|
Topalli: Ja cilat janë sfidat e Kuvendit dhe detyrat e opozitës
Shefja e Kuvendit deklaroi dje se opozita duhet të bëjë detyrat e saj në Parlament dhe se është trajtuar në mënyrë të barabartë me shumicën. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në një intervistë për “BBC” i ka bërë thirrje pakicës që të kontribuojë për përparimin e reformave në vend. Gjithashtu Topalli ka listuar sfidat e institucionit që ajo drejton, për këtë sesion të ri parlamentar. Salla e kuvendit duket mirëfilli e ngjashme me atë të Parlamentit Evropian. Prisni edhe që debatet në të jenë të këtyre standardeve? Unë shikoj anë pozitive. Në këtë sallë gjatë viteve për shkak të votimeve që janë bërë, të reformave që kemi kaluar, Parlamenti ka qenë lider në secilën prej këtyre reformave sado të vështira, por ishte vendim-marrja në këtë institucion që është institucioni kyç, forumi që mban sovranitetin, i vetmi institucion që del direkt nga vota. Natyrisht kjo është ana e jashtme, por përmbajtja janë votat për 148 ligje që kemi kaluar në periudhën shtator – korrik 2010, që i takon 248 ligje, vendime, rezoluta që kjo sallë herë e plotë e herë jo ka ndërmarrë dhe ka qenë kjo baza mbi të cilën u dha ai opinion pozitiv dje mbi Shqipërinë për plotësimin e kritereve dhe për progresin e mirë që ka bërë në shumë fusha të tjera. Kjo sallë do të jetë vendimtare dhe do të jetë dëshmitare e vendimeve të tjera të mëdha jetike për kombin tonë dhe të gjitha këto janë përmbajtje, janë guximi i atyre që guxojnë të përballen me vështirësinë dhe të arrijnë aty ku të tjerët mendojnë se është e pamundur. Duket sikur deputetëve i ka munguar kjo sallë, pasi ende pa filluar mirë sesioni i ri parlamentar kemi de facto një debat të fortë midis deputetëve të dy krahëve, kur është fjala për korrupsion? Cili është mendimi juaj për këtë debat? Si Kryetare e Kuvendit, unë e shoh çdo diskutim nga pamja institucionale. Përsa kohë jemi në kuadrin e deklaratave nuk më takon mua që të flas. Zgjidhjet janë në institucione, brenda Parlamentit, brenda Prokurorisë, brenda sistemit të drejtësisë. Pa përgjigjen e këtyre secili ka të drejtë të mendojë që mund të jenë deklarata politike. Janë një mori ligjesh këtë sezon që do të kenë nevojë për 3/5 e votave. Kemi parasysh një vit të tërë me mungesën e opozitës në sallën e Kuvendit, ndërkohë që tani jemi dhe përballë këtyre ligjeve. Për mendimin tuaj si do të shkojë filli i këtyre ligjeve? Ka një rregull mbi të cilin funksionon demokracia. Parimi i demokracisë ngrihet mbi parimin e mazhorancës. Në momentin që zhvillohen zgjedhjet dhe të gjitha procedurat mbyllen, detyra e atyre që kanë fituar zgjedhjet është që të qeverisin, ndërsa detyra e opozitës është të bëjë opozitën. Opozita ka të gjithë të drejtën kushtetuese dhe ligjore për të kërkuar të drejtat e saj këtu përmes interpelancave, pyetjeve, diskutimeve dhe pjesëmarrjes në komisione. Ashtu siç ka të drejta opozita ka dhe detyrat e saj, të cilat janë të shkruara dhe të materializuara jo vetëm në Kushtetutën dhe rregulloren tonë, por edhe në rezolutat e Këshillit të Evropës, Parlamentit Evropian dhe të konferencave të kryetarëve të parlamenteve të Këshillit të Evropën, ku ato kanë për detyrë të jenë pjesëmarrës, të votojnë natyrisht sipas gjykimit dhe vlerësimit të tyre. Cili ligj mendoni ju se do jetë sfida kryesore e punimeve të këtij sesioni? Unë mendoj se ka shumë sfida, nuk ka vetëm një ligj apo një reformë. Ky është një vend që po ecën me një shpejtësi të jashtëzakonshme, një vend për të cilin institucionet ndërkombëtare e shohin si një ndër arritjet më të mëdha faktin që vendi jonë ndryshe nga vendet e tjera ka qenë më i mbrojtur nga kriza globale. Kjo për shkak të një mendimi dhe të një politike ekonomike të adaptuar e cila ka bërë të mundur që në vendin tonë të vazhdojë rritja ekonomike. Është kënaqësi e madhe që Parlamenti ka qenë lider në këto reforma dhe që Shqipëria është kthyer sot në një vend që befason, mahnit jo vetëm për infrastrukturën e saj, jo vetëm për shpirtin sipërmarrës të saj, por me të gjithë këto arritje në fushën e ekonomisë, drejtësisë sociale, në realizimin e rritjeve të rrogave, pensioneve e cila nuk ndodh prej dy vitesh as në vendet e Evropës, as në vende të tjera. Përjashto ndoshta Indinë dhe Kinën që kanë një rritje të mahnitshme dhe të pakonceptueshme. Ka patur vërejtje në mënyrën sesi ju keni drejtuar sesionet e mëparshme nga ana e opozitës. Si do të përgjigjeshit si prelud i këtij sesioni të ri? Detyra e Kryetarit të Kuvendit është të zbatojë rregulloren. Parlamenti është institucion, është pushteti kryesor nga i cili lindin të gjithë institucionet e tjera dhe funksionon mbi bazën e rregullores. Detyra e Kryetarit të Kuvendit është të respektojë këtë rregullore duke qenë padyshim më i hapur dhe më tolerant ndaj opozitës. Po të shikoni transkriptimet e diskutimeve do të vini re se volumi i transkriptimeve i diskutimeve të opozitës kur ka qenë pjesëmarrëse në seancat parlamentare ndoshta është e barabartë me atë të mazhorancës, gjë që tregon se opozita ka të gjithë të drejtën kushtetuese, ligjore dhe morale për të patur hapësirën e saj e për të shfrytëzuar çdo instrument që i jep rregullorja e Kuvendit dhe Kryetarja e Kuvendit ka respektuar në çdo rast të drejtën e tyre. Ashtu siç Kryetarja e Kuvendit nuk mund të heshtë dhe të mos thotë atë që rezolutat evropiane ja detyrojnë opozitës që përveç të drejtave ke dhe detyra. Je përfaqësues dhe detyra jote është të përfaqësojë çdo mendim, çdo kërkesë të asaj pjese të popullsisë që të ka dhënë besimin dhe përfaqësimi bëhet në sallën e Kuvendit.
Lëvizja Socialiste për Integrim “harron” 6-vjetorin e themelimit
Edhe pse dje ka mbushur plot gjashtë vjet nga themelimi si parti politike, Lëvizja Socialiste për Integrim ka qëndruar dje mëse e heshtur, duke e kaluar pa asnjë deklaratë këtë ditë. Vitet e tjera ku ka pasur përvjetor, LSI-ja ka festuar me bujë të madhe, ndërsa sivjet që është edhe në qeverisje, ka heshtur, ndoshta duke harruar ditën e parë që hodhi rrënjët si forcë e vetme politike, duke lënë mënjanë “hijen” e Partisë Socialiste. Kjo harresë ndoshta ka ndodhur për shkak se lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është jashtë Shqipërisë dhe “vartësit” nuk kanë dashur që ta festojnë këtë ditë pa udhëheqësin e tyre. Ndoshta festimet do të shtyhen dhe në ditët në vijim do të ketë ndonjë organizim për të kujtuar gjashtë vjetorin e themelimit të kësaj partie, e cila sot është një eksponent i rëndësishëm në qeverisje.
PS publikon akuza të reja për ish- ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli
Partia Socialiste në vijim të paraqitjes së fakteve që dëshmojnë kapjen e shtetit dhe abuzimin në emër të përfitimeve, nga njerëzit e kryeministrit, ka bërë publike dje një grup pyetjesh për ish-ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli, ku theksohet se kontrata e shtetit me ish qiramarrësit e mjediseve të ish- Ekspozitës “Shqipëria Sot” u prishën jashtë afateve ligjore, vetëm e vetëm për të përmbushur interesat e familjes dhe njerëzve të afërt të kryeministrit. “A ka vallë zoti Ruli familjarë ose njerëz të tjerë të lidhur me ju, kryeministrin apo funksionarë të tjerë të lartë, që kanë qenë të interesuar për të përfituar drejtpërdrejtë nga ky privatizim, duke ju shtyrë të prishni në mënyrë të njëanshme kontratën për dhënien me qira të ish - Ekspozitës “Shqipëria Sot”, apeloi për përgjigje nga ministri aktual i Bujqësisë, deputeti i opozitës, Eduart Shalsi. Sipas Shalsit ky proces i vlerësimit të truallit të ish - Ekspozitës dhe të zonës përreth ishte një proces jo transparent dhe i padrejtë.
|