Shtëpia botuese “Onufri” sjell në shqip bisedën me Eric Faye
Kadare në 1990: Romanet
e mi dhe Enver Hoxha
(vijon nga numri i djeshëm)
Rrallë duhet të ketë në
botë një të huaj që i
njeh veprat e Ismail Kadaresë më mirë se Eric Faye. Një kritik dhe shkrimtar francez, i apasionuar deri në kockë pas romaneve të gjeniut shqiptar, ka bërë atë që zor se mund ta bëjnë bashkëatdhetarët e Kadaresë. Një bisedë këtu e 17 vjet më parë që nis e merr udhë në hotel Dajti në Tiranë, me një pjesë të dytë në Paris, për ta përfunduar gjithçka në pjesën e tretë po në Paris, e kanë zhbiruar mirë shqiptarin më të famshëm në botë. Dhe ky zhbirim nuk vjen thjesht nga kompleksi ndaj një të huaji. Kadare është nga të paktët mes nesh që nuk e ka fare këtë në gen. Kjo ka ardhur falë dijeve, njohjeve, informacionit dhe mbi të gjithë leximit me laps në dorë që Faye i ka bërë të gjithë veprës kadareiane. Dhe kritiku francez na ka servirur në librin e tij të sjellë në shqip nga shtëpia botuese "Onufri" një lëndë të paparë e dëgjuar. Një rrëfim që nis e merr udhë që në fëmijërinë e Kadaresë, si u ngjiz tek ai shkrimtaria. Ikja me studime në Bashkimin Sovjetik dhe mendimet për shkrimtarët e huaj. Ndërkohë, gazeta "Tirana Observer" boton sot pjesën e dytë ku bën fjalë për raportet e Kadaresë me regjimin e Hoxhës. Si priteshin romanet e tij, si përgjonte politika e asaj kohe dhe reagimet e Enver Hoxhës që nga njëra anë stimulonte sulmet dhe nga ana tjetër reklamonte mbrojtjen ndaj tij. Por Kadare i ndikuar nga një bisedë "high class" flet edhe për mënyrën e punës ku e shkruara i ka zënë përherë vetëm dy orë në ditë, rasti kur një roman e ka shkruar për dhjetë ditë dhe romani që e ka shkruar vetëm gjatë ditëve të qëndrimit në Paris. Por edhe kur provoi për disa kohë të mos shkruanin fare i bindur se do rikthehej fuqishëm. Por i përgjigjet edhe pyetjes përse gjuha jonë nuk u asimilua nga turqit që na pushtuan për pesë shekuj: Lufta mes gjuhës turke dhe gjuhës shqipe i ngjan një lufte të një krijese të ngadaltë si mamuthi dhe një luani me kthetra, thotë gjeniu ynë.
"Dosja H" u botua në një revistë letrare në Shqipëri, në krye të viteve '80, dhe vetëm më 1990-ën doli si libër më vete...
Po. Kritika nuk e priti mirë Dosjen H. Nuk i kuptova kurrë qortimet që i bëheshin librit. Madje pjesa më e madhe e romaneve të mi janë kritikuar. Dimri i madh më shumë se të tjerët. Gjatë vitit 1973 u kritikua në të gjitha anët, gjatë mbledhjeve nëpër fshatra, në uzina, në komitetet e Partisë, të rinisë, të ushtrisë, ndonjëherë dhe nga qytete të tëra. E kritikonin, për shembull, se ishte një roman armiqësor ndaj socializmit, s'di pse. Edhe shtypi nisi sulme të ashpra kundër romanit të quajtur si antisocialist. Pavarësisht nga kjo, nuk ndërrova asgjë në thelb. Përkundrazi! Bëra disa ndryshime tërësisht letrare. E gjithë burokracia ishte bërë tok kundër romanit, nga Ministria e Brendshme deri te policia. Por, meqenëse në libër ishte një portretizim i Enver Hoxhës, nuk mund ta zhdukje aq lehtë. Vetë Hoxha kishte ndërhyrë duke thënë: ky roman nuk është aq i keq sa mendoni. Shënjestër shkrimesh të tmerrshme, romani ishte kritikuar në mënyrë meskine, veteranët dhe komunistët kërkonin të ndalohej menjëherë dhe të dënohej autori. Enver Hoxha u detyrua t’i jepte fund kësaj fushate, e cila mbetet një mister për mua, sepse në Shqipëri është e pamundur të nisësh një fushatë të tillë shtypi pa përkrahjen e pushtetit. Kush e organizoi vallë? Gjendja juaj e atëhershme të kujton atë të Boris Pasternakut, kundër të cilit autoritetet sovjetike nisën me qëllim një fushatë të gjerë, me qëllim që ai të mos e pranonte çmimin "Nobel", gjë që ju e evokoni te Muzgu i perëndive të stepës.
Po, ishte praktikisht e njëjta gjendje, por në rastin tim duhet mbajtur parasysh se shefi i shtetit e kishte gjykuar librin jo dhe aq të keq dhe i kishte dhënë fund fushatës. Ja përse, për mua, e gjitha kjo mbetet e mbuluar me mister... Kush kishte guxuar të vepronte kundër vullnetit të shefit? Fushata zgjati tre ose katër muaj! Një ditë romani ndalohej, të nesërmen jo, të pasnesërmen ndalohej përsëri. Kjo qasje, kjo kritikë e mjediseve letrare gjendet edhe te Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, të Dritëro Agollit.
Ndoshta, se romani i tij dhe Dimri i madh dolën në të njëjtën kohë... Për sa i takon Koncert në fund të dimrit, shtëpitë botuese nuk pranuan ta botonin për të gjitha llojet e arsyeve të mundshme dhe të marra me mend. Edhe ky roman u kritikua shumë. Për gjashtë vjet romani nuk arriti të botohej i plotë, sepse kisha botuar si fillim disa fragmente dhe botuesit nuk e donin atë libër. Duke e përfunduar Koncertin në fund të dimrit në vitin 1981, përfitova nga mosbotimi i tij për t'i bërë disa përmirësime. Pas Dimrit të madh, a ka romane të tjerë që patën fat po aq të tmerrshëm?
Tre ose katër romane, në fakt. Prill i thyer, Kush e solli Doruntinën, Ura me tri harqe, hëngrën kritikat. Tani gjërat janë më të lehta, jo vetëm për mua, por për të gjithë, që prej tre vjetësh. Për disa prej romaneve të mi, gjendja është zhbllokuar: kështu ndodhi me Koncert në fund të dimrit, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave dhe Përbindëshi, që u botua më në fund si libër. Ai ishte botuar 25 vjet më parë vetëm në një revistë. Subjekti i përbindëshit përafrohet me atë të poemës së Laokoontit, heroit trojan, prift të Apolonit, i cili e kishte kundërshtuar futjen e kalit të drunjtë në qytetin e Trojës.
Po, është një pjesë romani e përshtatur në vargje, pasi nuk mundesha asaj kohe të botoja në prozë. Përshtata një kapitull. Gjithnjë keni mbajtur anën e trojanëve kundër grekëve?
Besoj se e gjithë bota del përkrah trojanëve, nuk mund të jesh kundër tyre! Por është pikërisht një trojan, Paridi, që shkeli besën duke rrëmbyer në shtëpinë e mikut, Helenën e Spartës...
Dakord, por ndëshkimi ishte shumë i rëndë, e tejkaloi të drejtën. Siç thotë edhe Eskili, grekët e kapërcyen të drejtën, e cila iku kështu në kampin kundërshtar! Le t'i kthehemi marrëdhënies me kritikën letrare shqiptare dhe autoritetet e Tiranës. Cili ka qenë për ju çasti më i vështirë?
Viti më i ligsht ishte viti 1975; për shkak të një poeme, Pashallarët e kuq, e gjithë urrejtja e burokratëve u ndez përsëri ndaj meje. Më ndaluan të botoj për tre vjet me rradhë. Ndërkaq, isha i njohur jashtë vendit, por askush nuk e prishi qetësinë. E gjithë Shqipëria e dinte këtë, por sado të dish... Atëherë e kuptova. Ndonjëherë në Perëndim disave u pëlqen t'u japin andej-këndej mësime morale shkrimtarëve të Lindjes, gjë që është një meskinitet i plotë. Perëndimorët- kritikë dhe gazetarë- kanë qenë herë-herë burracakë; i harronin njerëzit. Askush nuk e vrau mendjen se përse nuk udhëtoja më, nuk botoja më... Kjo zgjati deri në vitin 1978. Është e çuditshme që censura vjen pas botimit dhe jo përpara...
Shumë e çuditshme! Goditjet vijnë më pas! Çfarë ndodhi që në vitin 1978 ia dolët të botoni njëherazi tre romane?
Pushteti ishte lodhur. Në atë kohë isha krejtësisht i dënuar të mos shkruaja romane, isha si Gjermania pas lufte, që nuk mund të prodhonte më disa armë të rënda. Atëherë munda të botoj tre romane duke i nxjerrë si tregime: Ura me tri harqe, Kamarja e turpit dhe Muzgu i perëndive të stepës. U detyrova të përdor këtë artific. Më pas, kur gjendja u zhbllokua, botova gjithashtu si tregime dhe tre romane të tjerë: Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën, Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Gjithsej u bënë gjashtë romane të botuar si tregime. Por kjo nuk solli asnjë pengesë që të kritikoheshin ashpër. Gjatë periudhës së ndalim-botimit, a vazhdonit të ishit deputet?
Oh, s'isha më asgjë, kjo është për të qeshur... Si mund të jesh deputet kur nuk ke të drejtën e botimit? Qeshë deputet... ja kështu! Një ditë, në vitin 1970, pashë emrin tim në listën e deputetëve të rinj, ndërkohë që nuk dija asgjë. Qe më tepër një komedi, nuk isha një deputet i vërtetë. Në vitin 1982 ju kaluat një periudhë të errët.
Teksa po kritikohesha përsëri ashpër, shtypi francez, ndryshe nga hera e parë, reagoi. Le quotidien de paris, në të njëjtin numër botoi pesë artikuj për mua. Ishte e jashtëzakonshme. Krejt shtypi foli për mua dhe ia dola të shpëtoj falë kësaj... Më ka ndodhur ta urrej kritikën letrare shqiptare, kaq debile dhe bukëshkalë tregohej ndaj meje. Për shembull, pjesa më e madhe e librave të mi u botuan në Shqipëri pa kurrëfarë jehonë në shtyp, ndërkohë që lexuesit i pëlqenin dhe isha shkrimtari më i njohur i vendit. Kritika është dogmatike, kokëboshe, tërësisht e indoktrinuar. Asgjë nuk doli në shtyp për Nëpunësin e pallatit të ëndrrave; vetëm një artikull i vogël për Koncert në fund të dimrit; për Prillin e thyer, Kush e solli Doruntinën, asgjë. Kritikët janë kaq servilë ndaj pushtetit sa ngrehin përherë veshët të dinë nëse ajo çka shkruajnë do të pëlqehet atje lart, nga burokratët. Një pjesë e veprave të mia janë ende gjysmë të ndaluara. Nëpunësi i pallatit të ëndrrave doli si libër në vitin 1982, u kritikua dhe u shit i gjithi... U shit i gjithë tirazhi, por njerëzit bën sikur ai libër të mos kish ekzistuar kurrë, si të qe një ëndërr! U ribotua vetëm vitin që shkoi. Gjenerali i ushtrisë së vdekur pati sukses por mbeti jo më pak gjysmë i ndaluar; bënë gjithashtu sikur nuk ekzistonte. Ndërsa për Përbindëshin u botua kundër një artikull i vetëm, dërrmues dhe asgjë tjetër. Keni lindur në të njëjtin qytet me Enver Hoxhën, në Gjirokastër. Ç'marrëdhënie keni pasur me personin që mbajti frerët e Shqipërisë nga fundi i luftës deri në vdekje, në prill të vitit 1985?
Të thjeshtë, si të gjithë qytetarët e tjerë të Shqipërisë. Nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të veçantë me Hoxhën. E kam takuar vetëm njëherë, rastësisht, në kohën që shfrytëzoja dokumentet shtetërore për Dimrin e madh; po përpiqesha të hyja në arkivat sekrete, dhe ai mbërriti në atë çast... Lexuesit tuaj kanë përshtypjen se ndërsa kritikoni perandorinë osmane të shekujve të shkuar ose Shqipërinë e Zogut, ju kritikoni tërthorazi Shqipërinë komuniste...
Është e natyrshme që të ketë ngjashmëri mes të gjitha shteteve, mes epokave të ndryshme. Kur shkrimtari shkruan diçka, nuk mendon kurrsesi se "për hile, po përdor këtë në vend të kësaj", por kjo vjen natyrshëm...Nëse e tërheq ky procedim, me ndërgjegje ose jo, ai kritikon të keqjen e përjetshme. Është normale! Ju keni patur një sërë funksionesh zyrtare: anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, nënkryetar i Frontit Demokratik, kryerdaktor i revistës "Letra shqipe", e cila del edhe frëngjisht. Kur e gjeni kohën të shkruani?
Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve ka tridhjetë e një anëtarë dhe ky funksion nuk luan asnjë rol në jetën time. As revista nuk më merr kohë. E kam të thjeshtë të bëj disa orientime, më pas të tjerët bëjnë punën. Për sa i takon kryesisë së Frontit Demokratik, ky është një funksion tepër honorifik, të cilit, në një vit, i kam kushtuar vetëm dy orë. Shpresoj që gjatë gjithë jetës të më bëhen dhjetë ose katërmbëdhjetë orë më e shumta. Por sidoqoftë, nuk shkruaj më tepër se dy orë e gjysmë në ditë. Është thuajse një rregull. Shkruaj nga ora nëntë e gjysmë e mëngjesit deri në orën njëmbëdhjetë, rrallë dymbëdhjetë. Julien Gracq ka thënë se "ka arsye që të bëjnë të mendosh se gjysma e dytë e shekullit të XX, poetikisht dhe letrarisht, është më pak e gjallë, më pak eksituese se pjesa e parë e tij..."
Mendoj të kundërtën. Po mbërrijmë fundin e mijëvjeçarit. Gjendja e romanit duhet të jetë më eksituese. Është që tani, ndjehet por rezultatin nuk do ta vërejmë veçse kur të fillojë mijëvjeçari i tretë, sepse tani është e pamundur; letërsia është magjike, nuk e vërejmë dot gjendjen e saj aty për aty. Letërsia është më interesante në pjesën e dytë të shekullit XX, në Shqipëri por edhe në Evropë. Besoj se të gjithë fillim dhe fund-shekujt janë interesantë. Gracq pohon gjithashtu se një roman shpie në romanë të tjerë. Cilat janë veprat e autorëve të tjerë që ju kanë frymëzuar, ju kanë prirë në shkrimtarinë tuaj?
Romane në veçanti, asnjë...Por letërsia, në përgjithësi, gjithmonë. Letërsia e mirë, sikundërse edhe e dobëta, të nxisin dëshirën të shkruash. Një fjali mjafton ndonjëherë për t'u frymëzuar. Në të kundërt, ndonjëherë, nuk mjaftojnë as mijëra faqe. Mesa duket, Ivo Andriç, që ka marrë çmimin "Nobel" në vitin 1961, ka shfrytëzuar të njëjta burime si ju dhe anasjelltas: përqas Kronikën e Travnikut dhe Ura mbi Drin me Kronikën në gur dhe Ura me tri harqe.
Mendoj se Andriçi është një shkrimtar shumë i mirë, sigurisht, madje mjeshtër. Ka pasur një bashkëpërkim mes nesh në lidhje me subjektin e gruas së murosur, të evokuar te Ura mbi Drin. Por gjykoj se ai përdor fare pak mitologjinë në këtë roman, përveçse pak faqesh. Kjo shpjegohet nga fakti se në letërsinë sllave, në "psikozën" krijuese sllave, mitologjia nuk është shumë e pranishme, krahasuar me letërsinë e vjetër ballkanike. Kjo, ngaqë sllavët erdhën tepër vonë në Ballkan dhe nuk e krijuan dot mitologjinë e tyre. Ja përse, kur sllavët trajtojnë subjekte mitologjike, mbeten përherë artificialë. Andriçi, për shembull, e paraqet rrënimin e urës në roman si një qëndrim patriotik. E gjykoj disi artificiale mbasi një popull është gjithnjë aq i urtë sa të mos e shkatërrojë kurrë një ngrehinë, edhe kur atë e ka ngritur armiku, pushtuesi i tij. Asnjëherë, në mëndësinë ballkanase, nuk është e udhës të rrënosh një urë, ashtu siç nuk është të prishësh një martesë. Kjo bie ndesh me jetën! Dëshiroj të di nëse Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i përcaktuar mirë në atë kohë, është frymëzuar nga fakte të vërteta.
Po, e saktë, mbështetet mbi fakte reale. Sapo isha kthyer nga jashtë, në përfundim të studimeve, dhe një ditë vajta me disa miq te hotel "Dajti". Aty pashë një gjeneral italian, njëkohësisht dhe prift. Kishte ardhur për një mision të tillë. Dhe për t'i qëndruar besnik realitetit, ju i keni zhvilluar disa skena të romanit pikërisht në hotel "Dajti", në Tiranë. Po atëherë përse sillni te Muzgu i Perëndive të stepës subjektin e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur, duke e paraqitur si një roman në shkrim e sipër? Studenti shqiptar ia përmendte njërit prej profesorëve rusë...
Kam bërë një shkëmbim të thjeshtë. Kur isha në Bashkimin Sovjetik, mendoja të shkruaja një roman të vogël, rreth shtëpisë publike të hapur në Gjirokastër nga ushtria italiane gjatë luftës. Kjo do të përbënte bërthamën e romanit. Këtë kisha në kokë në BRSS dhe jo gjeneralin në vetvete. Kam bërë thjesht një zhvendosje kohësh. Edhe Dosja H mbetet gjithashtu mbi një mision të vërtetë...
Po. E kam takuar njërin prej dy amerikanëve, Albert Lord, në Ankara, gjatë një kongresi ndërkombëtar. U bë një prej personazheve të romanit. Por, meqenëse është ende gjallë dhe kam trajtuar çështje personale, ia ndërrova emrin. Ai vetë më tregoi atëherë, me një frëngjishte të përsosur, historinë që do të mishëronte Dosja H. Kishte ardhur gjatë viteve '30 në Shqipëri, me një mik që ka vdekur më pas, për të studiuar rrënjët homerike të eposit shqiptar. (vijon nesër)