Ish-kryetari i Kuvendit analizon votimin e 6 deputetëve të PS-së
Servet Pëllumbi: Përse Nano
duhet përjashtuar nga partia
Përsëri profesor Servet Pëllumbi. Ai, apononeti i kahershëm e i drejtpërdrejtë i Fatos
Nanos, i është përveshur edhe një herë liderit historik të PS-së. Ndryshojnë vetëm pozicionet dhe koha. Pëllumbi, tani një ish-drejtues i lartë i PS-së dhe ish-kryeparlamentar në pension, ndërsa Fatos Nano, një ish-kryetar i PS-së dhe ish-kryeministër deputet. Ndërsa lënda, thelbi dhe debati kanë në qendër të njëjtën temë. Profesor Servet Pëllumbi nuk rresht së nxjerri shpatën edhe këtë herë. Në një rrëfim ekskluziv për gazetën "Tirana Observer", ai analizon veprimin që bëri ish-kryetari në Parlament. Pasojat dhe ç'duhet të bëjë PS-ja. "Fatos Nano është ideatori dhe nxitësi ndaj gjashtë deputetëve që votuan për zgjedhjen e Bamir Topit për President,- thotë ai,- duke shtuar më tej, se kafja përballë godinës së seancave parlamentare, siç thonë tani, u bë "selia" ku u gatua një akt i pashembullt turpi e degradimi politik ku hynin e dilnin "lajmësit" e Nanos që takoheshin, sa në një kat të lokalit në tjetrin, me të plotfuqishmit e Berishës!"
Për të gjitha këto, Pëllumbi nuk harxhon më kohë të ketë ndonjë ndryshim kursi në mendim. Sipas tij, Nano duhet të përjashtohet nga Partia Socialiste. Natyrisht jo thjesht në mënyrë organizative dhe ceremoniale, por me idenë e qartë se me këto që ka bërë, me votat që i dha Berishës dhe përçarjen e PS-së, ai është një i vetëpërjashtuar. Ose më mirë akoma, një lider historik i larguar. Duke e sqaruar më tej të gjithë rrugën e gjatë të debateve gati mbi një dekadë që ka bërë me Nanon. Dhe, që jep edhe një përkufizim për historinë e tyre brenda radhëve të socialistëve.
"Fatos Nano ishte ai që futi organizimin klanor në PS dhe luftën midis tyre sipas parimit "turbullo-kullo"".
Servet PELLUMBI
1. Një urim për Presidentin e ri dhe opozitën
Pata rastin që ta uroj sinqerisht Presidentin e ri, z. B. Topi, gjatë ceremonisë së betimit dhe pritjes zyrtare në "Pallatin e Brigadave" më 24 korrik. Edhe publikisht nuk ngurroj që ta uroj dhe t'i them: Punë të mbarë dhe shumë suksese në detyrën e lartë, që, njëherësh, përbën një mision me vlera kombëtare. Duke e njohur personalisht, si një politikan të formuar, të përgjegjshëm e të urtë, jam i prirur që të besoj, se do të dijë të jetë President i të gjithë shqiptarëve.
Them se ai mund ta vuajë për një kohë mënyrën e zgjedhjes së tij, por më thellë dhe më gjatë ka për ta ndjerë opozita, e cila procesin e zgjedhjes së Presidentit e trajtoi me mendjelehtësi dhe mungesë të theksuar kohezioni. Prandaj dhe doli e humbur. Kjo e bën atë një çështje "pikante", për analiza politike dhe për të nxjerrë mësime për të ardhmen. 2. Edhe votimi do moral
Askush nga analistët që u morën gjatë me çështjen e Presidentit të Republikës nuk mundi të parashikonte atë që ndodhi më 20 korrik 2007 në Kuvendin e Shqipërisë. Në shënimin politik të 1 korrikut kam shkruar se nuk përjashtohet që Presidenti të zgjidhet përmes një trafiku votash, por asnjëherë nuk mund të mendoja se një trafik të tillë do ta bënin gjashtë deputetët socialistë të nxituar dhe të drejtuar nga Fatos Nano.
Nga krahu opozitar, nga masa e njerëzve të thjeshtë, por edhe nga shumica dërrmuese e analistëve politikë veprimi i paprecedentë i deputetëve socialistë është vlerësuar si i pamoralshëm, si korrupsion politik, si trafikim votash dhe produkte pazaresh të pista me burim pushtetin. Kafja përballë godinës së seancave parlamentare, siç thonë tani, u bë "selia" ku u gatua një akt i pashembullt turpi e degradimi politik ku hynin e dilnin "lajmësit" e Nanos që takoheshin, sa në një kat të lokalit në tjetrin, me të plotfuqishmit e Berishës!
Në orën shtatë "atdhetarët", të cilëve u digjej shpirti për të shpëtuar Shqipërinë nga zgjedhjet e parakohshme, nën habinë e përgjithshme të gazetarëve të shumtë që prisnin diçka të veçantë, "të gjashtët" hynë njëri pas tjetrit në sallën plenare. Deputetët e shumicës u sulën për t'i përshëndetur dhe falënderuar! Ngazëllim i madh! Berisha, me poza triumfatori, shpejtoi për te shkallët e jashtme për t'u dhënë sihariqin mediave. "E zgjidha, sot do të kemi Presidentin!". Deputetët opozitarë, që kapërcyen kufirin e fundit të çdo lloj morali qytetar e poshtëruan veten deri në atë shkallë sa që duhej të bindnin "blerësin" se ishin "mall i mirë" duke treguar fletët e votimit.
Rezultati i votimit, tashmë, u shndërrua në një formalitet. Të pranishëm në seancë 90 deputetë prej të cilëve 85 votuan Bamir Topin dhe vetëm 5 për Neritan Cekën. Brohoritje të zgjatura. Në sinkron filloi shpërthimi i fishekzjarrëve te selia e PD-së dhe jashtë godinës së Kuvendit. Dukej sikur tradhtia e gjashtë deputetëve opozitarë ndaj zgjedhësve të tyre po kthehej në një lloj vlere morale! "Zgjodhëm President të mirë, evituam zgjedhjet dhe destabilitetin e vendit, kryem një akt atdhetarie....", të tilla ishin deklarimet e disa prej "rebelëve" që po e ndjenin se sa thellë i kishte futur në llum Fatos Nano që priste, mbase jo rastësisht, në një restorant kinez për t'i gostitur me gjellë jo të zakonshme!
Ky ishte, në thelb, absurditeti i votimit të 20 korrikut në Kuvendin e Shqipërisë. Opozita, që si rregull quhet e tillë sepse ka si objektiv politik marrjen e pushtetit në rrugë demokratike, pa pritur heq dorë, dorëzon pushtetin, duke treguar mungesë të theksuar serioziteti dhe paaftësi për të lozur rolin e opozitës. Ç'të drejtë mund të ketë një opozitë e tillë t'i kërkojë votën elektoratit në zgjedhjet e radhës? Natyrshëm, shtrohet pyetja: A meritojnë të ndëshkohen protagonistët e veprimeve të tilla apo kjo i duhet vetëm "kryetarit" të tyre? 3. A vlejnë "ndëshkimet" në demokraci?
Kam mendimin se në raste të tilla edhe ndëshkimi është i nevojshëm, sepse është edukim me një shtrirje të gjerë në kohë dhe në hapësirë. Aq më tepër, që në raste të tilla të dënueshme të nëpërkëmbjes së çdo lloj disipline, janë të përsëritura në PS dhe në parti të tjera të majta. Thënë shkurt, rasti që po analizoj është i tillë që kërkon reflektim adekuat dhe reagim statusor të padiskutueshëm. E mbledhur një ditë pas ceremonisë së betimit të Presidentit të ri, Asambleja e PS-së nëpërmjet fjalës së kryetarit, që u duartrokit gjatë dhe pse nuk kishte asnjë lloj autokritike, e dënoi atë që ndodhi në 20 korrik si "një shfaqe e turpshme e shitjes së gjashtë mandateve të popullit opozitar për të shpëtuar Sali Berishën për t'u ballafaquar me votën e shqiptarëve".
Kësaj here steka u vu me të drejtë mbi ish-kryetarin e Partisë, i cili edhe pse dha vetë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të tre korrikut 2005 dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë nga tre kongreset e mbajtur gjatë dy vjetëve dhe në asnjë mbledhje forumi apo aktivitete të tjera të PS-së, vazhdon ta quajë atë si pronën e vet, si "arën e vet" dhe pse nuk ka asnjë vullnet për të bërë diçka të mirë për të. Për të bërë keq? Po. Në rastin që po analizoj, Nano dëshmoi se me rolin e regjisorit që mori përsipër në raportet me gjashtë deputetët socialistë, me projektin e "katarsisit 2", që do filluaka të zbatohet në shtator dhe që mund të sjellë një përçarje tjetër në PS-së, e ka vënë veten jashtë koordinatave kohore dhe po e bën të pamundur bashkëjetesën e mëtejshme brenda PS-së.
Vazhdimisht kam polemizuar me Fatos Nano, në forume dhe publikisht, për mënyrën se si e koncepton dhe si e përdorte PS-në apo shokët dhe miqtë e vet për interesat e veta. Për këtë qëllim ai futi në organizmin klanor në PS dhe luftën midis tyre, sipas parimit "turbullo-kullo". Ndërsa pozita e sotme social-ekonomike, nevoja e kalkulimit dhe e mbrojtjes së interesave, tashmë jo dhe aq politike sesa afariste, e kanë tjetërsuar atë duke e bërë, jo vetëm të panevojshëm, por edhe hapur të dëmshëm për të ardhmen e të majtës shqiptare. Gati të gjithë anëtarët e asamblesë së PS-së dje i dhanë të drejtë Edi Ramës kur tha: "Fatos Nano nuk mund të jetë i përfshirë në projektin e ri të Partisë Socialiste. Duke u bashkuar hapur me Sali Berishën kundër interesave të Partisë Socialiste, të opozitës shqiptare dhe të vendit, Fatos Nano u bë pjesë e një aleance të së keqes, me të cilën ne nuk na bashkon asgjë dhe të cilën ne jemi këtu për ta luftuar e mundur politikisht me alternativën tonë të re", ("Zëri i Popullit", 2007, 26 korrik).
Edhe përfaqësuesit e shumtë të medias në korridoret e "Sheratonit" e kuptuan qëndrimin e ri e të vendosur të socialistëve ndaj Fatos Nanos dhe gjashtë deputetëve "rebelë". Që në pushimin e parë, nga mediat më afër qeverisë gazetarët mu drejtuan me disa pyetje. Po i riprodhoj me saktësi se pata rastin t'i dëgjoj më pas dhe t'i shoh të botuara në shtypin e ditës, ("Shqip", "Zëri i Popullit", "Shekulli", "Gazeta Shqiptare" etj.)
"A mund të përjashtohet Nano nga Partia?
-Kushdo që punon jo në interes, por kundër partisë përjashton vetveten.
-Fatos Nano ka punuar kundër Partisë?
-Po, ka punuar e vazhdon të punojë.
Në ç'kuptim?
Po gjashtë deputetët është e drejtë që të përjashtohen?
-Po. Ata votuan kundër vullnetit të elektoratit opozitar dhe kundër vendimit të grupit parlamentar".
Më bën përshtypje një fakt. Unë thashë duke ecur vetëm disa fjalë që më erdhën si rastësisht ndërmend, por duket se paskam qëlluar në shenjë, sepse pardje edhe dje më kanë ardhur shumë mesazhe dhe më kanë telefonuar plot të njohur. Po riprodhoj ndonjë mesazh për të gjykuar rreth natyrës së tyre. Nga numri 0684016120: "I dashur profesor. Të pashë mbrëmë në TV! U kënaqa që je mirë. Ju uroj nga zemra për suksesin e djeshëm. Ra demirugu i së keqes dhe i papërgjegjshmërisë shtetërore! Me admirim dhe simpati". Ndërsa një i njohuri im nga Vlora në mesazhin e tij më shkruante: "Profesor! Hallall e paçi! Bjeruni në kokë se shkatërruan këtë vend. Na kini në mbështetje deri në fund" (0684057606). 4. Dy fjalë për konceptin "vetëpërjashtim"
Çështja "ndëshkim, mendoj se ka nevojë për sqarime të mëtejshme, sepse si nga pyetjet e gazetarëve, ashtu dhe nga një pjesë e mesazheve dhe telefonatave që më janë bërë, del sikur bëhet fjalë për një përjashtim të Fatos Natos nga PS-ja në aspektin organizativ e tradicional të fjalës nëpërmjet një "organizate bazë" etj... Në të vërtet, në vizionin tim, nuk bëhet fjalë, madje, as për ndonjë "çregjistrim" në përputhje me Nenin 10 të statutit aktual të PS-së të miratuar në Kongresin e 2 Qershorit 2007.
Jo rastësisht, në prononcimin për gazetarët e kam vënë theksin te koncepti "vetëpërjashtim". Kam mendimin, se vetëpërjashtimi ia lë gjithë përgjegjësinë vetë subjektit anëtar i thjeshtë, lider apo ish-lider qoftë. Të tjerët kanë rastin që të shqyrtojnë faktet dhe t'i venë në "peshoren" e kohës, që është veçanërisht e ndjeshme ndaj aspektit moral të politikës. Ky është dallimi jo i vogël që ndodh në raportet politike midis njerëzve në një shoqëri demokratike, apo dhe brenda vetë partive politike.
Gjithsesi, në rastin e Fatos Nanos, nuk është e tepërt, mendoj që të kujtohen disa fakte të dënueshme nga çdo aspekt që t'i marrësh, por që i janë falur nga anëtarësia, nga shokët dhe kolegët, duke menduar se "meritat janë më shumë se gabimet". Veçse, si çdo gjë në natyrë dhe në shoqëri, edhe kjo lloj "peshoreje" ka një limit përtej të cilit humbet kuptimin e vet çdo lloj tolerance dhe bën të pashmangshëm divorcin politik e partiak, qoftë dhe me figura si Fatos Nano.
Në këtë kategori do të përfshija, para së gjithash, pazaret e shumta me Berishën, duke filluar nga ai i Triestes (1992) dhe deri te ai i fundit, i 20 korrikut, për të dërguar gjashtë "kamikazët" në Kuvend për të shpëtuar Sali Berishën nga dështimi, janë të tillë që nuk mund të falen pa fund, sepse nuk ka "peshore" që mund t'i durojë më tej pa u vetëshkatërruar. Ky mund të jetë një nga interpretimet e konceptit "vetëpërjashtim" i aplikueshëm për rastin e Fatos Nanos. 5. Një tjetër kënd vështrimi
Por ekziston edhe një vështrim tjetër i kundërt rreth pazareve më të fundit të zotit Nano për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Politikanët e së djathtës, por dhe analistë të njohur të këtij krahu, as më shumë as më pak, e shohin dërgimin nga zoti Nano të gjashtë deputetëve për të votuar në Kuvend, në kundërshtim me vendimin e grupit socialist, si një akt që e bën atë "dinjitoz", ndërsa politikën shqiptare dhe vetë Shqipërinë, moderne.
Nuk e fsheh, që më habit në mënyrë të veçantë M. Baze, i njohur për maturinë dhe kujdesin që tregon në analizat politike që e bën për të mos treguar bindjet e veta, kur të nesërmen në edicionin e "Tema-s" do të nënvizonte: "I njëjti personalitet politik që tentoi dhe ia arriti të ndryshojë dhe reformojë Partinë e Punës së Shqipërisë(!), dje arriti të ndryshojë historinë e parlamentarizmit shqiptar duke i dhënë atij kuptim, dinjitet dhe transparencë". Thënë shkurt, ajo që ndodhi me votimin e 20 korrikut, që çoi në nivelin zero përpjekjet disamujore të opozitës (në të vërtet jo pa të meta serioze) dhe i dha një fitore të pamerituar shumicës qeverisëse, u dashka "arkivuar si një vlerë e padiskutueshme", sepse procesi paska qenë "i ndershëm, ballafaques, konkurrent dhe i hapur". (Shih: "Tema", 21.07.2007).
Nuk mendoj se mund të debatohet kur botëvështrimet janë kaq ekstreme. Megjithatë, do të desha të shprehja disa konsiderata të një natyre më tepër teorike rreth konceptimit të një procesi politik si "i ndershëm, ballafaques, konkurrues dhe i hapur".
6. Nuk jetohet pa kundërshtar
Për votimin e 20 korrikut duhet thënë se kemi të bëjmë me një dukuri politike që është e pjellë e pluralizmit politik, por që realisht e minon atë. Në një sistem politik pluralist, shumica qeverisëse dhe opozita janë institucione zyrtare të votuara që përfaqësojnë alternativa pushteti të dallueshme nga njëra-tjetra dhe për këtë arsye konkurrojnë midis tyre. Nuk përjashtohet bashkëpunimi midis pozitës dhe opozitës, veçse nuk mund të quhet i tillë dhënia e votave për ta mbajtur apo për t'i dhënë shumicës më tepër pushtet nga se i ka dhënë elektorati i vet nëpërmjet votës. Thelbi i demokracisë sintetizohet në shprehjen noliane: "Nuk jetohet pa kundërshtarë" (me fjalë të tjera, pa konkurrencën e ideve dhe të alternativave që atë e përfaqësojnë).
Nga ky këndvështrim ajo që ndodhi në Kuvend më 20 korrik nuk përputhet me standardet demokratike, prandaj dhe politologët, as më shumë dhe as më pak, do ta vlerësonin atë si atentat ndaj votës së lirë, sepse e bën votën objekt shitjeje dhe blerje, duke u dhënë të drejtën lloj-lloj trafikantëve që të abuzojnë, të marrin pushtet të pamerituar, të marrin nëpërkëmbë dhe të drejtat e zgjedhësve. Fan Noli i madh, me një lloj meraku të veçantë, në vitin 1924 do të pyeste: "Shqipëria u bë me shtet, vallë a do të bëhen shtetas shqiptarët"? Duke e perifrazuar këtë do të pyesja: "Shqipëria u bë me pluralizëm politik e partiak, vallë a do të mësohen politikanët shqiptarë që ta zbatojnë drejt atë"? Përvoja e deritanishme e sidomos votimi i 20 korrikut dëshmojnë se jemi ende mjaft larg!
Në rastin e zgjedhjes së Presidentit koalicioni qeverisës nuk i kishte votat kushtetuese për ta zgjedhur atë nga radhët e veta, prandaj duhej të kërkonte rrugën e konsensusit ose të marrëveshjeve transparente e institucionale, që në asnjë mënyrë nuk mund të jenë baras me një shitblerje të rëndomtë votash, apo me një hakmarrje të tipit "për inatin e vjehrrës do shkoj me mullixhinë"! Fatos Nano i larguar nëpërmjet një votimi nga gara presidenciale (mbase jo pa prapaskena edhe të liderëve opozitarë, me sa duket, u mbërthye keq nga pasioni i pakontrolluar i hakmarrjes primitive dhe adoptoi një qëndrim thellësisht të dënueshëm, u bashkua me kundërshtarin politik, dëmtoi rëndë interesat e partisë së vet, shkeli me të dyja këmbët normat më elementare të demokracisë pluraliste dhe e futi politikën në një krizë të thellë, sidomos frymën e dialogut dhe bashkëpunimit që vazhdojnë t'i mungojnë në mënyrë të ndjeshme shoqërisë shqiptare. Derisa nuk u zgjodh ai, "i vetmi nga e majta, që sipas tij, e meriton një post të tillë të lartë"(!), nuk mund e nuk duhej të zgjidhej askush tjetër nga opozita! Prandaj më mirë le ta marrë postin e Presidentit kundërshtari politik!
Kuptohet, Nano nuk e mbajti aspak parasysh filozofinë e popullit që për raste të tilla këshillon: "Inatin e sotëm lerë për nesër". Por as Rama dhe as liderë të tjerë të opozitës nuk i llogaritën pasojat e një strategjie absurde që bëri si qëllim kryesor mënjanimin, aspak transparent, të Fatos Nanos nga kandidimi për President. Ata, me sa duket, bashkë me emrin e Nanos donin të "lanin gojën" dhe të "digjnin" edhe politikanët e tjerë të "profilit të lartë", të përfshirë në listën që i dorëzuan grupit negociator, sepse pa asnjë lloj rezistence u vunë në kërkim të kandidatëve anonimë për "tavolinën e konsensusit". Në këtë kuptim ata, me apo pa dashje, ia lehtësuan punë Berishës për të çuar deri në fund skenarin e vet "dinamik" e aftë për të ndryshuar sipas situatave. 7. Përfundime
Zhvillime të tilla, gjithsesi, kanë edhe anën e tyre pozitive sepse tregojnë se vjen një kohë kur largimi i "liderëve historikë", jo vetëm nga partitë respektive, por dhe nga politika shqiptare në përgjithësi, bëhet tregues i rëndësishëm emancipimi dhe maturimi demokratik. Partia Socialiste pati shansin që ta bëjë e para një hap të tillë.
Tha per...
Për Bamir Topin
Them se ai mund ta vuajë për një kohë mënyrën e zgjedhjes së tij, por më thellë dhe më gjatë ka për ta ndjerë opozita, e cila procesin e zgjedhjes së Presidentit e trajtoi me mendjelehtësi dhe mungesë të theksuar kohezioni. Prandaj dhe doli e humbur. Kjo e bën atë një çështje "pikante", për analiza politike dhe për të nxjerrë mësime për të ardhmen.
Për Fatos Nano
Kësaj here steka u vu me të drejtë mbi ish-kryetarin e Partisë, i cili edhe pse dha vetë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të tre korrikut 2005 dhe nuk ka marrë pjesë në asnjë nga tre kongreset e mbajtur gjatë dy vjetëve dhe në asnjë mbledhje forumi apo aktivitete të tjera të PS-së, vazhdon ta quajë atë si pronën e vet, si "arën e vet" dhe pse nuk ka asnjë vullnet për të bërë diçka të mirë për të. Për të bërë keq? Po.
Për kandidaturat
...as Rama dhe as liderë të tjerë të opozitës nuk i llogaritën pasojat e një strategjie absurde që bëri si qëllim kryesor mënjanimin, aspak transparent, të Fatos Nanos nga kandidimi për President. Ata, me sa duket, bashkë me emrin e Nanos donin të "lanin gojën" dhe të "digjnin" edhe politikanët e tjerë të "profilit të lartë",.....
Për debatet me Nanon
Vazhdimisht kam polemizuar me Fatos Nano, në forume dhe publikisht, për mënyrën se si e koncepton dhe si e përdorte PS-në apo shokët dhe miqtë e vet për interesat e veta. Për këtë qëllim ai futi në organizmin klanor në PS dhe luftën midis tyre, sipas parimit "turbullo-kullo".
Për përjashtimin e të gjashtëve
Kam mendimin se në raste të tilla edhe ndëshkimi është i nevojshëm, sepse është edukim me një shtrirje të gjerë në kohë dhe në hapësirë. Aq më tepër, që në raste të tilla të dënueshme të nëpërkëmbjes së çdo lloj disipline, janë të përsëritura në PS dhe në parti të tjera të majta.