Arkivat sekrete për eksponentin e Ballit Kombëtar
 
   
Relacionet e Sigurimit të Shtetit për Hasan Dostin
 
     

Armand jonuzi

Nëse për krerët e Ballit Kombëtar që ndodheshin në emigrim detyra kryesore e tyre ishte të rrëzonin regjimin komunist, për këtë të fundit detyra ishte t'i mbante ata nën vëzhgim, megjithëse ndodheshin jashtë vendit. Dhe këtë detyrë, siç duket, agjentët e Sigurimit e kanë kryer më së miri. Këtë fakt e nxjerr edhe në një dokument i zbuluar kohët e fundit në arkivat e shtetit, ku agjentët e shërbimit sekret shqiptar jo vetëm që i ruanin me kujdes lëvizjet e krerëve antikomunistë që vepronin jashtë vendit, por dinin edhe çfarë mendimesh kishin apo çfarë detyrash do të kryenin në të ardhmen. Gazeta "Tirana Observer" boton sot një relacion të Ambasadës shqiptare në Francë drejtuar Ministrisë së Jashtme, në lidhje me veprimtarinë e një prej eksponentëve kryesorë të Ballit Kombëtar, Hasan Dostit.
Në dokumentin e vitit 1949 flitet për një udhëtim që Hasan Dosti do ndërmerrte në drejtim të Amerikës. Shkak, sipas dokumentit, ishte një kërkesë e qeverisë amerikane, e cila dëshironte që komiteti i ngritur për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri të funksiononte më së miri. Gjithashtu amerikanët, sipas dokumentit, kishin dëshirë të rifillonin edhe njëherë sulmet për rrëzimin e komunizmit si dhe të mbyllnin divergjencat që kishte brenda këtij komiteti.

Dokumenti sekret
Lënda: Mbi shkuarjen e Hasan Dostit në Amerikë
MINISTRISË P. JASHTME
(Drejtorisë Politike)

TIRANË

Shkuarja e Hasan Dostit në Amerikë është bërë në bazë të kërkesës së qeverisë amerikane për të raportuar gjendjen e komitetit dhe të marrë prej tyre instruksione të reja përsa iu përket operacioneve armiqësore të Amerikës kundra vendit tonë. Dosti, para se të shkonte, ka pasë përgatitur një farë projekti mbi komitetin që t'ia paraqesë qeverisë së Washingtonit dhe, me sa informohemi, është identik me atë që ka paraqitur më parë Mac Leau.
Vajtja e tij në Amerikë, si duket është nga mos funksionimi i komitetit, nga divergjencat midis tij dhe mos plotësimi i angazhimeve dhe programeve të marra më parë nga Washingtoni. Kjo lë të kuptosh që shtetet e Bashkuara insistojnë në funksionimin e tij dhe t'i japin komitetit udhëzime të reja për mënyrën e veprimtarisë kundra R.P. të Shqipërisë pas disfatave të turpshme që kanë pësuar planet e tyre armiqësore të deri tashme karshi vendit tonë. Dosti ka shkuar në Amerikë me mendimin se së afërmi Shqipëria do të bëhet një objekt ofensive antikomuniste amerikane (kjo në bazë të informacionit që kemi marrë mbi opinionin e tij dhe shtypit amerikan, që shkruan se Shqipëria është një pikë nevralgjike që tërheq vëmendjen ndërkombëtare në kohën e sotme.
Ish-presidenti Hoover në fjalën e tij mbajtur në konferencën e "Komitetit Evropa Libera" i ka kërkuar qeverisë amerikane pak ditë më parë që emigracionit politik shqiptar t'i jepet ndihma për të rrëzuar Partinë Komuniste Shqiptare. Komiteti "Evropa Libera" para opinionit publik është e formuar nga elementë me iniciativën e tyre dhe jo nga qeveria amerikane (kjo për të fshehur qëllimet e qeverisë së Washingtonit). Presidenti i Komitetit "Evropa Libera" është gjenerali Aisenhaver dhe n/president është Hoover. Me sa flitet, ka të ngjarë që si komiteti i reaksionarëve shqiptarë, si grupet reaksionare të shteteve të demokracive popullore, të marrin pjesë si anëtarë në Komitetin "L'Evropa Libera". Dosti ka shprehur pakënaqësinë e tij për veprimin e një anshëm të zogistëve, të cilët si mbas instruksioneve të Zogut, dhënë Abaz Kupit, po punohet të forcojë radhët e monarkistëve dhe të mbledhë rreth vetes njerëz dhe ish-oficerë të më parshëm. Informohemi se Zogu është mbështetur në të nesërmen (që mendon ai) se do të shkojë në Shqipëri dhe me ndihmën e Egjiptit dhe Lidhjes Panislamike, gjë kjo që e anon në një politikë më shumë me elementin mysliman. Dosti flitet se do të kërkojë pranë qeverisë amerikane për një ndërhyrje pranë Zogut për të mos prishur unitetin e komitetit.
Dosti në bisedime private ka deklaruar qëllimet e errëta të Greqisë karshi Shqipërisë, që do të marrë një pjesë të saj, prandaj ka menduar që t'i kërkojë qeverisë amerikane, që në marrjen e Shqipërisë nga ana e reaksionit, të ndalohet ndërhyrja greke, e cila në saje të ndihmës okupon një pjesë të Shqipërisë dhe e zapton për vete.

MINISTRI FUQIPLOTË
Zenel Hamiti

Hasan Dosti

Hasan Dosti ka qenë ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës, të krijuar gjatë pushtimit italian. I diplomuar për jurisprudencë në universitetet më të mira të Evropës, ai ishte një nga juristët më të zotë në Shqipëri.
Në vitin 1944, Hasan Dosti detyrohet të largohet nga Shqipëria për t'u vendosur në Amerikë, ku edhe drejtoi disa operacione për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Regjimi komunist e cilësoi Hasan Dostin si kriminel lufte dhe e dënoi atë me vdekje. Hasan Dosti vdiq në SHBA në vitin 1958.

 
...................................................................................
Krye  

 

 Dossier
   
..
..........................................
   
..
..........................................