Vera e re ne fuçine e vjeter  
   
Rrëfenjë për "Një rrëfenjë me ndërkombëtarë"
 
     

roland qafoku

Kur miku im botues Luan Pengili më dha lajmin se Ylljet Aliçka kishte shpërthyer sërish, mendova se ndonjë skenar oruellian alla parullash me gurë duket ta ketë ngjizur ai njeri. Në fraksion të sekondës imagjinata më çoi në ndonjë film magji, tërë fantazi, tërë nerv, tërë argëtim dhe në fund padiskutim një sukses të paparë. Një skenë masive këtu, një aktrim klasi atje dhe Aliçka sërish do ishte shndërruar në ylljetin e kohës që po kalojmë duke i dhënë leksionin e radhës çdo kineasti, skenaristi, pse jo edhe tërë shoqërisë së çoroditur shqiptare. Por u gabova prej asaj që dëgjova. Këtë herë mjeshtri Aliçka kishte hedhur në treg një roman. Roman? I pari mendim që më kaloi në mendje ishte se narracionit i ka ikur një çikë koha. E, kur virusi i kësaj sëmundjeje ka zënë botën mbanë, ç'pritet në Shqipërinë tonë që libri nuk është malli më i konsumuar. Por, Pengili, botuesi i OMSCA-1, ma preu sërish idenë duke shtuar më tutje se, Ylljet Aliçka këtë herë kishte një epikrizë të vërtetë për diplomatët e huaj që nuk janë të paktë këtej nga ana jonë që quhet Shqipëri. Për ata që edhe ne, gazetarët, i cilësojmë ndërkombëtarë dhe që ua çjerrka maskën natyrisht në formën e tij. Nuk mu mbush mendja plotësisht se Aliçka duhet të ketë arritur këtu. Së pari mendova, ose ai është bërë vetë tip ndërkombëtari, ose nuk e di si janë punët. Ndoshta duhet të ketë devijuar nga ajo që bën tërë populli shqiptar për të cilët, të huajt, kanë qenë, janë dhe do të jenë zemra, thembra, kraharori i të gjitha çelësave të zgjidhjes së problemeve. Ndërkombëtarët në përgjithësi dhe Evropa në veçanti janë parë e shihen si një raketë që lëshohet drejt nesh dhe na sjellin veç të mira materiale. Duhet përnjëmend krisje totale që t'i godasësh me gurë ata njerëz që rropaten për të na zgjidhur hallet tona që i kemi me bollëk. Pena furacake e Aliçkës kishte harxhuar goxha bojë për të jashtmit.
Por ja që mjeshtëria e romancierit befasues më futi në një botë më shumë se reale. Dhe, leximi i librit në këto ditë zhegu, ku në Shqipërinë tonë të lëngon shpirti për drita e ujë, më qasi dhe feksi idenë se ishin ditët më të përshtatshme të rrije ca orë me gërmat e Aliçkës. Dhe, pasi e kërreva të 179 faqet, mbeta me gojë hapur. Lexova të parin pickim që një shqiptar i njohur u bën të huajve që pas vitit 1990 u ka rënë rruga shpesh në viset tona. Nga ai vit kur për 50 vjet ne i binim në qafë edhe coca-colës dhe Marilyn Monroes. Edhe Michael Jacksonit dhe raketave Cruiz. Por që me zhdukjen e komunizmit kaluam në fletën tjetër të librit, në atë që çdo i huaj vlerësohet pak a shumë kështu: Është djalë apo çupë i/e mirë, njeri i mirë dhe më e rëndësishmja, ne na bën vetëm mirë.
Rrëfenjë me ndërkombëtarë" më ngjasoi me romanet e Kadaresë në vitet '80, të cilët parashikonin stuhitë politike dhe nganjëherë librat e tij i lexonim edhe si lajme e raporte që media e asaj kohe nuk mund t'i jepte kurrë. Ja dhe Ylljeti, këtë e ka bërë nja dy dekada më pas. Në formën e një romani që lexohet si të pish me fund një gojë ujë kur ke vapë, na ka dhënë një lajm që për turpin e medias sonë dhe të ne, gazetarëve, nuk do ta guxonim ta publikonim kurrë.
A ka më ironike teksa lexon tërë substancën e këtij romani se ai grusht njerëzish që vijnë nga shtete perëndimore dhe që krijojnë një ambasadë me emrin ndërkombëtar dhe që kanë në dorë fatet e vendit tonë, kanë një mijë e një vese, defekte, e deri moralitete negative dhe që vetëm me diplomatë nuk ngjasojnë.
Aliçka ka ditur të ndërtojë një fabul me njerëz të gjallë që vijnë si shpëtimtarë në një vend të zymtë e të varfër. Por që kur u del kallaja rezultojnë shumë më të varfër në shpirt se shqiptarët dhe, më e rëndësishmja se kaq, mbi shpinë mbajnë distancën nga realiteti.
Një ambasadë e tillë i ngjan një foleje grenzash kur të gjithë janë me veshët ngritur dhe të gjithë gërgëritin për njëri-tjetrin xhu-xhu-xhu që më pas shndërrohen në raporte faqesh e dosjesh pafund. Viktimat jemi përsëri ne, që shpesh na quajnë fukarenj të bardhë. Nuk dimë të qeverisim, nuk u jemi mirënjohës të huajve dhe s'kemi për të bërë përparime.
E nga t'ia nisim për kulmet e romanit me ndërkombëtarë. Nga ai i ambasadorit që e tradhtoi e dashura shqiptare, një çupëlinë në moshën e mbesës së vet, për të cilën ushtronte survejim non stop, një survejim që shkonte në përpjesëtim të drejtë edhe me dhuratat që ia jepte.
Apo tek belgu, që pasi u fut në det për t'u larë me një vajzë vendase, kur u kthye pa se kalamajtë e fshatit bregdetar i kishin marrë rrobat dhe dokumentet, dhe në largësi i kërkonin para në këmbim të kthimit të tyre. Skena na kujtoi filmin e vjetër "Mëngjese lufte". Edhe ata që fëmijët i lanë në det lakuriq të huaj ishin. Por me këta të sotmit kishin një ndryshim. Gjermanët ishin pushtues në tokën tonë. Ndërsa belgu bënte diplomaci në vendin tonë.
Apo tek letra e diplomatit mesdhetar që i drejtonte pastrueses së shtëpisë, ku e porosiste me gjuhë diplomatike se peshqirët duhet t'i lante një herë në javë se konsumoheshin shpejt dhe shpenzonte pluhur larës suplementar apo ndryshimit të valvolës së bolierit se dyshonte se komshia përfitonte ujë të ngrohtë nga ai.
Apo tek britaniku që pasi iu grisën pantallonat nga një gozhdë poshtë skrivanisë, i dërgoi me postë në zyrat qendrore, një kërkesë për rimbursim në shifrën 45 euro, me arsyetimin se i ishin dëmtuar në krye të detyrës.
Tek bashkëshortja e zotit Uajt, e cila alarmoi tërë policinë e Tiranës se duhet t'i kishin grabitur çantën nga dora hajdutët, por nga një investigim që çoi gjithë policinë e Tiranës dhe forcat speciale në këmbë rezultoi se e kishte harruar në dhomën e saj.
Apo tek humbja e qengjit të kopshtarit, që sipas gjasave ia kishin vjedhur ata të përfaqësisë përbri dhe duhet ta kishin ngrënë. Apo për atmosferën në dasmën e djalit të kopshtarit që si kompensim ambasada i bleu një dash të ri dhe që të gjithë ishin të ftuar nga babaxhani i kopshtit. Apo në fund të romanit, që shqiptari që arriti të nisë punë në këtë përfaqësi, të pushohej me një motivacion skandaloz: Kërcënimi i dinjitetit të diplomatit në krye të detyrës.
Të gjitha këto mund t'i dinin më parë shumë njerëz. Shumë shqiptarë me kollare e pa kollare. Me pozitë apo pa pozitë. Politikanë apo intelektualë. Por vlera dhe mjeshtëria e Aliçkës qëndron nën guximin dhe plasjen hapur të këtij fenomeni. Tashmë ne, shqiptarët, duhet të ndjekim mirë varganin që ky shkrimtar na ka dhënë si dhuratë. Jo çdo gjë që e thonë të huajt fluturon. Për më tepër, kur kemi të bëjmë me të huaj të tillë që jo vetëm nuk e ndihmojnë vendin tonë të varfër e jo vetëm nuk bëjnë diplomaci, por më shumë e dëmtojnë për nga ato që ata kryejnë.
Dhe, në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, duke lexuar një roman në një kohë që s'është për romane, në fakt lexova një të vërtetë. Një lajm që ne të medias nuk kemi guxuar të shkruajmë kurrë. E, kur ne të kemi atë guxim si Aliçka për ta hedhur në gazetë, kushedi se çdo ketë bluar në mendje njeriu i surprizave. Ndoshta ndonjë rrëfenjë tjetër për të tjerë njerëz. Mjerë kush do ta ketë radhën!

...................................................................................
Krye  

Si shkruanin paraardhesit

Panteoni i shqiponjave

Petro marko, Botuar me 1961

Një mësonjës, një poet, një skulptor, një arkitekt, një punëtor dhe një nxënës, shokë apo miq të ngushtë shëtisnin në bregoret e Universitetit, aty ku janë varrezat e dëshmorëve. Është 5 Maji!
Poeti: Pesë Maj është një minutë zi i shekujve të therorisë sonë.
Skulptori (me vete): Ky obelisk sa i vogël më duket!
Mësonjësi:
Mirë e the: Një minutë zi i theroisë shekullore. E c''janë ligjërimet e nënave tona, motrave dhe gjysheve? E ç'është kuja e vashave të mbledhura në Val-Kal të Beratit ku varroseshin luftëtarët e tradhtuar të Skënderbeut! Therorë, dëshmorë, martirë e kanë mbuluar këtë Atdhe të martirizuar!
Poeti: Sa mirë këndonin suljotet para se të hidheshin nga shkëmbinjtë:

Pa shih se ç'kohë
paska gjetur
Kjo Mortje të na marrë,
Tani që gjethi gjelbëron
Dhe dheu mbushur
me bar...

Nxënësi: Shoku mësonjës, përse është shkruar "Që kur u shtri Skënderbeu në shtrat, kali i tij ishte egërsuar, nuk qaste njeri tjetër t'i hipte, nuk donte as të hante, as të rronte më dhe u shtri edhe ai e vdiq pak ditë pas të zotit"? Vdes kali apo ngordh?
Mësonjësi: Ka kuaj ose kafshë që vdesin, kurse ka edhe njerëz që ngordhin! Të parët tanë kanë vdekur më këmbë. Këtë amanet na kanë lënë pas: Të vdesim më këmbë!
Punëtori: Paradreke ishim për vizitë te nënë Havaja, nëna e Halim Xhelos. Iu kujtua Nusreti i vogël dhe filloi të qante: "As varrin s'dimë se ku e ka; s'dimë ku të vemi të hedhim një tufë lule për atë lule të njomë, për atë partizan të nënës që më thoshte: "Edhe nëse vritem mos qaj, se flija jonë do të bëhet kënga e jetës. "
Arkitekti: Sa bij e bija të popullit s'kanë varr! Furtuna e tërbuar...
Poeti: Jo, shoku arkitekt! Varr kanë që të gjithë në Pantheonin e Shqiponjave.
Skulptori (me vete): Si tha ky? Pantheoni i Shqiponjave? Po ku është ky Pantheon? (me zë): Nuk ju dëgjova mirë shoku poet, mos përmendet fjalën Pantheon?
Punëtori: Po! Nuk e dëgjove? Tha se të jgithë janë varrosur në Pantheonin e Shqiponjave.
Poeti (punëtorit): Faleminderit1 (skulptorit dhe arkitektit): Po! Edhe ata që kanë mbetur në shkretëtirat e Azisë dhe të Afrikës, syrgjynosur nga osmanllinjtë, edhe ata prehen në Pantheonin e Shqiponjave! Se kur jepnin shpirt këtu u fluturoi mendja dhe zemra. Edhe ata që ranë në Spanjë nën flamurin e Lirisë s'kanë varr, por prehen në Pantheonin e Shqiponjave! Edhe ata që u dogjën në krematorët e Hitlerit ose që dhanë shpirt në burgjet dhe ishujt e vdekjes të Musolinit, edhe ata prehen në Pantheonin e Shqiponjave.
Skulptori: Më fal shoku poet, po..
Mësonjësi (skulptorit): Prit!
Arkitekti: Po ky na flet për një Pantheon që mendohet të bëhet!
Poeti: Si thatë shoku arkitekt? Pantheoni i Shqiponjave mendohet të bëhet? Më falni, më duket se nuk po më kuptoni!
Të gjithë heshtën. Punëtori mendon: "Kur isha roje në kufi kishte piramida. Pse të mblidhen tërë obelisket e mijëra e mijëra lapidarëve që janë ngritur në çdo qafë e grykë, a thua se kufiri i Atdheut tonë nuk do të bënte një gardh të dendur obeliskësh?
Poeti shikon larg. Kushedi se ku i fluturon mendimi!
Mësonjësi (punëtorit): Qante plakë Havajë, e?
Qante për Nusretin se nuk i dihet varri e? Po njeriu kur vjen këtu vjen edhe për Nusretin edhe për të 28 mijë që ranë nën flamurin e Luftës Nacionalçlirimtare! Këto lule që prunë sot këtu u kushtohen me mirënjohje tërë atyre që dhanë jetën për jetën tonë.
Duket se vetëm punëtori e dëgjoi mësonjësin. Të tjerët kishin kthyer sytë nga poeti dhe prisnin të fliste.
Skulptori: Kjo është një ide e mirë që dhatë ju, shoku poet: "Pantheoni i Shqiponjave!" Po si të realizohet kjo ide e mrekullueshme? Ja, këtu, majë kësaj bregoreje të ngrihet madhështor një Pantheon që t'u flasë gjeneratave që do të vijnë.
Poeti: Jo! Unë nuk e kam fjalën për Monumentin që do të ngrehni ju këtu. As për ligjërimet që mund të bëj unë ose shokët e mi për dëshmorët dhe martirët. E kam fjalën për Pesë Majin! Thashë se kjo ditë ësht ënjë minutë zi e shekujve të therorisë sonë, i atyre shekujve që kanë ngritur Pantheonin e Shqiponjave. Më kuptoni? Eh! Këtë Pantheon sa krahë kreshnikësh, krahë burrash, krahë komitash dhe krahë partizanësh e gdhëndën!
Poeti heshti. Të gjithë heshtën. Të gjithë dëgjonin ligjërimin e heshtur të Pesë Majit, që fliste me gjuhë lavdie!

 
...................................................................................
Krye  

 

 Komente
  Panteoni i shqiponjave
..
..........................................
 
..
..........................................
   
..
..........................................
   
..
..........................................
   
 
 
s