është i akuzuari i fundit i operacionit “Harem” 2005. Burime policore bëjnë të ditur se kapja e shtetasit është bërë në sajë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative.