Miranda Beqaj i vjen në ndihmë të miturve, por humb jetën
Flijohet nën rrotat e zetorit
për të shpëtuar fëmijët e fqinjit
Aleksander ndoja
BURREL- Një 27-vjeçare nga fshati Cerrujë në komunë e Klosit i ka dhënë fund jetës, teksa është munduar që të shpëtojë dy fëmijë të vegjël të cilët ishin vënë përpara nga një zetor, që i mungonte sistemi i drejtimit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në mesditë, kur mjeti tip zetor i drejtuar nga Bujar Hoxha ka dalë jashtë kontrollit të tij dhe është sulur me të shpejtë në rrugët e fshatit. Dy fëmijë të vegjël, të cilët ishin në rrezik jete, janë tërhequr me forcë nga 27-vjeçarja Miranda Beqaj, e cila në fund është marrë përpara nga zetori duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj policia e mbërritur në vendngjarje ka ndaluar zetoristin 25-vjeçar, i cili do të duhet të përgjigjet penalisht për aksidentin. Ngjarja
Automjeti zetor i cili drejtohej nga 25-vjeçari Bujar Hoxha, me banim në fshatin Cerrujë të komunës së Klosit, ka dalë nga ara ku po punonte dhe në mes ditë është nisur për në banesë për pushimin e drekës. Por me të dalë në rrugën e fshatit e cila vijonte me dishezë, automjeti ka dalë jashtë kontrollit të drejtuesit të tij. Sistemi i drejtimit ka pushuar së funksionuari, ndërsa shoferi është munduar me të gjitha mundësitë për ta vënë nën kontroll. Por kjo ka qenë krejt e pamundur, ndërsa dy fëmijë po luanin qetësisht në fundin e rrugës. Fëmijët të harruar pas lojërave nuk e kanë vënë re aspak rrezikun që po i kanosej me afrimin e zetorit, i cili kishte marrë një shpejtësi të konsiderueshme. Por fati i fëmijëve të vegjël ka qenë një fqinje e tyre, e quajtur Miranda Becaj, e martuar në atë fshat dhe nënë e dy fëmijëve. Duket se ajo e ka parë në kohë zetorin ndaj me të shpejtë është gjendur në rrugë në ndihmë të fëmijëve. Në pak sekonda, Miranda ka mundur që të largojë në mënyrë të menjëhershme të dy fëmijët, duke bërë të mundur që asnjëri prej tyre të mos dëmtohej nga zetori. Por momenti që zetori ka mbërritur aty ka qenë fatkeq për Mirandën, e cila ende nuk kishte mundur që të largohej nga rruga. Zetori e ka vënë atë përpara duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërsa të afërmit nuk kanë mundur t'i japin asaj asnjë ndihmë, pasi ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka ndaluar 25-vjeçarin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa qindra njerëz me të marrë njoftim për ngjarjen janë gjendur aty për të bërë ngushëllime për një rast të veçantë, ku një grua humb jetën në përpjekje për të shpëtuar fëmijët e fqinjit.
SHKODËR- Kapen dy persona me lëndë narkotike që dyshohet të jetë heroinë. Të shtunën në mëngjes, pas një operacioni të koduar me emrin "Ura e Bunës", të kryer nga Drejtoria e Luftës Kundër Drogës në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Policisë Qarkut Shkodër, në lagjen "Perash" të qytetit Shkodër u kapën dhe u arrestuan dy persona në flagrancë me 400 gram lëndë narkotike, e cila dyshohet të jetë e llojit heroinë, e paketuar dhe e mbështjellë me natriban. Sasia e drogës ishte fshehur në automjetin "Benz 240" me targa SH 3221 D. Janë arrestuar Mensur Zaganjori, 52 vjeç, banues në lagjen "Salo Halili" në Shkodër dhe Bledar Abdyli, 33 vjeç, banues në lagjen "Perash" në Shkodër, të cilët janë vënë në pranga pikërisht për trafikim të lëndëve narkotike. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i lëndës dhe i automjetit, i cili ishte në pronësi të Mensur Zaganjorit. Sipas burimeve të policisë, të dy personat survejoheshin prej kohësh nga policia, pasi dyshoheshin për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Zjarri shkrumbon dy banesa, 18 vetë në qiell të hapur
MIRDITË- Një zjarr i fuqishëm në mesnatë ka shkrumbur totalisht dy banesa në fshatin Malaj të bashkisë së Rrëshenit. Ngjarja e rëndë, që fatmirësisht nuk ka shënuar viktima në njerëz, ka ndodhur në mesnantën e së premtes, rreth orës 02.00. Origjina e flakëve ka qënë pjesa e pasme e godinës 2-katëshe, ndërsa në pak minuta ajo është pushtuar nga totalisht nga gjuhët e flakëve. I pari që i ka konstatuar flakët, ka qënë pronari i njërës prej dy banesave, Preng Totri. Banesat ishin ngjitur me njëra tjetrën duke pasur të njëjtën çati. Prenga ka dhënë alarmin edhe në banesën tjetër, atë të Nikoll Totrit. Në pak minuta, edhe pse ndodheshin në gjumë, të gjithë pjestarët kanë mundur që të dalin nga banesa, pa u dëmtuar. Brenda shtëpive kanë qenë 13 fëmijë të moshës 2 deri në 16 vjeç, dhe pesë persona të rritur, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur që të nxjerrë asgjë jashtë godinës që digjej, përveç rrobave të veshura. Një telefonatë e mbërritur në polici ka vënë në alarm shërbimin zjarrfikës të Mirditës, të cilët kanë treguar një gatishmëri të menjëhershme, por që vetëm nuk kanë lejuar që zjarri të përhapet në shtëpitë e tjera. Nuk dihen motivet e rënies së zjarrit.
Burg për të tretën herë
për vjedhje 25-vjeçari nga Durrësi
DURRËS- 25-vjeçari K.Blishi është rikthyer në qelitë e paraburgimit pasi ka kryer të njëjtën vepër penale si dhe më parë. Edhe pse i dënuar më parë për vjedhje të banesave e lokaleve, 25-vjeçari banues në lagjen Nr.1 të qytetit të Durrësit, nuk ka hequr dorë nga vjedhja. Ai është zënë në flagrancë nga shërbimet e policisë teksa vidhte një lokal në lagjen Nr.5 të qytetit. Sipas policisë, ai kishte nxjerrë nga lokali disa artikuj, por pa mundur të realizonte transportimin e tyre. I pari që ka hetuar gjendjen ka qenë pronari që banonte disa kate mbi lokal dhe që kishte mundur të zgjohej nga sinjali i hapjes së qepenit të lokalit. Kaq i ka mjaftuar për të vënë në dijeni policinë, e cila në pak minuta ka arrestuar Blishin në kushtet e flagrancës me mallin e vjedhur.
Arrestohet 27-vjeçari nga Vlora, dyshohet për vjedhjen e disa lokaleve
FIER- Forcat e policisë së Fierit kanë ndaluar një 27-vjeçar nga qyteti Vlorës, pasi dyshohet të jetë autori i vjedhjes së një lokali në Levan të rrethit Fier. Burimet zyrtare të policisë kanë bërë sot të ditur se, Fatmir Marra është ndaluar rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, në zbatim të urdhër-ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Fier, një ditë më parë. Marra dyshohet të jetë autor i vjedhjes së lokalit të Arjan Lamçes, banues në Levan të Fierit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në datë 26 qershor 2007, në orët e natës dhe nga ana e prokurorisë, e cila është marrë me zbardhjen e kësaj ngjarjeje, Marra është një nga të dyshuarit e parë dhe të vetëm në lidhje me vjedhjen e kryer.
Pronari nuk i paguan fitimin në
bingo, tenton ta vrasë adoleshentin
LUSHNJË- Një 45-vjeçar nga Lushnja është shpallur në kërkim nga policia, pasi ai akuzohet për tentativë vrasjeje. Ramazan Xhebixhiu, banor i qytetit të Lushnjës, pronar i një lokali kompjuterash, është shpallur në kërkim pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri ditën e djeshme 19-vjeçarin Arben Beqiri. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, në lokalin e Ramazan Xhebixhiut, ku 19-vjeçari Beqiri fitoi në lojën me kompjuter, 6 mijë lekë, të cilat nuk i ka marrë. Debatet kanën nisur fillimisht me disa ofendime që 19-vjeçari ka hedhur ndaj pronarit të lokalit dhe më pas kanë nisur dhe kërcënimet për atë që nuk i paguante paratë e fituara. Xhebixhiu u ka prerë rrugën me një veturë tip "Volsvagen", me targë LU 97-79 B dhe ka qëlluar një herë në drejtim të 19-vjeçarit që fatmirësisht nuk është lënduar.
Kanos me armë pas një sherri të momentit, i shpëton arrestimit
SHIJAK- Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim, në bazë të një vendimi gjyqësor, një 30-vjeçar nga Shijaku, pasi ai është akuzuar se ka kanosur me armë një bashkëfshatarin e tij. Ngjarja e cila ka ndodhur në orët e natës së vonë, në një bar-kafe në Shijak, ka vënë para përgjegjësisë penale të mbajtjes së armës pa leje dhe atë të kanosjes B.Dijna, 30 vjeç. Sipas policisë, ai në gjendje të alkoolizuar ka nxjerrë pistoletën para një lokali dhe ka qëlluar në ajër, duke kërcënuar Y.D. Më pas ai ka mundur të largohet pa u kapur nga shërbimet e policisë për t'u arrestuar në të gdhirë të ditës së djeshme. Në cilësinë e provës materiale policia ka bllokuar një pistoletë dhe një krehër me 5 fishekë.