Organi i akuzës së kryeqytetit: Nga 100 automjetet, 13 me dokumentacion të rregullt
 
   
Prokuroria: 87 BMW X5 të vjedhura
 
     

Aulona KADILLARI

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës ka nxjerrë në dritë se 87 makina BMW X5 rezultojnë të vjedhura. Nga 100 automjete që janë në kryeqytet, vetëm 13 prej tyre kanë rezultuar të jenë me dokumente të rregullta, ndërsa 87 prej tyre janë me dokumente false, gjë që tregon se janë të vjedhura. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se, hetimi disamujor i dokumenteve të këtyre makinave ka rezultuar se vetëm çereku i tyre janë të rregullta. Burimet pohojnë se denoncimi për to është bërë nda Drejtoria e Doganës, ku aty është starti i parregullsisë, pasi nuk është paguar dogana. Ndërkohë, nuk përfshijnë vetëm blerësit dhe shitësit në këtë hetim. Ai është zgjeruar më tej, pasi pikërisht për kontratat mes dy palëve Ministria e Drejtësisë ka nisur një kontroll te të gjitha zyrat noteriale. Burimet pohojnë se janë pikërisht noterët ata që kanë përpiluar kontratat dhe kanë bërë dokumente false mes shitësit dhe blerësit të makinës së tipit BMW X5.
Hetimi
Duke pasur numrin më të madh të makinave BMW X5, përqendrimi i hetimeve për vjedhjen e tyre është në kryeqytet. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës ka hetuar dokumentacionin e 100 automjeteve të kësaj marke që qarkullojnë në Tiranë dhe vetëm 13 prej tyre kanë rezultuar me dokumentacion të rregullt. Kjo vërteton dyshimin që 87 të tjerat kanë rezultuar të vjedhura jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, burime nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se, hetimet për dokumentacionin e makinave BMW X5, të cilat rezultojnë të vjedhura, do të bëhen edhe në qytetet e tjera, si në Vlorë, Fier, Durrës, pasi në këto vende ka një numër relativisht të vogël të këtyre mjeteve. Të njëjtat burime bënë të ditur se, përfundimi i hetimeve do të vendosë në shiritin e kuq të sekuestrove te të gjitha automjetet që kanë dokumente false dhe që rezultojnë të vjedhura. Madje jo vetëm kaq, në hetim do të jenë edhe shitësit e këtyre makinave, të cilat rezultojnë të vjedhura. Verifikimi i tyre, sipas prokurorisë, bëhet nëpërmjet zyrave të Interpolit Shqiptar me vendet e tjera.
Kontrolli i ministrisë
Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll në të gjitha zyrat noteriale, me arsyen kontrollin e kontratave të shit-blerjes së makinave BMW X5. Burime nga organi i drejtësisë bënë të ditur se vala e kontrolleve në institucionet në varësi të kësaj ministrie nuk kanë lënë pas as noterinë. Problemi kryesor në to ishte edhe ai noterizimit të dokumentacionit të makinave BMW X5. Sipas të njëjtave burime, mësohet se nëse vërehet shkelje nuk përjashtohet mundësia që të penalizohen edhe noterët që kanë noterizuar këto dokumente për një makinë të vjedhur.
Shtetet nga vidhen makinat
Nuk janë vetëm vendet fqinje në të cilat vidhen makinat luksoze të markës MBW X5. Burime nga prokuroria bënë të ditur se vendet perëndimore janë në vend të parë ku vidhen këto automjete, të cilat destinacionin e kanë në Shqipëri. Sipas të njëjtave burime mësohet se, Italia, Franca, Gjermania, Sllovenia, Zvicra, janë vendet kryesore ku ato vidhen e më pas rishiten në Shqipëri. Sipas burimeve gjatë mbledhjes së të dhënave të makinave të bllokuara për dokumente false, është evidentuar se vendet e përmendura më sipër, janë vendet e origjinës së makinave të vjedhura që qarkullojnë në Shqipëri. Madje, kjo ka bërë që edhe çmimi i tyre në vendin tonë të jetë jo sa ai real. Kështu, nëse jashtë vendit ky çmim është 45 mijë euro, një makinë e njëjtë me këtë çmim në vendin tonë varion nga 20 deri në 25 mijë euro. Kjo pasi ajo është vjedhur jashtë Shqipërisë.

Të dhëna për makinat "BMW X5"

Marka: BMW
Tipi: X5
Ngjyra: E zezë, gri, kuqe, blu
Prodhuar: Austri
Vlera reale: 45 mijë euro
Blerë në Shqipëri: 20-25 mijë euro
Fuqia: 218/160 CV/kW
Shpejtësia maksimale: 210 km/orë
Konsumi mesatar i karburantit: 10.6 litër/ 100 km
Përmasat: 467 cm i gjatë
187 cm i gjerë
171 cm i lartë
Serbatori: 93 litra karburant
Pesha kur është bosh: 2095 kilogramë
Airbag: 6 copë

Denoncimi i doganave për BMW X5

Vetëm pak kohë më parë, Drejtoria e Hetimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, investigoi automjetet e futura kontrabandë në Shqipëri kohët e fundit dhe dërgoi në prokurori kallëzimet për fillimin e procedimit penal për autovetura BMW X5, të vjedhura në shtete të ndryshme të Evropës. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka ushtruar kontroll për 118 autovetura BMW X5, të regjistruara në DPSHTRR. Sipas këtyre burimeve, nga hetimet e kryera rezulton se disa prej këtyre automjeteve kanë rezultuar të rregullta, të importuara nga kompania që ka ekskluzivitetin dhe trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri. Ndërsa të tjerat, autovetura BMW X5, janë pajisur me dokumente, por qarkullojnë në mënyrë të jashtëligjshme në vendin tonë. Prej këtyre, disa autovetura janë pajisur me targa shqiptare pa u zhdoganuar fare në doganë, ku janë zhdoganuar në degë të ndryshme doganore, duke paraqitur të dhëna të ndryshme nga ato reale, si tipi i BMW-ve dhe vitit të prodhimit, duke sjellë shmangie të theksuar (ulje) të detyrimit doganor.

Hitoria e BMW X5

Ka mbërritur në dorën tonë shtatë vite më parë. Vjen nga kompania e madhe MBW, por duke i shtuar pas edhe tipin X5. Përshkrimin origjinal të BMW X5 mund ta krahasosh me një "Makinë Sportive", por këtë herë me një performancë tjetër. Rezultati është më shumë se 618,000 X5s u prodhuan në kompaninë BMW në Spartanburg, në Karolinën Jugore. Në vitin 2007 kompania BMW ka ngritur në shkallët më të larta prodhimin e X5. Në këtë prodhim ka më shumë hapësirë, është më e shpejtë.

...................................................................................
Krye  

Pranga dhjetë personave, priten arrestime të tjera

Kamera që siguroi provat për masakrën e Cërrikut

Etleva DELIA

Një kamera dasme është shndërruar në një laborator provash për të gjithë atë që quhet masakra e Cërrikut. Duke filmuar sekuenca nga vrasja e 6 gardistëve, plagosja e 9 punonjësve të policisë dhe sekuencave të "luftës" më 23 maj të vitit 1997, banori i Cërrikut mund të quhet "heroi" i drejtësisë. Ai ka arritur që nëpërmjet kasetës filmike t'i sigurojë policisë provat e pakontestueshme, të cilat pas 10 vjetësh arritën të kryqëzojnë të paktën deri tani dhjetë nga autorët e dyshuar si organizatorë të sulmit ndaj policëve. Por jo vetëm kamera. Dëshmitë e policëve që në mëngjesin e majit të '97-ës mbetën të plagosur, por edhe të banorëve të qytezës së Cërrikut që panë gjithçka me sytë e tyre, kanë bërë që policia të organizojë një operacion që rezultoi mjaft i suksesshëm.
Arrestimet e para
Provat e pakontestueshme që bënë të mundur hapjen e dosjes dhe rifillimin e hetimeve, çuan edhe në arrestimet e para për masakrën e Cërrikut të ndodhur dhjetë vite më parë. Tashmë vrasja e gjashtë gardistëve dhe plagosja e 9 punonjësve të policisë më 23 maj të vitit 1997, ka edhe autorët. Policia e Elbasanit në bashkëpunim me struktura të veçanta të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë realizuar një operacion të koduar "Autoblinda", të bazuar në urdhër-arrestet e lëshuara për 3 persona të dyshuar si pjesëmarrës në ngjarjen e rëndë të '97-ës, ku u masakruan dhe u dogjën 6 gardistë të dërguar në Cërrik në ndihmë të postës policore. Burime nga policia bënë të ditur se fillimisht janë shoqëruar 13 persona që dyshohet se kanë lidhje me masakrën e përgjakshme dhe më pas janë arrestuar Met Bozi, Roland Xhepaxhiu dhe Llazar Bici. Burime nga policia bënë të ditur se Bici dhe Bozi kanë qenë organizatorët kryesorë jo vetëm të masakrës, por edhe të sulmit që i është bërë postës së policisë më 22 maj të vitit 1997.
Arrestimet e tjera
Vetëm 6 ditë më pas, pasi prokuroria ka sekuestruar kasetën filmike, në të cilën dukeshin mjaft qartë autorët e masakrës së Cërrikut, policia ka arrestuar edhe 7 persona të tjerë të dyshuar për këtë ngjarje të përgjakshme. Gjatë një konference për shtyp, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi se janë arrestuar edhe Arjan, Luftar dhe Alban Toska, Bujar dhe Tomor Buzani, Entel Gashi dhe Skënder Cani. Por jo vetëm kaq, Nishani deklaroi se janë lëshuar urdhër-arrestet edhe për disa persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk mund të bëhen publikë për arsye hetimi.

Historia e vrasjes së gjashtë gardistëve në Cërrik

Dhjetë vjet më parë qyteza e Cërrikut u bë arenë e një masakre të përgjakshme e mjaft të komentuar më pas, mes të ashtuquajturës bandë e armatosur dhe punonjësve të Gardës së Republikës. Ka qenë mëngjesi i datës 23 maj të vitit 1997, kur një furgon i bardhë, që drejtohej nga Met Bozi, ka kaluar kthesën e Belshit në drejtim të Cërrikut. Dëshmitarët që e kanë parë furgonin, në të cilin ndodheshin Roland Xhepaxhiu, Arjan Toska, Sokol, Tomorr, Bujar, Luan dhe Bashkim Buzani, si dhe disa persona të tjerë, kanë treguar për policinë se personat që ndodheshin në furgon kishin deklaruar me zë të lartë, se kanë marrë vesh që kishin ardhur policët në Cërrik dhe po shkonin t'i vrisnin. Brenda pak minutash furgoni i "bandës" ka arritur në Levan dhe aty ka ndodhur përleshja e madhe. Personat që ndodheshin në makinë ishin pajisur mirë me të gjitha llojet e armëve, që nga pistoletat, granatat, automatikë e deri te antitanku. Gardistët që kishin mbërritur në Cërrik për ruajtjen e rendit gjatë trazirave të vitit të përgjakshëm, u pritën me plumba nga "të fortit" e vendit. Përleshja ka ndodhur për disa minuta rresht dhe ruajtësit e rendit nuk kanë arritur t'i rezistojnë artilerisë që u përdor kundra tyre. Finalja e gjithë kësaj u cilësua një masakër nga më të përgjakshmet. Gjashtë gardistët, Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoj mbetën të vrarë dhe të plagosur nëntë punonjës të tjerë policie.

TE ARRESTUAR

1. Met Bozi

2. Roland Xhepaxhiu

3. Llazar Bici

4. Arjan Toska

5. Luftar Toska

6. Alban Toska

7. Bujar Buzani

8. Tomor Buzani

9. Entel Gashi

10. Skënder Cani

...................................................................................
Krye  

Shkaqet ekonomike, Amarildo Ismaili tenton t'i japë fund jetës

Vetëhelmohet djali i policit që vrau veten

Etleva DELIA

Pa kaluar tre muaj nga vetëvrasja e babait, edhe i biri ka tentuar të kryejë të njëjtin veprim. Para tre muajsh, Amarildo Ismaili e dënonte veprimin e të atit, ish-policit Sotir Ismaili. Madje fajësonte veten dhe policinë mbi të gjitha për këtë veprim. Por dje, ai ka konsumuar disa gram detergjentë larës për enët, brenda në banesën e tij në Tiranë, duke tentuar vetëvrasjen. 18-vjeçari Amarildo Ismaili është dërguar në spital në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe pas mjekimit tashmë është jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, kanë qenë problemet ekonomike dhe sociale ato që kanë "detyruar" Amarildon të marrë një iniciativë të tillë. Mbi ndërgjegjen e tij rëndonte ende fakti që ai vetëquhej fajtor për vdekjen e të atit. Në një intervistë që ai ka dhënë për gazetën "Tirana Observer", më 25 prill, kur babai i tij vrau veten, është shprehur se: Babai im u vetëvra se mua më keqtrajtuan në komisariat.
Vetëhelmimi
"Ishte një moment dobësie", këto kanë qenë të vetmet fjalë që ka arritur të artikulojë Amarildo Ismaili gjatë një vizite në spital. Ndërkohë nga një bisedë me të afërmit e tij, duket mjaft qartë arsyeja se përse ai ka tentuar t'i japë fund jetës. Ndërgjegjja e tij e varë që para tre muajsh, kur babai i tij vrau veten, por edhe problemet ekonomike dhe sociale që ai bashkë me nënën nuk dinë t'i japin zgjidhje, e kanë "detyruar" 18-vjeçarin që të tentojë vetëvrasjen duke u vetëhelmuar me detergjent larës enësh. Sipas mjekëve, ai ka shkuar fillimisht në Spitalin Ushtarak, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, por duke qenë se ai kishte dëmtime të ezofagut është dërguar për mjekim të mëtejshëm në spitalin francez, pranë QSUT-së në Tiranë.

...................................................................................
Krye  

Rruga nacionale Kukës-Tiranë, e bllokuar për shkak të zjarreve

Grekët iu "vjedhin" ujin shqiptarëve për të shuar zjarret

Etleva DELIA

Zjarret nuk janë problem vetëm i Shqipërisë, por i gjithë rajonit. Dhe për vendin tonë mund të themi se zgjidhim edhe "hallet e botës". Flakët kanë përfshirë edhe shtetin fqinj, Greqinë. Pikërisht në Sarandë dhe Gjirokastër zjarri ka përfshirë pyjet mes kufirit të të dy vendeve. Kanë qenë helikopterët grekë ata që kanë tentuar të shuajnë flakët në të dy anët e këtij kufiri. Ata kanë marrë leje në autoritetet shqiptare për t'u furnizuar me ujë, me kusht që të ndihmonin në shuarjen e zjarrit edhe në pyjet tona, por nuk ka ndodhur kështu. Helikopterët grekë furnizoheshin në territorin shqiptar për t'iu ardhur në ndihmë pyjeve greke. Ndërkohë që aktualisht në Shqipëri numërohen më pak vatra zjarri se një vit më parë. Problematik është rënia e zjarreve në pyjet e Kukësit, ku prej shumë orësh rruga nacionale Kukës-Tiranë ka qenë e bllokuar prej këtyre zjarreve.
Helikopterët grekë
Në jug të vendit, e pikërisht në Gjirokastër dhe Sarandë, zjarret që kanë përfshirë pyjet kalojnë dhe kufirin. Të dy vendet, si Shqipëria dhe Greqia janë angazhuar për shuarjen e tyre. Por çudia ndodh me helikopterët grekë. Ata kërkojnë nga autoritetet shqiptare që të furnizohen me ujë në vendin tonë, me kushtin që të shuanin zjarret në të dy territoret. Por nuk ka ndodhur kështu. Helikopterët e zjarrfikëses greke, që kishin ardhur për të shuar zjarret kanë menduar vetëm për veten e tyre. Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë të ditur se pas furnizimit me ujë në vendin tonë, helikopterët grekë shuanin zjarret e zonës së tyre, duke "iu dalë nga fjala" autoriteteve shqiptare.
Zjarret në vend
Aktualisht në vend, zona më problematike paraqitet Kukësi. Për orë rresht aksi nacional rrugor Kukës-Tiranë është i bllokuar. Janë evidentuar katër vatra zjarri dhe situata është emergjente.

...................................................................................
Krye  

Flet miku i ish-kreut të Partisë Ekologjike, Riza Lahi

"Si e kam njohur Namik Hotin"

Namik Hoti, një nga figurat e njohura shqiptare ndërroi jetë vetëm dy ditë më parë. Ai mbahej mend për politikbërjen e tij dhe për fjalët thumbuese. Në një intervistë për gazetën, një nga miqtë e tij më të ngushtë, Riza Lahi rrëfen mbi jetën dhe karakterin e Hotit.
Si e keni njohur Namik Hotin?
Zotin Namik Hoti e kam njohur në vitin 1994 dhe është një figurë shumë popullore edhe përpara kësaj periudhe. Ishte një privilegj për mua të njihesha me Bacën. Pastaj ne filluam të shkruanim një libër, "Kuleta e shpirtit", të cilin unë nuk e kam botuar ende. Unë rrija çdo ditë nga dy orë duke e pyetur për historinë e Shqipërisë dhe jo të familjes së tij. Baca ishte një erudit i papërballueshëm në këtë pikë. Pastaj bashkë kemi bërë intervista pa fund. Nga më të veçantat e tij ishte se i urrente paratë, është pjesa që i shkatërron njerëzit, thoshte. Volumin e tretë të romanit tim e kam titulluar "Namik Vehbi Fadile Hoti", ku personazh është një i ri, i cili pas tri ditësh martesë, i etur për para, vendos të shesë gruan e tij dhe u pasurua. Ai erdhi në Shqipëri dhe duhet ta ballafaqoja me një natyrë krejt të kundërt, dhe ky ishte Namik Hoti. Është një pafundësi e madhe për të treguar se si e kam njohur Namik Hotin. Ai më jepte pa pushim këshilla, me erudicionin e tij.
Pse i thërrisni Bacë?
Sepse jo vetëm unë, por të gjithë i thërrisnim Bacë. Për herë të parë e kam dëgjuar pas një interviste për botuesin e gazetës "Intervista", Artan Kristo.
Namik Hoti ka qenë shumë aktiv në politikë me Partinë Ekologjike. Pse vitet e fundit ai nuk është shfaqur as në media dhe as në politikë?
Më përpara edhe njerëzit, edhe politikanët ishin më të ndjeshëm ndaj shtypit. Mjaftonte t'i përmendje vetëm një gjysmë iniciali, dhe kishe menjëherë reagim. Kohët kanë ndryshuar, dhe atëherë i rrihnin gazetarët, dhe vetë Bacën e kanë rrahur, e kanë futur njëherë në dhe deri në fyt. Ka qenë koha kur ai ka thënë atë fjalën për Berishën: "Malësori bie vetëm me pushkë nga kali". Nëse në kohën e komunizmit kishin dhe muret vesh, në kohën e sotme nuk do të të dëgjoj askush, prandaj dhe tam-tamet e Bacës nuk dëgjoheshin më si më parë.
Namik Hoti shquhej për fjalët e tij që, le të themi, kanë bërë bujë në atë kohë.
Po. Ai ka thënë që "Amerika i ka shumë xhan enveristët". Ai shihte gjithnjë me syrin kritik. Të gjithë e dinë shprehjen e atëhershme për Berishën: "President i zgjedhur dy herë, një herë me shtetrrethim, kampion evropian që ka bashkuar monarkistët me republikanët dhe tjetra, është i vetmi doktor në botë që të zgjat jetën shtatë ditë pa vizituar dhe pa marrë lekë.

Astrit toto

Astrit Toto, skenografi shqiptar që tani jeton në Amerikë, ka qenë një nga miqtë e Namik Hotit. Ai na tregon mbi pasionin e tij për lulet, për artin. Toto rrëfen se Hoti ka qenë dhe specialist i drurit, rritës bletësh, kultivues i luleve më të rralla.

...................................................................................
Krye  

Vuante nga depresioni, vetëhelmohet 34-vjeçari

Depresioni ka shënuar viktimën e radhës. Një 34-vjeçar nga Shkoza e Tiranës i ka dhënë fund jetës, duke pirë disa kokrra fostoksinë. Sipas një njoftimi për shtyp nga policia e Tiranës, bëhet e ditur se është vetëhelmuar 34-vjeçari Hamdi Lika. Burime nga policia bënë të ditur se njoftimi është marrë dy net më parë, rreth orës 21:00, nga Spitali Ushtarak, ku mjekët kanë njoftuar se një person kishte gjetur vdekjen si pasojë e konsumimit të disa kokrrave fostoksinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan forcat e policisë dhe grupi hetimor i formuar për këtë qëllim, ku kreu veprimet e para hetimore dhe proceduariale, nga ku rezultoi se viktima në momentin e vetëvrasjes ka qenë në kushtet e depresionit.

Mbetet në qeli, kërcënoi familjarët me thikë

Kërcënonte familjarët me thikë, gjykata lë në qeli autorin. Gjykata e Tiranës i ka vendosur ditën e djeshme masën e sigurisë "burg pa afat", Dali Gjicit, 37 vjeç, banues në Bathore. Gjatë komunikimit të masës së sigurisë kanë qenë të pranishëm dhe familjarët e të pandehurit, të cilët i kanë kërkuar gjykatës që ta linin në burg të afërmin e tyre, pasi i shqetësonte së tepërmi duke i kërcënuar vazhdimisht më thikë. Dhe ngjarja e para tre ditëve nuk ishte e para që 37-vjeçari ka kërcënuar familjarët, por këtë herë ka qenë një zënkë me motrën e tij, e cila e acaruar duke e çuar në shfaqje të theksuar të shenjave të dhunës. Kanë qenë familjarët e tij të cilët kanë lajmëruar policinë, pasi vet i pandehuri me një thikë në dorë i kërcënonte vazhdimisht.

Vendimi, tre muaj larg gruas dhe vajzës

E rrihte dhe e keqtrajtonte ish-burri, gjykata vendos urdhrin e mbrojtjes ndaj nënë e bijë, të cilat kanë bërë dhe padinë në Gjykatën e Tiranës. Sh. Kamberi së bashku me të bijën e saj G. Selimillari i kanë kërkuar përpara disa ditësh gjykatës urdhrin e mbrojtjes, pasi sipas Sh. Kamberi dhe vajzës zë saj 16-vjeçe, G. Selimllari, A. Selimllari ish-bashkëshorti dhe babai i Selimllarit i keq trajtonte vazhdimisht edhe pse ai ishte i divorcuar nga ish-bashkëshortja me vendim gjykate që prej marsit të vitit 2006. Ditën e djeshme organi gjykues në kryeqytet vendosi që i padituri për një afat kohor prej 3 muajsh të mos kryejë as të mos kërcënojë vepra dhune ndaj ish-bashkëshortes dhe vajzës.

Ende në kërkim autori i vrasjes së 43-vjeçarit, është me luhatje psikike

FIER- Autori i vrasjes së Fierit, 38-vjeçari Shpëtim Kanda është shpallur person në kërkim nga policia e Fierit. Burime nga kjo e fundit bëjnë të ditur se Kanda nuk ka qenë një i sëmurë mendor, por ka pasur luhatje të kontrollit. Kjo pasi vite më parë ai është plagosur me plumb në kokë. Plumbi i shkakton atij herë pas herë variacione psikike. Në një gjendje të tillë ai ka goditur për vdekje 43-vjeçarin Arian Dervishi. Ndërkohë që po sipas policisë,i vrari Arjan Dervishi ka qenë i skeduar për trafik klandestinësh në shtetin fqinj, Itali, si pjesëtar i një rrjeti të gjerë prostitucioni.

Qeni policisë i gjen drogë në makinë, pranga 27-vjeçarit

VLORË- Në pranga një 27-vjeçar për trafik të lëndëve narkotike. Saimir Bana ishte duke hyrë në traget me makinën e tij, kur nga nuhatja e qenit të policisë së portit i janë gjetur në makinë një sasi prej katër kilogramësh canabis sattiva i presuar. Pas verifikimit të biletës dhe kalimit të terminalit ai është veçuar nga policët pas nuhatjes që qeni i antidrogës ka bërë në makinën e Banës. Pas dyshimeve të qenit të antidrogës, makinës i është bërë një kontroll i imtësishëm në gomën rezervë të makinës së tij u gjet sasia e drogës. Më pas 27-vjeçari Saimir Bana është ndaluar, duke u hetuar dhe për raste të tjera kalimi të drogës.

Vetëhelmohet me pleh kimik 24-vjeçarja, në gjendje depresioni

ELBASAN- Gëlltit qëllimisht sasi të mëdha të plehut kimik të llojit ure për t'u vetëhelmuar një e re nga Elbasani. S.Senja, 24 vjeçe, me banim në fshatin Dushk të bashkisë Belsh, është vetëhelmuar dje në mbrëmje me pleh kimik që përdoret në bujqësi. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mbrëmjes së kaluar kur 24-vjeçarja është ndodhur e vetme larg vëmendjes së familjarëve. Ajo ka hapur thesin dhe ka gëlltitur me grushte sasi të mëdha ureje. Pas pak çastesh elementi kimik ka vepruar në stomak duke i shkaktuar dhimbje të mëdha 24-vjeçares. Gjendja e rëndë shëndetësore ka alarmuar familjarët, të cilët e kanë dërguar në spitalin Kirurgjik të Elbasanit, ku është trajtuar me serume dhe antidot.

Ikën posta e policisë, vidhen 600 metra tel

MIRDITË- Prej me shumë se një muaj qyteti i Rubikut është ndoshta vendi i vetëm në Shqipëri pa një postë policie. Reforma drastike e fundit në Policinë e Shtetit ka bërë që godina e policisë në hyrje të qytetit të Rubikut të boshatiset totalisht nga uniformat blu, të cilat kanë dalë në reformë. Të parët dhe të vetmit që kanë reaguar pas kësaj reforme kanë qenë disa hajdutë, ende të pa identifikuar, të cilët një natë më parë kanë mundur që të bëjnë pronë të tyre, rreth 600 metra linear përcjellës elektrikë. Ngjarja, e cila ka lënë pa energji elektrike banorët, ka ndodhur në fshatin Fang të bashkisë së Rubikut. Hajdutët kanë shfrytëzuar orët e natës, kur fillon edhe ndërprerja e energjisë për shkak të kufizimeve, për të bërë të mundur aksionin e tyre. Banorët e lagjes Lime të këtij fshati kanë pritur orarin e zakonshëm për t'u furnizuar me energji, por kjo nuk ka ndodhur. Më pas kanë ndjekur linjën elektrike gjatë vijimit të saj, por nuk u kanë besuar syve kur kanë parë shtyllat që ishin zhveshur nga telat. Më pas ata kanë njoftuar policinë, e cila ka mbërritur për të verifikuar rastin. Punonjësit e elektrikut kanë vënë re se sasia e vjedhur ishte rreth 600 metra linear. Policia elektrike po gjen mundësinë e zëvendësimit të telit, që banorët të mos mbeten në errësirë.

I vihet zjarri banesës së dy oficerëve

DIBËR- Kanë shpëtuar për mrekulli dy oficerë në qarkun e Dibrës, pasi i është vënë flaka banesës ku ata jetonin. Avni Bejo, kontrollor në pikën kufitare të Dibrës dhe Henril Cani, shefi i Antidrogës në këtë qark, kanë shpëtuar paq pas zjarrit të qëllimshëm në banesën e tyre. Ka qenë ora rreth 21.30 e ditës së diel, kur mendohet se disa persona, pasi kanë lagur me benzinë shtëpinë, i kanë vënë flakën. Për pasojë janë djegur dera e jashtme e banesës dhe disa orendi shtëpiake. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima në njerëz. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Gjok Doçi" në qytetin e Peshkopisë. Grupi hetimor që ka mbërritur në vendngjarje ka konstatuar në pragun e shtëpisë një shishe benzinë, që ka shkaktuar edhe djegien e banesës, dhe një leckë. Fatmirësisht zjarri nuk ka marrë përmasa të mëdha, pasi është lokalizuar në kohë, duke mos rrezikuar dhe banesat e tjera të pallatit, ku jetonin dy oficerët. Sipas policisë, deri tani janë shoqëruar tre persona, dhe po hetohet për të zbardhur shkaqet e këtij veprimi. Dy janë pistat e hetimit, ajo e hakmarrjes për shkak të detyrës, ose mundësia e ndonjë konflikti personal të dy oficerëve.

60-vjeçari keqtrajton bashkëshorten, pse u zu me komshinjtë për gardhin

BERAT- E rreh i shoqi se u zu me komshinjtë për gardhin e oborrit. Ky ka qenë fati i një 49-vjeçareje nga fshati Velabisht i qytetit të Beratit. Luljeta Musabelliu, 49 vjeç, është rrahur barbarisht nga i shoqi, duke përfunduar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të qytetit. Nëna e katër fëmijëve ishte rrahur keqas nga i shoqi 60-vjeçar Musa Musabelliu, pas një sherri që kishte bërë me fqinjët e saj për gardhin e oborrit. Musa Musabelliu sapo ka marrë vesh se gruaja e tij ka bërë fjalë me komshinjtë për lëvizjen e gardhit të oborrit ka shkuar menjëherë në shtëpi, duke e goditur bashkëshorten e tij me dru e me shqelma, pa i kërkuar sqarim për ngjarjen e ndodhur. Më pas ai e ka nxjerr në gjendje kome gruan përjashta shtëpisë dhe kanë qenë disa banorë të fshatit që kanë parë skenën e dhimbshme dhe e kanë dërguar 49-vjeçaren për në spital. Ndërkohën që Musabelliu është arrestuar dhe gjatë dëshmisë së tij mësohet të jetë shprehur se e ka rrahur gruan se e ka prishur me komshinjtë.

Aksidentohet në superstradë emigranti i ardhur nga Greqia

KORÇË- Një emigrant i ardhur nga Greqia për pushime me rastin e sezonit të verës ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur mesditën e së hënës në superstradën Korçë-Kapshticë. Sipas të dhënave, në afërsi të fshatit Plasë ka gjetur vdekjen 26-vjeçari Lulëzim Hysenlliu, banor i fshatit Zagradec të rrethit të Devollit. Nga ky aksident kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë që udhëtonin së bashku me 26-vjeçarin Hysenlliu, identiteti i të cilëve dhe gjendja shëndetësore nuk u bënë të ditura për momentin. Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë shpejtësia e madhe.

Kanoste me pistoletë mikun e tij, i vihen prangat 34-vjeçarit

SHKODËR- Kapet teksa kanoste me një pistoletë një mikun e tij, pas një konflikti që kishin për motive pronësie. Jetmir Molla, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Dobraç, komuna Rrethina, Shkodër, është arrestuar pasi, sipas policisë së Shkodrës, se mesnatën e së dielës në lagjen "N. Gjylbegu" në Shkodër, është kapur në flagrancë nga forcat e policisë me një pistoletë me një krehër me 8 fishekë, të cilën e mbante pa leje. Më këtë armë ai po kanoste për motive të dobëta 66-vjeçarin J.L. Materialet në ngarkim të Mollës i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Shkodrës.

Tregtarët i vënë zjarrin tregut pas zhvendosjes, rrezikohen dy pallate

FIER- Një zjarr i madh ka rënë në tregun e konfeksioneve pasditen e djeshme në qytetin e Fierit. Realisht ka qenë një zjarrvënie e qëllimshme nga vetë tregtarët, pasi ka qenë dita e fundit e tyre në këtë treg. Pasi kishin zhvendosur mallin, tregtarët iu kanë vënë flakën kioskave, duke krijuar një zjarr të madh. Zjarri ka rrezikuar të përfshijë edhe xhaminë e qytetit dhe dy pallate që ndodheshin aty pranë. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë menjëherë, duke vënë nën kontroll flakët. Ky treg me vendim bashkie prej datës së sotme do të zhvendoset në një tjetër vend dhe tregtarët pas largimit të tyre iu kanë vënë flakën kioskave dhe disa mbeturinave.

...................................................................................
Krye  

 

 Aktualitet
  Kamera që siguroi provat për masakrën e Cërrikut
..
..........................................
  Vetëhelmohet djali i policit që vrau veten
..
..........................................
  Grekët iu "vjedhin" ujin shqiptarëve për të shuar zjarret
..
..........................................
  "Si e kam njohur Namik Hotin"
..
..........................................
  Shkurt
..
..........................................