Më 31 korrik 1943, 3000 matjanë u ngritën me armë në dorë kundër garnizonit fashist italian, i cili mbante të pushtuar krahinën e Matit e më gjerë, si në Qafë-Buall, Komsi etj. Kryengritja popullore pati zanafillën e orientimin nga kuvendi i Bruçit të rrethit të Matit. Ky kuvend u mblodh me 26 korrik në fshatin Bruç, i cili u organizua dhe u mblodh nga vetë matjanët nën frymën e Konferencës së Pezës. Ky kuvend ishte shumë pluralist dhe për t'u marrë shembull në gjithë vendin, sepse në kuvendin e Buçit morën pjesë, diskutuan e vendosën nacionalistë, zogistë, paria e vendit, komunistë e partizanë. Nuk ka nevojë për emra, se është janë shkruar edhe libra nga Beqir Minxhozi, Ramiz Fiçorri e të tjerë, për këtë luftë popullore të zhvilluar në Mat. Unë, si matjan, që i vogël kam marrë pjesë në përkujtimin e kësaj ngjarje çdo vit më 31 korrik, ku populli matjan këtë datë e kishte ditë feste dhe e kremtonte si ditën e çlirimit të Matit. Në asnjë rreth e krahinë të vendit tonë nuk kishte ndodhur që në një ditë e një orë të ngriheshin njëherësh 3000 vullnetarë me armë në dorë. Rreth orës 12 të natës të 3 korrikut 1943 u sulmuan pushtuesit italianë në tri pika, ku ata kishin përqendruar forca të shumta, shumica në kazermën e Burrelit si dhe në Qaf-Bruç e Komsi. Sulmi qe i menjëhershëm, i befasishëm, i organizuar mirë, dhe drejtohej nga një shtab i zgjedhur nga kuvendi i Bruçit. Në përbërje kishte burra trima e të mençur nga paria e Matit dhe e Selitës. Kishte nacionalistë, partizanë të çetës së Matit e komunistë, të cilët udhëhoqën 3000 matjanët. Ata patën besim dhe u hodhën mbi armikun, megjithëse ai ishte më i madh në numër dhe i armatosur deri në dhëmbë. Megjithëse i erdhën përforcime nga Tirana, deri edhe me tanke e avionë, megjithëse i dogji e plaçkiti fshatrat të gjithë, vrau edhe pleq gra e fëmijë, armiku s'i shpëtoi disfatës, në shtator të vitit 1943 s'mbeti këmbë fashisti në Mat. Kështu 31 korriku përkujtohet e festohet e çdo vit. Me emrin 31 Korrik është pagëzuar shkolla në Burrel, ekipe sportive të të gjitha llojeve, futboll, basketboll, volejboll, çiklizëm, mundje, pingpong etj., ku fatkeqësisht pas '90-ës, i hoqën pa të drejtë segmente të caktuara që duan të mohojnë Luftën Nacionalçlirimtare të popullit të Matit e më gjerë. Ndaj si matjan, i bëj apel bashkisë së Burrelit, deputetëve të Matit, qeverisë e pushtetit qendror që datat historike që tregojnë heroizmin e popullit për liri, të mos harrohen, por të festohen si ngaherë. Faleminderit për mirëkuptimin! Me respekt, Idriz Pasha